E marte, 22.06.2021, 04:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilirjan Sadikaj: Dashuria e Besarës (I)

E diele, 03.05.2009, 11:45 AM


Ilirjan Sadikaj

Dashuria e Besarës

- Uh, ç'vapë!- shfryu Dalani, duke larguar jakën e këmishës nga qafa e djersitur. Hapi deri në fund dritaret e Fordit të tij të vogël ngjyrë të kuqe, por ajri jashtë ishte po aq i nxehtë sa brenda hapësirës së veturës. Megjithatë, një vrull i vogël ere fërshëlleu pas kurrizit të tij dhe ai e ndjeu veten disi më mirë.
Fordi "Eskort" ishte prodhim i vitit 1987, pa kondicioner dhe aksesorë të tjerë, që kanë makinat e reja. Por për Dalanin ishte i rehatshëm. E mirëmbante si mundej, e pastronte përditë dhe fliste me të si me një shok të vogël. Madje i kishte vënë edhe një emër përkëdhelës, e quante "Buçi", si për t'i dhënë shpirt kësaj llamarine të prodhuar pesëmbëdhjetë vjet më parë. Buçi, herë pas here kërkëllinte me një zhurmë të lehtë melodike, e që Dalani supozonte se e shkaktonin amortizatorët e pasëm. Mbase për të njëqindën herë mendoi se ata duheshin ndërruar dhe po për të njëqindën herë e shtyu këtë veprim në një kohë të pacaktuar.
- Mbas pushimeve të verës, do të mundohem të kursej diçka për ty Buçi,- i foli ai makinës, duke i rënë lehtë me dorë kroskotit.
Dalani e kishte marrë rrugën për në Vlorë, këtë paradite, qejfmbetur. Jo se ishte largësi e madhe, (më pak se dyzetë kilometra nga Vlora është Fieri), por sepse e shoqja, Roberta, këmbënguli si kurrë më parë, që për pesëmbëdhjetë ditët e plazhit që do të kalonin në Vlorë, duhej patjetër të merrnin një apartament me qira.
- Diku nga Skela, është disi më lirë,- i tha ajo një mbrëmje.
- Robi, thirri pak mendjes!- ia ktheu Dalani.- A  e ke bërë llogari se sa para na duhen? Ku do t'i gjejmë të shkretat?!
- Do bëjmë edhe ne njëherë si bën gjithë bota, o burrë. Fqinjët tanë i kalojnë pushimet jashtë shtetit. Se mos janë ata më të mirë se ne.
Ai donte t’i thoshte se ata nuk ishin më të mirë, por ishin më mirë nga gjendja ekonomike. Dikush kishte një biznes të vogël, dikush kishte fëmijët në emigracion, dikush tjetër...
Por Roberta ia ndërpreu mendimin.
- Edhe Poli me Gonin janë dakort. Me Polin fola në telefon. E di si m'u përgjigj? “Pushime me part-time?! Mos ma përmendni më! O një apartament në Vlorë, o s'vij fare!”
Dalani e pa me qesëndi. Apolonia dhe Agroni ishin fëmijët e tyre.
Apolonia studionte në Tiranë, në vitin e parë për gjermanisht dhe Agroni, sapo kishte mbaruar klasën e tetë.
- Robi, kjo shprehja "pushime me part -time" është e jotja dhe jo e Polit,- i tha Dalani së shoqes rëndë-rëndë.- Fëmijët do të bëjnë si të duam ne. Vlora ja ku është, makinën po e kemi. Me pesë litra naftë shkojmë dhe vijmë ditë për ditë. Bukën e marrim me vete nga shtëpia.
- Me Buçin përditë?! Jo dhe jo!- këmbënguli ajo.
- Pse si të duket Buçi ty?- gati u inatos Dalani, që iu duk se po i shanin makinën.
Roberta i buzëqeshi e u mundua ta merrte me të mirë.
- Hë Dalà,- i tha me përkëdheli,- mos na e prish. Pastaj unë i kam thënë Vjollcës, të shikojë për ndonjë apartament për në dhjetë ose pesëmbëdhjetë korrik.
Vjollca ishte motra e Dalanit, martuar në Vlorë, rregulluar me shtëpi dhe katandi si jo më mirë. Ajo ishte mësuese matematike, punonte në një shkollë private dhe pas punës jepte kurse private. I shoqi, Sokoli, ishte avokat i zoti dhe kishin shumë të ardhura në muaj. Të dy djemtë e tyre, mësonin në shkollën private ku Vjollca jepte mësim.
 Ndërsa Dalani me Robertën, me të ardhurat që merrnin mezi kalonin muajin. Ai ishte inxhinier nafte, ajo mësuese në ciklin e ulët. Vajza studionte në universitetin e Tiranës dhe çdo muaj paguanin një kuotë lekësh që ishte gati rroga e së shoqes. Djali hidhte përditë shtat dhe vetëm pantallonat dhe atletet i ndërronte çdo katër-pesë muaj. Duhej të blinin edhe një kompjuter. Një kamera dixhitale e kishte ëndërruar gjithmonë. Edhe Buçi donte të hante nga pak çdo muaj. Shpenzimet vetjake ai i kishte reduktuar në minimum. Një ekspres në mëngjes para se të fillonte punën dhe kaq. Ndonjë çaj pasdite apo ndonjë gotë birrë në mbrëmje mund t'i shijonte vetëm në shtëpi. Dalani e pa Robertën me mëdyshje.
- Qoftë e bërë!- tha më në fund.- Por kompjuterit i thuaj lamtumirë sivjet.
Dhe nuk foli më.
Kështu, atë të shtunë të fundit të qershorit, u nis të takonte të motrën në Vlorë. Përveçse i kishte mbetur qejfi ngaqë e shoqja dhe fëmijët bënin plane pa u këshilluar më parë me të, Dalanin e kishte mbërthyer një ankth që nuk dinte si ta shpjegonte. Ankthi kishte trajtën e një pikëpyetjeje që i çukiste kokën dhe nuk gjente dot zgjidhjen. Përse Roberta këmbënguli që pushimet e verës t’i bënin në korrik dhe jo në gusht, muajin e saj të preferuar? Që kur ishin martuar, rreth njëzet vjet më parë e deri tani, lejet e zakonshme i kishin marrë gjithmonë në muajin e fundit të verës, ashtu siç donte ajo. Ideja e saj e pazakontë për të ndryshuar rutinën, që prej vitesh ishte shndërruar në një “planifikim standart, që të hante shpirtin”, siç e përkufizonte ai, i dukej përveçse e paarsyeshme, edhe tinzare.
Ai e mendonte si një qelq të fshehur në rërë, që sa t’i vinte përsipër këmbën e zbathur, me siguri do ta çante e do t’i shkaktonte dhembje të shumta. Madje, për një moment atij i dhembi shputa e këmbës. Instiktivisht hoqi këmbën nga gazi dhe makina ndali.
- Deri në Vlorë, zotëri,- dëgjoi një zë nga dritarja e hapur.
Dalani ktheu kokën djathtas dhe pa një prift ortodoks, me pak mjekër veshur me dolloma dhe këmishë të zezë dhe kapelen cilindrike të zezë, të cilën e hoqi dhe mbante në dorë.
- Për ty e ndala Atë,- tha Dalani.
Hodhi sytë përreth dhe u orientua menjëherë që ishte në Oshtimë, fshatin e fundit para se të futej në kurorën e ullinjve të Vlorës.
- Faleminderit, o bir!- i tha prifti.
Ndërsa prifti po ulej në ndenjësen e parë, Dalani e vëzhgoi me bishtin e syrit.
Prifti dukej i ri, rreth të tridhjetave, i pashëm, por jo shumë i shëndetshëm. Vinte era duhan, sado që ai përtypte kanellë, që të largonte erën e rëndë të nikotinës. Por ishte i pashëm dhe çuditërisht i padjersitur. Ai i kishte thënë bir, ndonëse Dalani ishte 10 vjet e kusur më i vjetër se ai. Kjo gjë i pëlqeu, e ndjeu veten më të ri, edhe pse e dinte që fjala, bir, e dalë nga goja e një përfaqësuesi të fesë, ishte njësoj me fjalën “dele e perëndisë”.
Dalani donte ta pyeste priftin për rangun që mbante në karrierën fetare, për shenjat dalluese që ndante një post nga një tjetër, por prifti qëlloi i heshtur dhe Dalani nuk foli. Sidoqoftë, ai hamendësoi se prifti i përkiste një rangu të ulët fetar, i barazvlershëm me gradën tetar në ushtri. Dalani kishte pak njohuri për hierarkinë fetare, përfshirë edhe atë ortodokse. Vetëm disave ua dinte kuptimin si: dhjak, igumen, patriark. Por edhe për to nuk ishte fort i sigurt në i kishte shqiptuar mirë.
Prifti lëvizi stacionet e radios derisa gjeti radio Valëkaltrë-n, që jepte këngë turbofolku, hapi paksa volumin dhe u rehatua butë-butë në sedilje.
“Sa mirë do të ishte sikur në ato meshat e tyre të zymta të fusnin pak ritme turbofolku”- mendoi Dalani dhe përfytyroi të rinjtë që shkonin në kishë apo xhami dhe në sfond dëgjohej një ritëm turbofolku, “amin”.
Ndërkaq, hynë në Vlorë. Prifti zbriti pranë shkollës së mesme “Avni Rustemi” dhe u bë gati të nxirrte ndonjë lek nga xhepat e fshehur të rasës së zezë.
- Asgjë për të paguar Atë,- i tha Dalani.- Ishte kënaqësi që udhëtuat  me mua.
Prifti e falënderoi me kokë, bëri shpejt e shpejt kryqin dhe shqiptoi me një zë kumbues e të ngrohtë :
- Zoti të bekoftë!
- Ditën e mirë,- ia ktheu Dalani.
Kur  kaloi xhaminë, matanë Sheshit të Flamurit i bëri një zile me celular të motrës, Vjollcës. Pas pak ajo e mori në telefon.
- Alo, Dalà, ku je?
- Te xhamia. Për pesë minuta jam aty.
- Mirë, po të pres në shtëpi.
Dalanit i pëlqente ta thërrisnin Dalà. Në fëmijëri e thërritnin shkurt Lani. Por atij i dukej se ky shkurtim s’shprehte tamam thelbin e personalitetit të tij. Kështu ai kërkoi ta thërritnin Dalà. Me këtë emër filluan ta njohin të afërmit, shokët dhe miqtë. Me kalimin e kohës, shkurtimi i emrave iu kthye qëllim në vetvete. Së shoqes, Robertës, që para martese i thërrisnin Berta ai ia ktheu Robi dhe kështu i mbeti. Sa për fëmijët, shkurtimet  e emrave të tyre ishin vetvetiu të gjetura.
As tre minuta s’iu deshën për të mbërritur në shtëpinë e të motrës. Ndali makinën pranë trotuarit, nën hijen e rripëzuar të një palme, diku afër stacionit të shërbimit urban, tek “Orizi” siç i thonë vlonjatët. Pallati ishte trekatësh, një karabiná e vjetër por e rindërtuar që nga themelet, me shtesa të qelqta, dhe e graniluar me ngjyra jo fort të ndezura, me katet e para dyqane kozmetike dhe butikë me mallra italiane. Vjollca i buzëqeshte nga ballkoni i madh i katit të dytë, ndërsa ai  mbyllte me çelës makinën. Ajo e priti me derën hapur. E puthi në faqe dhe pa e lënë të hiqte këpucët e uli në një kolltuk në sallonin e madh të sajuar nga shtesat. Ajri i freskët i kondicionerit e bëri Dalanin të ndihej më mirë.
- Vetëm qenke?- vërejti ai duke hedhur një vështrim përreth.
- Sokoli kishte një çështje për të sqaruar me një klient, por do të vijë për drekë. Çunat po kanë dalë, mbase janë në plazh. Unë po të prisja. Do të dal për ndonjë orë dhe do të kthehem prapë. Drekën e kam bërë gati. Ti do të rrish për drekë apo jo?- i tha Vjollca, ndërkohë që kishte hapur frigoriferin e madh dhe po mbushte tabakanë me ca ëmbëlsira dhe lëngje të ftohta. -Të të bëj dhe një kafe? - shtoi ajo.
- Jo,- tha Dalani.- Edhe për drekë nuk do të rri. Erdha vetëm për të të pyetur për apartamentin, mundësisht ta shihja njëherë dhe të bëja pazar për dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë plazh.
Vjollca vuri tabakanë në tavolinën e ulët të sallonit, e afroi për nga Dalani dhe u ul pranë tij. I hodhi dorën në qafë dhe e pa ngultas në sy.
- Pse më vështron ashtu?- tha Dalani.
- Më jep fjalën që s’do të më thuash jo!- iu kthye ajo.
- Për apartamentin?! - u habit Dalani.
- Edhe për ndonjë gjë tjetër,- shtoi Vjollca.
Ai i hoqi dorën nga qafa dhe u largua disa centimetra larg saj.
- Pa hë, të të dëgjoj njëherë.
- Apartamenti është në skelë, tetëdhjetë metër katror, i mobiluar. E ke falas. Kohën e qëndrimit e ke të pakufizuar.
Ai e pa me habi.
- Mos e ke paguar gjë vetë?
- Edhe po ta paguaja, vëlla të kam, - i tha ajo duke ulur zërin, që fjalët e saj të dukeshin disi misterioze.
- Pra, kjo qenka ajo gjëja tjetër. Dikush që më ofron një apartament falas për gjithë stinën e verës, apo jo?
Vjollca tundi kokën.
- Dhe kush është? - bëri gjysmëpyetjen Dalani.
- Besara,- tha Vjollca.
Dalani u skuq i tëri në fytyrë, deri te majat e veshëve. Zemra filloi t’i rrihte fort, por vetëm për pak sekonda. U mundua ta ngurtësojë fytyrën dhe të dukej i ftohtë. Por zëri ende iu drodh pak.
- Sara, ajo shoqja jote? - e pyeti.
- Po Sara, ajo shoqja ime! - ia priti Vjollca.
- Ç’ne, ajo çifutka na qenka bërë kaq filantrope? - u mundua të ironizonte Dalani.
Vjollca e pa me qortim.
-Ti i thua asaj çifute?! Se dija që vëllai im i madh paska ca ide raciste, vetëm e vetëm se ka nja dy fije floku të verdha më shumë se ne.
Fjala ne ishte për Besarën dhe Vjollcën.
-Më fal,- tha Dalani,- e thashë pa të keq. Emrat si Sara apo Rebeka janë me origjinë çifute, kaq doja të thosha. Unë e di që Sara është denbabaden vlonjate.
-Është nga zemra e Vlorës, nga Kanina. Dhe emri i saj Besara është puro shqiptar dhe më shumë akoma, është puro ilir. Dhe në familje e në shoqëri nuk i thërrasin Sara, por Besa. Pastaj, edhe po të ishte çifute ç’të keqe do të kishte në këtë mes? - tha Vjollca.
Dalani u ndje i përbuzur.
-Më fyen po vazhdove më, - i tha së motrës.
Vjollca e pa me dashamirësi.
-E teprova edhe unë pak apo jo? Nejse, të kërkoj të falur. Tani për punën e apartamentit, shtëpia e Besarës është bosh. Ajo bashkë me djalin ka disa vjet që banon në shtëpinë e prindërve. Mund të vesh e të rrish sa të duash.
-Jo, as që bëhet fjalë,- tha Dalani.
-Atëherë do të bëhet kështu. Ajo bashkë me të vëllanë kanë ndërtuar një superpallat pranë universitetit. Gjysma e pallatit është pronë e Besarës. Ka ende hyrje të pashitura. Gjithçka është free.
-Ashtu?! Qëkur qenkan bërë kaq të pasur ata?
-Të pasur Gjikajt?! Por ata, Sharrajt, Xhyherajt, kanë patur toka e dyqane kudo në Vlorë, që para Zogut.
Dalani u mendua pak.
-Varianti i dytë më pëlqen,- tha.- Por diçka do të paguaj. Se s’të pyeta, si është Besara tani? Më ke thënë që ka qenë e sëmurë për një kohë të gjatë.
-Eh, diçka më mirë. Do takoheni bashkë te lulishtja para Bolonjës. Me t’u ndarë bashkë, do t’i bëj një telefonatë të të presë atje.
-E pse duhet ta takoj? Ti ke folur me të, po ashtu edhe Robi ka folur me ty.
Gjithçka është përfunduar.
-Do ta takosh që të shohësh apartamentin. Më saktë të përzgjedhësh një. Pastaj edhe ajo kishte dëshirë të të takonte. Këtë ta them nga ana ime, besoj se më kupton.
Ajo e pa në sy.
-E mirë, se do ta takoj,- i tha ai.
Kur Dalani u ngrit të largohej, Vjollca i zgjati një kartmonedhë njëqind euro.
-Ç’është kjo?
-Porosi e Sokolit. Fitoi një gjyq dhe klientët e shpërblyen mirë. Merre ta kesh para xhepi.
Ajo e përqafoi dhe ndërsa po ndaheshin i tha:
-Po ndërrove mendje, eja për drekë.
-Të fala Sokolit,- shqiptoi mbyturazi Dalani. E ndërsa po zbriste shkallët, dëgjoi nga pas zërin e së motrës:
-Mos e mërzit Besarën!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora