E marte, 10.12.2024, 12:03 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Mësuesi i librit dhe tragjikja e kremtimit...!

E enjte, 30.04.2009, 05:47 PM


Sejdi BERISHA:

E S E

MËSUESI I LIBRIT DHE TRAGJIKJA E KREMTIMIT...!

Nganjëherë, por edhe shpeshherë, më ngatërrohet mendimi për jetën, sidomos, kur para vetvetes nxjerr gjithë atë llum të historisë, por edhe shkëlqimin e lumturinë, të cilat nuk do të duhej të korrespondonin njëra me tjetrën. Që të tria janë këto problem në vete që të detyrojnë të bësh studim veç e veç, e pastaj të nxjerrësh teza e teza, të cilat sa bëhen themel e sa dilema të pashmangshme që gjithnjë të mbyllin apo të vejnë në njëfarë barke të cilën gjithnjë e rrahin valët dhe stuhitë. Atëherë, mendja gjithnjë të rri zgjuar. Ndërsa, vet ngelesh pa fije gjumi duke matur e çmatur mendimin nga krenaria e shpirtit, nga frika e gabimit.
     Në këtë zbulim formule, m’u kujtua thuaja se e tërë jeta e një mësuesit, i cili tani është në pension, por që mendjen nuk e vë dot në pushim. Tani, rri i parruar, i veshur dobët, me këpucë thuaja si tullumbat e Lulit të Migjenit. Dhe, do të dalë kush të më bind se jeta është e bukur?! Askush. Bile, as nuk ka kush guxim t’i rroket kësaj teme, e cila në shëndet të ngarkon edhe me tatim të paparashikueshëm!

1.
Mësuesi, e dini të gjithë, ai është mësues. Sa fjalë e ëmbël dhe e dashur kjo fjalë, e cila nuk harrohet por përjetësohet që nga fëmijëria. Për këtë, edhe mësuesin  kur e kujton, të nxjerr telashe, sepse të kujtohet e tërë jeta, mbase çastet më të regjistruara të moshës më të mirë. Të momenteve, kur secili ndërton ëndrra e plane për t’u bërë i madh, atëherë, thoshim  për t’i kontribuar kombit dhe atdheut.
    Sa e madhe dhe me peshë ishte fjala dhe mësimi i mësuesit. Bile, ta bëj një digresion të vogël; m’u kujtua mbesa ime kur ishim duke i kryer së bashku detyrat e shtëpisë, ia përmirësova një shprehje, por ajo në mënyrë të prerë më tha:
   -Jo, nuk bën! Kështu më ka mësuar mësuesja, dhe pikë!...
    Ja pra, sa besim i madh tek mësuesi. Sa i madh dhe i dashur është mësuesi,... edhe më i besueshëm se prindi. Kjo, apo nga kjo, rrjedhë ajo ironia, që ne mësuesin e harrojmë, apo edhe shpeshherë, profesionin dhe punën e tij e nënçmojmë skajshmërisht. Për këtë arsye, m’u kujtua ky mësuesi, i cili tërë jetën edukoi gjenerata e gjenerata, besa ua ka mësuar edhe abc-ën e jetës dhe, kështu edhe sot e kësaj dite lakohet dhe përfolët emri i këtij mësuesi.
    Tash, nxënësit e tij që janë kuadro me profesione të ndryshme, e përmendin me admirim mësuesin R. P.! E përmendin mësuesin i cili e ka pensionin, ha ha haaa! I cili tani ka moshë të thyer, është i parruar e me rroba të vjetra dhe me këpucë, sigurisht për tre numra më të mëdha se që e ka këmbën. Ani, se vet thotë:
   -Në këto këpucë, më shumë po më bëhet këmba rehat!
    Mësuesi, gjithnjë, edhe tash është me karakteristikat e veta. Përveç që nuk ia huq meseleve të odave me peshë domethënieje dhe mendimeve me rëndësi pedagogjike dhe filozofike, edhe sot e kësaj dite ai përpiqet për t’i ofruar dituri njeriut tonë.
    E sheh atë pothuaj çdo ditë duke lëvizur me biçikletën e tij, të cilës nuk i është ç’kapur që nga ajo kohë kur ka pasur mundësi ta blejë atë. Por, ai nuk sorollatet kot se koti. Në një çantë bartë libra, të cilat thua se ua imponon njerëzve për t’i lexuar. Thjeshtë, ky mësues është një mini bibliotekë lëvizëse. Librat të cilat i distribuon, i lexojnë intelektualët por edhe të tjerët, të cilëve, nganjëherë mësuesi edhe ua preferon si me zor për shkak të temës dhe aktualitetit, e pastaj, ata lexues ngelin përbrenda librit dhe nuk mund të ndalen derisa nuk e përfundojnë së lexuari.
     Mësuesi që ka edukuar gjenerata e gjenerata, e që në çdo fillim të mësimit, nxënësve ua ëmbëlsonte gojën me ndonjë bonbone apo me ndonjë kokërr kumbulle a molle, përveç librit ka pasion edhe profesione të tjera. Atë e gjen duke ua evituar defektet e vogla në pajime të ndryshme të amvisnisë, duke ua ndrequr elektriken e kështu me radhë. Por, ai nuk shëtit vetëm nëpër qytet. Atë, ndoshta edhe njëherë në dy javë apo për çdo javë mund ta takosh edhe në Tiranë. Ashtu, të parruar dhe me gardërobë pothuaj të njëjtë, që tanimë, si i tillë duket mjaft simpatik.
     Po, çfarë kërkon mësuesi në Tiranë?! Më rrëfen një koleg i tij, se si ai me shpenzime të veta shkon rregullisht dhe shëtitë rrugëve e bulevardeve të Tiranës për t’i gjetur e hulumtuar libraritë, të cilat kanë libra që ai i preferon. Ngarkohet nga atje mësuesi me libra e me vepra interesante dhe i sjell në qytetin e tij, por jo për bibliotekën e vet. Çdoherë që e blenë ndonjë vepër të re, e fut në çantë dhe ua ofron lexuesve duke edhe propaganduar se ky e ky libër flet për historinë,... për ndriçimin e kësaj e të asaj periudhe,... se këto poezi janë për shpirt, dhe nuk ngurron t’i recitojë ndonjëherë me ndijimin më të ngrohtë shpirtëror. Kështu, thjeshtë të bën për vete, i cili tani mbanë edhe syze me xhama të trashë si bilur. Ndoshta për t’i lexuar mirë e mirë librat, e për t’ua thithur edhe nektarin e fundit të mendimit, të fjalës e të shprehjes.
    E kanë pyetur mësuesin se pse vepron kështu. Atëherë, ai ka qeshur më të madhe duke thënë:
   -Le të lexojnë njerëzit,... Punë e mirë është kjo! Besoni...! Le ta mësojnë mirë e mirë historinë, të bukurën, por edhe le  din për të keqën.
    Andaj, do të dalë kush të më bind tash se jeta nuk është e bukur,... e lumtur edhe kur është e poshtër, të cilën assesi se mund ta bëjmë të drejtë...!

2.
Njerëzit e mirëfilltë sikur janë tragjik edhe në jetë edhe përtej saj. Kështu ndodh edhe me shumë krijues, edhe me shumë shkrimtarë, të cilët janë pjesë e vulës së historisë, janë pjesë e themelit të vlerave shpirtërore dhe kulturore. Ky mësuesi i parruar dhe i librave në çantë, i rrëfen një mikut të tij edhe për librat e blerë në Tiranë, edhe për librat e Petro Markos, edhe për jetën e vështirë të familjeve të shumë shkrimtarëve, edhe të një shkrimtari, i cili me veprat e tij ka begatuar edhe letërsinë edhe historinë e popullit.
    Të jetosh në metropol është privilegj, por është tragjedi të jetojë në kryeqytet në skamje e varfëri. Rrëfen mësuesi për jetën e vështirë të familjes së shkrimtarit i cili tanimë nuk është në jetë. Jeta e tij sikur ia ka përshpejtuar mbarimin, fundin e rrugëtimit nëpër periudha, por veprat e tij krijuan një imazh të mrekullueshëm të ndërtimit të vlerave letrare përmes së cilave afirmoi tokën, gjakun, vendin e atdheun, hodhi në shesh të mirën, por edhe tmerrin e trishtimin. Kështu, kishte udhëtuar shkrimtari duke përjetuar luftëra e luftëra në vendlindje e jashtë saj.
     Tash, ai pushon i qetë në botën e amshuar, por amshimi sikur e thërret që shikimin ta drejtojë kah vendi i tij. Por, t’i lëmë këto llafe, shpjegon mësuesi i parruar dhe gjithnjë kurioz duke shfletuar një libër që nga titulli në ballinë e deri tek faqja e fundit, e gjithnjë duke theksuar hallin e familjes së shkrimtarit, e cila ndoshta ka dhembje në shpirt për shumëçka; edhe për jetën e shkrimtarit, edhe për veprat e tij të kuptuara, për ato të pa kuptuara ndoshta edhe të keqkuptuara mbase edhe të keqinterpretuara, por edhe për mos leximin e tyre. Por, ka dhembje dhe barrë frikën për kafshatën e bukës, të cilën nuk e ka me bollëk.
     Gruaja e shkrimtarit, e shtyrë në moshë, sikur e mallkon apo e uron shkrimtarin për veprat. Ku ta dimë se cila është e vërteta. Ndoshta, është edhe njëra edhe tjetra. E para, ngase veprat e bashkëshortit të saj e kanë quar përpara kulturën dhe vlerat letrare,... edhe historinë. Dhe e dyta, ngase, siç dëgjohet ndonjëherë shprehja e mllefit: kush ia ka parë hairin librit!
     Po të mendosh pakëz, edhe njëra edhe tjetra janë të sakta, dhe nga kjo nebulozë nxjerr shumë komente për individin e për shoqërinë. Sepse, në të shumtën e rasteve, vështirësitë dhe problemet shoqërore gjenden në mesin e lëshimeve, në mesin e të këqijave. Kështu, jeta shpeshherë shndërrohet në teatër pa rregulla loje, e që aktrimi merr duhmën e sëmundjes së shoqërisë.
     Mësuesi nuk e harron rrëfimin për familjen e shkrimtarit:
    -Vajza e shkrimtarit është piktore. Ajo gëzohet për shitjen e ndonjë pikture për të siguruar para për ditët që vijnë. -këtu e ndërprenë bisedën mësuesi duke pritur reagimin tonë për të bërë koment për këtë. Por, në këtë rast, problemi i bukës së familjes së shkrimtarit sikur më jep të drejtë të kundërshtoj mendimin se: “pasuria nuk të bën të lumtur as të gëzuar, ajo të bëhet vetëm barrë”! Ka shumë komente për këtë, apo, kjo s’do koment fare...!
    Mësuesi mbylli librin, e futi në çantë dhe i kërceu biçikletës duke ikur, sepse, ndoshta këtë libër ia kishte premtuar dikujt tjetër dhe nuk kishte dëshirë që t’ia vonojë.

 

3.
Krahas librit, ka edhe vaki të tjera të cilat e bezdisin njeriun për të menduar se deri kur do të zgjasë studimi i karakterit dhe të mendjes së tij. E them kështu, sepse, përpara të dalin sfida e ngjarje që të stepin. Që, nganjëherë të gëzojnë aq sa të bëjnë të çmendësh nga ngazëllimi. Nganjëherë, të forcojnë e të bëjnë granit, nganjëherë të përdhosin, kurse, shpeshherë dhembjen dhe hidhërimin ta bëjnë pjesë të mendjes, zemrës dhe të shpirtit. Por, nganjëherë të sjellin para gjërave më makabër, të cilat jo vetëm se të bëjnë pelin, por të sjellin në atë situatë sa që të bëjnë me pikëpyetjet e papara dhe të pamenduara ndonjëherë. Atëherë, nuk ka se si të mos neveritesh me sjelljet e njeriut dhe se tërë shkenca dhe të arriturat në fushën e studimeve për qenien njerëzore biejnë tërësisht në ujë.
     Për këtë arsye, edhe nuk është mirë të merremi me studimin e njeriut, e më së pakti me karakterin e tij. Këtë, mund të vendosni të mos e bëni kurrë më, sepse, njeriu është ekzemplari i veçantë dhe i rrallë i luhatjeve dhe i brendisë së mendjes. Lidhur me këtë, m’u kujtua një shkrim në gazetë, ku flitej se si disa njerëz e paskan rihapur një varr vetëm e vetëm për t’ia vjedhur kufomës mbase edhe plaçkitur një unazë dore. Çfarë guximi për t’ia prishur rehatinë eshtrave, po e zëmë, të një nëne, e cila tërë jetën ka bërë vepra e vepra të mëdha për t’i ngritur fëmijët e vet, të cilët, të themi kushtimisht kështu, se u bënë madhështi e njerëzisë, luftëtarë të dashurisë për dritën e diellin.
    Por, ç’të bësh. Hapet dhe hapet varri, për ta vjedhur një unazë ari! Ndoshta, këtë e kanë bërë për ta ruajtur atë si kujtim, apo si eksponat të ndonjë periudhe historike. Le të jetë kështu si po them...!

4.
Dëshira për të panjohurën, nganjëherë bëhet gjëja më atraktive, më joshëse dhe imperativ i jetës, përmes së cilës njeriu, gjatë rrugëtimit të tillë mund të arrijë shumë. Kjo dëshirë të shpie drejtë veprave që nuk i ke parashikuar ndonjëherë. Andaj, nuk është keq që këtë ta konsiderojmë si fushë të re të shkencës të cilën duhet studiuar, por edhe për ta radhitur ndër më të parat. Sepse, përmes dëshirës, pra, edhe për të panjohurën janë kurorëzuar shumë të arritura. Dëshira e ka derën e madhështisë, forcën e etjes dhe të shpresës. Andaj, pse të mos jetë kështu edhe për dëshirën për të panjohurën.
    Spontanisht ma ndërprenë mendimin kujtesa për librin në të cilin kisha hasur shpjegimin e një bisede  të shkurtër të Dionisit me Aleksandrin e Madh, i cili rreth vetes kishte tubuar qindra ushtarë. Dionisi e kishte pyetur atë se ç’i duheshin gjithë ata njerëz.
    -Dua ta pushtoj botën! –i kishte thënë Aleksandri, Dionisit.
   -Po, pastaj çfarë do të bësh? -ia kishte kthyer dijetari.
    -Pastaj, do të pushoj.
    -Po, pse nuk pushon pra pa e bërë këtë?! -ia kishte kthyer Dionisi.
     E tërë kjo, ndoshta kishte qenë pyetje pa lidhje, që strategun e luftës e kishte lënë natë të tëra pa gjumë. Ndoshta, pa lidhje dhe pa vend është edhe kjo që e theksova unë. Por, Ju mos rrini pa gjumë! Ose, nëse doni, rrini zgjuar,... se kjo mund të ndodhë, u nevojitet...!
    Tash, nuk di, a ta pikasim dëshirën për të panjohurën, apo, dëshirën e të panjohurës për fushë të re të shkencës?! Zgjidheni ju vet këtë pakuptimësi,... koha është!

5.
Më duhet të theksoj në këtë shkrim një padrejtësi. Në një prej liqeneve të vendit, pas kremtimit të ditëlindjes, gjejnë vdekjen gjashtëmbëdhjetë njerëz, të cilët tërë kohën kishin kënduar me zemra të gëzuara. Ishte kjo tragjikja e kremtimit!
     Dhe, çfarë koincidence. Në qytetin tim, pas afro pesëmbëdhjetë vjetësh, rihapet galeria e artit, ku ishin të ekspozuara shumë piktura me tema e motive të ndryshme. Aty hasi edhe bukurinë e liqenit, madhështinë e tij për përrallat e dashnorëve në liqenin me mjellmat e shenjtërisë. Thash, athua ky është liqeni i jetës,... liqeni i vdekjes, apo tragjikja e kremtimit?! Për një moment, sikur krijova urrejtje për liqenin dhe madhështinë e tij. Por, tërë ajo bukuri në pikturë, ma zbuti zemrën, dhe si me zë thash: liqeni është gjithçka. Do ta luftojmë tragjiken...!
    Para se ta dërgoj këtë shkrim për botim, m’u kujtua fshati Gërdec afër Tiranës. Fshati i tragjedisë. I hapa sytë si i çmendur dhe desh nuk më fluturuan mendtë për fatkeqësinë, për komentimet rreth saj, për ngritjet dhe rëniet, për foljet e përfoljet, për ndërskamcat dhe vuajtjet. As pyetje as përgjigje nuk mund i bëra vetes, pos që thashë: heu, more fshati i tokës shqiptare...! Kaq m’u duk se është mjaftë në vend të komentit...
      



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora