E premte, 25.06.2021, 12:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Artur Tashko, ekspozohen veprat e panjohura të vëllait kolumbian të Tefta Tashko Koços

E marte, 28.04.2009, 06:13 PM


Eno Koço: “Më vjen keq që nuk munda të sillja veprat origjinale të dajës, por transporti kushtonte” . Sot në galerinë “Zenit” në Tiranë çelet ekspozita antologjike e artit konstruktivist dhe kubist

Nga Petrika GROSI

Riprodhime të veprave të tij të teknikës vaj në kanavacë, apo edhe disa punë origjinale të panjohura për shqiptarët, të cilat mundësohen falë të birit të piktorit kubist, shqiptaro-kolumbian Artur (Anastas) Tashko, do të ekspozohen sot në galerinë private “Zenit” në Tiranë. Drejtori i Galerisë, Krenar Zejno thotë se “Kjo ekspozitë është shenja pothuajse e panjohur për ne, e një artisti të madh prej sërës shqiptare të artit si Artur Tashko.” Sipas tij, duke ia kqyrur kronologjinë e jetës, nga njëra anë si bohemiane dhe nga tjetra e parë si dinamikë të projektuar prej lëvizjeje gjeometrike, vëren se Artur Tashko është ndodhur çuditërisht apo pikërisht, në qytetet më të rëndësishme të botës së artit. Madje gjatë periudhave më të spikatura për secilin prej këtyre qyteteve, kur gjatë shekullit të kaluar kanë marrë si me radhë rolin e kryepolisit artistik të historisë së artit: Vjenë, Boston, Paris, Marsejë, Firence, Madrid, Londër. E mandej përfundimisht në Kolumbi, si për t’u kthyer në zanafillë të artit, në vendin ku prehet antikiteti prekolumbian që, siç dihet, konsiderohet shtrati parak prej nga u ngjiz kubizmi. Më tej, Zejno vijon: “Zëfilli të duket vetja si në një oborr plot tablo të një fryme dhe afërie nga Maleviç te Paul Klee teksa piqesh edhe me frymën e Ibrahim Kodrës (në fakt, eksperienca kubiste e Tashkos është kronologjikisht përpara këtij). Prej kompozimeve kromatike me inspirim muzikal te transfigurimi i realitetit, duke e hedhur atë ndër përmasa rrëfimi, në kërkim të një shpirti dhe reflekseve shpirtlartësonjëse të gjërave, e gjer tek degëzimi inteligjent i rrymës së konstruktivizmit; suprematizmi, si pika më e lartë e semplifikimit të imazhit.” Por iniciator i çeljes së kësaj ekspozite është dr. Eno Koço, i cili mes të tjerash thotë: “Arturi është vëllai i nënës sime Tefta Tashko Koços por dhe i Koços, Gaqos, Lekos dhe Katinës. Arturi (i tillë u bë emri i tij artistik) nuk mundi vijë në Shqipëri për një mori arsyesh, fillimisht për hir të studimeve në Harvard, pastaj martesa e parë me amerikanen Elsa Tashko dhe ardhja në jetë e djalit, më pas karriera si piktor në Europë gjatë viteve 1930.” E në fakt, ndonëse dëshira e madhe ia digjte shpirtin, Arturi nuk e pa dot kurrë më Shqipërinë dhe më 25 nëntor të 1994-s ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare në Kolumbi. Eno Koço e ka pasur dëshirë të hershme, të cilën e ka shprehur dhe më parë, njohjen dhe sjelljen e veprave të dajës së tij në atdhe. Tashmë duket se më në fund diçka arrin të bëhet e mundur; “Dua të theksoj se me gjithë përpjekjet e mëdha që më është dashur të bëj për të siguruar për këtë ekspozitë edhe disa punë origjinale të piktorit Artur (Anastas) Tashko, rezultati nuk qe ai i dëshiruar. Arsyeja kryesore janë shpenzimet e mëdha që do të duheshin për sigurimin e veprave (lejet institucionale) gjatë transportimit nga Kolumbia
apo Sh.B.A. për në Shqipëri.” – thotë Eno Koço, duke sqaruar se individualisht e kishte të pamundur mbulimin e këtyre shpenzimeve, pavarësisht se nuk mungonte dëshira e tij e madhe për ta njohur publikun me veprën e dajës së kolumbian me gjak shqiptar. Lidhur me ekspozitët që pritet të çelet nesër në “Zenit” Eno Koço shton: “Me keqardhje shënojmë se mosardhja nga Kolumbia e vajzës së Artur Tashkos, Ivonne Tashko, prania e së cilës e parashikuar për këtë ngjarje do të shoqërohej edhe me sjelljen e disa pikturave origjinale nga Kolumbia, bën që ekspozita të ndërtohet kryesisht me riprodhime të cilat nuk i qëndrojnë besnikërisht përmasave origjinale. Por nga ana tjetër, shënojmë me kënaqësi se vjen për këtë ngjarje nga Neë York-u djali i Anastas/Arturit, i cili mban të njëjtin emër të babait, Artur Tashko LeGacy. Ishte dëshira e madhe edhe e të birit të shikoj për herë të parë vendin e të atit të tij, Shqipërinë. Kështu, piktura origjinale e Tashkos e marrë nga Galeria e Arteve së Tiranës si dhe disa të tjera punime krejt të panjohura për të gjithë ne, që do të sillen posaçërisht për këtë ekspozitë nga i biri, mendoj se do ta thyejnë sado pak brengosjen tonë për mungesën e pikturave origjinale.” Arthur (Anastas) Tashko ishte piktor konstruktivist, ndoshta përfaqësuesi i fundit i kubizmit. Piktura e tij ndjek një sekuencë interesante të tri periudhave: kubizmin analitik, kalimin në semi-konstruktivizëm e më pas në konstruktivizmin abstrakt. Duke qenë abstraksioni forma estetike që Tashkoja përqafoi deri në fund, edhe në fillim të viteve 1995 ai konsiderohej piktori avant-guarde i njohur gjerësisht jo vetëm nga kritikët më në zë të artit por dhe publiku i gjerë. Ai njihej si artisti me personalitet të madh, ndjeshmëri e imagjinatë. Ekspozitat e tij, kudo që janë hapur, kanë qenë gjithmonë të suksesshme dhe piktura e tij është konsideruar si një nga më të mirat të prodhuara në dyzet vitet e fundit të shekullit XX. Teknika e përdorur nga Maestro Tashko ka qenë kryesisht vaj, e vendosur mbi kanavacë ose karton.

Piktori i ndaluar për Shqipërinë

Piktori Artur Tashko punoi fillimisht si flautist profesionist në Orkestrën Simfonike të Bostonit, e më vonë si kryeredaktor i gazetës shqip “Republika”, po në Boston (’31 – ’32). Gjatë jetës së tij të gjatë, me ndërprerje të pjesëshme ai vazhdoi karrierën si piktor profesionist në shumë vende të botës si Amerika, Franca, Spanja, Italia dhe Kolumbia për 30 vitet e fundit të jetës. Shkaku i lëvizjes së tij përfundimtare drejt Kolumbisë së largët qe martesa e dytë me kolumbianen Rosa Tashko.
Artisti nuk mundi ta vizitojë dot Shqipërinë për arsye të ndryshme që ia pamundësuar këtë gjë; Në fillim studimet e tij në Havard sigurisht që nuk ishin një prezantim i mirë për shtetin komunist e pasandaj martesa me amerikanen Elsa Tashko... Gjatë kohës së Luftës II Botërore, Arturi punoi për aleatët si përkthyes i forcave ushtarake amerikane të pozicionuara deri afër Shqipërisë, në Brindisi. Një arsye tjetër që piktori do të shpallej person i padëshiruar për regjimin e kohës përbënte dhe piktura e tij me vizion abstraksionist - konstruktivist, rrymë e papranueshme për Shqipërinë e ideologjisë së realizmit socialist.

KRITIKA

Edward Lucie Smith

Idioma që zgjodhi Tashkoja ishte kubizmi – jo kubizmi i Picasso-s apo i Braque, të cilët ishin shpikësit e këtij stili, por i Metzinger-it dhe Gleizes, teoricienët kryekubistë që iu shmangën “rregullave” në emër të një stili të ri, të paraqitur më 1912 në librin e tyre “Du Cubisme”. Një nga faktorët që mund ta ketë bërë Tashkon të ndjeshëm ndaj kësaj rryme ishte dhe përvoja e tij si muzikant klasik.

Javier Gill Marin

Veprat e hershme të Tashkos ishin në kërkim të kubizmit, duke e shkatërruar realitetin empirik për ta rindërtuar atë përmjet strukturave më të thella e thelbësore. Por kubizmi i tij përmbante nuanca ndjeshmërie e delikatese, ngjyre dhe drite, dashurie dhe emocione ndaj objekteve të pikturuara, të shoqëruara gjithmonë nga përzgjedhja e tij analitike. Pikturat e tij janë një celebrim martese midis diçkaje shumë mashkullore dhe një lloj shprehjeje më femërore, fuzion i intelektit dhe ndjeshmërisë, refleksionit dhe bukurisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora