E merkure, 28.07.2021, 05:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Ekrem Ajruli: Vaji i bubazhelit (Cikël poetik)

E hene, 27.04.2009, 06:29 PM


VAJI I BUBUZHELIT

Si do të vejë halli
Si t’ia bëj i gjori
Karrierën time
Lumi seç e mori

Ah! kjo kushtetutë
Kurrë dritë mos patë
Pse nuk ka një ligj
Që mandatin zgjatë

Ndaj do marr librezën
të dal në sokak
Për partinë e dashur
Shumë jam bë merak

Do të bllokoj autostradat
E të zë hekurudhat
Se pa kontigjentet
Do t’më shtohen rrudhat

Do të trupoj dete
Rrugë e magjistrale
Se paratë e pushtetit
I bëra fekale

Po më zbrazet grazhdi
Pakësohen devizat
Kollaren e bukur
Ma qëndisin mizat

Nuk e meritoja këtë
unë si atdhetar
ndaj kundërshtarët
vdekja le ti marrë

Më buçet koka
Inati s’më del
Le ta dinë të gjithë
Unë jam bubuzhel

Ndoshta jam në ëndërr
Ishalla jam në gjumë
O fron qeverie
Unë të dua shumë

Se duroj këtë shaka
Mos më veni në lojë
Vërtetë do t’më leni
Me gishtin në gojë

Vallë kush ma bëri
Këtë sherr pahije
Mua më të madhit
Burbulec partie

Pa dashnoren time
Si t’ia bëj hallit
S’më mbetet gjë tjetër
Veç t’i fryjë kavallit

Kur hy në kafene
Askush nuk ma varë
Shikojnë me përbuzje
Si të jem zuzar

Do t’ia hiqja vetes
E ta lë një nam
Por më pengon feja
Që e ka shpallë haram

Në djall le të venë
nuk paskam rrugë tjetër
Ndaj do të kthehem
Tek shoqëri e vjetër

GËNJESHTARI

më thanë kujdes
është i pacipë
s’ka turp
nuk besova
se vitet rëndonin
më shumë se fjalët
më thanë kujdes
gënjeshtrat
i ka me tepricë
ani thash njeri
ç’të bëj i mjeri
turpi
vendin e ka në ballë
nuk rin
në prapanicë

MENDJEMADHI

kanarinë nuk je
pëllumb jo, aspak
qyqe tinëzare
apo krrokatës dështak

çdo herë synon lartësinë
të matesh me shkabën
kur të tradhton kujtesa
zhytesh në moçale
patjetër fis ke zhabën

përdhunues tavolinash
për hell shet qiqra
po më pyetën kush je
do t’u preferoja
një mijë rriqra

përbirohesh birucave
me dërdëllisje patetike
kurrë s’mësove ç’është kurrizi
me buzëqeshjet tua cinike
ngel origjinal mi gjirizi

TI

Mal me përralla
Ballin mbushur me përrenj
Akoma merresh me andralla
Për bisedë kurrë s’je i denjë

Koka të mbeti lëndinë
Fytyra shpat me dëborë
Kur nuk e tejkalove fëmijërinë
Kam kohë thua s’është vonë

LI DERRAT

Hipim në fron
sa herë na ofrohet
kur jemi larg tij
malli nis na shtohet

pasuria zë e rritet
nis e shkëlqen froni
barku ynë nis e fryhet
rroftë e qoftë padroni

sa e mirë anarkia
na e shton lezetin
na i forcoi këmbë e duar
e duam ryshfetin

ne do burra me kollare
“ajka e atdheut”
sulemi mbi kolltuqe
me shpatë t’Skënderbeut

ca u bëmë deputet
disa tjerë ministër
është mbush qeveria
kërroçe pa kapistër

shtrohen kokteje
kërcet zijafeti
barkun bosh me dorë
le ta mbajë mileti

s’mbarojnë drekë e darka
nuk zbrazet tepsia
luksi ynë ka marrë hov
Rroftë qeveria

le të venë në djall t’mallkuar
arsimi kultura
prapanica ka nis të trashet
na shkëlqen lëkura

RRËNJËT

dikush na i rrëmih bjeshkët
të gjej rrënjë lashtësie
bisha e përhirtë
ardhur prej Azie

netëve të zeza pis
endet bjeshkëve të Sharrit
kërkon farë e fis
pjella e barbarit

duke rend pas rrënjësh
kapton monopate
seç e nxjerrin rrënjët
larg në Karpate

gërmon nëpër shekuj
me vite dekada
në dorë i ngel bishti
pasi shpesh i humb lopata

kurrë s’iu mbush mendja
kukudhit, të marrit
se këto bjeshkë janë
tokë e shqiptarit



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora