E hene, 26.07.2021, 01:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Lasgush Poradeci, Botohet doktoratura e panjohur mbi Emineskun

E shtune, 25.04.2009, 01:12 PM


Poradeci
Nga Admirina Peçi, Fatmira Nikolli 

Një vepër monografike e panjohur e poetit Lasgush Poradeci është sot në duart tona. Ajo i kushtohet Emineskut, poetit rumun, dhe me të, Llazar Gusho ka mbrojtur doktoraturën e tij në Universitetin e Gracit. Jeta e tyre, edhe pse në kohë e në vende të ndryshme, do të ishte shumë e ngjashme, madje edhe harresa e tyre. Ata ishin poetë të mëdhenj të dy kombeve të ndryshme. Ishin kombet e tyre që i harruan e i "injoruan", e ishin sërish po ata që i cilësuan poetë të mëdhenj. Me këtë punim shkencor të tijin, Poradeci na habit me përmasat e shtrirjes, me thellësinë e gjykimit e të analizave, me njohjen e thellë të letërsisë rumune e evropiane, por mbi të gjitha mbi njohjen e gjuhës gjermane, që siç thoshte dikur Poradeci, "unë nuk e njoh gjermanishten. Unë e sundoj atë...". Lasgushit, ky studim i dha titullin 'Profesor-doktor'. Por edhe ky titull nuk iu përmend kurrë sa ishte gjallë.
Në këtë monografi të punuar nga Poradeci, atëherë student, vihen në pah të gjitha meritat e Emineskut, si poet e si reformator i artit poetik të gjuhës rumune. Lasgushi i paraqet këto arritje të rumunit që kishte një mendje dhe një talent të jashtëzakonshëm me fakte, në mënyrë të argumentuar, mjaft qartë dhe me një zhdërvjelltësi e mendjemprehtësi të rrallë. "Monografia që na paraqitet sot e botuar, ka të gjitha cilësitë dhe thellësinë e një vepre shkencore të mirëfilltë. Autori i saj na befason me njohjen e thellë të lëndës që trajton, me ndriçimin e gjithë universit të gjenisë së Emineskut, me dashurinë dhe me zellin, për t'ia dalë në krye një ndërmarrjeje kaq të vështirë e me përgjegjësi", - do të shprehej George Micu, ish-ambasador i Rumanisë në Shqipëri. Botimi i kësaj monografie të shkruar në gjermanisht nga Lasgush Poradeci e të përkthyer tashmë në shqip, na zbulon një dimension të panjohur të lirikut të madh shqiptar, aftësinë e tij të spikatur për t'u marrë edhe me veprën studimore letrare, aftësi që po të ishte ushtruar e vënë në lëvizje, do të na kishte dhënë vepra cilësore studimore si kjo. Sipas George Micu, "mbrojtja e kësaj doktorate dhe botimi i saj vërtetojnë edhe një herë më së miri se Mihail Eminesku dhe Lasgush Poradeci do të mbeten përherë ura miqësie dhe kulture midis dy popujve".

Ai dorëshkrim me kaligrafi të bukur e të kujdesshme na zbulon një dimension tjetër të Lasgush Poradecit, dimension që për arsye të ndryshme ka qenë i lënë krejtësisht në harresë. Në 100-vjetorin e lindjes së poetit, familja ka menduar të sjellë në duart e lexuesve botimin e këtij dorëshkrimi. Në intervistën e mëposhtme, vajza e poetit, Marie Poradeci, tregon detaje mbi botimin dhe kohën kur kjo monografi u realizua. Në atë kohë, i ati vuante nga një sëmundje, dhe iu desh ta ndërpriste punën për t'u kuruar. Por ai nuk e la kurrë në mes këtë studim, i cili veç titullit Profesor doktor, i njohu poetit edhe një anë tjetër të gjenisë së tij, atë si studiues.
 
Ju dje publikuat një botim për babain tuaj me titull "Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare". Çfarë përmbledh ky botim?

Siç dihet, në kohën e qeverisë së Nolit, Lasgush Poradeci studioi në Universitetin e Grazit për Filologji Romano-gjermanike. U nis për atje në shtator të vitit 1924, mirëpo studimet u zgjatën. Ai u detyrua t'i ndërpresë ato për shkak të një sëmundjeje të papritur, si pasojë e së cilës u shtrua në spital për disa kohë. I përfundoi studimet në vitin 1928 e për të mbrojtur doktoraturën duke kurorëzuar studimet e veta, duhet të merrte titullin 'Profesor-doktor'. Për këtë, duhej përgatitur një tezë për disertacionin dhe babai zgjodhi "Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore atdhetare". Procedura për ta mbrojtur tezën zgjaste rreth dy apo tre vite. E dorëzoi në universitet në vitin 1931. Pas ndjekjes së gjithë procedurave të nevojshme, në vitin 1933 ai e mbrojti tezën dhe mori titullin 'Profesor-doktor'. Temën për disertacion, në dekanat ai e ka shkruar me dorën e tij. Është në të vërtetë një punë e rrallë artistike. Kjo kuptohet lehtë nëse studiohet kaligrafia e tij. Në librin që kemi botuar, kemi vënë dokumente të tezës së tij, faksimile dhe fotografi. Temën e ka punuar në gjermanisht dhe rumanisht. Jemi përpjekur të vëmë në libër gjithçka që është në funksion të punës së babait për kohën kur ai ishte atje dhe ka punuar për doktoraturën.

Titulli "Eminesku i injoruar" ngjan si një pikëtakim mes jetës së Emineskut dhe jetës së Lasgushit...

Po, është e vërtetë, sepse në kohën kur ishte gjallë Eminesku, rumunët e injoruan, ndërsa tani e kanë shpallur poetin e tyre më të madh, poet kombëtar. Kjo doktoraturë u shkrua në fillim të viteve '30. Duket sikur Poradeci parandjen diçka për fatin e tij. Mund ta quaj si një parashikim që "kishte bërë" im atë për atë që ai vetë do të përjetonte dhe do t'i ndodhte më vonë. Edhe im atë gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij, për gati 50 vite, u injorua nga diktatura. Asnjeri nuk e mori në konsideratë, nuk e përmendën, nuk shkruajtën për të, shpallën vdekjen e tij. Ismail Kadare thotë: "Ai jetoi më shumë se kushdo tjetër vdekjen e vet". Duket sikur ndodh e njëjta gjë me atë që shkruhet në këtë studim për Emineskun: "Ata janë si yjtë. Mijëra vite pasi ata janë shuar, drita e tyre mbërrin tek ne dhe na ndriçon".
 
A e njohin rumunët këtë studim mbi Emineskun?

Kur kishin 150-vjetorin e lindjes së Emineskut në vitin 2000, ata e shpallën atë vit si vitin e Emineskut për Rumaninë. Në atë vit, mblodhën dhe botuan çdo material që ishte shkruar për poetin kudo në botë. Ndër të tjera, ata gjetën edhe doktoraturën e Llazar Gushos, dhe e botuan atje duke thënë: "Një shkrimtar gjerman me emrin Llazar Gusho, ka shkruar për Emineskun". Nuk e dinin se ishte shqiptar.

Ndoshta kjo për shkak se doktoratura është e shkruar me dorën e tij dhe në gjuhë gjermane, gjuhë të cilën ai duket se e ka njohur shumë mirë...

Ai shkruante shumë mirë gjermanisht. Madje kur i kanë parë dorëshkrimet disa gjermanë, janë mahnitur. Më kanë thënë se nga mënyra se si ai e ndërton frazën, nuk duket se ai është i huaj. Në fakt Lasgushi thoshte gjithmonë: "Unë nuk e njoh gjermanishten. Unë e sundoj atë". Mënyra se si ai është shprehur tek ky disertacion është për t'u admiruar.
 
Në këtë libër, Lasgush Poradeci del me titullin 'Profesor-doktor'. Kur ka qenë gjallë, a e ka përmendur ndonjëherë këtë titull?

Ai nuk e ka përmendur ndonjëherë dhe nuk i është njohur kurrë ky titull, megjithëse e kishte të merituar. Ata që e kishin një titull të tillë dhe thoshin se ishin me titull, nuk e kishin të merituar si im atë.

Si u zbulua kjo doktoraturë e tij?

E kishim në shtëpi bashkë me shumë dorëshkrime të tjera. Kemi punuar shumë bashkë me motrën time Kostandina, deri sa e botuam.

Ka edhe materiale fotografike në libër, dokumente e faksimile. Çfarë janë këto?

Janë librezat e notave dhe kolokiumet që ai ka shlyer. Janë që të gjitha kolokiumet që ai ka bërë, sepse duhet të realizohen tetë të tilla, dy në çdo semestër derisa të merrte titullin. Pa shlyer këto kolokiume ai nuk merrte dot doktoraturën. Po ashtu janë faksimilet e të gjitha faqeve të doktoraturës në gjermanisht me shkrimin e tij, faqja e parë e dëshmisë të cilën ai edhe e ka përkthyer dhe e kemi botuar si faksimile, fotografi të ndryshme si ajo e universitetit, spitali ku u mjekua, shtëpia ku jetonte me qira, etj. Janë materiale që e plotësojnë gjithë këtë temë.

Në fund është një letër, ku Lasgushi duket e ka mprehur mirë penën e tij të ironisë...

Ai shumë herë e ka vuajtur faktin që nuk iu pagua bursa. Në kohën kur ka mbrojtur këtë doktoraturë, ka qenë në kulmin e sëmundjes së vet. Ishte i detyruar të shtrohej në spital. Ka edhe një fotografi në libër, nga koha kur ishte aty ku ka dalë me shokët e tij. Shumë herë ka qenë në kushte të këqija, sepse bursa i vonohej dhe ai ishte shumë keq nga ana ekonomike. Megjithatë, i kishte vënë vetes një qëllim. "Qoftë me bursë, qoftë pa bursë, - thoshte im atë, - shkollën do ta mbaroj, do ta kurorëzoj studimin tim. Unë nuk jam sahanlëpirës, sepse ata i urrej", - thoshte ai.

Përmendët sëmundjen. Nga se vuante ai?

Ka vuajtur nga shumë sëmundje, kishte probleme me mushkëritë por në atë kohë që u shtrua atje, vuante nga veshkat. Ishte aq keq sa mendohej se edhe mund të vdiste. Fati i tij ishte se ai qëlloi në Austri dhe u kurua në klinika të mira.

Viti 2009 është shpallur nga Ministria e Kulturës si viti i Lasgushit. Në këtë kuadër, çfarë do të bëni në të ardhmen përveç botimit të këtij libri?

Do të botojmë veprën e plotë të tij, poezitë. Më pas do të bëjmë edhe ndonjë ceremoni përkujtimore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora