E marte, 27.07.2021, 10:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Podrimja: Komunikimi me sinkopa

E diele, 26.04.2009, 05:28 PM


Ali Podrimja
Ali Podrimja
Komunikimi me sinkopa

Nga Ali Podrimja

Nga laboratori orvelian sapo dolëm, filluam të kërkojmë veten në të dy anët e Drinit. Përdorimi i lirisë na qiti telashe, ramë në hall me të. Dhe, kur menduam se vërtet ishim të lirë, lindën ambicje të tjera dhe komunikimi ynë u bë me sinkopa, ngecte diku. Luhej diçka brenda e jashtë nesh. Tani na mungon kurajoja të pranojmë se në të dy anët e Drinit ekziston diçka që bën tërësinë e një populli. Lë përshtypjen se përbirohemi ende nëpër huqet e historisë. Shfaqet dyshimi se kush na është i pari dhe më meritori. Kur bëhet fjalë për çështje të ndryshme të Kombit, nuk ka të parë a të dytë. Koordinimi bëhet në nivel kombëtar, të lëvizin gjërat kah zgjidhja e shumë çështjeve të hapura.

Në momentin e pikërishëm është me rëndësi të veprohet si Komb. Para nesh qëndron rrugëtim me të papritura. Mund të reprizohen kongrese e konferenca të paharruara. Ndasitë mëhallofisnore apo krahinore shpiejnë te krijimi i shqipërizave aq tmerruese, që në universin shqiptar paraqiten si njolla dhe të turpit tonë.

Nga një liri fiktive qitëm menç çështjen kombëtare e cila luhatet; po ashtu nuk dihet kur do mbyllet statusi final i Kosovës (Dardanisë) dhe i copëzave të tjera të qenies sonë. Pra nuk na nderon të dalim të parcializuar para botës. Shoqërinë shqiptare duhet parë brenda kornizave të etnisë pa marrë parasysh se ndokujt ia prishim pazarin. Fatale është po qe se në çfarëdo komunikimesh brendashqiptare të shtronim interesin fisnor a të xhepit, do e kryenim një punë të huaj dhe biem ndesh me atë që e thotë Manfred Osten: “Çdo komb duhet të përkufizohet, në radhë të parë, si komb kulturor”.

Shqiptarët kurrë nuk janë sharë më shumë se viteve të fundit dhe kjo ndodh shkaku i bindjeve, i primitivizmave fisnore dhe çatisë. Nuk çohet dorë nga asnjë fazë e zhvillimit kulturo-historik. Le të mbesin trashëgimi dhe të përvetësohet, si thotë Adorno, ajo që është e vlefshme. Nëse dëgjogjmë telallxhinjtë siç thonë për akcilin krijues të kohës së shkuar apo të së tashmes, atëherë libri ynë nuk do ishte kurrë tamam.

Një gjysmë shekulli na munguan Fishta, Konica, Mehdi Frashëri e të tjerë. Tani kërkohet t’i heqim ata që jetuan e krijuan në kohën e diktaturës. Po ku paskëm jetuar ne? Në Mars? Ne duhet të hapim shtigje që na ofrojnë kah qëllimi ynë, të mbrojmë identitetin përmes artikulimit e dinjitetit. Polarizimet dhe përçarjet vënë në pyetje shumëçka. Së pari, ne duhet të lirohemi nga paragjykimet e injorimi i dyanshëm, t’u dalim krah vlerave që i nëpërkëmbë lukunia e mediokërve, e mafies kulturore dhe të nxjerrim në pah etikën tonë. Së dyti, të luftojmë për hapësirën jetësore.

Na munogn abetarja kombëtare, libri i leximit, i muzikës, i historisë, i gjeografisë, i etikës, i arteve e ne vëhemi pas ndonjë fisnori që shikon levërdinë e çatisë. Mundësia që mbështet se letërsia shqipe na u krijueka, bie fjala, nga Durrësi në Kukës, ose nga Gjakova në Llap na mer të drejtën të prezantohemi si kulturë kombëtare, por krijuesit e njëmendtë nuk bën të pajtohen me logjikën e atyre që veten e shohin të madh në vogëlsinë e tyre. Atëhere pse të mirremi me leximin e hartave tona tragjike? Nëse akcili krijues yni prezantohet tej e këndej Drinit me ndonjë tekst letrar në ndonjë libër apo antologji, nuk di a ia vlen të pajtohemi se ndodhi integrimi shqiptar. Kjo është vetëkënaqësi naive, ka edhe shumë golla në rrugëtimin tonë. Lypset të plotësohen me ide, mesazhe dhe tolerancën me të cilën krenohemi para të tjerëve. Komunikimet pra duhet të na shpiejnë te integrimi kombëtar. Përndryshe, siç thoshte Faik Konica: “as që do të na quajnë komb bota”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora