E shtune, 12.06.2021, 10:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Ledi Shamku-Shkreli: Formula e Pagzimit, Kumte të reja nga dokumenti më i vjetër i shqipes

E diele, 26.04.2009, 06:25 PM


Pjese e kapakut të lëkurës me të cilin është veshur kopertina e “Kodit Ashburnham” në Firence. Është e gjitha e dekoruar me presim
Pjese e kapakut të lëkurës me të cilin është veshur kopertina e “Kodit Ashburnham” në Firence. Është e gjitha e dekoruar me presim
Formula e Pagzimit, Kumte të reja nga dokumenti më i vjetër i shqipes

Prej shekujsh e keqinterpretuar; e vërteta që fshihej në Arkivin e Shtetit
 
Nga Ledi Shamku-Shkreli

“Konstitucjonet” e Kuvendit të Matit të vjetit 1462, përpiluem prej Pal Êjllit nuk kanë pasë ndonji trajtim të privilegjuem në Shqipni, ndonëse me to lidhet, posë tjerash, edhe kapërcimi i pragut historik të gjuhës shqipe. Me përjashtim të Formulës së Pagëzimit e cila në asnji rasë nuk mundej me u neglizhue, pjesa tjetër e “Konstitucjoneve”, ashtu si dhe e krejt Kodit Ashburnham në përbamje të t’cilit ato ndodhen, asht fare pak e studjueme prej nesh. Kjo zbraztì studimore asht edhe haraçi që i kemi pague mungesës së botimit të këtyne dokumentave primordialë për kulturën tonë kombtare.
Në Shqipni, faksimili i Formulës së Pagëzimit, u botue i pjesshëm prej Lumo Skëndos më 1926 tek “Dituria”, por duhet thanë se, në këte publikim, paraqitja e Formulës u përshfaq e manipulueme. Kjo ndodhi mbasi botuesi, për lehtësi paraqitjeje, bashkoi në nji faqe të vetme paragrafin e ndamë ndërmjet dy faqeve (paragraf ku ndodhet formula asht në faqet 3b dhe 4a të pishtullit). Prej asokohe kjo faksimile u pat botue e ribotue ashtu për gati nji shekull me rradhë, si ndër librat shkollorë e antologjitë përmbledhëse, ashtu edhe ndër trajtesat shkencore të studjuesve të ndryshëm.
Porse janë do ngjarje të cilat s’munden me mbetë gojëdhana, e sidomos, në ditët e sotme fjala e shkrueme s’mundet me qenë mâ gojëdhanë, pra e pabotueme; aq mâ fort kur kjo fjalë e shkrueme asht primitus, sikundër asht dokumenti i parë në gjuhën tonë, i njoftun si Formula e Pagëzimit e vjetit 1462. Me këte dokument shkrimor e kapërcen gjuha shqipe pragun e vet historik, a sikundër shkruen Át Justin Rrota, formula e pagëzimit shenjon “pagëzimin e ortografìs shqipe”.
Qyshse u njoftue zbulimi i këtij dokumenti e deri në ditët e sotme, asht shkrue shpesh formulen, madje teevona pati edhe tubime shkencore në kremt të jubileut të saj; porse vetë dokumenti vijoi me mbetë i mbledhun kutullaç në sergjitë e arkivit, e kështu mjaft studjuesve ju takonte me shkue citim mbas citimit. E posë studjuesve, shqipfolësit nuk patën kurr rasën me e pa të plotë shenjën e tyre t’parë shkrimore.
Bindja se nji frazë e vetme e shqipes nuk mund të studjohet shkëputazi nga konteksti i vet, qoftë ky edhe në nji tjetër gjuhë, na grishi me kërkue këte manuskript dhe me e botue të plotë. Duke u informue se ç’leje nevojitej për me e sjellë kopjen e tij në Shqipni, mësuem se kjo kopje e filmueme n’fakt gjindej në Arkiv të Shtetit Shqiptar qysh më 1967-ën, pra prej ma se 40 vjetësh, dhe se e pat prue prof. Bujar Hoxha. Befasia se kishim lypë fort larg ate çka e kishim prej kohësh këtu qe lehtësuese e na solli ndër mend pyetjen e Engjëllit të Zotit: “Pse e lypni të gjallin ndër të dekun?” (Luka 24, 5-6).
Kështu pra, venduem që ma së pari ta botojmë të plotë këte dokument (shih Hylli Dritës, 1/2009), për t’ua dhanë shqiptarëve ate çka u takonte me e pasë prej shumë e shumë kohësh.
Duem me besue se për shqiptarët, tash që “ka ndërrue moti e stina” dhe pseudopatriotizmi izolacionist nuk shtrëngon ma me ecë ndër shtigje të pashkeluna, vetëm njohja e kulturës së njimendtë e transhendentale krijon ate bazament moral e historik mbi të cilin duhen mbështetë përpjekjet për me u rikthye në gjiní, në Europën prej kah u shkëputën forcënisht shekuj ma parë. Marin Sirdani shkruente se “për me e dashtë historinë e kombit, duhet ma parë me e njoftë ate”, mbasi veç përmes njoftjes ngjarjet dhe personazhet e të kaluemes mundet me shtegtue prej territ të kohënave drejt kjartësisë të s’tashmes.

Faksimilja me numrin 1 paraqet fletën e parë e Kostitucioneve. Ajo është fleta më të cilën hapet Dokumenti. Faksimilja e dytë dhe e tretë, na paraqet fletët ku shtrihet paragrafi që na njeh me Formulën e Pagëzimit në gjuhën shqipe. Ekzaktësisht ajo ndodhet në fillim të faksimiles me numër 3.
Faksimilja me numrin 1 paraqet fletën e parë e Kostitucioneve. Ajo është fleta më të cilën hapet Dokumenti. Faksimilja e dytë dhe e tretë, na paraqet fletët ku shtrihet paragrafi që na njeh me Formulën e Pagëzimit në gjuhën shqipe. Ekzaktësisht ajo ndodhet në fillim të faksimiles me numër 3.

“Konstitucjonet, urdhnesat dhe statuti u hartuen e u shpallën prej nesh Arqipeshkvit Pal e u nënshkruan në Kishën e Shindërtatit të Matit në vitin e Zotit 1462, në indiktin e dhjetë, dhe po në ditën e hane më 8 të muajit të nëntorit”. “Konstitucjonet” nisin me nji paragraf, në të cilin arqipeshkvi Pal Êjll, përshkruen shkurtimisht gjendjen e arqipeshkvisë së vet n’ato kohë, kur lypej me u riorganizue mes vedit për me i bamë ballë ndarjes shpirtnore, pra edhe kombtare, të gjindjes sonë e cila po rrezikohej prej agresionit osman.

“Ad perpetuam rei memoriam. Detyra e kujdesit baritor na shtyn me çdo kusht me paqtue për nder të Hyut dhe për shëlbimin e shpirtnave ku vepron Arqipeshkia [...] U ba shumë kohë që dioqezat, provincat janë vizitue rrallë prej Arqipeshkvit, qoftë për arsye të tiranisë së gjatë të turqve, qoftë edhe për shkak se kjo zonë ka vëshirësinë e të qenit shumë e shtrime.
Për shkak të zakoneve të shprishuna, venduem ta vizitojmë na vetë [...] Në nji këte epokë provinca gëzon plotësisht dinjitet liriet kishtare nën të ndritshmin Sundimtar Skenderbehg, Zot i Arbënisë”.

Riorganizimi përfshiu qoftë formën, qoftë përmbajtjen e ushtrimit të detyrës shêjtë të meshtarisë, duke unifikue dhe përditësue çdo ceremonial kishtar simbas udhëzimeve të Selise së Shêjtë.
Por le të shestojmë tash dy çeshtje fort të diskutueshme, të cilat, pas mendimit tonë janë interpretue shkrim mbas shkrimit ma fort si hamendje sesa si analiza kontekstuale (kjo edhe për mungesë të shqyrtimit të tekstit të plotë në origjinal).

Së pari, për dekada me radhë asht përsëritë e ripërsëritë gjithnji se në këte Kuvend ju dha e drejta familjarëve, që në mungesë të priftit, t’i pagëzonin vetë fmijtë, në mënyrë që të mos vdisnin pa e marrë këte sakramend. Simbas këtij arsyetimi asht mendue se arsyeja e dhanies në shqip të Formulës së Pagëzimit rrjedh ngase populli nuk e njifte latinishten. Por duket se nuk asht njimend kështu e se ky interpretim tejet i thjeshtëzuem ka ardhë në disa rasa për mungesë të ballafaqimit me tekstin e plotë, e në tjera për mosnjohjen e kuptimit të saktë të termave ekleziaste (në rrafsh historik).
Në pikën ku ripërcaktohen rregullat që lidhen me sakramendin e pagëzimit (fletët 3b-4a ose 3 recto e 4 verso) jepen edhe kushtet për pagëzimet jashtë kishe në të cilat bahet, sikundër thamë, nji përcaktim i specifikuem i formulës pagëzimore in vulgari albanico. Ky përcaktim jepej për dy motive:
1. sepse formula nuk mundej mâ me u thanë tri herë, pasiqë Vatikani e kishte riformësue këte praktikë prej mase nji shekulli. Kështu nga nji vështrim krahasues me përditësimet e rendit fetar katolik në vendet e tjera të kërshtena, vërejtëm se këto ndryshime qenë vendosë nga Selia e Shejtë që në shek. XIV. Vonesa e zbatimit ndër ne asht e kuptueshme duke pasë parasysh pushtimin osman, nga njena anë, dhe çrregullsitë si rezultat i veprimit shkizmatik serb nga ana tjetër. Kështu Pal Êjlli e reflekton në Kuvendin e Matit edhe këte përditësim të randësishëm liturgjik;
2. për fmijtë që e merrnin sakramendin në shtëpi, si të pamujtun me ardhë në kishë, formula e pagëzimit lejohej me u thanë në arbënisht në formën tashma të njohun nga ne. Po shqipërojmë të plotë paragrafin ku gjendet kjo fjali shqipe, konteksti i të cilës asht si vijon:

Faksimilja majtas, i korrespondon fletës ku ndodhet fjala shqipe BASHTINA, ndërsa faksimilja tjeter paraqet fletën e fundit të Kostitucioneve te Kuvendit te Matit ku ndodhet dhe data e hartimit të tyre.
Faksimilja majtas, i korrespondon fletës ku ndodhet fjala shqipe BASHTINA, ndërsa faksimilja tjeter paraqet fletën e fundit të Kostitucioneve te Kuvendit te Matit ku ndodhet dhe data e hartimit të tyre.
“Venduem që mbas sodit priftënt kur pagëzojnë, të shqiptojnë një herë të vetme “Ego te baptizo in nomine Patris et filij et spiritus sancti”, dhe jo tri herë sikundër asht ba derimë sot. Dhe për këte duhen mësue famullitarët, që kur lypet me pagëzue krijesat që rrezikojnë me vdekë të papagëzueme ngase nuk mbrrijnë me i pru në kishë, ata të shqiptojnë dallueshëm (shkoqitun) në shqipen e popullit (Vulgari Albanico), s’paku këto fjalë: Unte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. Në se ndonjeni asht pagëzuem në ket mënyrë, nuk duhet pagzue për s’dytit herë por ai duhet të përmbushë katekizmën. Nga ky vendim përjashtohen veç rasat kur dyshohet njimend, apo kur këto fjalë janë shqiptue nga nji laik apo grue që, në rrethana shtrëngese, ka pagzue ksisoj. Kështu pra, sacerdoti duke pagëzue, të hedhë ujë mbi kryet e fmisë duke thanë: Si tu es baptizatus, ego non të rebaptizo, sed si non es baptizatus, ego te baptizo in nomine Patris et filij et spiritus sancti (n’shqip: N’kjoftë se je pagëzuem, un nuk të ripagëzoj, por n’mos kjofsh ti i pagëzuem, un po t’pagëzoj n’emën t’Atit, t’birit e t’shpirtit shêjtë) “.
E vërteta asht se në këte paragraf nuk del askund që prindët, a ndokush tjetër jashtë funksionevet fetare, të mundej me pasë autoritetin për me e krye këte sakramend.
Por si ka mundësi që nji “shmangie” të tillë të randësishme ta kenë thanë e përcjellë njani mbas tjetrit të gjithë studiuesit, historianë ose jo, që nga Nicolae Jorga e gjer më tash?
Në paragrafin që cituem, pra në kontekstin ku ndodhet fjalia shqip, vihet re se njësia latine e origjinalit “quod doceant parrochianos in articulo” asht keqkuptue vijimisht duke i dhanë gabimisht shenjuesit “parrochianos” vlerën që ka sot në italishte verbi “parrocchiani”. Kjo e fundit në fakt don me thanë “besimtarë të nji famullie”. E këtu mendojmë se nis edhe keqkuptimi. Para së gjithash skjarojmë se ky tekst asht shkruem në latinishten mesjetare. Latinishtja klasike nuk e ka këte verb; ajo ka veç verbin “parochus” që don me thanë “zyrtari që kujdeset për bujtjen e shtegtarëvet”. Ndërkohë, po të shikohen fjalorët historikë të italishtes, tek lema “parroco” (shq. famullitar) rezulton se forma e vjetër e saj ka qenë “parrochiano”; aty spjegohet se kjo formë rrjedh drejtpërdrejt prej latinishtes mesjetare “parochianum – plur. parochianos”. Dhe vërtet edhe sot e ksaj dite ndihet ende ne Itali që famullitarët ma t’moçëm thonë “parrochiano” për “parroco”.
Kështu pra kuptohet kjartë se Pal Êjlli në këte fragment nuk u referohet besimtarëve por famullitarëve. Këte ngatërresë e ka ushqye edhe “leximi” po ashtu i gabuem i fjalës “shkullar” tek Budi [“Ma kur t’ish ashtu nevoja, sikur thuose foshnja m perikullë me shkuom pa pagëzuom, aty gjithëkush ka të lirë, e mundën me e pagëzuom, sidota e mbë qish do gjuhu të jetë, o prift, o gjakon o shkullar”]. Edhe këtu shkullarët nuk janë laikët në kuptimin e sotëm, siç asht interpretue, por janë priftent shkullarë (preti secolari) ku hyjnë edhe dioqezanët, të thirrun ksisoj, pasi në dallim nga Fretnit Rregulltarë, të cilët rrojnë nëpër kuvende, Priftent Shkullarë rrojnë në shekull (mes gjindjes). Duke vijue ma poshtë vërejmë se Pal Êjlli saktëson “kur këto fjalë janë shqiptue nga nji laik apo grue”. Edhe ktu jemi ballë po të t’njejtit keqinterpretim të termit laik. Laikët nuk janë ata që njohim ne në kuptimin e sotëm, pra e kundërta e klerikëve, por janë në fakt Fretnit Laikë a ndryshe në it. Frati Conversi (nga lat. Conversus), të cilët kishin hy në kuvend, por nuk i kishin marrë ende kushtet e shêjta. Kështu ata nuk kishin të drejtë me çue meshë, por në raste ekstreme, siç asht rasti in periculo mortis u lejohej me pagëzue gjind; e nëse të pagëzuemit ksisoj mandej kthenin në jetë, ata duhej të përmbushnin katekizmën, njilloj siç e përcakton Pal Êjlli. Po ashtu fjala “grue” këtu i referohet motrave murgesha, të cilat si rregull nuk munden me pagëzue, përveçse në shtrëngesa ekstreme. Në kontekstin historik të Arbënisë së shek. XV edhe ky fakt asht plotësisht i kuptueshëm, përveçse i mundshëm, pasi vlen të dijmë se n’atë kohë kish ende në Shqipni kuvende Motrash Rregulltare, sikundër qe psh. ai i Motrave Klarise të Kepit të Rodonit, mbështetë prej Mamicë Kastriotit.
Kështu mund të përfundojmë që pohimi i ngulitun se “Pal Êjlli i lejoi prindët me pagëzue ata vetë të vogjlit në rrezik jete”, nuk asht fakt, por nji keqinterpretim.
Mbetet për t’u skjarue tash përse Arqipeshkvi ynë përcaktoi që kjo formulë mund të thuhej edhe në shqip.
Për këte duhet me u ndalë e me bâ nji shtjellim tjetër kontekstual të situatës. Dihet se në kushte normale, nga sakramendet, vetëm Vojimi i mbramë nuk kryhet në kishë, por në vendndodhjen e atij që lëngon; dhe kjo asht mâse e kuptueshme. Ndërsa të gjitha sakramendet e tjera, pra edhe Pagëzimi, merren në Kishë. Nga sa duket ndërhymja me këte akt rregullarizonte situatën kur fëmija i papagëzuem dirgjej i sëmundë randë në shtëpi. Në këso rasash, famullitari a kushdo tjetër nga hierarkia e kishës, do të lejohej me shkue e me e pagëzue ate në banesë të vet. Por këtu lindte nji problem me bestytninë sipas së cilës kur nji i smundë merrte Vojimin e Mbramë, ai nuk kthente mâ në jetë. Kësisoj, aty ku ka të bajë me nji fmi në agoni ceremoniali i Pagëzimit ruen nji pikë të përbashkët me Vojimin e mbramë, ruen ritin e shenjimit të ballit me voj të shêjtë. Dhe vërtet, sikundër dëshmojnë shenimet e At Domenico Pasi-t, të botueme nga F. Cordignano, ende në zona të thella të Shqipnisë së Tetëqindës hasej kjo bestytni. Pra pagëzimi i nji vocërraku in periculo mortis, rëndom refuzohej nga familjarët, të cilët nuk kishin siguri nëse prifti po pagëzonte a po kryente vojim të mbramë; e nuk ua thoshte këte për t’ua kursye dhimbjen e parakohëshme. E vetmja mënyrë që prindët ta kishin të qartë se nuk bahej fjalë për Vojim të Mbramë por për Pagëzim, ishte që kjo formulë të thuhej në shqip, madje vërejmë se Pal Êjlli ngulmon për me shqiptue “dallueshëm (shkoqitun) in Vulgari Albanico, s’paku këto fjalë: Unte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”.
E me kaq po e konsideroj si të mjaftueshëm këte rravgim duke përfundue se e drejta e pagëzimit në kohë të Kuvendit të Matit (v. 1462) mbetej ekskluzivitet i klerit.

Së dyti do ndalojmë te nji fjalë që na tërhoqi vëmendjen gjatë leximit te Kostitucjoneve. Në faqen 8-b të tekstit del verbi Banœtina, i shkruem kështu, me B të madhe. Verbi në fjalë, që nuk na rezulton askund t’i përkasë limerit latin, shfaqet në këte kontekst:

Item statuimus quod quicquid auget Rector Ecclisie in bonis stabilibus intelligatur et sit Ecclesie nisi laboraverit in Bastina sua, et tunc Ecclisia habeat partem si augmentavit cum bonis Ecclesie. [Kështu kemi vendosë që gjithë çka i shtohet si pasuni e patundshme Rektorit të Kishës, nëse ky nuk e punon si Bashtinë të vetën, bahet me dije se i njihet pronë Kishës, e kshtu Kisha ta ketë pjesë këtë pasuni që shtohet]

Kjo fjalë, e cila nuk gjindet në latinishten klasike, i përket asaj kategorie leksikore, karakteristike për latinishten vulgare, që klasifikohet si kategori fjalësh indigjene (anase) brenda latinishtes. Studjuesi C. H. Grandgent shkruen se “latinishtja vulgare pati dukshëm mjaft fjalë të tilla që nuk shfaqen ndër tekstet klasike. Disa nga këto me gjasë qenë terma të lashtë indigjenë, që vetëm rastësisht nuk hasen ndër veprat që kanë mbijetue”. Gjithë simbas arsyetimit të studjuesve, të cilët ndajnë bukur mirë kur nji fjalë asht e huej në latinishte e kur nji tjetër asht indigjene, rezulton se fjala bashtinë do të konsiderohej e huej nëse dokumenti do t’ish përpilue prej auktorësh jo shqiptarë e jo në Arbëni, por n’Itali a kund tjetër ku nuk egziston fjala bashtinë; ashtu sikur fjalë jo të latinishtes klasike që kanë hymë në ate vulgare nga fjalë të truallit italian amma, battalia, pappus etj. konsiderohen indigjene në Itali. Por fjalë nga troje të tjera, ku ban pjesë edhe bashtina, si p.sh alauda (kelt.), bannus (gjerm.), konsiderohen të hueja. Pra në kontekstin e Konstitucjoneve të hartueme prej shqiptarësh në truellin tonë gjuhsor, bashtina nuk asht veçse nji fjalë vendase në mes të latinishtes vulgare të dokumentit.
Për sa ma sipër, kemi të bajmë këtu me nji fjalë të Shqipes Mesjetare, e cila ka ardhë thuejse në të njajtën formë deri në ditët tona dhe ka zanë vend ndër fjalorët e gjuhës në formën Bashtinë. Kjo përshfaqje, që i ka shpëtue shumëkujt mund të konsiderohet pa droje nji visar i rrallë i Shqipes Mesjetare. Verbi çuditnisht ka mbetë në hije dhe meriton padyshim nji shqyrtim të posaçëm dhe studime të tjera të thellueme rreth rrugëtimit të tij historik në gjuhën shqipe.
E. Çabej në Studimet Etimologjike të tij, pasi sheston paraqitjen e fjalës Bashtinë ndër tekstet e njohuna, si dhe shtjellimin e saj nga etimologë dhe albanistë të ndryshëm, e konsideron këte fjalë si të përshfaqun për herë të parë në “Mesharin” e Buzukut, pra më 1555. Megjithatë duket se fjala, aspak karakteristike për latinishten, nuk i ka shpëtue Nicolae Jorgas, i cili ka punue mbi Kodin Ashburnham dhe e ka veçue këte fjalë (për të cilin veçim çuditnisht na ban me dije edhe Çabej), por pa i shkue ndërmend se në shek. XV ajo ishte edhe nji fjalë e vetë shqipes. Për Jorgan fjala Bastina kishte interes si rumanist, pasi mendohet se rumanishtja, në kohë të panjohuna, e ka huazue kët fjalë nga sllavishtja e vjetër. Kështuqë zbulimi i Jorgas kufizohet me të drejtë vetëm te Formula e Pagëzimit. Madje edhe Çabej vetë në Etimologjikun e tij nuk e konsideron drejt bastinën e Jorgës, të cilin madje e citon gabueshëm. Ky qendrim i shkencëtarit tonë spjegohet vetëm me faktin që ai nuk mundi ta shohë dokumentin e plotë të Pal Êjllit ku qe shkrue Formula e Pagëzimit, e me gjasë asht përqëndrue vetëm në ekstraktin e njohun zyrtarisht (montazhin 3b – 4a). Na lejohet ta bajmë këte gjykim pasi mikrofilmi, ndonëse u porosit nga Instituti i Gjuhësisë, nuk përfundoi kurrë aty por u depozitue në Arkivën e Shtetit e për ma tepër nuk u botue asnjiherë. Përndryshe nuk kishte si t’i referohej Jorgas (që trajton çeshtjen në kuadrin e historisë së ekonomive në trojet trashëgimore të Bizantit) por, në çdo rasë, për verbin në fjalë, ai do t’i ish referue tekstit të hartuem prej Pal Êjllit, sikundër për këte fjalë i referohet Buzukut.
Kështu asht e jashtëzakonshme që leksikut të shqipes, tepër pak të dokumentuem, të shek. XV, i shtohet edhe një fjalë tjetër, Bashtina; fjalë që kish zanë vend të ngulët në Shqipen Mesjetare, e me kuptim të mirëpërcaktuem (si arë e punueshme nga nji familje dhe shpesh e rrethueme), të nji natyre që nuk gjen gjegjëse të saktë në podesta-n apo bonum-in e latinishtes. E natyrisht Pal Êjlli nuk ka përdorë nji sllavizëm në dokumentin e tij latin, por nji fjalë tashma të vulgari albanico-s, e cila nga sa duket përdorej gjanësisht në gadishullin Ballkanik. Kështu mund të pohojmë se fjala shqipe bashtinë motnohet thuejse me nji shekull, pasi na del qysh në vitin 1462, pra 93 vjet përpara librit të Buzukut.

* * *

Botimi për herë të parë i “Konstitucjoneve” të Pal Êjllit, pjesë përbamëse e Kodit Ashburnham, i hap rrugë studimeve të matejshme dhe ma të thellueme mbi bazën e tekstit të plotë. Autorja e këtyne radhëve po punon mbi vetë Formulën e Pagëzimit, e cila e trajtueme thuajse gjithnji shkëputazi nga dokumenti i plotë ka shkaktue edhe keqkuptime që të shumtën e herës janë përcjellë nga njeni autor tek tjetri, pa ju referue dokumentit origjinal.
Shpresojmë gjithashtu që ky publikim ka me hedhë dritë edhe mbi format e organizimit të jetesës, në kuadër të Principatës së Skanderbegut që ato vite po gatitej të riformulohej në trajtën e nji shteti të renduem simbas mënyrës perëndimore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora