E marte, 27.07.2021, 07:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Pushimet e Lilit

E merkure, 29.04.2009, 07:33 PM


Vangjush Saro
Vangjush Saro
Letërsi për fëmijë

Pushimet e Lilit

ose

Lili pushon tek “Palma”

Tregim nga Vangjush SARO

Pushimet e verës ia behën. Mësimi ishte shkrehur me kohë, por kur ra zilja për orën e fundit, atëherë u bë ç’u bë në klasë. Britmat dhe të përplasurat e librave e të çantave andej-këtej, nuk mund të përshkruhen. Ne e kishim orën e fundit me mësuese Adelinën. Ajo është e urtë dhe shumë e sjellshme. Kur na gjeti ashtu të çoroditur, zuri kokën me duar.
-Fëmijë! Ju s’duhet ta bëni këtë… Ju lutem, fëmijë të mbarë!
Eh, ku kishte më fëmijë të mbarë! Ca hidheshin andej, ca këtej. Njëri griste fletoren. Tjetri ngacmonte shoqen e bankës. Nga klasa përballë, vinin herëpashere ata më trimat dhe hapnin e mbyllnin derën, duke e përplasur si mos më keq.
Mirë që mësuese Adelinës i shkoi mendja të flisnim për pushimet verore, se nuk qetësohej ndryshe klasa jonë. Tani po. Do t’ia kalonim për bukuri. Tema e pushimeve verore ishte më e dashura për ne. Këtu të gjithë shkëlqyem. Miranda me familjen e vet do të shkonin për pushime gjer në Korfuz. Genci tha se do ta kalonte një kohë në fshat, tek njerëzit e së ëmës. Familja e Lules e kishte syrin për në Sarandë. Landi tregoi se shkonin në Durrës së paku dy herë në javë. Sot gjeografia u bë ujë fare.
Kështu pra, ligjëruam e ligjëruam një copë herë të mirë. Vetëm Lili nuk fliste fare. Ai rri gjithmonë aty diku nga fundi i klasës. Mungon shpeshherë në mësim dhe po kaq shpesh duket i trishtuar, i lodhur, sikur kushedi ç’halle e kanë zënë. Edhe për të mësuar, shkel e shko. Disa thonë se në familjen e tij heqin keq. Thonë se…
Tani Lili dëgjonte të tjerët, me sytë tek ca të shkaravitura në cepin e bankës. Dhe ia shkonte dorën sa para prapa çantës së tij të shkalafitur. Kot. Ngaqë s’dinte çfarë të bënte e çfarë të thoshte. Mësuese Adelina iu afrua edhe atij dhe e pyeti:
-Pa hë, Lili! Na thuaj edhe ti, ku do t’i kalosh pushimet verore?
Lili as që e ngriti kokën fare. Vazhdonte të lëmonte çantën dhe sytë nuk i hiqte nga ato të shkarraviturat tek cepi i bankës. Pushimet. Pushimet verore…
-Lili! Nuk do t’i tregosh mësueses ku do t’i kalosh pushimet verore?
Tani e gjithë klasa ishte kthyer nga shoku ynë gojëkyçur. Ai u skuq krejt dhe zuri të vështronte andej-këtej, si i zënë në faj. Dhe seç mërmëriste. Vetëm kur ra zilja dhe ishte gati të shpërthente zhurma nga e para, shpërtheu edhe ai:
-Pushimet verore? Ku do t’i kaloj pushimet verore? Tek “Palma” do t’i kaloj!
Fjalët e Lilit u përpinë sakaq nga britmat dhe fërshëllimat. Tani po që kishte mbaruar shkolla vërtet. Korridoret u mbushën plot. Zhurmat u përzien dhe gëzimi flatroi gjer jashtë, në oborr. Megjithatë, mua më mbeti mendja tek përgjigjia e çuditshme e Lilit. Tek “Palma”… Po pse pikërisht atje? “Palma” është ai hoteli i madh dhe i shtrenjtë, që...që Lili mund ta shohë vetëm me dylbi(!)

***

Tamam në një nga këto ditët e pushimeve verore, ne po ktheheshim nga Plazhi i Shëngjinit. Ishte aty në të kapërcyer mesdita; dielli përvëlonte. Babi ishte në timon; mami në krah të tij, si gjithmonë. Unë me motrën rrinim në sediljet e pasme. Pinim lëng qershie të ftohtë dhe shikonim rrugën. Vetura jonë po kalonte në krah të hotelit “Palma”. Përpara semaforëve, babi ndaloi. Në këtë kohë, krejt papritur, një zë tepër i njohur përcëlloi aty pranë më keq se dielli:
-Cigare, zotëri! A doni cigare? Çakmakë, zotëri! Kikirikë…
Në dritaren e babit, u shfaq një kuti me gjithfarë çikërimash dhe pastaj fytyra e hirnosur e Lilit… Dhe mua m’u kujtua menjëherë biseda në klasë për pushimet e verës. Kikirikë, zotëri! U ula poshtë sa munda dhe u fsheha prapa sediles së babit. Nuk e di pse. Nuk e di për sa kohë.
-Çakmakë, zotëri! Një mijë lekë, tre copë!
Por babi nuk kishte ndër mend të blinte gjë. Kur u nis makina, e pashë edhe njëherë, nëpër rrezet e diellit përvëlues, shokun tim, që po i kalonte pushimet tek “Palma”. Dhe s’di pse, më erdhi të qaja…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora