E marte, 22.06.2021, 12:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: ''Shteti i Kosovës kontribut i shumë brezave''

E marte, 28.04.2009, 06:34 PM


Doli nga shtypi libri më i ri “Shteti i Kosovës kontribut i shumë brezave“ i autorit SYLË ARIFI
 
PASTHËNIE

Nga Halil HAXHOSAJ

Sylë Arifi, publicist dhe analist,  tani pas pesë librave të botuar në lëmin e publicistikës analitike, doli edhe me librin e tij të gjashtë “Shteti i Kosovës kontribut i shumë brezave”. Domethënia e titullit, gjegjësisht e emërtuesit të përbashkët e këtij libri, pasqyron aktualisht shtetndërtmin e Kosovës, përpjekjet angazhimet dhe sakrificat e shumë gjeneratave. Këtij synimi historik e shekullor të Kosovës për mëvetësi e pavarësi, autori i qaset për të shpjeguar anët e ndërlikuara, madje edhe të shumëllojshme, duke analizuar jo vetëm kontributet, por dhe pengesat në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Librin “Shteti i Kosovës kontribut i shumë brezave” ka dy fushëveprime nëpër të cilat gërshetohen të gjitha ngjarjet dhe negociatat për bërjen e shtetit të Kosovës që janë:
I. Konceptet, ndërtimet, qëllimet, qeverisja, marrëveshjet dhe negociatat e subjekteve ndërkombëtare duke filluar nga OKB-ja, UNMIK-u, KFOR-i e deri te EULEX-i, dhe
II. Aspiratat, tentimet, rropatjet, mundimet, zgjedhjet dhe organizimet qeverisëse të subjekteve politike të Kosovës që nga lufta e UÇK-së e deri te Marrëveshja e Kumanovës, më 10 Qershor 1999. Në këtë binar shkohet edhe më tutje që nga zgjedhjet e para, shpallja e pavarësisë nga ish Kuvendi i Kosovës, Kushtetuta e Kaçanikut, Konferenca e Rambujesë e deri te formimi i Këshillit të Unitetit e Grupit Iniciator në Kosovë. Mbështetja e lëndës së trajtuar në libër mbi këta dy binarë sjell konceptimin analist të autorit, i cili ka grumbulluar material të sistemuar, që e rregullon lëndën që është më aktuale dhe më efikase e domethënëse për ta trajtuar në veprën “Shteti iI Kosovës kontribut i shumë brezave”.  Autori Sylë Arifi, punën e tij krijuese, në fushën e analizave politike, e ka mbështetur në fakte, dokumente dhe aktivitete të përditshme të të gjitha subjekteve politike, shoqërore, madje edhe partiake të atyre që veprojnë në Kosovë.
Materialin e ndarë për analizë publicistike, autori e strukturon në librin e tij duke e ndarë në pesë pjesë dhe në shumë kapituj e nënkapituj që rekapitullojnë tërësinë kompozicionale të veprës. Ky strukturim kapërdihet nëpër mese, stade dhe situata që janë evidente dhe të cilat kanë lënë, e pse jo, ende lënë gjurmë evidente në politikën bashkëkohore të Kosovës në veçanti, dhe asaj ndërkombëtare në përgjithësi. Bashkadministrimi qeverisës vendor dhe ndërkombëtar dhe lindja e një pluralizmi partiak pas përfundimit të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja, bëri që në fillimet e këtij pluralizmi të lindin mospajtime, madje edhe fërkime në mes partive politike të Kosovës. Kjo reflektohej edhe në konceptin e zhvillimit të luftës politike për shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Andaj, uniteti i subjektit politik e qeverisës të Kosovës ka peshën më të madhe në kalueshmërinë e pengesave më të mëdha për bërjen e shtetësisë së Kosovës shtet i pavarur dhe sa më pak "i mbikëqyrur'. Autori,nuk pajtohet që të harrohet kontributi i atyre veprimtarëve politikë e atdhetarë, dëshmorëve, heronjve dhe shumë luftëtarëve të cilët kanë luftuar për Kosovën shtet i pavarur.
Në disa kapituj e nënkapituj të veprës dalin në shesh disa koncepte të negociatave për Kosovën që, në fakt duken se janë vetëm sa për t'u bërë. Kosova në analizat e Sylë Arifit duket se është shndërruar në dualizëm të përgjegjësive, i cili dualizëm shpesh bie ndesh në mes të qeverisjes vendore dhe ndërkombëtare. Andaj, njëri prej kushteve më efikas dhe më të përshtatshëm për shtetësinë e Kosovës do të ishte referendumi. Mungesa e këtij akti demokratik dhe më frytdhënës, solli ecurinë e veçantë që Kosova është rast i veçantë, "sui generis", thotë autori. Edhe Plani i Ahtisarit zë një vend të duhur në këtë vepër publicistike e analitike të autorit Sylë Arifi. Ky Plan duhet patjetër të mbështetet nga faktori politik vendor, sepse nëse shndërrohet në rezolutë, atëherë e hedh poshtë Rezolutën1244, e cila nuk është zgjidhje e përshtatshme për statusin e Kosovës, madje as për konceptin "shtet të mbikëqyrur". Megjithatë, ky Plan mbetet alternativa kryesore për bërjen e Kosovës shtet!!!. Andaj, Kosova duhet të ketë sovranitet që ta fitojë pavarësinë e plotë, sepse në marrëveshje me Beogradin nuk u arrit dhe as që do të arrihet ndonjë zgjidhje ndonjëherë për Kosovën. Të gjitha këto dhe shumë analiza të tjera janë shënuar nga pjesa e parë e deri në të pestën të veprës së Sylë Arifit.
Në pjesën e parë autori shkruan për, Projektin politik për shtetndërtimin e Kosovës, duke i vlerësuar  lëvizjet politike dhe studentore gjatë shekujve, e deri me sot. Sipas autorit këto ishin përpjekjet historike nga shumë gjenerata që u kanë ndihmuar ngjarjeve historike për shtetbërjen e Kosovës. Sigurisht se këto ishin ngjarjet e rëndësishme politike që kanë ndihmuar dhe sjellë Projektin ushtarak për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Pjesa e dytë e librit, vlerëson luftën çlirimtare të bërë nga UÇK-ja si projekti më vendimtar për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Përpjekjet vazhduese për liri, barazi dhe pavarësi të Kosovës, janë vazhduar nga rrafshi institucional i quajtur, Projekti institucional për Republikën e Kosovës, vlerësuar si Udhëkryqet për pavarësinë e Kosovës prej shumë vitesh, pjesa tretë e librit. Pjesa e katër i është kushtuar Projektit demokratik për vetëvendosje të popullit të Kosovës, si kriter demokratik me parimin e të drejtës për vetëvendosje politike, pra me Referendum të vendosë  për fatin e vet politik populli i Kosovës! Si rrjedhojë e mos respektimit të aktit demokratik për vetëvendosje të popullit të Kosovës, ka pasuar Projekti ndërkombëtar që Kosova të shpalli pavarësinë bazuar në Planin Ahtisari ! Pjesa e pestë e veprës së Sylë Arifit përbëhet prej disa kapitujsh e nënkapitujsh, ku sendërtohet aspirata kryesore e shekullore e popullit të Kosovës për vendin e tyre shtet të pavarur dhe sovran. Dhe kjo arrihet më datën 17 Shkurt të vitit 2008 në mbledhjen solemne të Parlamentit të Kosovës me shpalljen e shtetit të Kosovës, leximin dhe nënshkrimin e Deklaratës së pavarësisë, miratimin e Flamurit dhe të stemës së shtetit të Kosovës. Autori është i vetëdijshëm se akti i shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran nuk do të shihet mirë nga armiqtë dhe okupatorët shekullorë. Shteti i Kosovës është rezultat i luftës çlirimtare, i gjakut të derdhur të shumë bijve dhe bijave të saj. Gjaku i tyre u bë kurorë e shtetit, andaj duhet çmuar sakrifica e tyre dhe kurrë nuk duhet nëpërkëmbur. Kosova shtet sovran dhe i pavarur është realitet ndërkombëtar dhe pjesë e politikës demokratike ndërkombëtare. Pas shpalljes së pavarësisë disa shtete treguan solidaritetin dhe pajtueshmërinë me këtë realitet dhe filluan ta pranojnë edhe zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Andaj, Republika e Kosovës u bë realitet diplomatik ndërkombëtar sepse u fut në agjendën e shteteve të njohura ndërkombëtarisht nga SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe e shumë vende të tjera, për çka deri me sot është njohur nga 55 shtete të ndryshme. Por, pas kësaj nuk pushuan dhe as që pushojnë fushatat e kriminalizuara ndaj shtetit më të ri në botë, Kosovës. Këto fushata i kurdis pushteti serb, i cili kurrsesi nuk mund të pajtohet me këtë realitet, duke kurdisur skenarë të ndryshëm për ndarjen e Kosovës. Në këta skenarë kriminalë bën pjesë edhe libri i Carla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, e cila mundohet të shpifë dhe ta shpallë kriminele UÇK-në, luftëtarët e saj, madje edhe popullin shqiptar të Kosovës dhe të Shqipërisë. Qëllimi i Pontes ishte që ta barazojë kriminelin, okupatorin dhe viktimën, gjegjësisht çlirimtarin, thotë autori në këtë kapitull të veprës së tij. Vepra përfundon me disa kapitujt "Institucionet e Kosovës me sovranitet të kufizuar shtetëror" dhe "Kushtetuta e Kosovës akti më i lartë juridik", ku autori paraqet realitetin e kohës në shtetin e pavarur të Kosovës, gjatë periudhës së tranzicionit dhe sendërtimit të ligjeve nga Plani i Ahtisarit, ndërtimi i të gjitha mekanizmave shtetërorë si plotësim i infrastrukturës ligjore. Hyrjen e EULEX-t dhe shtrirja e tij në gjithë hapësirën e Republikës me vështirësi dhe pengesa nga pakica serbe nën skenarët ruso-serbe. Vlerësohet Rezoluta 1244, jashtë planit Ahtisari dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me sugjerim të shfuqizimit të saj dhe largimit të UNMIK-t nga shteti i Kosovës.
Në veprën e Sylë Arifit gjenden dëshmi, dokumente dhe mjete të tjera me të cilat autori e pasuron atë. Janë përfshirë këtu shumë të dhëna, fakte, fotografi, dokumente, pjesë nga shtypi lokal, rajonal dhe botëror që paraqesin të gjitha zhvillimet politike nga më të ndryshmet, deri në fuqizimin e plotë shtetëror të Kosovës.



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora