E premte, 18.06.2021, 03:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Topçiu: Metafora e shndërrimit të fjalëve në dritë

E shtune, 02.05.2009, 09:40 PM


METAFORA E SHNDËRRIMIT TË FJALËVE NË DRITË

Nga Dr. Luan Topçiu (Bukuresht)

E  folura magjepsëse

Poeti Baki Ymeri, duke thelluar tiparet e fizionomisë së tij artistike, pas vëllimit poetik dygjuhësh (rumanisht/shqip) "Kaltrina" (Kriterion, Bukuresht, 1994), rivjen sërish para admiruesve të poezisë me vëllimin e tij të dytë dygjuhësh "Dardania", (Shtëpia Botuese Deliana, Bukuresht, 1999). Poeti është vazhdues konseguent i tipareve të tij: i strukturës shpirtërore, strukturës stilistike, fjalorit poetik dhe motiveve. "Dardania" është vëllimi poetik që mbart e zhvillon shqetësimet poetike të vëllimit të parë "Kaltrina". Duke ruajtur të pandryshuar konstitucionin e tij shpirtëror, thelbin ontologjik, "moshën shpirtërore", Baki Ymeri sjell një zhvillim horizontal të prosedeve poetike vetanake. Poeti zhvillon dhe i jep udhë pozitës midis dy botëve: atë shqiptare dhe rumune, dhe me të gjitha hipostazat që implikon kjo pozitë (si qënje ballkanike), poezive të dashurisë që mbeten pjesa më e rëndësishme dhe më e arrirë, dhe poezisë meditative. Qënia ballkanike – që shtresohet në histori ballkanike, në filozofi ballkanike, në gjuhë ballkanike, në gjeografi ballkanike.

Shqetësimi i tij është ai arketipal, është një shqetësim që duket se autori e mbart prej disa mijra vjetësh. Kufijtë e qënies shtrihen e peshojnë herë në njërin vend herë në tjetrin, herë në një rrafsh kohor, herë në një tjetër, në një mënyrë eterike, në fluturim dhe takohen e mpleksen pikërisht në thelbin e vet ontologjik. Poeti ndjehet shqiptar i Maqedonisë, i Shqipërisë, i Kosovës, brenga poetike nis me një pretekst gjeografik, fizik, e përfundon në përmasa universale. Nga kjo dinamikë, nga ky motiv e status emotiv, nga kjo pikëpeshimi mbi universin poetik merr shpjegim poezia e poetit Baki Ymeri. Programi poetik, ontologjia e tij, konturohet, ravijëzohet nga një imazh mitik e vizionar, prej një muze, prej realitetit historik të ngjizur në emrin antik të Kosovës së shqiptarëve, Dardanisë.

Magji e tmerr!
Pragu i shtëpisë është shembur-
Fshatrat degdisen,
Në kohën kur ne
Ngjitemi të çliruar
Kodrinave të vdekjes.

Emri yt
Është një poem i trëndafiltë
Që përmes nishanit të pushkës
Është i kundruar
Nga brigjet e Adriatikut.
(Dardania)

Poezia e Baki Ymerit merr frymë dhe gjallëron në zemrën gjeografike të shqiptarisë, që është Shipkovicka – vendlindja e autorit. Duke qënë i dashuruar me botën shpirtërore rumune, ai jeton tani, atje ku është kultivuar në mënyrën më fine e më pretencioze, gjuha letrare shqipe – në Bukuresht. Bukureshti siç dihet, ka qenë një përkrahës i vërtetë i kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke dhëne ndihmë për funksionimin e shoqërive kulturore dhe veçanërisht për botimin e veprave themelore të rilindasve tanë (vëllezërit Frashëri, Jani Vreto, Mihail Grameno, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Aleko Vançi etj.). Duke ndjekur gjurmët e tyre, si një njohës i shkëlqyer i letërsisë rumune dhe asaj shqiptare, shpirti poetik i Baki Ymerit është i hapur. I lindur nga një nënë rumune dhe nga një baba shqiptar, autori i këtyre vargjeve gëzon prioritetin për të bashkuar dy burimet e mëdha siç janë letërsia shqipe dhe ajo rumune. Ai është një shpirt i brishtë që di fshehtësinë e shndërrimit të fjalëve në dritë, duke i metaforizuar, së bashku  me shqetësimet e Ballkanit, edhe ndjenjat e dashurisë.

Brishtësia e dashurisë

I dehur me ajrin e dashurisë, i prekur nga flatrat e saj, i ndjeshëm nga çdo manifestim subtil njerëzor, i magjepsur pas feminitetit, pas bukurisë të ndjenjave njerëzore, pas brishtësisë fizike, poeti përpiqet ta sjellë përjetimin e tij në formë vargjesh. Poeti gëzohet prej dashurisë, mbushet me energji e vitalitet. Poezia merr formën e një reaksioni verbal, e një gjesti verbal të një natyre tjetër. Poezia merr vlerat e një shpëtimi, e një arratie dhe mbetje në të tashme, një balsam dhe një lëndim njëherazi, një shenjë e vetmisë dhe e pranisë së një qënjeje tjetër.  (Tresha dashurie, Mjaltë, Mallkim me erëtima, Fuqia e dashurisë, Femra të stolisura në mëndafsh dhe ajër, Mall, Je këngë?, Gjinjtë, Vargje dashurie, Brishtësi, Kolendër dashurie, etj.)  Përmendim vetëm një numër titujsh nga poezia erotike. Siç vihet re dhe nga ana sasiore paleta e këtyre poezive është zhvilluar ndjeshëm. Prirja natyrale, por dhe ku rezultatet janë më të arrira, është poezia e dashurisë. Në botën përrreth tij ai kërkon motive, provokon kontakte që nxisin dhe zhvillojnë botën ndjenjësore të tij magjepset, tundohet, dridhërohet në intimitetin e tij poetik.

Kalliri i këngës
Ndërmjet gjinjve të tu
Me erëtimë të trëndafiltë
Fshihet.
E praruar me hijeshi
Qëndron posi një burbuqe
(Je këngë)

Poezia bëhet realiteti real dhe virtual për poetin Baki Ymeri. E folura poetike  kap trajtat e një ligjërimi onirik, ku koherenca e logjikës poetike bëhet entropike. Në fakt aventura e tekstit të Baki Ymerit na çon në një gjendje të përgjithshme entropike. Poezia e Baki Ymerit strukturohet sipas një mënyre enigmatike, strukturimi i një tereni entropik. Më tërheqëse në këtë poezi bëhen kombinimet e sintagmave, fjalëve, liria asociative e bashkimit të tyre - ligjërimi poetik në tërësi. Poezia është e mbushur plot me sharm, ajo është tingulluese, gurgulluese dhe e rrjedhshme. Autori parazgjedh një ligjërim poetik që provokon kumte të fshehta, kërkon të zhbirojë misterin e magjinë. Poezia dekodifikohet dhe bëhet më familiare, pas deshifrimeve të asosacioneve, përfytyrimeve, pas zbërthimit të mënyrës metaforike të të menduarit poetik. Përgjithsisht obcioni i tij është poezia e shkurtër, thënë ndryshe i pëlqen të flasë pak, por në mënyrë sugjestive, mendimi është i përqëndruar, e foluara realizohet me një frymë. Posaçërisht poezitë e dashurisë janë shprehje e ngarkesave maksimale emocionale. Intesiteti i përjetimit i ngjesh mjetet gjuhësore, i ekonomizon dhe për pasojë ligjërimi ngjason me një të folur magjepës. Baki Ymeri me vëllim "Dardania" thellon elementet tipologjike të poezisë së tij. Fryma lirike, posaçërisht lirika e dashurisë shënon një sukses në peisazhin e poezisë bashkëkohore shqipe.

Nga e majta: Xhelku Maksuti, Maria Gusho, Luan Topçiu
Nga e majta: Xhelku Maksuti, Maria Gusho, Luan Topçiu



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora