E marte, 27.07.2021, 10:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Dy satira nga Vangjush Saro

E shtune, 02.05.2009, 02:46 PM


Vangjush SARO ka lindur më 1952 në Korçë. Më 1971 përfundoi shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi”. Më pas, kryen Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji. Punon për disa vjet arsimtar në rrethin e Gramshit. Më 1986 kryen Kursin pas-universitar për redaktor pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve dhe ish-Kinostudio “Shqipëria e re”. Pas vitit 1986 punon redaktor - skenarist në ish-Kinostudio “Shqipëria e re”.
Në fillim të viteve ‘90 merret edhe me gazetari, duke punuar dhe bashkëpunuar në disa gazeta, si “Republika”, “Alternativa SD”, “Sindikalisti”, më pas në “Metropol”, “Ballkan” dhe “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” e “Telegraf”.
Autori ka marrë çmime kombëtare për vëllimin me tregime satirike “Biri i ambasadorit” dhe për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli”. Jeton në Tiranë.

Krijimtaria letrare e autorit

Për të rritur

Prolog satirik………………………………1974
Dy orë dramaturg………………………….1975
Në kërkim të studentit Mete………………1979
Biri i ambasadorit…………………………1988
    (libra me tregime satirike)
Shkëlqim i përkohshëm …………………..1988
     (kinokomedi)

Për fëmijë

Ora nuk ha çokollata (poemë)……………............1980
Miku i vogël (poemë)............................................1983
Ervini dhe miqtë (novelë-përrallë)........................1995
Një ditë pa mamin (novelë dhe tregime)...............1996
Polic Këmbëvogli (novelë)....................................2000
Dy fëmijë në Kampionatin botëror (novelë)…......2001
Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri (novelë)….2003
Aventurat e Bubit Çamarok...................................2003
Rrëfime nga shkolla ime (tregime)........................2004
Një ditë pa mamin (Botim 2).................................2005

Satira

Kënga e spiunëve

Kemi një jetë të tërë
Të ndryrë në baltën tonë:
“Ç’jam unë
e ç’je ti!”
Dhe përralla veç vazhdon...

Dhe përralla veç vazhdon,
Me sfida
e gënjeshtra.
Të parat i dreqosim...
të dytat u bënë vreshta.

Të dytat u bënë vreshta.
Pa to,
nuk rrojmë dot.
Ja, prapë na gostitën
një lajm të rrallë sot.

Një lajm të rrallë sot,
për mik edhe armik:
Spiunëve
më në fund,
do t’ua plasim: “Ikë!”

Do t’ua plasim: “Ikë!”
se mjaft kemi duruar.
Me shokët
komunistë,
zullumi u teprua.

Zullumi u teprua
se u zbuluan kartat.
Na morën
qeratenjtë,
biznese dhe gjykata.

Biznese dhe gjykata,
nderime
dhe ofiqe.
Por prit se do të shohëm,
tani që bëmë ligjin.

Tani që bëmë ligjin,
ia hodhëm kësaj pune.
E zhdukmë
komunizmën,
i shuam gjithë spiunët.

I shuam gjithë spiunët,
që prishnin punë,
okej?
Se prapë...ca do të mbeten.
Andej edhe këtej.

Andej edhe këtej,
në Parlament
a gjetkë.
Po na e bënë borxh,
i flakim prapë si leckë.

I flakim prapë si leckë
dhe ua heqim fronin,
po nuk na thanë:
“Peqe!”
Kështu ka qenë zakoni.

Kështu ka qenë zakoni:
I mbanim
ndënë sqetull.
Po të na hapnin punë,
iu nxirrnim sy e vetull.

Iu nxirrnim sy e vetull,
i quanim të shitur.
Ndonjërit
që pendohej,
i jepnim prapë tituj.

I jepnim prapë tituj,
se kjo është politika.
Di ta vërtisësh,
mirë.
Nuk di, të raftë pika!

Nuk di, të raftë pika!
E humbe,
quhesh “ish”.
Edhe po nuk ke qenë,
spiun bëhesh sërish.

Spiun bëhesh sërish
se dosjet ne i patëm.
Të duam?
Ja, e mbyllëm.
S’të duam, prapë e hapëm. 

S’të duam, prapë e hapëm.
Dhe jetën
krejt ta nxijmë.
Zakonet komuniste
kaq lehtë nuk i fshijmë.

Kaq lehtë nuk i fshijmë
se shkon shpejt
tranzicioni.
Dhe s’ka më gjumë e pare
nën hijen e rigonit.

Nën hijen e rigonit,
një jetë e tërë kaloi.
Spiunë
e komunistë
qejfin e bënë njëlloj.

Qejfin e bënë njëlloj
se duron Shqipëria!
Kush shtiret,
përfiton.
Ja kjo është historia.

Ja kjo është historia.
E bëjmë si të duam.
Të bardhën
dhe të zezën,
një fije e hollë i shquan.

Një fije e hollë i shquan
të mirën
dhe të keqen.
Me këto ment’ që kemi,
sërish mbetëm hendeqeve.

Sërish mbetëm hendeqeve,
Të ndryrë në baltën tonë.
“Ç’jam unë
e ç’je ti!”
Dhe përralla veç vazhdon...


Loja me GDP dhe Frani hallexhi

Ka plasur keq debati
tek sheshi “Partizani”.
Atje ku me qiri,
e kërkon punën Frani.
Biseda
është e nxehtë;
edhe pse dimri ngrin.
Dhe era fryn e ftohtë.
E qielli bubullin...
Sa është,
mor aman,
sa është GDP-ja?
Thotë FMN-ja: “Gjashtë!”
Por... “Dhjetë!” qeveria.
Pse dhjetë e jo gjashtë?
Pse gjashtë e jo dhjetë?!...
Si lojë kungulleshkash,
kjo GDP e shkretë!

Vazhdon debati i ndezur
tek sheshi “Partizani”,
për GDP-në e vitit,
që FMN-ja e rrfani.
Kalojnë aty gjithfarë,
por s’do askush punëtor.
Iu mbeti GDP-ja,
si dopjo gjashta n’dorë.
Thotë “Gjashtë!” FMN-ja.
Prapë “Dhjetë!” qeveria.
Ama, na u bë ferrë
edhe kjo GDP-ja!
Në trastë
bukë e djathë,
në dorë një lopatë.
Por goja nuk iu mbyllet,
veç grijnë e grijnë
sallatë.
Valojnë
e përzihen
bërtimat në asfalt:
“Doni punëtor, zotni?”
me “GDP-ja asht’...lart.”

Veç Frani nuk përzihet,
se nuk e di tamam,
çfarë është GDP-ja,
gazetë
apo shafran?
Tabelë mbase është.
Por ndoshta taksë, bre burrë!
Është lek,
thotë një tjetër.
Dhe sherri s’ndalet kurrë.
Në trastë
bukë e djathë,
në dorë një lopatë.
Por politik’ e madhe
s’braktiset
ditë e natë.

Kur nis dhe erret dita,
zë kruan xhepat Frani.
Dhe kthehet
duarbosh
nga sheshi “Partizani”.
E di që e pret sherri,
se bukë do shtëpia
dhe çuni lekë për disko.
(Qejfli i madh zotnia!)
Atëherë e kupton
shejtanen,
GDP-në.
Dhe era fryn e ftohtë.
Dhe qielli bubullin...

Shënim: “Partizani” është një nga sheshet e Tiranës,  ku mblidhen çdo ditë të papunët.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora