E merkure, 30.04.2025, 08:38 PM (GMT+1)

Kulturë

“Lahuta e Malcis” dhe mitologjia kombëtare

E hene, 04.05.2009, 03:04 PM


Tue lexue “Lahutën” e tij përplot me teprica kangësh rapsodike të paemën, të duket se je tue vështrue popullin shqiptar kah i këndon vedvedit, me fjalët e Fishtës, ma të kulluetën kangë, e cila shpërthen nga një gjak misterioz që rrjedh në zemrën e tij ilire.
Ernest Koliqi

Nga Gazeta Korrieri

Hyrje: “Lahuta e Malcis” dhe kombi

  “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës është cilësuar si epika kombëtare e shqiptarëve, ndërsa autori i saj si Homeri i Shqipërisë, Orfeu i Shqipërisë, Tirteu shqiptar, poet i kombit, interpret i gjenit shqiptar etj. Veçantia e veprës qëndron jo vetëm në subjektin e saj, që përfshin një periudhë historike vendimtare për kombin shqiptar, atë të Rilindjes Kombëtare, por edhe në formën e saj artistike, që e afron këtë vepër më shumë me epikën legjendare të Eposit të Kreshnikëve dhe veprën e Homerit, sesa me veprat letrare bashkëkohore. Me anë të saj, Fishta i ngriti kombit shqiptar një monument në vargje, pikërisht në kohën kur ai po bënte përpjekjen titanike për t’u afirmuar me anë të shtetit të vet kombëtar. Nga ana strukturore, “Lahuta” është një mbledhje këngësh, ku secila prej tyre trajton ngjarje të veçuara me heronjtë e vet. Lidhja mes këngëve qëndron te ndjesia e lexuesit se bëhet fjalë për pjesët e një mozaiku, që së bashku formojnë përpjekjen kombëtare shqiptare; siç thotë Injac Zamputi: është “fryma e kombit që përshkon në të gjitha pjesët e saj (Lahutës) dhe kombi është protagonisti”.

Dihet se letërsia dhe më gjerë krijimtaria artistike kombëtare janë thelbësore për ekzistencën e kombit. Kjo për arsyen sepse kombi nuk është një bashkësi natyrore. Bashkësi natyrore mund të quajmë familjet, farefisnitë dhe etnitë, me lidhjet e tyre të gjakut dhe me elementet kulturorë e zakonet e përbashkëta të përçuara brez pas brezi. Kombi, në ndryshim nga ato, është pikësëpari një bashkësi politike, anëtarët e së cilës përfytyrojnë një origjinë të njëjtë dhe një qëllim të përbashkët të projektuar në të ardhmen. Për krijimin dhe riprodhimin e përfytyrimit të kombit si bashkësia kryesore politike, rëndësi të dorës së parë ka krijimtaria artistike kombëtare, sidomos letërsia. Nëse do të kërkonim për thelbin e kombit shqiptar, ai gjendet pikësëpari në veprat e Rilindjes Kombëtare dhe në ato të mëvonshmet të krijuara në të njëjtën frymë. Në gjirin e tyre, “Lahuta e Malcis” zë një vend kryesor dhe nuk e ka humbur aspak rëndësinë në ditët tona. Në fillimshekullin XXI, çështja shqiptare po shtrohet për zgjidhje politike, prandaj dhe kombi shqiptar duhet të rishfaqet si bashkësia themelore mbi të cilën të ndërtohet dhe legjitimohet politika në trojet shqiptare, pavarësisht copëtimit prej kufijve shtetërorë. Për mbajtjen gjallë të përfytyrimit kombëtar shqiptar, “Lahuta e Malcis” ka vlera të posaçme.

Në këtë artikull paraqiten, klasifikohen dhe komentohen mitet e ndryshme që ndeshen në vargjet e “Lahutës”. Mirëpo më parë se të kalojmë te vepra, duhet të themi disa fjalë për natyrën e mitit, zhanrin epik të letërsisë dhe ndërthurjen e tyre në rrymën letrare të romanticizmit, në të cilën bën pjesë edhe “Lahuta”.

Miti dhe epika

Studiuesit me fjalën “mit” kuptojnë tërësi idesh me përmbajtje morale të përcjella në formë rrëfenje në brezat e një komuniteti. Miti mund të jetë thjesht trillim, por përgjithësisht formë e organizimit të materialit historik në mënyrë të tillë, që ajo të ketë kuptim për komunitetin. Pikërisht ky është karakteri i “Lahuta e Malcis”: një sërë rrëfimesh për historinë e vonshme shqiptare, që lahutari ia përcjell në formë vargjesh dëgjuesve dhe gjatë kësaj u ngjall atyre shëmbëlltyrën e kombit shqiptar dhe atdheut, si p.sh., duke u kumtuar se “Burri (Pirro) Leka e Kastriota/Amanet Shqipnin na e lanë”.

            Sipas kritikut rus Mikael Bakhtin, epika si zhanër letrar karakterizohet nga tre përbërës: (1) subjekti i saj është e shkuara; (2) burim i saj është jo përvoja vetjake e një personi, por tradita e një populli; (3) një largësi ndan botën epike ku zhvillohen ngjarjet, që rrëfehen nga realiteti në të cilin rrëfehen. Edhe atëherë kur e tashmja konsiderohet si e rëndësishme për t’u bërë subjekt i epikës, përsëri ajo rrëfehet si nga një lloj largësie, duke shmangur çdo familjaritet me kohën e rrëfimit. Fishta në veprën e tij trajtoi ngjarje të afërta në kohë me të, ose që ai i kishte përjetuar si bashkëkohës. Edhe lexuesit e parë të veprës i njihnin disa nga ngjarjet si përvoja personale. Mirëpo duke qenë se ato rrëfehen në një formë epike, ndërthurur edhe me motive fantastike nga tradita jonë popullore (p.sh. zanat i japin fuqi Ali Pashë Gucisë, një personazhi historik), krijohet përshtypja se ngjarjet zhvillohen shumë kohë më parë, në prehistorinë e shqiptarëve, sikurse tek “Eposi i Kreshnikëve”. Në këtë mënyrë ato fitojnë një ngarkesë emocionale të fuqishme dhe pozitive. Vetë subjekti duket si i gdhendur në lashtësi, kurse përmes filtrit të kohës, në të tashmen përcillen vlerat që ai ngërthen. Bakhtin thotë se “e shkuara epike është burimi dhe fillesa e vetme e gjithçkaje të mirë për kohërat e mëvonshme”. Heronjtë e “Lahutës” hyjnë e dalin në vepër njëri pas tjetrit, bëmat e tyre në dukje individuale janë veçse shfaqje konkrete e thelbit të kombit, pa të cilin ato nuk do ta kishin meritën për t’u rrëfyer në epikë.

Mitet në “Lahutën e Malcis”

Studiuesit i grupojnë mitet etnike dhe kombëtare në kategori të veçanta. Me anë të miteve të zanafillës  fiksohet në kohë kombi. Gjetja e një fillimi ka të bëjë me pyetjen ekzistenciale që ndodhet në themel të njohjes së qenies dhe gjithësisë për çdo individ apo grup shoqëror: “Kush jam/jemi?”. Poeti te “Lahuta e Malcis”, si edhe në krijime të tjera të tij mitizon brezat e kaluara të shqiptarëve të parët e tyre dhe shpesh i përmbledh ato në një gati-hyjni që shprehet me fjalën “I pari”. I pari mishëron virtytet e shqiptarit dhe çdo brez duhet të përpiqet t’i ngjasojë atij. Kështu, p.sh.: përballë rrezikut të pushtimit nga Mali i Zi, shqiptarët lidhin besën siç kanë bërë edhe të parët e tyre: “T’fortë kan’ lidh nji besë të Zotit,/ Si të parët ua lidhshin motit”. Përveç besës, mikpritja, nderimi dhe kujdesi për të tjerët janë zakone që duhen zbatuar, sepse na janë lënë nga të parët tanë; Ali Pashë Gucia kur lë amanetet i thotë nënës: “Banmu nderë miqve dhe shok’e,/ Banmu nderë kush të jetë për nderë,/ Mos len t’vobeg me t’kja n’derë,/ Mos len t’vobeg n’derë me t’kja,/ Por t’mi dalsh motër e vlla,/ Por t’mi dalsh ti nanë e tatë,/ Si t’parët na lanë zanat”.

Kujtimi i të parëve, traditat e tyre duhen nderuar e respektuar dhe nuk duhet të lihen pas dore për fitimin e të mirave materiale: “E as për pare e as për timare,/ Gjak e t’parë s’i kam mohue”. Ata që nuk ruajnë kujtimin për të parët dhe prejardhjen e tyre janë pa identitet dhe meritojnë veç përbuzje; te kënga “Vranina”, poeti i quan pushtuesit osmanë si “Gjind t’pa plang edhe t’pa shpi,/ Qi nuk din se shka u kje i pari”.

I lidhur ngushtë me mitin e zanafillës është edhe miti i homogjenitetit etnik. Malkolm thotë: “Për të mbështetur pretendimin që shqiptarët kanë jetuar gjithnjë në të njëjtin vend, ishte e nevojshme të tregohej se ata kishin mbetur gjithmonë shqiptarë të pastër, të paprekur nga ndërhyrjet, përzierjet ose shpërbërjet nga elementë të huaj”. Poeti te “Lahuta” nxjerr në pah mitin e veçimit të shqiptarëve prej sllavëve: “Un shqyptar, ata janë shkje,/ Ne na ndan nji gjak e ‘i fe,/ N’mni t’shoqi-shoqit kemi le,/ Kem ndërmjet nji qiell e ‘i dhe”.

 Me anë të miteve të territorit njerëzit lidhen emocionalisht me vendin ku ata jetojnë, ose ku kanë jetuar dikur e dëshirojnë të kthehen përsëri (si në rastin e çifutëve para themelimit të Izraelit). Mitet e territorit bëjnë fjalë për një copë tokë, ku së pari u ngjiz kombi, atje ku pati të kaluarën e lavdishme dhe ku do të vazhdojë të qëndrojë në përjetësi. Në “Lahutë” atdheu paraqitet pikësëpari si toka e lënë trashëgim nga paraardhësit: “Si i qindron sod shkjaut shqyptari/ Për dhe t’amel qi i la i pari”. Vetëmohimi për dheun e të parëve nuk është humbje, por është realizim i detyrës ndaj kombit: “Për dhe t’vet kush dekë ka ra/ Aj s’ka dekun, por ka le./ Burri (Pirro), Leka e Kastriota/ Amanet Shqypnin na e lanë”. Shqiptarët kurrsesi nuk duhet të pranojnë që toka e tyre t’u jepet të huajve. Të mbledhur në Lidhjen e Prizrenit, krerët e Shqipërisë i kumtojnë mbarë botës se: “Shqypnija nji shportë fiqsh nuk ka qillue/ Për m’u a da miqve peshqesh;/ Por asht toka e t’parvet t’onë”.

 Një komb merr energji dhe shembull nga kohërat e lavdishme të historisë së tij, që quhen kohëra të arta për kombin, apo mitet e kohës së lavdishme, kur paraardhësit jetonin të çliruar dhe të pavarur nga shtypja e huaj. Te kënga “Lidhja e Prizrendit”, Abdyl Frashëri merr fjalën në kuvend dhe për t’i nxitur krerët shqiptarë në luftën për mbrojtjen dhe çlirimin kombëtar u kujton atyre kohët e arta të shqiptarëve në të kaluarën: së pari pellazgët, pastaj Leka që pushtoi gjysmën e botës, Pirro që luftoi trimërisht me romakët, betejat kundër sllavëve kur këta u dyndën në Ballkan, për të ardhur te lufta e Skënderbeut kundër turqve. Këtij të fundit i kushtohet më shumë vend në fjalën e Abdylit, por jo vetëm aty. Skënderbeu, kryemiti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përmendet në pothuajse të gjitha këngët e “Lahutës”, duke zënë vend kryesor në të, megjithëse nuk është një nga personazhet veprues të saj. Koha e tij kujtohet si koha e lirisë: “N’ato kohët e Gjergj Kastriotit,/ krejt e lirë kjo t’ishte”. Skënderbeu me Lidhjen e Lezhës është simbol i bashkimit të shqiptarëve: “T’fortë kan lidhë nji besë të Zotit,/ Si të parët qi u a lidhshin motit/ N’ato kohët e Gjergj Kastriotit”. 

Heronjtë e “Lahutës” janë pothuajse të gjithë luftëtarë. Edhe personazhet femërore, si zanat apo Tringa, shfaqen me cilësi luftarake. Të gjithë së bashku ata ilustrojnë mitin e aftësisë luftarake të kombit shqiptar. Margaret Kanovan thotë se aftësia për luftë është themelore për kombin, sepse “çdo komb, sado i paqëm e liberal tani, ka pasur një lindje të përgjakur”. Dëshmia se një komb di të luftojë është dëshmi për ekzistencën e tij. Me anë të miteve të aftësisë luftarake, gjithashtu legjitimohet përdorimi i dhunës kundër një regjimi tiranik. I tillë konsiderohet në “Lahutë” regjimi osman kur u shkel shqiptarëve venomet e vetëqeverisjes apo i pengon për zhvillimin e arsimit e kulturës kombëtare. Akoma më i rëndë cilësohet në këtë vepër pushtimi i Shqipërisë prej sllavëve dhe grekëve, prandaj shqiptarët rrëmbejnë armët kundër tyre. Në “Lahutë”, këngë të tëra i kushtohen përshkrimit me hollësi të skenave epike prej betejave historike të zhvilluara në Malësi gjatë Lidhjes së Prizrenit kundër sulmeve malazeze, si p.sh. “Tek Ura e Rrzhanicës”, “Në Qafë-Harxhi”, “Tek Ura e Sutjekës”, “Ke Tbanat e Curr Ulës” etj. Poeti luftën e quan zanat të shqiptarit: “Vrrik qaj Kerrni na i ndei gati,/ Na i ndei gati edhe i piskati:/ Si tagan, si pushkë të gjatë,/ Jam shqyptar e i kam zanat”.

Mitet e rënies bëjnë fjalë për mote, kur kombi e ka humbur ankorimin në traditat e tij, kur ai nuk udhëhiqet më nga vlerat e vjetra dhe kur vendin e  solidaritetit kombëtar e kanë zënë përplasjet midis interesave të ngushta të anëtarëve të tij. Megjithëse “Lahuta” në qendër të saj ka mitin e trimërisë dhe të pathyeshmërisë së kombit shqiptar, herë pas here në të shfaqet miti i rënies, me anë të të cilit poeti qorton bashkëkombësit për braktisjen e traditave të të parëve dhe për rendjen pas fitimeve materiale. Te kënga “Vranina”, një nga krerët malazezë, Mirkja, e këshillon knjaz Nikollën që më lehtë Shqipëria pushtohet me dredhi e para, sesa me dhunë, sepse shqiptarët e tanishëm nuk e ndjekin më shembullin e trimërisë së dyerve të mëdha bujare në të kaluarën: “E u lanë m’anesh dyert bujare,/ Dyert bujare t’tokës shqyptare:/ Njata krena e kapitana,/ Bajraktarë, trima si Zana;/ T’msuem për mbret me dhanun jetën/ T’msuem për vend me e shkri ata veten,/ Per ket besë, kallxou kuletën/ Se Shqypnin ke m’e pushtue/ Para se ta kesh mendue”. Kurse në këngën “Dervish Pasha” ndodhet një pjesë që ngjason mjaft me poemën “O moj Shqypni” të Pashko Vasës, e cila nga ana e saj është shembull “par excellence” i mitit të rënies në letërsinë kombëtare shqiptare. Në këtë pjesë poeti vë re me hidhërim sesi shqiptarët i kanë kthyer shpinën kombit dhe atdheut të tyre dhe njësohen me të tjerë kombe, për të cilët flijojnë edhe gjakun e tyre.

Nacionalistët shqiptarë kishin shpresë se Fuqitë e Mëdha evropiane do t’i shihnin me simpati përpjekjet e tyre për çlirim dhe se do t’i ndihmonin. Por shqiptarët nuk peshonin shumë në politikën ndërkombëtare, prandaj edhe trojet e tyre u copëtuan në Kongresin e Berlinit, për hir të drejtpeshimit të forcave në Evropë. Ky vendim u prit me zhgënjim dhe hidhërim nga shqiptarët, gjë që ata në shkrimet e tyre e shprehën me mitin e trajtimit të padrejtë të kombit shqiptar. Ja si paraqitet ky mit te “Lahuta”:   “Uh! Evropë, ti kurva e motit,/ Qi i rae mohit besës e Zotit,/ Po a ky a sheji i gjytetnis:/ Me da tokën e Shqypnis/ Për me mbajt klysht e Rusis?/ Po ti a kshtu sod na i perligje/ Njata burra qi m’kto brigje/ Për ty vehten bane flije/ Kur ti heshtshe prej ligshtije?”.

Në ligjërimet nacionaliste zakonisht mitet e rënies ndiqen nga mitet e ringritjes. Me këto të fundit ligjërimi kalon nga rrafshi përshkrues në atë udhëzues, duke marrë pamjen e ideologjisë, d.m.th. të atyre gjërave që kombi duhet të bëjë për t’u rikthyer koha e lavdishme. Nuk bëhet fjalë për një rikthim mekanik te një kohë e shkuar, drejtimi i miteve të ringritjes është njëkohësisht mbrapa dhe përpara në kohë. Gjendja e tanishme shihet si e mjeruar dhe kërkohet ringritja në të ardhmen e kombit sipas frymëzimit prej të shkruarës së lavdishme. Një shembull i mitit të ringritjes te “Lahuta e Malcis” e gjejmë në këngën “Vranina”, kur Zana u tregon prijësve shqiptarë rrugën që duhet të ndjekin për lirinë e kombit: “Kinie n’mend: per ju detyra/ S’asht me mjelë veç delet t’ueja/ S’asht me mkambë veç gjuhët e hueja,/.../ Por mrendë dashtin m’u a ndezë shqyptarve/ Për kah gjuha e vendi i t’parve/ Qi Shqipnija t’jetë e vetit”.

Miti i indiferencës së shqiptarëve ndaj feve është aq shumë popullor, saqë shpesh ai merret si një e vërtetë e afërmendsh. Nuk është se në këtë mit nuk ka elemente të së vërtetës, por shpeshherë ai e zëvendëson krejt të vërtetën; p.sh. thirrja ideologjike e rilindësve për të mos ua vënë veshin kishave dhe xhamive, ngase feja e vërtetë e shqiptarit është shqiptaria, merret si provë e mosfetarisë së shqiptarëve! “Lahuta” në shumë vende na përcjell kumtin se shqiptarët në shekuj kanë luftuar për atdhe, komb dhe fe, duke vendosur ndonjë kundërshti midis përkushtimit fetar dhe atij kombëtar. Mirëpo sipëraninë e ka kurdoherë kombi dhe atdheu dhe miti i indiferencës fetare shprehet nga personazhet shqiptarë, kur janë duke u përballur me të huaj që mund të qëllojë të kenë të njëjtin besim si një pjesë e shqiptarëve, por që në fakt janë armiq për vdekje të kombit shqiptar. Në këngën “Preja”, Oso Kuka i thotë një luftëtari malazez të kapur rob: “Por ku shkjau t’na ngasë n’vend t’t’parëve/ Për kët besë, fara e Shqyptarëve/ Turk (mysliman) e i kshtenë – merr vesht, or djalë-/ Kan me u gjetun krejt me ‘i fjalë”. Në këngën “Xhemjeti” paraqitet një klerik mysliman që torturohet prej ushtarëve turq të Turgut Pashës vetëm sepse nuk mohonte identitetin e tij shqiptar: “A isht ‘Shqyptar’ a po ‘Osmanli’,/ I përgjegjë me trimëni:/ Sado qi ishte nji ‘hafiz’:/ Jam shqyptar me gjuhë e fis”. Kurse në këngën “Ndërmjetsija”, Mark Milani, komandanti i ushtrisë malazeze, e provokon klerikun katolik shqiptar, Patër Gjonin, me pyetjen pse është bashkuar me turq, d.m.th. me shqiptarët myslimanë kundër të krishterëve malazezë. Patër Gjoni i përgjigjet: “Un, zotni, n’ushtri kam dalë,/ Jo me turq, por me shqyptarë,/ Turq, a t’kshtenë, si janë gjithë marë./ Pse, si t’kshtenë, si muhamedan,/ Shqypnin s’bashkut t’gjith e kan,/ E prandej t’gjit do t’qindrojme,/ Do t’qindrojm e do t’luftojm,/ Do t’bahna kortarë-kortarë/ Priften, fretën, hoxhallarë/ Per Shqypni…”.

 Mitet e ringritjes shoqërohen me mitet e themelimit, të cilët shënojnë një fillim të ri, lindjen e një kohe të re, në të cilën gjithçka do të jetë ndryshe. Në “Lahutë” dy janë çastet që shënojnë kthesa në historinë e shqiptarëve. I pari është Lidhja e Prizrenit, ku krerët e Shqipërisë, si dikur Skënderbeu, lidhin besën për të kundërshtuar në emër të kombit shqiptar pushtimin e shovinistëve të Ballkanit. Çasti i dytë i themelimit është ai kur Fuqitë e Mëdha njohin pavarësinë e Shqipërisë. Poeti e përshkruan me nota të larta euforie, si kurorëzim të përpjekjeve vigane shqiptare për komb e atdhe: “E der m’qiell ushton brohrija,/ Kah gerthet fusha e malcija:/ Për jetë t’jetës rrnoftë Shqypnija!”. Këto janë ndër vargjet e fundit të Lahutës: epika gjen përmbushjen e saj me ngadhënjimin e heronjve dhe së mirës mbi të keqen.

Shënime përmbyllëse

Vepra madhore e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcis”, cilësohet si epika kombëtare shqiptare. Me anë të krijimeve të tilla letrare dhe “konsumit” të tyre nga publiku mbahet gjallë, riprodhohet dhe përcillet në breza shëmbëlltyra e kombit shqiptar, si bashkësia themelore kulturore dhe politike. Te “Lahuta”, përfytyrimi i kombit dhe doktrina nacionaliste shqiptare shprehet me anë të miteve kombëtare. Në këtë artikull paraqitëm këto mite, të klasifikuar si miti i zanafillës, miti i homogjenitetit etnik, miti i territorit, miti i kohës së artë, miti i aftësive luftarake, miti i rënies, miti i trajtimit të padrejtë, miti i ringritjes, miti i themelimit dhe mitin e indiferencës ndaj fesë. “Lahuta e Malcis” dhe e gjithë krijimtaria e Fishtës do të jetë gjithnjë bashkëshoqëruese e kombit shqiptar dhe çdo brez i tij do të marrë nga ajo krenarinë e të qenit shqiptar, si edhe fuqi për përballimin e sfidave që sjell koha.



(Vota: 18 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx