E premte, 25.06.2021, 10:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Gjini: Dërgesa e Zotit (Tregim)

E hene, 04.05.2009, 10:30 AM


Tregim
 
Ramiz Gjini

Dërgesa e Zotit

Qenë pushimet verore dhe shkolla do të rrinte mbyllur gjer në shtator.
Loja pat filluar qyshkur qerosit Hilë Lukreci, i ra shorti të luante rolin e Zotit.
 - Mjaft i je lutur Zotit! - i tha atij Emili. - Provoje edhe ti njëherë, sa punë e vështirë është të jesh Zot!
Unë i lashë në dorë porosinë time Hilë Lukrecit dhe fluturova të thërrisja Elbaroza Delfin. 
E gjeta në oborr teksa ujiste lulemëngjeset, të kaltra, të bardha dhe vjollcë.
- Ku do të shkojmë? - pyeti ajo dhe qeshi si gjithmonë.
- Do të shkojmë tek djerrina e Lalë Pogës, të luajmë e t'i lutemi Zotit të na sjellë gjithë të mirat, - thashë unë.
- Prit pak, sa t'i marr leje nanës, - ma ktheu ajo dhe si la gjymin në tokë, hyri në shtëpi.
Kur doli, kishte veshur një fustan të bukur: i zi, i stërpikur plym me pikëla të vogla, të bardha.

Ne djemtë përpara dhe Elbaroza pas nesh, morëm rrugën përgjatë kanalit, uji i të cilit, vinte që lart prej bjeshkëve, çante mespërmes Bibollit, dhe, duke gjarpëruar shpatit të djathtë të Luginës së Dragojve, mbërrinte pranë djerrinës së Lalë Pogës; pastaj rrëshqiste mespërmesfushës pafund.
Verës, për shkak të vaditjeve të shumta, s'arrinte të derdhej në lumë.

I lamë prapa ngastrat me misrin e njomë, që kundërmonte aromë klorofili, parcelat me jonxhën, ku vende-vende, e kish pushtuar mitili i verdhë; kopshtijet me freskinë gjithnjë të pabjerrur plot perime: kastraveca me lozet që pushtonin ledhet, shalqinë e bostanë, domate të kuqe në formën e një zemre kau, me tulin plot xixëllime ari si dhe luleshtrydhet, kokrrat e mëdha e të pjekura të të cilave, fshatarkat mundimtare, i fshihnin prej syve lakmitarë duke i mbuluar me gjethe të mëdha e të freskëta hardhie.
Këto fryte të begata, të rritura më shumë nga stërmundimi i plakave, qarkoheshin nga rreziqe të panumërta, ku më shkatërruesi, mbetej ai i lojës sonë.
Mbërritëm të pestë në djerrinën e largët e të rrafshët, plot kamomil, luleqyqe e tërfil të egër, e ku bulkthet e zinj, nxirrnin kokat vrimave dhe na vështronin ashtu siç vështrohen veç mysafirët e paftuar. Me antenat drejtuar nga ne për të vjelë e nuhatur shkallën e rrezikut, që u kanosej, ata hidhnin ndonjë cërritje si të deshnin ta shtonin zabullimën e vapës. Gjithçka heshtonte paqësisht, një heshtje e ngjashme me heshtjen e mistershme të natës. Qe njëra nga ditët e djegagurit ku vapullima, njëlloj si nata, i mblidhte në shtëpi njerëzit. Emil Pupsi, hoqi këmishën, dhe, me trupin lakuriq, u ul në gjunjë pranë kanalit të ujit që zhurmonte lehtë. Në emër të të gjithëve, përmes kukurisjeve tona, ai nisi të thoshte me zë të lartë "Lutjen për rrushin", e cila, qe më e preferuara në atë orë.
Me vështrimin mbi të vetmen fjollë tymi, që ngrihej qiellit mbi katund, Emil Pupsi tha:     

- Ati ynë, që tani duhet të jeshë i fshehur në parcelën me misër të Aqif Dermekut, u shenjtëroftë emri yt! U bëftë në këtë djerrinë vullneti yt! Rrushin tonë të përditshëm na jep sot! Na i fal fajet tona, si ua falim ne plakave të Bibollit mallkimet, që ato lëshojnë mbi ne! Amen!" Pastaj, ne pritëm në heshtje bukur kohë, kur e kur duke hedhur ndonjë fjalë giciluese kundrejt Ernest Misurit, për të cilin, Rritan Meteori thoshte se kish filluar t'i këndonte gjeli. I pat lyer flokët me brilantinë dhe ngjante si një viç i sapolëpirë nga lopa! Kushedi për të satën herë i kujtuam njëri-tjetrit subjektet e filmave "Mbërritën titanët" "Helena e Trojës", apo "Pjetri dinak", të cilët, një herë në muaj, na i sillte rregullisht, sipas rradhës, një burrë tullac me një emër paksa të ngatërruar dhe me sytë gëllq të kërcyer nga zgavrat.
Çdo kryemuaj, "tullaci i filmave", vinte rrugës duke ecur shtrembas, athua se nga çasti në çast, matej të gjuante ndonjë penallti; duke e mbajtur kokën me një anë e duke fshikulluar me thupër dy mushka të zgërlaqura të ngarkuara me valixhet ku kish futur aparaturat. Me mendimin absurd se çdo katund qe një Trojë e vogël,(në të cilin për çdo brez njerëzor lindej dhe rritej nga një Helenë), filluam t'a përqasnim Helenën e Trojës me Elbarozën e Bibollit, me këtë vajzë të hijëshme me bishtaleca e me një gropëz në faqen e majtë, gjithmonë e qeshur.
Ramë në ujdi për ta shtangur mendimin e përbashkët, që në shikim të parë, Elbaroza, ngjante kryekëput me Helenën e Trojës. Por, fakti që Helenën e sillte në katund një burrë i shëmtuar, shtrembaluq e me kokordhokët e syve gëllq të dalë nga zgavrat, tregonte, që nuk meritonte t'i jepje aq sa ç'i jepnim ne Elbarozës. Për fatin e saj (dhe tonin bashkë), Rritan Meteori, si më i ditur që ishte, plasi sheshit edhe tre fakte të tjera në favor të Elbarozës: grekja e rrëmbyer nga Trojanët, qenkesh lindur nga një grua xhahuze pa burrë të ligjshëm, na kish pas do huje hajnie, dhe për më tepër, paskësh qenë edhe rruspi! Dhe më e forta qe se këto fakte, ai i kish mësuar nga teze Liveta!
Sa për heronjtë meshkuj si ata të filmit, Bibolli, nuk na kish pasur vetëmse situatat dhe rrethanat në Biboll, për shkak të kohës, që kish avancuar mijëra vjetë përpara, qenë krahasimisht ndryshe me ato të Trojës; porse në njëfar kuptimi ama, ne ishim të bindur që e kishim brenda shpirtit tonë një tharm heroizmi trojan.
Kushedi sa do të kishin zgjatur këto rropatje mendimesh sikur Elbaroza Delfi, që vigjëlonte e ulur si një hyri pranë kanalit të ujit, të mos lëshonte atë thirrjen e saj gazmore, që do të thoshte se Zoti, e kish marrë parasysh lutjen tonë: na i kish sjellë përmes kanalit të ujit vilet e rrushit, të bardhë e të zi, me kokrrat e pjekura.
I kapëm pa ndonjë mundim të madh, dhe, ashtu të larë për bukuri nga vozitja në ujin e pastër e të kaltër, nisëm t'i vendosnim me kujdes mbi barin e djerrinës, që ende ruante një lloj njomështie prej vesës së mëngjesit. Për shkak të prurjeve të shumta, u bë një grumbull bajagi i madh, ndaj, qemë të detyruar të binim edhe njëherë në gjunjë për t'iu lutur Zotit, që ta ndërpriste këtë dërgatë mirësie, sepse vërtet nuk kishim ç'ta bënim gjithë atë kamare me rrush. Porse Zoti, nuk e dëgjoi lutjen tonë; pengesa që kishim ndërtuar me gurë e me degë në kanalin e ujit, nisi të furej e gufosej nga vilet e rrushit gjersa grumbulli erdh' e u rrit aq shumë, sa filluam të dyshonim, që Zoti ynë qeros, na paskësh qenë edhe si punë zavalli, nuk e paskësh pas fare sensin e masës! Ne peshkonim e nxirrnim papushim nga uji rrush në lëndinë, derisa erdhi çasti i shumëpritur i sosjes, dhe, si hodhëm mbi grumbull vilet e fundit, u sulëm të hanim babëzisht. Përmes fjalësh, që dilnin të mbytura nga gojët e mbushura plot kokërra të ëmbla, Rritan Meteori, pa i shpëtuar dot një ndjenje bashkëfajësie, bëri ritin e falenderimit ndaj Zotit: - Të falenderojmë o Zot, për rrushin që e morëm prej dorës sate! Ruaju nga rreziku dhe qofsh shëndoshë e mirë!
Pastaj, nisëm një lojë futbolli me top, dy me dy, Ernesti me Rritan Meteorin në një anë, kurse unë me Emilin, në anën tjetër. Loja e parë zgjati deri andej nga dymbëdhjeta, ku pala tjetër hëngri dy gola, kurse ne hëngrëm vetëm gjashtë.
Si ndërruam fushë, Elbaroza, hyri në kanal me gjithë fustanin e saj pikëlimtar dhe përgjatë gjithë kohës, mua më mbeti mendja peng tek ajo.
E shikoja vjedhurazi si ngrihej në këmbë me fustanin e lagur ngjit për trupit, që kullonte currila uji, dhe, për çdoherë, unë zbuloja fakte të reja, që e largonin atë nga ajo rruspia e Trojës dhe e afronin më pranë vetes.
M'u shpif në emtesë, që kohët e fundit, harku i butë përgjatë peshkut të kurrizit të saj, qe tendosur sëtepërmi duke nxjerrë në pah një kraharor ku sapo qe formësuar delta e gjijve si dhe një palë mollaqe, të cilat, të para në profil, ngjanin tamam si dy gjysmahëne. Në miset e fytyrës së saj të lagur kishte një lloj shenjtërimi prej ikone me ato vetulla si të spërkatura me brymë, xixëllimin plot gjallnim të syve të zinj, lakesën e buzëve të bymuara, të atyre buzëve si tul i freskët luleshtrydheje, që ajo,(o Zot!), dinte t'i mbyllte kaq ëmbëlsisht...
Sapo kishte shkelur në bilik dhe nuk kishte pik dyshimi, që e pati për pir bukurinë. Ngado që shkonte, dukej sikur linte pas feksin e saj dhe ta çmendëte një dëshirë pushtimi. Kjo bjerrje e imja pas saj na kushtoi shtrenjtë: unë dhe Emili hëngrëm sërish pesë gola (nga ata që u qe bërë mendja vetëm top futbolli), porse të fundit s'ua quajtëm, ngulëm këmbë pa të drejtë se qe apsajt.
Gjatë kohës, që ne u morëm me lojën, Elbaroza Delfi u llapashit në kanal me gjithë fustanin e saj pikëlimtar deri kur mbërriti koha e lutjes së orës dymbëdhjetë, që i përkiste ta bënte Rritan Meteori.
Atëherë, Rritan Meteori, ra në gjunjë dhe nisi t'i lutej Zotit tonë me sytë e picërruar nga një rè e bardhë që rrëshqiste nëpër qiell duke u shpupëluar.
Të larë në djersë, qemë ulur të pushonim mbi barin e djerrinës, ndërsa më kot përpiqeshim të shoshisnim me zë të lartë mosmarrëveshjet, që kishim pasur gjatë ndeshjes duke i plasur ndërsy njëri-tjetrit thasë plot me gabime, që binin ndesh me rregullat e lojës.
Pikërisht atëherë, Elbaroza na thirri e tha se duhej të nxirrnim nga uji i kanalit një tjetër dërgesë nga Zoti ynë.
Pamë që kishin mbërritur tek prita katër shalqinjë të mëdhenj e të freskët, të cilët, i nxorrëm dhe i rrokullisëm djerrinës.
Pas shalqinëve mbërritën varg e vistër dardhat e buta verore, një qese e lidhur tek gryka e mbushur plot luleshtrydhe të pjekura, dhe sërish, një lloj tjetër rrushi, kokërrmadh e i kuq, aq i ëmbël sa të shkrihej në gojë.
I hapëm shalqinjtë, gjithsekush të vetin, dhe unë, i dhashë zemrën me gjithë zemër Albarozës. I zgjata t'i jepja edhe dy dardha të buta verore, por ajo nuk i mori. Tha se pas zemrës së shalqinit, do të hante ca kokërra luleshtrydhe dhe asgjë tjetër.
Tashmë Elbaroza, kish filluar të avullonte, dhe unë, pata një ndjesi sikur dielli atje lart, e ndriçonte atë më shumë nga ne, e lante me një prajshmëri të dyfishtë. Një cullufe e lagur flokësh, i kish vizuar ballin mbi syrin e majtë dhe kish rrëshqitur përgjatë faqes gjithë hijeshi.
Hante ngadalë e në heshtje, rrotullonte sytë herë nga njëri, herë nga tjetri, dhe, për çdoherë që ia këpusnim të forta, qeshte me gjithë shpirt duke zbuluar dhëmbët e rregullt e të bardhë.
- Më vjen çudi, se si Zoti, i dëgjon lutjet tuaja dhe i’ua plotëson dëshirat, - thoshte ajo me një sinqeritet naiv.
Kur dielli u mbërthye në kupë të qiellit, vapullimi u shtua dhe nisën të turrnaknin turtujt.
Ne hymë që të katër në kanal ku u pllaquritëm një copë herë në rrymën e kaltër, duke e lënë Albarozën sipër nesh, si të paskeshim bërë një marrëveshje të heshtur, që uji i saj të na lante ne, porse i yni kurrsesi atë.
U freskuam mirë, pastaj dolëm dhe ia nisëm sërish lojës sonë gjersa unë dhe Emili, hëngrëm shtatë gola, kurse Rritani me Ernestin, nuk hëngrën asnjë.
Ndërruam sërish fushat dhe bëmë një pushim të shkurtër, gjatë të cilit, unë vajta buzë ujit, u ula në gjunjë dhe thashë me zë të vogël lutjen time në adresë të Zotit.
Teksa ngrihesha për të nisur sërish lojën, i thashë Elbarozës të bënte kujdes, ta priste dërgesën e fundit, që Zoti, do ta sillte mbi syprinën e ujit që rrëshqiste shpengueshëm.
- Mos ki merak, - tha ajo. - Asgjë nuk mund të më kalojë pa e vënë re. Vazhduam sërish ndeshjen tonë me top, dhe unë, u bëra kaq qesharak në lojë, sa Emili u shkith e gati ia plasi vajit teksa u betua, që nuk do të luante kurrë më në anën time.
- Ti sot po luan si një ngalakaq i qorrollepsur! - tha ai dhe nxorri një gurgull fryme. - Fshiu me parakrah djersët e ballit dhe shtoi:
- Të paktën paso, se ma plase shpirtin.
Më vinte keq për Emilin, që e merrte kaq seriozisht lojën dhe e vuante kaq shumë humbjen, por, atë ditë, s'mund të bëja më tepër; sepse unë e di kurrësesi nuk mund të luhet si duhet me topin nëpër këmbë e me mendjen e vdjerrur.
Elbaroza llapashitej, gjithnjë me sytë nga syprina e ujit atje tej, ku valët e lehta vinin drejt saj duke çuçuritur në një gjuhë të pakuptueshme, por, që ta kish ënda ta dëgjoje prore. Rrezet e diellit e spërkasnin syprinën e lëvizëshme të ujit me një feks dritëzimesh marramendëse. Kur e kur më të rrallë, ajo kthente kokën nga unë, vetullonte pa të keq e qeshte.
Dhe ja, tekevona, mbërriti çasti i shumëpritur: mbi syprinën e ujit u nëpërduk të vinte drejt saj buqeta shumëngjyrëshe me lulemine, shebojë e lulezjarri, lidhur e mbështjellë për fundit me një pusullë të vogël prej letre të kaltër punëdoreje.
Kur Elbaroza e nxori nga uji tufën me lule, pata një fërgëllim të beftë, pastaj zemra nisi të më rrihte fort. E pashë si stepi e habitur, se si iu shtua xixëllimi në sy; pastaj, sikur u kap gafil para vetes dhe Zotit tonë, të atij zoti qeros, por të mrekullueshëm, që na i pati dëgjuar lutjet e që na solli asaj dite gjithë të mirat, e bashkë me ta, edhe atë tufë lule me një pusullë, ku qe shkruar një fjalë e zbritur nga qielli, një fjalë, që i përkiste vetëm asaj, Elbarozës së bukur, me bishtalecat e gjatë e me gropëzën në faqe.
Pusulla qe lagur, shkronjat kishin humbur disi trajtat dhe Elbaroza, ndonëse e dinte çfarë qe shkruar aty, vendosi të rrinte përgjithmonë me mua, që t’ia zbërthenim mirë kuptimin. 

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora