E hene, 29.04.2024, 04:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Prapaskenat e vjedhjes së Mona Lisa

E hene, 04.05.2009, 01:19 PM


Picasso dhe poeti Appollinaire qenë të dyshuarit e parë kur piktura më e njohur e Leonardo da Vinci u vodh nga Louvre 

Varri i Mona Lisa të Leonardos është identifikuar në qytetin e lindjes së saj, Firenze. Studiuesi i Leonardos, Giuseppe Pallanti, thotë se dokumentet tregojnë që ajo u varros në ish-manastirin St Orsula të qytetit, në zemër të tij. Pavarësisht vendndodhjes qendrore të tij, ish vendi i Ursuline-eve është tani një ndërtesë jashtëzakonisht e vjetëruar, pothuajse e shkatërruar. "Jam i sigurtë se varri i saj është atje", u shpreh Pallanti ditë më parë, duke paraqitur zbulimin e tij. "Kam kërkuar nëpër mijëra faqe arkivore dhe jam i bindur se eshtrat e modeles Lisa Gherardini të Leonardos ndodhen atje". Pallati thotë se kërkimi i tij i ka hequr të gjitha dyshimet rreth identitetit të La Gioconda, siç e quajnë italianët Mona Lisa për shkak të mbiemrit të bashkëshortit të saj, Giocondo.

Në një mëngjes mondan në fund të verës në Paris, e pamundura ndodhi. Mona Lisa u zhduk. Të dielën në mbrëmje, data 20 gusht 1911, piktura më e njohur e Leonardo da Vinci varej në vendin e saj të zakonshëm në murin e Salon Carré, midis "Mystical Marriage" të Correggio dhe "Allegory of Alfonso d'Avalos" të Titian. Të martën në mëngjes, kur Louvre u rihap për publikun, ajo ishte zhdukur.

Brenda orësh nga zbulimi i kornizës së boshatisur, e hedhur prapa një radiatori, historia doli në një botim ekstra të "Le Temps", gazeta kryesore e mëngjesit. Reporterë skeptikë nga gazetat lokale dhe agjenci shtypi ndërkombëtare vërshuan drejt muzeumit. Georges Bénédite, drejtori ad interim, dhe kujdestarët e tij po spekullonin lirisht me shtypin. Louis Lépine, prefekti i policisë së Seine, ishte zemëruar nga e folura pa përgjegjësi e kujdestarëve. Njerëzit e tij e kishin gjetur kornizën dhe ai kishte besim se shpejt do ta gjenin pikturën. Deri atëhere ai donte që ta mbante të qetë publikun dhe politikanët. "Hajdutët - jam i prirur të mendoj se ka qenë më shumë se një - arritën ta vjedhin atë, shumë në rregull", i tha ai shtypit. Ndërsa pranonte se kishte një numër motivesh të besueshëm, ai tha: "Mundësia më serioze është se La Joconde u vodh për t'i bërë shantazh qeverisë". Nëqoftëse Mona Lisa po mbahej në shkëmbim të një shume parash, Lépine priste që një kërkesë e tillë duhej bërë brenda 48 orësh.

Më 29 gusht, ditën që muzeumi i çeli sërish dyert e tij, një "kanarinë" filloi t'u këndojë redaktorëve të "Paris-Journal", të cilët ia kushtuan faqen e parë të gazetës një rrëfimi të papritur: "Një hajdut na sjell një statujë të vjedhur". Gazeta e identifikonte hajdutin si "një të ri, me moshë midis 20 dhe 25 vjetëve, goxha të sjellshëm, me një elegancë të caktuar amerikane, fytyra, shikimi dhe sjellja e të cilit linin të kuptohej për një lloj zemre të mirë dhe një mungesë të caktuar skrupujsh". Në shkëmbim të 250 frangave, hajduti i shiti gazetës statujën e vogël që kish vjedhur nga muzeumi. Hajduti bëri një rrëfim të plotë se në vitin 1907 kish vizituar galerinë e antikiteteve aziatike të Louvre, kish kuptuar sesa e lehtë do të ishte të merrje çdo objekt me masë të arsyeshme dhe të largoheshe dhe zgjodhi kokën e një gruaje, të cilën e fshehu nën jelek dhe u largua. Ai ia shiti statujën një piktori mik parisian për 50 franga. Ai kish shkuar për të vjedhur edhe dy gjëra të tjera, përpara se të "emigronte" në Meksikë. Por ishte kthyer në Paris më herët atë vit, kish vizituar Louvre dhe kishte vjedhur kokën e një gruaje.

Ditën tjetër, më 30 gusht, gazeta raportoi një takim të dytë me hajdutin, në të cilin ai zbulonte se quhej Baroni Ignace d'Ormesan. Objekti i rikuperuar u ekspozua në dritaren e "Paris-Journal" dhe qindra njerëz e mbushën zyrën e gazetës për të parë objektin artistik të vjedhur. Për herë të parë qysh kur Mona Lisa u zhduk, parisienët kishin arsye për të qenë optimistë. Prefekti Lépine besonte se i njëjti rreth hajdutësh arti ndërkombëtar qe prapa vjedhjeve të Louvre - L'Affaire des Statuettes dhe L'Affaire de la Joconde. Nëqoftëse kapte baronin dhe kolegët e tij, gjuetia do të përfundonte. Në një verë me ditë të pazakonta të nxehta, 2 shtatori qe një thyerje rekordi. Në Paris, temperatura i kaloi 97 gradët Fahrenhait. Investigimi i vjedhjeve të Louvre po bëhej i nxehtë si vetë moti.

Në 7 vite nga 1905 më 1911, po shkruhej historia zanafillë e artit modern. Pablo Picasso ishte gjeniu i saj; Guillaume Apollinaire impresario i saj. Një poet i zjarrtë dhe provokator kulturor, Apollinaire artikulonte kredon moderniste, duke adoptuar maksimën e Markezit de Sade's: "Në art, njeriu duhet të vrasë babain". Duke nxitur shkatërrimin e të gjithë muzeumeve "për shkak se paralizojnë imagjinatën", ai promovonte Picasso "si një Zot i ri që donte të ribënte botën". Apollinaire dhe artisti qenë liderë të një grupi përgjithësisht të njohur si la bande de Picasso. E mirënjohur nga Montmartre në Manhattan si "Njerëzit e egjër të Parisit", banda e piktorëve dhe e poetëve të Picasso qenë të jashtëligjshmit e artit tradicional. Të rinj, brilantë dhe mizorisht ambiciozë, ata sokëllinin nëpër rrugët me kalldrëm të Montmartre dhe mbushnin kafenetë e lira, duke e përcaktuar veç të tjerash veten si një gjuhë të re krijuese, duke i shkelur rregullat për ta çliruar artin nga historia e artit. Pas dy javësh plot ankth, Lépine besonte se e kish zgjidhur çështjen. Tek la bande de Picasso, ai kishte gjetur rrethin ndërkombëtar të hajdutëve të artit që po kërkonte me ngulm. Për policinë, ishte bindëse. Kapja e Mona Lisa ishte një akt arrogant në atë çka Apollinaire e quante "sherri i pambarimtë midis Rendit dhe Aventurës". Ajo që një deklarim pavarësie.

Eksitimi ndaj rrëfimit të hajdutit devijoi me ngadalë në jug drejt Céret, lart në Pirenejtë francezë, ku Picasso dhe shokët e tij, përfshi Braque, kishin zënë katin e parë të Hôtel du Canigou. Ata qenë vendosur për verën që të shpiknin kubizmin. "Paris-Journal" i 29 gushtit ndoshta nuk arrinte atje deri më 1 shtator në rastin më të shpejtë. Kur arriti, paniku filloi. Picasso u largua menjëherë për Paris. Kur treni hyri në stacion, një Apollinaire histerik po priste në platformë. Policia kish kërkuar apartamentin e tij, tha ai dhe ai i Picasso do të ishte i radhës. Ata nuk qenë të pafajshëm në L'Affaire des Statuettes. Të fshehura prapa një dollapi në apartamentin në Boulevard de Clichy të Picasso qenë dy skulptura: një njeri dhe një grua prej guri të gdhendura nga spanjollët e lashtë gjatë Epokës së Bronzit. Pjesa e poshtme e secilës mbante vulën "Pronësi e Muzeumit të Louvre". Picasso ishte miku piktor i baronit. Apollinaire dhe Picasso vepruan si fajtorë, duke konceptuar skenarë të detajuar për t'i shpëtuar policisë. Së pari, ata bënë bënë plane për t'u larguar nga vendi, më pas i braktisën ato. Më pas, përgatitën një skemë për të shkatërruar dëshminë inkriminuese. Ata do t'i paketonin sendet e vjedhura në një valixhe të vjetër dhe do ta hidhnin në lumin Seine në mesnatë. Ata e paraqisnin veten si aktorë në një dramë dhe qenë të sigurtë se fundi do të ishte tragjik.

Natën e 5 shtatorit, një grup me 4 veta - Picasso dhe dashnorja e tij, Fernande Olivier, Apollinaire dhe dashnorja e tij, Marie Laurencin - u ulën plot nervozitet rreth tryezës së ngrënies në apartament. Megjithëse asnjë nuk e dinte gjënë më të vogël rreth letrave, ata pretendonin të luanin gjatë gjithë natës së pambarimtë. Në mes të natës, piktori dhe poeti rrëshqitën jashtë për të shpëtuar nga sendet e vjedhura të tyre. Megjithëse duke ndjekur një rrugë të shkurtër, largësia nga Montmartre deri në Seine është 3 milje. Ata e bënë më këmbë sepse kishin frikë se mos tërhiqnin vëmendje po të merrnin një valixhe me karrocë. Në kohën që arritën lumin, ata qenë tashmë të lodhur. Ki parasysh pamjen - Picasso, i vogël dhe gërrnjar dhe Apollinaire, i bëshëm dhe i vrazhdë - duke u sjellë rreth Bregut të Djathtë në mes të natës. Fillimisht ata u përpoqën që ta mbanin arkën midis tyre, por ata nuk përputheshin në gjatësi dhe kështu që ndryshoheshin. Shikonin vazhdimisht prapa krahëve, duke filluar nga tingulli më i vogël, të frikësuar nga çdo hap prapa tyre. Elektriciteti po vinte me ngadalë në Qytetin e Dritave. Në hijet e krijuara nga flakët e çrregullta të gazit, ata imagjinonin figura në uniformë të fshehur pas trungjeve të pemëve dhe të strukur në bregun e lumit. Dy orë më vonë, ata u kthyen në studio, duke u çapitur nëpër maloren e Montmartre, duke shfryrë me inat, të sfilitur nga paranoja e tyre po aq shumë sa nga misioni i tyre i dështuar, duke mbajtur akoma arkën me gjërat në të. Nuk e kishin marrë asnjëherë kurajon për të vepruar.

Apollinaire e kaloi atë që kish mbetur nga nata në apartament dhe në mëngjes Picasso i dërgoi dëshminë inkriminuese "Paris-Journal". Mbrëmjen e 7 shtatorit Apollinaire u arrestua. 90 ditë pasi Mona Lisa u zhduk, policia bëri një vizitë në Boulevard de Clichy. Picasso, i cili pëlqente të flinte deri në mesditë, u zgjua në orën 7 të mëngjesit nga një trokitje këmbëngulëse në derë. Një Fernande e përgjumur, me një këmishë nate të hedhur përreth trupit të saj ekstravagant, hapi derën. Studioja paraqiste një skenë kaosi. Në dritën e mëngjesit, silueta prej shkumësi e Sacré-Coeur depërtonte nëpërmjet një dritareje të lartë. Kavaleta dhe kanavaca ndanin hapësirën e studios me simbole ceremoniale afrikane, një divan i mrekullueshëm Louis-Philippe i veshur me kadife vjollcë me butone të artë dhe mobilje të mërzitshme të dorës së dytë, të cilave Fernande i referohej si "stili Luigji XIV" i Picasso. Të varura në mënyrë të rastësishme kishte tapiceri të prishura Aubusson, maska primitive, kuti instrumentesh muzikore të prishura, korniza të praruara të gdhendura dhe një pikturë e bukur e vogël e një gruaje e Corot. Picasso qe një grumbullues maniak. Detektivi lexoi një fletëthirrje nga pragu i derës, duke e urdhëruar Picasso që të dilte në pyetje përpara gjykatësit shqyrtues, Henri Drioux. Artisti dyshohej për tregti objektesh arti të vjedhura nga Louvre. Picasso e kish vizituar ekspozimin e skulpturës primitive iberike të Louvre disa herë dhe ishte prekur thellësisht prej saj. Ai ndoshta kish dëgjuar ekstravagantin "Baron d'Ormesan" - i njohur më mirë si Honoré Joseph Géry Pieret, një belg - të mburrej për aktivitetet e tij "me duar të gjata". Minimumi, Picasso e dinte se statujat që kish blerë nga Géry i përkisnin muzeumit. Maksimumi, ai mund të kish autorizuar vjedhjen e tyre, duke urdhëruar dy statuja specifike nga ekspozimi, duke përshkruar saktësisht se cilat sende donte të përdorte në pikturën e re të tij - një skenë e madhe shqetësue bordeli që André Salmon do ta quante Les Demoiselles d'Avignon. Nëqoftëse hetuesi do të kish kërkuar studion e Picasso, ai do ta kish gjetur dëshminë inkriminuese, por, në vend të kësaj, ai qëndroi tek dera teksa Picasso vishej. Në një përpjekje kapadaillëku, zgjodhi këmishën e tij prej pambuku të qëndisur me të kuqe e të bardhë dhe një kollare elegante prej mëndafshi që nuk shkonte aspak me të. Ai po dridhej në mënyrë aq të pakontrolluar sa që Fernande duhej t'ia mbërthente këmishën. Ai u mor me karrocë nga Pigalle për në Palais de Justice. Asnjë automjet policor nuk ishte gati. Qeveria nuk do ta paguante biletën për një kriminel të dyshuar. Picasso nuk do ta merrte asnjëherë prapë autobusin që shkonte nga Pigalle në Halle aux Vins. Apollinaire dhe Picasso u përballën me njëri tjetrin në sallën e gjyqit si dy të panjohur. Picasso dukej akoma dhe më i vogël në atë sallë imponuese. Këmisha e tij me punime dhe kollarja që nuk i përshtatej qenë një gjest kapadaillëku, që dukej më shumë patetike sesa shpërfillëse. Pas dy ditësh në burg, Apollinaire kishte një pamje të dobësuar të përvuajturi. Ai ishte i thinjur dhe i parruar, këmisha e zbërthyer, kollarja e shprishur. Kostumi ishte me zhubra dhe i vjetëruar. Piktori dhe poeti qenë aq nervozë sa në konfuzionin dhe dëshpërimin për të provuar pafajësinë e tyre, e vërteta dhe miqësia u harruan. Ata kundërshtuan veten dhe njëri tjetrin, duke e akuzuar njëri tjetrin pse ia çuan statujat e vjedhura gazetës. Të dy njerëzit qanë dhe u lutën për falje dhe liri. Pasi ishte trajtuar për orë të tëra si kriminel, Apollinaire kishte rrëfyer për gjithçka: kishte strehuar Géry, kishte poseduar mallra të vjedhura, kishte nënshkruar një manifest që bënte thirrje për djegien e Louvre. Ai kish implikuar dhe identifikuar Géry dhe Picasso në vjedhjen e pikturave iberike. Tani gjykatësi Drioux u fiksua nga piktori. Duke shikuar nga Picasso nëpërmjet syzeve të tij, ai i shqiptoi pyetjet me zërin e tij të trashë. Poza prej të forti e Picasso u davarit si dëbora në diell. I frikësuar, ai pranoi se nuk dinte absolutisht asgjë. Ai u betua se nuk dinte absolutisht asgjë rreth L'Affaire des Statuettes. Ai nuk e dinte se kokat primitive iberike qenë sende të vjedhura dhe nuk e njihte Apollinaire. Njëlloj si dishepulli i Jezusit Simon Pjetri ku u pyet "A e njihni këtë njeri?", Picasso u përgjigj: "Nuk e kam parë kurrë më parë". Në fund të leximit të aktakuzës, Picasso, i cili kish blerë sendet e vjedhura, u lirua sipas premtimit të vet dhe u paralajmërua të mos largohej nga Parisi. Për javë të tëra më pas, ai jetoi fshehurazi. Prej natyre meditues, ai u bë paranojak, i frikësuar se do të arrestohej përsëri. Dilte jashtë vetëm natën dhe me taksi. Ishte i bindur se po ndiqej dhe do t'i ndërronte taksitë për të shmangur ndjekësin e tij. Flinte në mënyrë sporadike, duke pritur gjithmonë për një trokitje tjetër në derë. Më pas, Apollinaire do ta quante "njëherazi të habitshme, të pabesueshme,tragjike dhe argëtuese" që ai qe njeriu i vetëm i arrestuar në Francë për vjedhjen e Mona Lisa.

(Marrë nga libri The Lost Mona Lisa: The Extraordinary True Story of the Greatest Art Theft in History)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora