E merkure, 30.04.2025, 08:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Dhurata Hamzai: Francine Prose, një amerikane në kërkim të “Shqipërisë ekzotike”

E marte, 05.05.2009, 09:31 PM


Francine Prose
Francine Prose
BOX:

1. Për Shqipërinë është hera e parë që kam një kontakt, ndërkohë që për mua dhe miqtë e mi Shqipëria ishte një ide ekzotike. Madje disa nga kolegët e mi nisjen time këtu nisën ta shikojnë me kërshëri. Njerëzit atje në Amerikë nuk e kuptojnë dot se sa moderne është Shqipëria. Ju duket shumë e largët dhe e pazhvilluar

2. Para se të vija këtu u mundova ta njoh Shqipërinë duke lexuar libra rreth historisë së saj dhe kulturës shqiptare. Për ta njohur letërsinë ka qenë e vështirë, sepse në Amerikë s’ka përkthime. Gjeta të përkthyer vetëm Ismail Kadarenë

Francine Prose, një amerikane në kërkim të “Shqipërisë ekzotike”

Nga Dhurata Hamzai

Romancierja e njohur amerikane Francine Prose, e njohur ndryshe si mbrojtësja e shkrimtarëve të botës, këto ditë gjendet në Shqipëri. Ka një axhendë të ngjeshur siç janë takimet me nxënës e studentë, si dhe takimet me shkrimtarët vendas, por edhe po përmbush misionin e investigimit për temat e saj të gazetarisë. Ambasada Amerikane në Tiranë në bashkëpunim me institucionet kulturore ka organizuar aktivitete të përbashkëta në ndihmë të këtij dialogu. Francine Prose është autore e mbi 20 librave, ku përfshihen romane, novela për fëmijë dhe tregime të shkurtra. Ajo ka kontribuar me tregimet, artikujt dhe intervistat e saj në gazetat e revistat kryesore amerikane. Dje në orën 16.00 ka qenë në mjediset e Frend Books House në një takim me mediat, ku ka bërë të qartë edhe disa nga synimet e vizitës së saj në Shqipëri. Ka ardhur me mendimin se do të vinte në një vend ekzotik..! Sipas saj, kështu ka qenë edhe përfytyrimi i miqve të saj amerikanë për Shqipërinë. Edhe pse ka lexuar libra të historisë dhe kulturës trashëgimore dhe njihet si specialiste e çështjeve në vendet e Lindjes, ajo nuk kishte ende një përfytyrim të saktë për Shqipërinë. Kuptohet nga rrëfimi i saj se priste të gjente me të vërtetë një vend ekzotik dhe këtë e kishte menduar edhe në çastin e nisjes, ndërsa miqtë e saj e shihnin me kërshëri sikur ajo të nisej vërtetë drejt një aventure ekzotike. Mbërritja në Tiranë e ka përmbysur të gjithë përfytyrimin e romancieres dhe gazetares amerikane Francine Prose. “Gjeta një Shqipëri moderne”, tha dhe këtë ia kishte komunikuar edhe redaktorit të saj, i cili e paskësh pyetur nëse vërtetë ajo kishte mundur të fliste në celular nga Shqipëria. E ndërsa e kishte pyetur se si ndihej këtu, ajo i përgjigjet se tashmë kishte mbrritur në një vend tepër modern. Kështu Francine Prose, nisi të ecte në një rrugë tjetër, në atë të zbulimit të gjërave të reja dhe të bukura, por jo më ekzotike. Këtu në Shqipëri, ajo do të ndihej në siklet në disa raste ku do t’i mungonte dialogu me kulturën dhe letërsinë tonë, por nga ana tjetër ajo ishte e kënaqur për zbulimet dhe artikujt e shumtë që do publikonte rreth Shqipërisë kur të kthehej atje në Amerikë. Do të bëheshin shumë artikuj, përfshi kulturën dhe letërsinë për të cilën ajo do të ndjehej në turp që e njihte pak, kjo edhe për faj të botuesve amerikanë, të cilët bëjnë pak përpjekje për përkthimin e letërsisë së vendeve të vogla, por edhe për kushtëzim të tregut e biznesit, për vështirësitë në shitjen e librit. Megjithatë e njihte paksa letërsinë shqiptare nga vepra e Kadaresë, nga ajo pjesë që ajo e dinte se ishte përkthyer në anglisht.

***
Francine Prose, kjo grua kurajoze, që ka shprazur mjaft energji në krijimtarinë e saj dhe në punën e palodhur e të angazhuar si gazetare në gazeta dhe revista të ndryshme shquhet për inteligjencë dhe modesti njëherësh. Bashkëbisedimi me të ka qenë një refleksion më i sinqertë dhe i hapur mbi kulturat e vendeve të ndryshme, vlerat e tyre dhe pikat e kontaktit. Mezi priste takimin e radhës ku do të njihej me disa shkrimtarë shqiptarë.
Ajo rrëfen për dy mënyrat e saj të të shkruarit dhe pohon se në fillimet e krijimtarisë, vetë ajo mendonte se të krijoje letërsi ose art duhet të ishe domosdoshmërisht e çlodhur, e kthjellët dhe e relaksuar, ndërsa në stilin e saj si gazetare edhe mund të nxitonte. Por, me kalimin e kohës, pjekurinë e saj krijuese dhe të stilit këtë gjë ajo nuk e mendonte më. Nuk mendonte më se kur duhej shkruar një pjesë krijimtarie ose një artikull. Do të niste një mënyrë tjetër e të bërit të gjërave, të cilat erdhën natyrshëm dhe sfiduese duke kaluar përmes vullnetit dhe këmbëguljes për t’i bërë gjërat, për t’i parë e ndjerë ato, mandej për t’i përçuar. As temat e shkrimeve, ka pohuar Prose, nuk janë më pjesë e ndarjes kohore. Nëse një çast i kujtohet një histori ose ngjarje pikante, ajo vendos se do ta bëjë një tregim ose novelë. Të shkruarit i është bërë diçka organike, njësoj si ushqimi, të cilin ajo thotë se e shijon, “më pëlqen të ha...”. Tashmë Prose është një shkrimtare e famshme, e cila e ka të përkryer karrierën e saj si shkrimtare, gazetare ose kritizere. Ndërsa u kthehesh bisedave për letërsinë, kupton se problemet janë të njëjta në të gjithë botën. Madje Francine Prose kërkon të theksojë se në të vërtetë edhe në Amerikë ekziston një letërsi shumë më e mirë dhe më e bukur se ajo që përhapet në fakt me bujë, si romanet bestseller, apo thrriller. Ekzistenca e të dyjave e ka një shpjegim: letërsia serioze lihet në hije, ndërsa romanet bestseller reklamohen me forcë, por në thelb Francine Prose thekson se letërsia e mirë është e mbrojtur nga përmbajtja e vet, ku e para s’mund të lexohet nga krijuesit dhe nuk ngjall kureshtjen e intelektualëve dhe krijuesve edhe pse vijon të ekzistojë. Me sa duket, sipas saj është një letërsi e atij lloji, aventureske, ekziston vetëm e vetëm për ata njerëz që nuk kanë vullnet për të lexuar. Është një problem i njohur i letërsisë së përbotshme. Ndaj Francine Prose i do dhe i mbron shkrimtarët e vërtetë kudo në botë. Të gjitha këto probleme që ka letërsia sot në botë, vinë më të freskëta përmes një interviste të dhënë për gazetën “TemA”, duke e lidhur këtë problem në mënyrë harmonike edhe me këndvështrimin e jetës dhe kulturës së një populli që ajo e takon për herë të parë.

Intervista

Dhurata Hamzai: Mirë se erdhët në Shqipëri! Tashmë ne dimë shumë gjëra për ju; që ju jeni shkrimtare, noveliste, shkrimtare për fëmijë, gazetare dhe ktritizere. Si ja bëni për të mbajtur në ritëm të dyja mënyrat e të shkruarit, letërsi fiction dhe përshkrimet, raportet e reportazhet që duan një gjuhë më të thjeshtë dhe më pak të përpunuar?

Francine Prose: -Dy mënyrat e të shkruarit... Dikur kam qenë konfuze për këtë. Tashmë është shumë e qartë. Në fillimet e mia mendoja se duhet të ngrihem e freskët, e relaksuar dhe tani unë do të jem gati të krijoj diçka. Madje kështu e ndaja edhe kohën, prisja të shkëputesha nga një mënyrë e të shkruari për të kaluar tek tjetra, që në thelb është ajo që të kërkohet dhe jo ajo që ndjen. E kam pasur shumë kohë të vështirë për të bërë këtë ndarje, sidomos kur më duhej të shkruaja artistikisht. Kjo eksperiencë kaloi dhe unë tani nuk them më mëse duhet të jesh i relaksuar ose jo kur shkruan. Po ashtu, edhe nëse dua të bëj një shkrim, nxitoj ta bëjë në kohën që mendoj. Mund të ndodh që ndërsa jam duke shkruar diçka për një gazetë mund të më kujtohet një ngjarje e fortë ose një histori dhe në atë çast unë them se këtë do ta bëjë një tregim, ose novelë. Ndryshimi i vetëm mes këtyre të dyjave është se në rastin e krijimtarisë unë jam më shumë në komunikim me vetveten se në rastin kur më kërkohet të bëjë diçka. Për shembull, në një rast në revistën ku punoja m’u kërkua që unë të bëjë një speciale me një nga shtatë mëkatet dhe unë zgjodha të ngrënit se mua më pëlqen të ha. Pra, në një rast të tillë unë nis të punoj dhe preokupohem që të bëjë diçka të mirë dhe ta mbaroj në kohë, ndërsa në rastin e një krijimi kam një ndjesi tjetër të diçkaje që duhet të mendojë papushim për të.

Dh.H: Ardhja juaj në Shqipëri, mund të konsiderohet edhe si një kontakt mes dy kulturave të ndryshme. Si do ta përcaktonit ju këtë lloj kontakti?

Francine Prose: -Njohuritë e mia për Europën Juglindore nuk janë të reja. Për Shqipërinë është hera e parë që kam një kontakt, ndërkohë që për mua dhe miqtë e mi Shqipëria ishte një ide ekzotike. Madje disa nga kolegët e mi nisjen time këtu nisën ta shikojnë me kërshëri. Njerëzit atje në Amerikë nuk e kuptojnë dot se sa moderne është Shqipëria. Ju duket shumë e largët dhe e pazhvilluar. Ndërsa e mora në telefon, botuesi im më tha: “-Ti më telefon nga Shqipëria?!”. “-Po, -i thashë, dhe s’mund ta besosh se unë jam në një vend shumë modern dhe që më pëlqen”.

Dh.H: Çfarë ju pëlqeu konkretisht në Shqipëri?

Francine Prose: -Doni tua them si një sekret..! Më pëlqeu shumë lëvizja e njerëzve, parqet, tregu më pëlqeu dhe sidomos mënyra si gatuajnë. Kam shijuar këtu ushqime të mrekullueshme.

Dh.H: A ekziston një mundësi që ndoshta një ditë ju mund të shkruani ndonjë gjë për Shqipërinë?

Francine Prose: Oh, më shumë se një gjë. Njërën nga këto e kam nisur. Po shkruaj një libër për një emigrant shqiptaro- amerikan. Më ka tërhequr ky fakt dhe ky kontakt që kur nisa të bëja një punim mbi temën e emigracionit dhe aty nisa të njihja një shqiptaro-amerikan, historitë e të cilit m’u dukën mjaft interesante dhe tashmë unë rreth kësaj kam nisur të bëjë një libër, ku do të zënë vend shumë gjëra që flasin mbi Shqipërinë.  Tjetra është diçka që e kam, që e kam si detyrë investigative, jo letërsi. Kam një temë mbi ushqimet, traditën e gatimit dhe kulturën e trashëguar të popullit shqiptar. Është një temë shumë e bukur, të cilën unë tashmë e kam të qartë si do ta bëjë. Jam takuar deri tani me shefat e kuzhinave dhe kam provuar disa nga gatimet tradicionale, të cilat mund të them se janë të mrekullueshme. Është një ushqim i mrekullueshëm.

Dh.H: Është e ndikuar ideja juaj që Shqipëria mund të jetë një vend ekzotik nga fakti që ka një opinion negativ për të në shkallë ndërkombëtare? A keni vënë re, ju vetë elemente negative?

Francine Prose: -Unë sapo jam takuar me njerëz të mrekullueshëm. Syri më ka zënë gjëra të bukura dhe shoh njerëz modern dhe interesantë. Kam takuar njerëz që njohim dhe lexojnë letërsinë amerikane, njohin shkrimtarët më të shquar të Amerikës. Nuk dalloj dot një element negativ.

Dh.H. -Çfarë dinit ju për letërsinë shqiptare para se të vinit këtu?

Francine Prose: -Mua më vjen keq ta pohoj që unë nuk i njoh shkrimtarët shqiptarë. Po shoh me dhjetëra foto këtu në Shtëpinë e Miqve të Librit dhe unë nuk njoh asnjerin, me përjashtim të Kadaresë që është i përkthyer në anglisht. Më vjen turp për këtë. Para se të vija këtu u mundova ta njoh Shqipërinë duke lexuar libra rreth historisë së saj dhe kulturës shqiptare. Për ta njohur letërsinë ka qenë e vështirë, sepse në Amerikë s’ka përkthime. Gjeta të përkthyer vetëm Ismail Kadarenë. Mungesa e këtyre përkthimeve ka edhe një shpjegim. Në Amerikë botuesit interesohen më pak që të sjellin letërsi të vendeve të tjera, dhe kjo ndodh edhe për arsye të interesave në biznes, sepse këto libra blihen më pak, në një kohë që edhe vetë libri amerikan është vështirë që të shitet. Unë gjatë kohës që kam qenë në organizatën Pen Internacional për Amerikën e kam trajtuar këtë problem dhe kështu është kërkuar dhe është caktuar një fond për përkthimin e letërsisë së vendeve të tjera në anglisht. Tashmë edhe ju në Shqipëri keni krijuar një organizatë Pen Internacional me presidente Entela Safeti Kasi. Dhe kështu mund të bashkëpunohet më mirë për njohjen e letërsisë shqiptare atje.

Dh.H: Derisa nuk janë zhdukur kufijtë që të çojnë drejt kontaktit, çdo popull ka një paragjykim për një popull tjetër. Ashtu si atje në Amerikë, Shqipëria mendohet një vend ekzotik, edhe këtu ekziston paragjykimi se amerikanët janë patetikë dhe konsumatorë të mëdhenjë të fast-food-eve? Çfarë mendoni ju se ka diçka që Amerika më të vërtetë mund të paragjykohet?

Francine Prose: -Po unë mund të them me keqardhje se është mungesa e interesit të mirëfilltë për kulturën. Edhe atje në Amerikë thuhet që “romani ka vdekur”, “libri ka vdekur”, “njeriu ka prirje të shikojë Tv”, “internet”, dhe në Shqipëri pothuaj ndodh e njëjta gjë. Ka një mungesë besimi tek themelimi gradual i vlerave kulturore. Ndaj unë e përmenda aktivitetin e organizatës Pen Internacional, sepse ajo ndihmon shkrimtarët në mbarë botën. Në festivalin e pranverës janë organizuar kontakte, njohje me letërsitë e ndryshme në gjuhë të ndryshme, njohje me vlerat dhe janë ndarë pothuaj 160 çmime letrare. Pra, është një përpjekje për ta bërë të dukshme krijimtarinë dhe vlerat e saj, dhe kështu kultura amerikane ka mundësi të komunikojë edhe me kulturat e tjera. Këtë jemi duke bërë, më parë se të paragjykojmë gjërat.

Dh.H: Si do ta vlerësonit ju në Amerikë, kontrastin e thellë mes imazhit të shndritshëm të letërsisë bestseller dhe asaj letërsie të mirë e serioze. Çfarë e keqe i vjen kësaj të fundit nga superpublikimi, supershitja e superprodhimi i bestseller-ëve?

Francine Prose: -Duket sikur janë dy universe paralele. Ti sheh se vërtetë nga njëra anë publikohet dhe shitet mjaft dhe reklamohet letërsia bestseller dhe lihet në hije letërsia serioze. Por duhet të dini një gjë, pavarësisht nga reklama e bujshme si e një fast food-i ose një coca cola të kësaj letërsie bestseller, ajo mbetet sërish e panjohur. Leximet e saj janë po aq të lehta sa ajo është. Pra, për to nuk shkruhen në revista serioze, nuk zënë vend në editoriale dhe janë të panjohur nga shkrimtarët e mëdhenjë, ose shkrimtarë seriozë. Madje në rrethet intelektuale ekzistojnë shaka të tilla, që “nëse do të shkruash një roman bestseller, gjej një qen, një mace, kuaj, një zot, ose një vampir dhe romani bëhet. Tashmë janë të ironizuar si romane me histori vampirësh dhe histori rozë. Shkrimtarët lexojnë veprat e shkrimtarëve më të mëdhenj: Woolf, Chekhov, Philip Roth, Dostoyevsky, Flaubert, Kafka, Austen, Dickens, Isaac Babel, Middlemarch, George Eliot, John Le Carré,  Flannery O'Connor, etj.
Është një moment që tashmë është kuptuar se kush janë bestseller-ët dhe për këtë ata nuk mund të lexohen, duke menduar se do të jetë “një histori e zakonshme vampirësh”, “fantazmash”, etj.    

II.

Kush është Francine Prose

Francine Prose u lind më 1947 në Brooklyn, New York. Që nga maji i 2007-ës ajo ka qenë drejtoresha e Qendrës Amerikane PEN. Ajo u diplomua në Universitetin e Radcliffe në 1968 dhe mori një bursë Guggenheim-i në 1991. Francine Prose është autorja e pesëmbëdhjetë librave të letërsisë artistike, duke përfshirë “A Changed Man and Blue Angel” (Njeriu i Tjetërsuar dhe Engjëlli Blu), që ishte finalist për Çmimin Kombëtar të Librit, dhe librin më të shitur në Neë York Times “Reading Like a Writer” (Lexo sikur të jesh shkrimtar). Romani i saj më i fundit, Goldengrove (Shpella e artë), u publikua në shtator 2008. Francine Prose është drejtoresha e Qendrës Amerikane PEN. Ajo jeton në qytetin e New York-ut. Ka qenë anëtare e bordit e gjyqtarëve për Çmimim PEN/Newman's Own dhe romani i saj “Blue Angel” (Engjelli blu), një satirë për ngacmimet seksuale në kampet verore, u zgjodh finalist për Çmimin Kombëtar të Librit. Francine Prose jep mësim në Universitetin Bard. Romani i saj, “Household Saints”, u adaptua për një film nga Nancy Savoca. Një tjetër roman i saji, “The Glorious Ones” është përshtatur për një musical, “The Glorious Ones”, nga Lynn Ahrens dhe Stephen Flaherty, që u zhvillua në Teatrin Mitzi E. Newhouse në Qendrën Linkoln në qytetin e New York-ut në vjeshtë 2007.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx