E merkure, 30.04.2025, 08:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Joshua

E enjte, 07.05.2009, 07:02 PM


Suzana Kuqi

Joshua

Suzi hapi rubinetin e dushit, e kish vendosur, sot do t'i bënte banjë Joshuas, me hir a me pahir. Le të kundërshtonte sa të donte, do t'i bënte banjë dhe pikë. Dhe ky, mendoi, nuk e ka fare me qejf ujin...ja rregulloj qejfin unë tani.

-Joshua, Joshua hajde këtu!- filloi t'a therriste e meqë nuk po vinte, shkoi t'a kërkonte.

-”Bobo, ka hapur rubinetin e po më thërret. Kjo është e metë nga trutë, don të më bëjë banjë. Sikur nuk e di që mua nuk më pëlqen fare. Le të lahet vetë, unë për vete as që kam ndërmënd. Më mirë po fshihem, ajo është e krisur, ja po vjen...”- Joshua rrëshkiti ndën shtratin dopio e u shty në thellësi.

-Joshua ! Dil që andej, eja këtu!

-” ... bobo është e nevrikosur, si e kem hallin tani, nuk dua dhe pikë!”

- Do të dalësh me të mirë apo...,- Suzi ngriti mbulesën e shtratit e u përkul. Një ungërimë e mbytur erdhi që poshtë.

-Joshua !!! Dil me të mirë!

Ungërima u shtua. Dy palë nofulla u hapën e dhëmbë të mprehtë vezullitën kërcënueshëm.

-“Le të vijë e të më marrë, le t'a bëjë provë po ja mbajti. Le po thonë dy duar për një kokë, duarve le t'ua pijë lëngun ajo kur t'i fus dhëmbët unë... kam katër dhëmbë për një kokë... afrohu pa t'a tregoj unë...”

- Nuk del me të mirë? - dreqin, mendoi e merakosur Suzi, si e kam hallin, do të më kafshojë si rradhën e kaluar. Më mirë të marr fshesën.

Ungërima pushoi.

-” Iku, nuk ja mbajti, ka filluar të kuptojë se nuk bëhet shaka me mua. Ta kisha ditur e kisha bërë që në fillim, sa herë më ka futur në atë vaskë e më ka lagur e sapunuar me atë shampo të shpifur...as erën nuk ja duroj dot. Se ç'u pëlqejnë këto lloj erërash këtyre njerëzve...Pastaj uji... ec e vëri emër kësaj pune, të isha peshk, patë, rosë hajde de...po unë...Bobo, po afrohet prapë, kushedi se ç'i ka pjellur ai tru i sëmurë, vetëm pastërti do... Ah qenka fshesa, ha ha ha pse me këtë do të më trembë mua ? Po unë këtë e bëj copë e thërrime... Në sulm!

Një e lehur e fortë dhe dhëmbë që ju ngulën fshesës, një e lehur tjetër dhe një sulm më i vendosur.

-”Tani e kam kapur, hajde kush është më i fortë”...

- Jepi Suz, tërhiqe se mbete pa fshesë e do të duhet të dalësh të blesh një të re...

- “ E dija, jam më i fortë, mori fshesën e iku, po përse vallë nuk e mbyll atë rubinet, por vazhdon e çon dëm gjithë atë ujë... Bobo, po vjen me atë përbindëshin që bubullon e gjëmon e unë nuk i kam fare qejf ato bubullima, kam frikë edhe kur bubullon qielli e bie shi, të iki më mirë, të fshihem në një dhomë tjetër...”

Ndërsa Suzi afrohet me fshesën e korentit, Joshua rrëshket e del nga dhoma. Suzi e ndjek korridorit e pastaj ndalon, kordoni është i shkurtër për atë korridor të gjatë...Joshua kërcen e hap derën e dhomës së vajzës e futet poshtë shtratit të saj.

- “ Po kjo si nuk e dëgjon gjithë këtë zhurmë, si e duron të ëmën xhanëm që i prish gjumin në pikë të mëngjesit të së djelës? Mua do të më kishin hipur nervat, kushedi se ç'do të kisha bërë... Kjo është bibë fare, fle gjithë natën e ëndërron gjithë mëngjesin, mendjen e ka vetëm tek ai djali që i duket bukurosh, por asgjë të bukur nuk ka, është tralala nga trutë, pale po i këndon bibës edhe me kitarë... Pika, të kënduar, nuk ka as zë, volum hiç, volum kam unë, edhe xhamat dridhen kur e nxjerr zërin, ja si tani... le të zgjohet biba e t'a përzejë të ëmën nga dhoma. Ajo e ka fajin, bile do ta ngre edhe pak volumin, kështu do të vinë komshijtë... Po kjo nuk po zgjohet, është me atë në ëndërr...shiko si përkëdhelen, pika dhe këtyre... Po e ëma ku shkoi? Mos vallë të marrë atë përbindëshin...S'është gjë dhe kjo punë, nuk po e mbyll rubinetin,... po shkoj tek djali, ai po që e ngre ndonjëherë zërin kundër së ëmës...e mua më vjen inat kur e bën... është dhe nëna ime ajo, kush më jep për të ngrënë e për të pirë, po jashtë kush më nxjerr...e këtij i është mbushur mendja se është vetëm e tija. Domosdo, ca i përkëdhelur, por kot e ka, çfarë i bën atij më shumë se sa mua? Asgjë. Madje mua më bën edhe më shumë, më lan. Përse nuk lan këtë zdap që bën sikur fle, sikur nuk e di unë se ç'po bën, ka në mendje atë llaçkën e tij që vjen e mbyllet në dhomë me të... Le t'a mbajë në mend atë, unë po futem poshtë shtratit... Le të vijë ajo, jemi dy burra këtu, le të matet me ne...”

- Joshua !- Suzi e humbi durimin. U përkul e kur pa bardhësinë e dhëmbëve i hipën nervat që ja cingriste rubineti i hapur i ujit. Ashtu siç ishte e përkulur, kapi shtratin e të birit dhe e spostoi me gjithë të sipër. E kotë, Joshua u spostua me shtratin e mbeti sërish poshtë tij. Kapi sërish me forcë krevatin dhe e shtyu duke e përplasur pas murit që ndan dhomën me kuzhinën. Djali kërceu përpjetë i trembur.

- Ke lojtur? Po më fut në kuzhinë me gjithë shtrat!

- Leri ato po çohu e më ndihmo t'a kap!

Zhurma e përplasjes në mur i kish hedhur të gjithë më këmbë. Pas disa minutash përpjekjesh të përbashkëta, Suzi shtërngonte Joshuan në krahë, duke u munduar të mbante larg atë gojë të lemerishme. E zhyti në vaskë. Kaq qe, tani Joshua rri urtë e dridhet. Jo nga të ftohtët, uji është i ngrohtë, por nga zemërimi.

- “ Ja rregulloj unë kësaj, veç po nuk iku në punë neser... ç'kam për t'i punuar...

Kur u kthye nga puna të nesërmen, Suzi i gjeti të gjithë jastëkët e divaneve të urinuara. Thirri Joshuan, por ai u fsheh ndën shtratin dopio. Të merrte... Jo!

- Jam vetëm nuk e kap dot. Më mirë po vë rrobalarësen e ti laj ato jastekë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx