Kulturë
Luan Çipi: Një grusht dhe nga Kampi Mathauzenit
E enjte, 07.05.2009, 07:03 PM
Tregim
Luan Çipi
NJE GRUSHT DHE NGA KAMPI MATHAUZENIT
Shtatori i vitit 1968. E diel, mbasdite. Në shëtitoren e qendrës së vjetër të Vlorës, nga xhamia e Tabakëve, pranë ish-Prefekturës, e deri te xhamia e Plumbit, çdo mbasdite, bëhej “xhirua kolektive”, ku të rinj e të reja shëtisnin në grup, pas njëri-tjetrit. Duket, kështu i vinin më mirë në dukje bukuritë vetjake dhe veshjet e reja. Shpesh këtu shiheshin, njiheshin e miqësoheshin çiftet e të dashuruarve të ardhshëm.
Atë ditë unë dhe Skënder Bani, vëllai i madh i Hanëmes, gruas sime, pasi bëmë një rrotullim të plotë në bulevard, thamë të blinim një gazetë, të uleshim në lulishten aty pranë dhe të mësonim të rejat e ditës. Kështu bënim thuajse çdo ditë, për të kaluar kohën bosh dhe për të thyer monotoninë. Skënderi ishte moshatar me mua, një burrë i urtë, baballëk, këpucar në një repart ushtarak kundërajrori në Vlorë. Unë rrija shpesh me të. Ai këndonte bukur dhe dëgjonte me durim e vëmendje.
-Gazetën do ta blejmë këtu afër, - i thashë unë, - te xha Meti.
Libraria e xha Metit ishte më e rëndësishmja e qytetit. Ishte vendosur në një barakë të stërmadhe, karshi hyrjes së lulebahçesë, në drejtim të “Ushtarit të Panjohur”, përbri ish-hotel pastiçeri “Vjosës”, që kish qenë pronë e tregtarit Syrja Sorra, pikërisht atje ku sot është ndërtuar hoteli i madh turistik.
Në librari po futeshin, njëkohësisht, shumë njerëz, që kishin zënë radhë për të blerë gazetat e sapoardhura, si dhe revista, libra, kartolina.
Xha Meti më dalloi nga larg, më përshëndeti përzemërsisht si gjiton dhe të njohur të vjetër dhe më tha:
- Po, ku ke humbur, more Luan, se më ka marrë malli. Veç kësaj, nuk e di, po më ka mbetur mendja tek ajo ngjarja e vjetër, që më përmende kur ishe herën e fundit, para një muaji. Pa më shpjego tani, si është ajo punë?
Unë ndruhesha ta mbaja gjatë me muhabet, se mos pengoja të tjerët, që prisnin në radhë, ndaj ngurroja të flisja.
- Fol ti, fol, pa, këta “të gazetave”, shumica të papunë janë, s`kanë se ç`humbin!
- Po, ja, shoku Meti. Unë, me sa më kujtohet, këtu e 25 vjet më parë, pikërisht në vitin l946, kisha lexuar në Librin e Këndimit të klasës të pestë fillore një tregim që titullohej “Një grusht dhe nga kampi Mathauzen”. Mbaj mend se aty bëhej fjalë për një hero të vërtetë që quhej Meti. Gjithnjë kam dashur t`ju pyes: mos jeni ju?
Xha Meti, i shkathët nga natyra, sikur u gjallërua edhe më shumë dhe u duk se u bë nja 30 vjet më i ri.
- Po ku e ke atë libër, se kam 25 vjet që e kërkoj?! Dhe duke zënë një pozicion më të volitshëm, që ta shihnin të gjithë tha: Ta mësoni të gjithë, ju, o djemtë e mi, në atë libër jam pikërisht unë. Atje është historia ime, po, natyrisht, aty flitet shumë shkurt, aq sa mund të shkruhet në një informacion simbolik.
Dhe xha Meti, si në ekstazë, humbi në kujtimet e vjetra, në mendimet dhe në dhimbjet e mëdha. Ai filloi të flasë si një somnambul, duke harruar se detyra e tij, aktualisht, nuk ishte oratoria dhe poezia, po thjesht shitja e gazetave të ditës, që sapo kishin ardhur me shumicë.
Ai e nisi ligjëratën, plot pasion, me heroikën e veprimtarinë të tij si antifashist dhe si të na ish atentator trim e ilegal i hershëm.
Një heshtje varri pllakosi, sa turma harroi pse kishte ardhur dhe gjeti gallatë e po dëgjonte, me vëmendje e kureshtje, bëmat e protagonistit, që duket se ca i kishte përjetuar me të vërtetë, ca i kishte dëgjuar si ngjarje për të tjerët dhe i paraqiste si të vetat dhe ca i kishte lexuar te shumë libra të kohës, që i dispononte në librari dhe i lexonte, pa paguar gjë, kur nuk kishte shitje... Shoku Meti rezultonte, pas “Hysni Kapos legjendar”, që edhe nga ana e Metit, qëllimisht, diferencohej e lihej gjithnjë në krye, të ishte figurë qendrore në gjithë demonstratat, atentatet dhe aksionet heroike të kohës. Meti, siç tregonte vetë, i zhduku, pa përjashtim, italianë dhe mercenarë. Ai, me duart e tij, në qindra mënyra të rafinuara, vrau një më shumë nga gjithë ç`kishin zbarkuar në Shqipëri.
Sidomos, kur erdhi koha të shpjegonte periudhën e dënim-internimit, kur bëhej fjalë, padyshim, për jetën e tij më të vështirë, por dhe më heroike, ai, duke ndier ende më shumë dhembje dhe krenari të ligjshme, njëherazi, u bë më elokuent dhe më pasionant. Na hipnotizoi të gjithëve dhe më së shumti Skënderin, që kishte fatin ta dëgjonte për herë të parë. Turma po dyndej. Ata, të rinjtë, që sapo hynin, vinin thjesht për të blerë gazeta dhe ende ishin jashtë hipnozës. Gazeta mbi banak kishte stivë. Ato sa kishin ardhur. Dhe blerësit e rinj gazetat i kërkonin me zë, sipas titujve. Xha Meti po bezdisej, se po i prisnin ligjëratën, ndaj nisi të çirrej:
- Ç’gazeta kërkoni ju?! S’ka gazeta! Janë shitur, mbaruan. Shitja mbyllet!... Dëgjoni tani ngjarjet në Kampin e Përqendrimit Nazist.
Një zë nga turma tha:
- Lëre për më vonë Kampin. Kthehu te ngjarjet e Luftës!
Një zë tjetër:
- Gjatë kohës së luftës në qytetin e Vlorës a e ke njohur babain tim, dëshmorin Sali Dibra?
- Si, ore, nuk e kam njohur! Kemi bërë 22 aksione së bashku, pesë ja, aty te Fabrika e Akullit. Meti vazhdonte me ngjarjet për demaskimin e ballistëve dhe kolaboracionistëve, siç thoshte ai, për atentatet personale dhe deri në ndeshjet trup me trup. Ç’ishin bërë në Vlorë dhe më tej, sipas tij, nga Meti ishin drejtuar.
- Jo, shoku Meti. Demonstratën e parë, atë të bukës, e ka drejtuar xhaxhai im, Fejzo Gjomemoja, nga Tragjasi.
- Jo, more picirruk, jo! Demonstratën e bukës, jo. Po ngatërrohesh. Le që, ku di gjë ti. Atëherë ti as dhëmbë në gojë nuk kishe. Dhe kjo duket me atë që ti ngatërron demonstratën e parë, atë të 28 nëntorit l939, me demonstratën e bukës, që u bë ku e ku më pas… Rri, pusho, se do të ngatërrohesh më keq. Më mirë, më dëgjo mua. S’e ha dot me mua, se unë i kam përjetuar vetë të gjitha ngjarjet e rëndësishme të Luftës, që nga Gjormi, Selenica, Drashovica. Kam luftuar me italianë dhe mercenarë unë, dhëmb për dhëmb, deri me bandat famëkeqe të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit.
- Shoku Meti, po luftën ti e drejtove? - pyeti një djalë i ri.
- Unë në komandë isha. Në krye fare kishim shokun Hysni Kapo Tërbaçin... Me të isha unë, Fejzo Gjomemoja, Sinan Gjoni, Liri Gega, Mehmet Shehu, Mynyr Xhindi, Perlat Rexhepi, Sali Ormëni, Manushi, Rrapua, Ibrahimi, Vehbiu, Vllasi, Teli, Aliu, Namiku, Kristua, Arianiti, Ymeri, Vehbiu, Kadriu, Liria dhe dhjetëra heronj të tjerë. Po, mbi të gjithë, Hysni Kapua, Besniku i Partisë, si e thërrisnim ne… dhe pas tij… kuptohet, unë.
- Po andej, nga veriu, nuk u bë luftë?
- U bë dhe andej, po jo dhe aq. Nuk mund të harrohet Myslim Peza, Bazi Canes, Qemal Stafa, Kajo Karafili, Haxhi Lleshi, Vojo Kushi, epopeja e tre heronjve të Shkodrës me Perlat Rexhepin në krye etj. Këto di unë, se pastaj më kapën, hatajen, dhe më internuan.
- Po si mundën të të kapnin, duke qenë kaq trim e në mes trimash?
- Tradhti, vëllezër, tradhti. Tradhtia është gjëja më e poshtër te njeriu shpirtlig e ambicioz. Nuk dua t’i futem kësaj teze filozofike, se s’është koha dhe Luani po më pret t’i tregoj ngjarjen në kampin e shfarosjes masive, në Mathauzen. Dhe Meti vazhdon të tregojë me hollësi për torturat çnjerëzore, për të ftohtit, urinë, punën e rëndë, krematoriumin, ku digjeshin njerëz të gjallë e të vdekur. Vazhdoi më pas me trimëritë e tij të pazakonta, mbinjerëzore në ato mjedise ferri, për rezistencën aktive dhe kundërveprimet e organizuara.
- Një gazetë “Zëri i Popullit”, të lutem! Përsëri një i sapoardhur.
- Dale ti, ore, zevzek! Dashka gazetë qy!
- Rri, ore, në radhë, ti, se s’je më i mirë nga këta dhjetëra burra të ndershëm, patriotë e të duruar, që kanë më se një orë që po dëgjojnë me gojën hapur, - ndërhyn përsëri me vendosmëri Skënderi…
Meti vazhdon të paraqesë pjesën kulmoonj dhe fort solemne, kur kampi u sulmua frontalisht dhe u çlirua trimërisht nga një njësi kavalerie e Ushtrisë së Kuqe.
- Po unë kam dëgjuar që u çlirua nga amerikanët, - ndërhyri dikush.
- Jo, more, kjo s’është aspak e vërtetë! Ku di gjë ti, apo e pe me dylbi nga Memuçi?
- Unë, këtë e di mirë, se ma ka thënë babai, që e kam historian.
Kur u pa se biseda mori për keq, aty, afër meje, u dëgjua edhe një herë po ai zë autoritar dhe imponues:
- Rri, ore djalosh, pusho ti! Mos e ndërpre oratorin. Ai ka qenë vetë aty në atë kamp të tmerrshëm. Ke dëgjuar ti për Mathauzenin dhe Dakaon? Kush ka dalë i gjallë andej? Ato ishin kampe të shfarosjes masive. Për këtë na ka folur dhe komisari në organizatë. Ndaj dëgjo, të lutem!
- Aty ta kam! S’ka dalë njeri i gjallë, - foli një i moshuar. Po ja që Meti doli. Si doli?
- More, po ky qenka hero i pazakontë, - vazhdoi të ngulë këmbë Skënderi. Edhe vetë akti i kthimit është një heroizëm më vete. Arriti të shpëtojë, i biri i botës, pas gjithë atyre torturave të tmerrshme çnjerëzore. Kot mburret e kapardiset ai, komisari im, e vete më var gjithë ato dekorata në gjoks. Ky duhet të ishte hero. Hero i Popullit. Dy herë hero.
- Bravo, djalë! Ka dhe njerëz të drejtë e objektivë. Është pikërisht siç thua ti. Dëgjoni tani, - rinisi ligjëratën, me zë edhe më të lartë shoku Meti:
- Me rastin e çlirimit të Kampit nga ana jonë, që drejtonim rezistencën, si internacionalistë që ishim, u organizua një ceremoni solemne me fjalime, flamurë dhe një program të shkurtër artistik… Unë, që përfaqësoja i vetëm dhjetëra shqiptarë të zhdukur në këtë kamp, në emër të vuajtjes dhe të kujtimit të tyre, ngrita lart Flamurin Kombëtar, një beze të kuqe me zhgabonjën dykrenare të sajuar dhe bëra një përshëndetje të zjarrtë, që të nesërmen u botua me shkronja kapitale në dhjetë gazetat më të mëdha të kohës në të gjithë botën. Kështu, emri im, Semeno Demetre, siç më flisnin ndërkombëtarët, u bë i njohur në të gjithë rruzullin tokësor.
Të nesërmen, vazhdon Meti, në një vazo të vogël, gërmova e mora një grusht dhe nga Kampi i Mathauzenit dhe bashkë me një kosovar, dy metër të gjatë dhe me një dyfek, nisëm aventurën e kthimit për në Atdhe, nëpërmjet Austrisë, Zvicrës, Francës dhe Italisë. Një rrugë kjo e vështirë, në kushtet kur mjetet e transportit mungonin, të djegura e të shkatërruara, nga Lufta e Dytë Botërore. Sa në këmbë e sa në kalë, ngrënë e pa ngrënë, me gjumë e pa gjumë dhe aq të dobësuar e skeletikë, siç ishim katandisur, pas 35 ditëve mbërritëm në Bari të Italisë.
- Kur mbërrita në Bari Vekio, - tregonte Meti, - u takova me përfaqësuesit shqiptarë të atashuar në Komandën Aleate të Mesdheut. Ata, të parët, më shpjeguan se Shqipëria jonë e dashur ishte çliruar, ishte bërë “Guvernë Demokratike”, me Gjeneral Kolonel Enver Hoxhën në krye.
- Kush është ky? - pyeti i çuditur Meti.
- Ai që drejtoi Luftën Nacionalçlirimtare dhe Partinë Komuniste Shqiptare, - i thanë.
- Po, dale, more shokë. Luftën dhe Partinë i drejtoi Hysni Kapua, - protestoi Meti. Aq dinte ai. Kishte ngelur për disa vjet pa asnjë farë informacioni.
Xha Meti e mbylli tregimin me mbërritjen në Durrës dhe me dorëzimin e vazos me dheun simbolik në Muzeun Historik Kombëtar.
Unë dhe kunati im, Skënder Bani, kthehemi në shtëpinë e Hanëmes, në lagjen Muradie, ku më pret me dashuri vjehrra ime Fenua, e urtë dhe buzagaze dhe vjehrri im i mençur e patriot, Haxhi Bani, gati 75-vjeçar. Ai gjithë jetën ishte rritur dhe edukuar në familje dhe në shoqëri me dashuri për Atdheun dhe me respekt për luftëtarët e Lirisë. Si idhull për të ngelej Ismail Qemali dhe heronjtë e 1920-ës, ku kishte marrë pjesë dhe vetë, aq sa ish ekspozuar dhe e kishin arrestuar dhe internuar në ishullin e Sazanit… Si vlonjat vlerësonte shumë Luftën dhe gjakun e derdhur për çlirimin e Shqipërisë. Të gjitha shtëpitë vlonjate rrëzë Budakut kishin qenë strehë e luftëtarëve të Lirisë.
Skënderi, sa erdhi, nuk pati më durim, por e shpalli hapur gëzimin, habinë dhe entuziazmin e tij.
- Çeço! Sot jam befasuar si asnjëherë.
- Nga se, mor djalë?
- Sot takova një figurë të madhe, të lavdishme, legjendare. Nga sa dëgjova unë, them i bindur se kam takuar një hero të vërtetë, aq sa Vlora jonë e dashur, që ka nxjerrë shumë trima dhe heronj, pas Ismail Qemalit dhE deshmoreve te luftes, nuk ka pasur burrë më të madh.
- Po, kush është ky, more bir?
- Ai na tha se e thërrisnin Semeno Demetre.
Met Semoni, - shpjegova unë.
Çeçoja, që e njihte mirë Metin personalisht, por, nga aq sa kishte dëgjuar dhe nga të tjerë, pa pasur të drejtë, nuk e quante fare të pastër shpëtimin vetmitar të tij nga ai kamp i tmerrshëm. Kjo ishte një hamendje, pa shumë rëndësi, po në të vërtetë ai u mërzit më fort për “përdhosjen e idhujve”, ngaqë i biri, aq i entuziazmuar, e paraqiti me mbivlerësim Metin. Ku e gjeti të drejtën Skënderi ta bëjë, këtë Met, të barabartë me Ismail Qemal Beun dhe deshmoret e kombit?
- More, bir! Si guxon e bën nga këto farë krahasimesh? Unë i çmoj ata pesëqind burra të Vlorës, që lanë kockat në internim, por Metin mund ta nderosh, ashtu siç është, po t’i flasësh me ato tri germa që e kanë pagëzuar MET… Këtu Çeçoja duket nuk e mbajti dot më veten dhe, si kurrë ndonjëherë tjetër, jashtë natyrës së tij, e prishi gojën:
- Madje, edhe po t’ia ndërroje atë shkronjën e mesit, nuk do të bëje aq gjynah, sa bëre me ato palo krahasime e ndërrime vendesh e lavdish. Po, me sa duket, Meti, siç e ka zakon edhe këtë radhë, do të jetë mburrur shumë dhe ta ka prishur keq mendjen. Ai kërkon të marrë lavdinë dhe meritat e të tjerëve... Mos harro porosinë e popullit tonë: “Merr nga kjo botë atë që të takon. E tepërta është haram.”