Kulturë
Robert Martiko: Urim për ''Pelegrinin''
E shtune, 09.05.2009, 10:57 AM
URIM PER “PELEGRININ”
Dëshiroj të përshëndes pesëvjetorin e revistës “Pelegrin” si një titull tashmë të depozituar e të mirënjohur shkrimesh periodike me vlera të mirëfillta për letërsinë moderne shqiptare. Përbën një publikim dinjitoz me karakter panoramik pasi në numrat e saj gjen të pasqyruara problematikën shpirtërore të dhjetra shkrimtarëve, poetëve apo gazetarëve të mirënjohur të vendit, ku deviza e tyre e përbashkët pasqyrohet në faktin se arrijnë të shkruajnë me mjeshtëri në një botë letrare të lirë e të pavarur. Eshtë një revistë e gjallë dhe e zjarrtë pasi gjen shkrime, artikuj, kronika, përkthime, tregime, poezi, ese, etyde, materiale të pabotuara, publikime e ilustrime të shumëllojshme...
E uroj nga zemra këtë gjithëpërpjekje kolektive të artit kontemporan të administruar me mjeshtëri prej dy zotësh të mrekullueshëm shtëpie, artistë të mirënjohur në letërsinë shqipe si Ilirjana Sulkuqi e Nase Jani.
Duke dashur të mbyll këtë përshëndetje të shkurtër, do të doja të shtoja se asnjë përvjetor në botë nuk do të kishte vlerë nëse nuk do të qe në gjendje të ngrinte ura drejt të ardhmes... “Pelegrini” ky udhëtar i palodhur e zbulues shtigjesh të panumërta shpirtërore, nëpërmjet antarëve të tij të zellshëm me sa duket e garanton këtë vijueshmëri të suksesshme në kohë. Sejcili prej tyre gëzohet në darkë kur perëndimi është i kuq. Dhe nuk dekurajohet në mëngjes nëse bie shi... ndofta duke e konsideruar si një element qiellor, i cili do ta ndihmojë, në mënyrë që rruga e tij të jetë pa vapë e pluhur të shumtë...
ROBERT MARTIKO