E merkure, 30.04.2025, 10:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: 80 vjet jetë, 60 vjet vargje

E enjte, 07.05.2009, 08:36 PM


80 VJET JETË, 60 VJET VARGJE

(Me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorit të botimit të poezisë së parë të Din Mehmetit)

Nga Halil Haxhosaj

Në këtë libër të cilin e kam pagëzuar “Përkushtime”, janë përfshirë poezitë e më se pesëdhjetë poetëve dhe tri shkrime të tjera në prozë që i kushtohet poetit Din Mehmeti dhe vlerave të poezisë së tij. Por, jam plotësisht i vetëdijshëm se nuk janë përfshirë të gjitha përkushtimet për këtë poet. Din Mehmeti radhitët në mesin e poetëve më të suksesshëm dhe më të dëshmuar në poezinë bashkëkohore shqiptare., i cili më 7 Maj të këtij viti mbush 80 vjet. Poashtu, sivjet shënohet edhe 60 – vjetori i botimit të poezisë së parë në revistën letrare “Jeta e re” (Nr. 2/1949) dhe mbahet Mitingu i Poezisë për të 45-ten herë, themelues i të cilit është Din Mehmeti.
Gjatë kësaj kohe, ky poet ka lënë gjurmë të pamohueshme dhe dalluese me krijimtarinë e vet poetike. Pikërisht për këto jubile, sidomos në 80 vjetorin e jetës së tij si poet dhe si njeri, vendosa t’i mbledh këto përkushtime dhe t’i botoj në këtë libër për të treguar popullaritetin që ka gëzuar dhe gëzon Din Mehmeti si poet në Kosovë, si dhe për të paraqitur dashurinë, respektin, afërsinë dhe dinjitetin e lexuesve për artin poetik dhe figuracionin e vargjeve të tij. Nuk më ka rastisur ndonjëherë të gjej dhe të lexoj aq shumë poezi përkushtuese për një poet të gjallë, siç është rasti me poetin Din

Din Mehmeti
Din Mehmeti
Mehmeti! Andaj, duke e lexuar këtë material të shkruar dhe të paraqitur në këtë libër, shihet se figura artistike e Din Mehmetit, skalitet, madhërohet, përjetësohet, madje edhe rikrijohet ndryshe – ndryshe. Kështu, figura e poetit është: “krismë pushke”, “fyell ndër male”, “metaforë dheu”, “shkëmb mes lisave”, “lindje e ikur nga vdekja”, “mallkim gjaku”, fanar që nuk shuhet kurrë”, “ylber i pendës”, “zog i qiellit”, “gur Shkëlzeni”, etj., të cilat janë metafora që ngritin dhe e madhërojnë atë. Në secilën poezi përkushtuese lexuesi do të gjejë, por edhe do të shijojë, atë që është poetike, atë që është artistike, atë që është figurative. Pse ndodh kështu?  Kjo ndodh, mbase, Din Mehmeti në poezinë e tij ngërthen në vete dramën, gjegjësisht tragjedinë, e popullit të Kosovës nëpër kohë, si dhe qëndresën mbinjerëzore që tregoi ai për të ekzistuar si popull etnik. Ai shkroi, përveç të tjerash, edhe poezi për luftën, e sidomos për këtë të fundit, në të cilën UÇK-ja shprehu heroizmin, sakrificën, martirizimin, vendosmërinë dhe trimërinë, për çlirimin e Kosovës nga okupatori shekullor serb.
Poezia e Din Mehmetit me formë e përmbajtje, me tematikë e motive që trajton, me mesazhe e ide si dhe me figuracionin e përdorur dhe të përshtatshëm poetik, e bëri këtë poet të veçantë, origjinal dhe të mëvetësishëm për nga fizionomia dhe stili. Prandaj, kjo poezi i lëshoi rrënjët thellë në shpirtin e lexuesve, duke u bërë e tyre përgjithmonë. Atëherë, nuk është fare e çuditshme pse poetika e Din Mehmetit u bë poezia më e lexuar në Kosovë. Ajo u mësua dhe u recitua nëpër shkolla. Prej saj u sajuan recitale duke u dramatizuar disa herë nga teatrot profesionale e kombëtare të Prishtinës dhe Gjakovës. Poezia e këtij poeti mori të gjitha shpërblimet që ndahen në Kosovë dhe më gjerë.
Ajo që dëshmon për origjinalitetin dhe vlerën artistike të kësaj poezie tregohet me faktet se është përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe që u botuan në Kosovës si dhe në antologjitë e poezisë shqipe që u botuan në gjuhët e huaja. Poetit Din Mehmeti iu botua edhe një libër i veçantë me poezi të zgjedhura në Francë, i cili u prit mirë nga lexuesi francez dhe nga kritika letrare frënge. Poashtu, për poezinë e këtij poeti janë shkruar tema diplomash në shkollat e mesme, të larta e sidomos në fakultete dhe janë mbrojtur edhe tema magjistraturash. Poezia e Din Mehmetit është bërë fushë interesimi për shumë studime dhe hartime veprash të tjera. Prandaj në njëfarë mënyrë ky poet me tërë opusin e tij letrar është shndërruar në kult.
Poezia e Din Mehmetit, në fillim me shenjëza tradicionale, gjatë rrugëtimit artistik, poetik e figurativ u bë moderne. Disa kritikë letrarë poezinë e këtij poeti e quajnë kombëtare. Metaforat me këtë ngjyrim janë shumështresore dhe bartin të veçantat kombëtare e universale. Mbase, mu këtu duhet kërkuar aktualitetin e përhershëm të kësaj poezie. Të gjitha këto, por edhe shumë të tjera e bëjnë poezinë dhe poetin Din Mehmeti gurrë frymëzimi për poetë e krijues. Ata, duke shkruar përkushtime, nuk nderuan vetëm Din Mehmetin e poezinë e tij, por edhe vetveten.
Strukturimi i librit “Përkushtime” është bërë sipas sistemit alfabetik për arsye se ato nuk janë shkruar në të njëjtën kohë, as në të njëjtën hapësirë gjeografike poetike. Për mundësinë e botimit të këtij libri falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan në forma të ndryshme. Posaçërisht falënderoj Drejtorinë për Arsim e Kulturë të Kuvendit komunal të Gjakovës, që ndihmoi materialisht botimin e librit.
Dhe në fund ndjej kënaqësi të posaçme krenohem që me këtë libër paksa të veçantë dhe krijimeve të përfshira në të, që e madhëruan Din Mehmetin dhe artin e tij poetik, t’i uroj 80 – vjetorin e lindjes, duke i dëshiruar jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, me shpresë se ai do të shkruaj dhe do të botojë akoma vepra të suksesshme poetike.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx