Kulturë
Alfred Papuçiu: Senatori amerikan dhe shqiptarët
E enjte, 07.05.2009, 06:09 PM
Senatori amerikan dhe shqiptarët
Alfred Papuçiu
Cuditërisht vendi i delegacionit shqiptar binte gjithmonë prapa ose afër atij amerikan. Por nuk bëhej fjalë t'u flisje. Ishte e ndaluar. Shpesh Arbani kujtonte atë të njohurin e tij, diku në një vend të Amerikës Latine, i cili pse i kishte dhënë dorën një diplomati rus dhe një kolegu i tij e bëri problem, e kthyen në atdhe. Një paradoks ky në Amerikë, ku në ambientet e ndryshme diplomatët shqiptarë flisnin lirshëm me amerikanët e thjeshtë.
Atë ditë ministri i jashtëm do të mbante fjalimin dhe si zakonisht përgatitjet ishin bërë. Ishin ftuar edhe shqiptarë që qëndronin në Amerikë, si dhe familjet e kolegëve të Misionit. Fjalimi filloi disi me emocionet e zakonshme të folësit. Sapo mbaroi fjalimin dhe ministri u ul, dikush që ishte para delegacionit shqiptar, i moshuar, tha duke buzëqeshur duke u drejtuar nga ata:"Good speech". Pranë tij ishte dhe një vajzë e re, e cila gjithashtu buzëqeshi.
Në një moment pushimi ajo u afrua dhe kërkoi të fliste. Ishin dy persona të delegacionit shqiptar, megjithatë Arbani nuk kishte ndonjë frikë të madhe nga ai, pasi ishte mik i mirë dhe shpesh kishin biseduar bashkë hapur. Ajo ju drejtua atyre:
- Më falni, desha vetëm t'u them se im atë, që ju drejtua pak më parë, ka qënë në vendin tuaj, shumë vite më parë dhe ruan kujtime të mira për shqiptarët".
Arbani me shokun e tij nuk dinin ç'të thoshin më tepër, pasi natyrisht përmbaheshin duke kujtuar historitë e hidhura të ndonjë kolegut të tyre që për një shkëmbim batutash me amerikanët apo sovjetikët e kishte "ngrënë". Sidoqoftë ju përgjigjën vetëm kaq:"Faleminderit për konsideratën".
Ajo e pa që ata nuk mund ta zgjasnin më tepër dhe u largua me takt. Përsëri atyre u vinte inat me veten dhe me rregullat strikte që ishin dhe mbeteshin paradoks e sidomos kur kujtoje se dikur ai që jepte urdhëra dhe shante “djallin” amerikan apo rus, kishte studjuar e jetuar jashtë shtetit. Mbi të gjitha kishin dëgjuar se edhe nga familjet e vjetra shqiptare që kishin emigruar prej kohësh në Amerikë kishte fëmijë që i kishin hyrë edhe rrugës së diplomacisë. Do të ishte turp të mos bisedoje me ta. Por nuk kishte rrugëdalje tjetër në ato vite...Në të kundërt do të pushonin nga puna dhe do të detyronin të shkoje të punoje "në gjirin e klasës punëtore" për t'u edukuar.