Kulturë
Cikël poetik nga Shazim Mehmeti
E shtune, 09.05.2009, 11:03 AM
Shazim MEHMETI
ZGJIMI I SAJ ËSHTË PIKËNDRRA IME
mbi balluket e lulejetës
zbuluar i ka
karanfili i dhembjes!
te cep i vetullndritjes
i jep shpirt bashëndrra!
me melodinë e pragagimit
mbyllur ka lulezambakët e syve!
në pikë të pikëditës flë
gjysma ime e dritës!
(zgjimi i saj është pikëndrra ime!
paqëgjumi i saj është natëvdekja ime!)
nën nënkresën e sëmundjes
lulethara e dashurinjomëzës
i kotet si gjyshe!
shpërfaqja e ditëpërditshme
e diellmbarimeve e ka molisur!
e brenda meje
e brenda meje
qanë (edhe) qeni im unë!
oh, qeni im unë!
i egri qen!
lehësi qen!
kafshuesi qen!
tmerruesi qen!
hajduti qen!
përbuzësi qen!
oh, oh, zot imi
gjumin e sëmundjes ajo flenë!
pikëgjumin e shpresëdritës bën
në pikë të pikëditës!
në këngëqarjen e lumit
i fiket buzëndrra!
mbi fytyrën e dritëjetës
luledhembja i pik pikëlotin e përtharë!
e unë dhe qeni im unë
si dy zogj të plagosur
i lotojmë mbi flokëshprishjet!...
është dielli i rrudhosur
që na ulet mbi supet-
na përshpreson!...
KËNGË PJEKURIE
(kënga e parë: DASHURIA)
është nata
që falimenton
fytyrën e saj të ftohtë
në koncertin e yjeve
që lëvrijnë
shprehja më muzikore
e lojës së trupave fascinantë
dhe copëzat e dritës
që shfaqen e shumëfishohen
mbi kurorën e grisë
agimi –
akti më i bukur
i vdekjes së ankthit
mbi supe të të cilit
qafën zgjatë
harbimi
harrimi
më i bukur
i ditës me lotë
pritmë të të falem!
të të falem, o harrim!
(kënga e dytë: QENIMI)
s’kam pëshurrë përqiell!
s’kam lehur në hënë!
s’kam pështyrë në diell!
njeriu kam qenë,
pendohem!
kur pata forcë
nuk shita mend!
kur pata mend
nuk ndota vend!
qeshë vetë bekimi!
e ç’u qenova
e ç’më pëshurr qielli!
hëna më leh
e më pështyn dielli!
jam si funddita!
jam vetë pendimi!
një lloj qenimi,
zot imi!!!...