E shtune, 27.04.2024, 06:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet Fatmir Toçi, Drejtor i Institutit te Librit dhe Promocionit “Toena”

E shtune, 16.05.2009, 10:58 AM


Labëria dhe cameria e harruar nga politika shqiptare

Bisedoi: Albert Zholi

I qeshur, i gjendur, aktivist, patriot, njerëzor,  i dashuruar marrëzisht pas librit, këto janë impresionet që merr me vete pas takimit, me botuesin, intelektualin, Zv/kryetarin e Shoqatës “Labëria”. Drejtor i Institutit te Librit dhe Promocionit “Toena”, z.  Fatmir Toçi. Eshtë botuesi më cilësor në tregun shqiptar të librit, ku shtëpia e tij botuese “Toena”, njihet në gjithë gjeografinë shqiptare dhe më tej , njëkohësisht dhe një ndër aktivistët më të spikatur të shoqatës patriotike, atdhetare “Labëria”. Ai në këtë intrevistë, bën prezent problemet e krahinës së Labërisë, problemet e Shoqatës, si e ka lënë pas dore qeveria aktuale këtë krahinë, për vendimin e qeverisë për marrjen e Godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, debatin Qosje-Kadare, mendimin e tij për zgjidhjen e çështjes çame etj...

- Z. Fatmir, ju si anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Patriotike “Labëria”, mund të na thoni se vitet e fundit, ku ka konsistuar puna e shoqatës duke u bazuar në statusin e saj dhe detyrat që ka caktuar Kongresi i fundit?

- Viti 2009 përkon dhe me thirrjen e Kuvendit të radhës së Shoqatës “Labëria”, ku do të bëhet analiza e punës 4-vjeçare dhe do të zgjidhen organet e reja drejtuese në Tiranë dhe në qytetet e tjera. Në përgjithësi mendoj se Shoqata i ka realizuar detyrat që ajo ka marrë përsipër për mbajtjen lart të frymës patriotike të anëtarëve të saj, për sensibilizimin e organeve përkatëse për problemet që ka sot komuniteti lab dhe Treva e Labërisë, për ruajtjen, konsolidimin dhe transmetimin e vlerave më të spikatura të zakoneve e traditave tona, si dhe zhvillimin e pasurimin e mëtejshëm të tyre në kushtet e reja që po kalon vendi në këtë periudhë të stërzgjatur të tranzicionit.

- Cilat kanë qenë prioritet e punës së shoqatës dhe a ka arritur ajo forcimin e radhëve të veta, duke iu shmangur ngjyrimeve politike dhe afrimin në shoqatë të të gjithë grupmoshave?

- Duke mos anashkaluar arritjet edhe në këto drejtime, mendoj se duhej të ishte bërë më shumë në këtë drejtim. I them këto sepse kohët e fundit është vënë re një ulje e intensitetit të veprimtarive të shoqatës, kryesisht ato që organizohen në qytetet jashtë Tiranës; shpesh aktivitetet i lihen spontanitetit dhe puna e shoqatave identifikohet vetëm me punën që bëjnë kryetarët e shoqatave dhe drejtuesit kryesorë në qendër; nuk është punuar sa duhet me freskimin e radhëve të shoqatës duke afruar njerëz të rinj, në një kohë që një pjesë e anëtarëve të moshuar janë bërë inaktivë. Ndërsa për sa i përket rrezikut të implikimeve dhe animeve politike mendoj së shoqata ka treguar pjekurinë e duhur në përpjekjet për të afruar anëtarë pa i paragjykuar nga përkatësitë politike, madje duke e konsideruar si një vlerë të çmuar diversitetin e mendimit dhe radhët e saj.

- Ju si djalë Labërie, duke marrë pjesë në shumë aktivitete të shoqatës në të katër anët e Labërisë, në këndvështrimin tuaj, cilat janë problemet më pikante të kësaj krahine patriotike?

- Pas kaq vitesh jete aktive në radhët e shoqatës “Labëria” besoj se kam mësuar shumë prej saj, kam shkelur me këmbë pothuaj të gjithë krahinën tonë, njoh më mirë historinë dhe resurset e saj, traditat dhe zakonet, njerëzit që jetojnë këtu. Ky bashkëpunim i ngushtë, por edhe puna ime prej botuesi më kanë ndihmuar që të njoh mirë edhe një sërë problemesh që kanë mbetur të pazgjidhura dhe ua kanë bërë gjithmonë e më të vështirë jetën njerëzve që jetojnë në këto zona. Së pari, fenomeni i emigracionit që ka sjellë braktisjen në masë të fshatrave dhe qendrave të tjera të banuara duke rrezikuar zhvillimin e mëtejshëm të krahinës. Pastaj mungesa e investimeve nga ana e të gjitha qeverive që kanë drejtuar vendin në këto 20 vjet, mbyllja sistematike e shkollave të mesme në ato fshatra që ekzistonin, mungesa e vendeve të punës, moskujdesja për mjedisin dhe shkatërrimi barbar i pyjeve, shpërdorimi i ujërave dhe kullotave dhe mungesa e plotë e infrastrukturës, veçanërisht e sistemit rrugor, ku pjesa më e madhe e tyre janë të paasfaltuara dhe të dëmtuara deri në mospërdorim.

- Sipas jush cili është problemi më imediat i kësaj zone, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të krahinës së Labërisë, kushtet klimaterike, zhvillimin ekonomik?

- Pozicioni gjeografik dhe natyra i kanë falur Trevës së Labërisë mundësi të mëdha për zhvillim dhe jetë normale, për shfrytëzimin e pasurive të vendit dhe zhvillimin e turizmit detar dhe malor dhe gërshetimin midis tyre, për zhvillimin tradicional dhe me metodat moderne të blegtorisë, apikulturës, vreshtarisë, frutikulturës. Por të gjitha këto kanë mbetur vetëm opsione, mundësi në letër vetëm për mungesën e vizionit të atyre që kanë drejtuar vendin deri më sot, për mungesën e politikave mbështetëse dhe inkurajuese të iniciativës private të njerëzve, për mungesë të infrastrukturës dhe rrugëve të qarkullimit e komunikimit me qytetet e krahinat e tjera. Zor se gjen, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Rajonin e Ballkanit një vend si Labëria ku gjen malin dhe fushat, pyjet dhe luginat, detin më të bukur dhe lumenjtë e gjithëllojshëm, klimën e shëndetshme dhe ujërat kurativë, por dhe mikpritjen e bujarinë legjendare të njerëzve që s’u përkulën kurrë dhe kanë qenë gjithmonë të gatshëm të  vetmohoheshin për vendin e tyre.

- A mendoni se politika shqiptare në përgjithësi, por kryesisht politika 4-vjeçare e tanishme e PD-së, e ka lënë paksa në hije këtë krahinë për sa i përket investimeve në infrastrukturë, gjë që ka sjellë deri diku dhe frenimin e turizmit masiv?

- Ky është një konstatim i drejtë, madje jo vetëm një konstatim i thjeshtë, por një akuzë ndaj qeverisjes së njëanshme në vitet e fundit, e cila nuk ka bërë pothuaj asgjë për Labërinë, duke i detyruar njerëzit të braktisin vendin e tyre për të kërkuar gjetkë një jetë më të mirë, duke u bërë shërbëtorë e punëtorë të rëndomtë në vendet fqinjë, në një kohë kur mund të ishin zotër në shtëpitë e tyre dhe faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e gjallërimin e vendit.

- Ju jeni drejtues i një prej shtëpive botuese shqiptare më prestigjioze “Toena”, dhe keni drejtuar Shoqatën e Botuesve Shqiptarë për më shumë se një dekadë, vitet e fundit a vihet re një kthim i shqiptarëve te libri, mund të na jepni shifra?

- Ne kemi konstatuar në vazhdimësi se shqiptarëve nuk u mungon dëshira për të lexuar dhe për t’u afruar te libri. Problemi është ekonomik dhe te leximi dhe afria e shqiptarëve me librin varet nga gjendja e tyre ekonomike, nga standardi i ulët i jetesës dhe vështirësitë e plotësimit të nevojave më imediate për të jetuar. Nga ana tjetër shqiptarët i qëndrojnë larg librit për shkak të mungesës së politikave kulturore të qeverisë, mosfinancimit të bibliotekave publikë dhe kufizimit të minimun të numrit të tyre, mosfunksionit të bibliotekave të shkollave, si dhe sistemit mbytës të taksave ndaj librit, të cilat janë aktualisht më të lartat ne Evropë, dhe ndoshta në të gjithë botën.

- Libri dhe shteti. Kultura dhe njerëzit e kulturës. Cili është mendimi juaj për Ministrinë e Kulturës, sa ju ka mbështetur ju si botues? A i ka ndihmuar ajo krijuesit? Roli i saj a ka qenë me një strategji të caktuar në interes të kulturës kombëtare dhe të artistëve, shkrimtarëve? Cili është vizioni juaj për këtë Ministri duke pasur parasysh se vetëm një popull me kulturë, mund të zhvillohet shpejt, mund të ruaj traditat e trashëguara në shekuj?

- Në fakt është një pyetje që përmbledh shumë probleme, përgjigjja e të cilave të sjell veç trishtim kur mendon sa pak është bërë dhe bëhet për kulturën në Shqipëri, sa pak vëmendje i kushton administrata shtetërore njerëzve që prodhojnë kulturë, sa pak (ose aspak) mbështetje i jep dikasteri i Kulturës iniciativës së individëve apo të grupeve të ndryshme që operojnë në fushën e kulturës. Mjafton të kujtojmë moszbatimin dhe mosrespektimin e Ligjit mbi Librin nga vetë ata që e kanë miratuar, marrëdhëniet 3-vjeçare te ngrira midis Ministrisë së Kulturës dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, por edhe krijuesve, aktorëve, kineastëve, artistëve etj. Mjafton të kujtojmë se për 3 vjet ministrat e Kulturës të kësaj qeverie jo vetëm nuk e mbështetën, por e luftuan me të gjitha mjetet e mundshme organizimin e panaireve kombëtare të librit, tempullin dhe demonstrimin më madhështor të arritjeve të botimeve shqiptare, mjafton të kujtojmë se me ligjet që mbajnë në fuqi strukturat administrative të këtij vendi ia kanë vënë lakun në fyt librit shqip duke i larguar shqiptarët nga libri, duke e penguar qëllimisht qarkullimin e librit midis shqiptarëve në Rajon, duke e penguar me të gjitha mënyrat depërtimin e letërsisë dhe kulturës evropiane dhe asaj përparimtare botërore në vendin tonë. Mesa duket në kokat e drejtuesve të këtij vendi akoma është i ngulitur koncepti se një popull injorant mund të sundohet më lehtë dhe se është e vështirë të mashtrosh dhe manipulosh një popull të ditur e të lexuar. Ministria e Kulturës ka vite që është vënë në shërbim të ithtarëve partiakë dhe miqve të drejtuesve të këtij dikasteri. Mjafton të shihni për këtë financimet që kjo ministri ka bërë 4 vjetët e fundit, të cilat as nuk guxon t’i bëjë transparente në faqen e saj të internetit, apo në botime vjetore, si ka ndodhur më parë.

- A ishte i drejtë vendimi i qeverisë për marrjen e Godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe kthimin e saj në Ministri? A nuk e meritojnë shkrimtarët një godinë për t’u mbledhur dhe diskutuar?

- Nuk është hera e parë që shteti sillet në mënyrë arrogante me njerëzit e kulturës. Duhet pranuar fakti që këtë masë të qeverisë e ndihmoi edhe shpërbërja dhe degradimi sistematik i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe rënia e saj në dorë të manipulatorëve dhe njerëzve që e shihnin këtë organizëm si mjet përfitimi personal dhe për allishverishe. Por, edhe nëse shteti e shihte më të arsyeshme që godina e Lidhjes së Shkrimtarëve të bëhej Ministri Kulture, mund të gjendej një vend tjetër për t’ua ofruar krijuesve për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Si shembull për këtë mund të merret kryetari i Bashkisë së Elbasanit, zoti Qazim Sejdini, i cili organizatës së krijuesve të këtij qyteti u ka dhënë mbështetje të vazhdueshme, madje edhe një mjedis, ku ata mblidhen rregullisht dhe e kanë kthyer në një qendër kulture dhe krijimtarie.

- Ju si shtëpi botuese “Toena”,  keni ekskluzivitetin e botimeve të krijimtarisë së Akademikut Rexhep Qosja, i cili është dhe kryetar nderi i shoqatës Labëria. Cili është mendimi i Qosjes për krahinën e Labërisë dhe si do ta komentonit ju si njohës i afërt i veprës së tij, debatin Qosje-Kadare?

- Rexhep Qosja është zgjedhur kryetar nderi i SHKA “Labëria” me kërkesën dhe dëshirën unanime të anëtarëve të kësaj shoqate që në themelimin e saj. Emri dhe vepra e tij i bën nder shoqatës sonë dhe Labërisë. Ai, jo vetëm njëherë ka bërë përshëndetje dhe vlerësime për krahinën e Labërisë dhe qytetet e saj. Mjafton të kujtojmë fjalën e tij të jashtëzakonshme në Kuvendin e Labërisë, që u organizua në Vlorë në vitin. ......., ku midis të tjerave ai u shpreh se “pa Labëri nuk ka Shqipëri”, “Vlora e ka bërë dhe e ka ribërë Shqipërinë” etj. Në veprën e gjerë dhe të shumanshme të tij ka vlerësime të çmuara për ngjarje, vende dhe figura të shquara historike, letrare  dhe kulturore të Labërisë, që janë pjesë e historisë së letërsisë dhe kulturës shqiptare dhe referenca të vlefshme në çdo kohë. Debati midis studiuesit Rexhep Qosja dhe shkrimtarit Ismail Kadare ishte një debat mbi identitetin e shqiptarëve, i cili, për fatin e keq, degjeneroi në një fushatë sharjesh e fyerjesh, edhe për shkak të ithtarëve dhe profanëve që u përpoqën të komentojnë debatin. Është folur, shkruar, diskutuar dhe debatuar shumë për replikën midis tyre. Unë do të mjaftohesha të shprehesha se debatuan akademiku, studiuesi, historiani i letërsisë, intelektuali e polemisti Rexhep Qosja me shkrimtarin e njohur, më të suksesshmin e para viteve ’90 dhe më të përkthyerin jashtë vendit Ismail Kadare. Si shihet Qosja studiues ishte në fushën e tij, Kadareja bëri një sprovë, si shkruhet edhe në botimin e tij.

- Në këndvështrimin tuaj cilat janë figurat më të shquara të Labërisë dhe cila është krahina e kësaj krahine që njihet sa e pushkës, po aq e penës,  por dhe e bukurive natyrore?

- Labëria ka nxjerrë në shekuj figura të shquara, sa herë koha i ka kërkuar; sa të pushkës dhe të penës; sa të fjalës, aq dhe të aksionit. Çdo periudhë ka nxjerrë figurat e saj lokale dhe kombëtare. Duhet enciklopedi shumëvëllimëshe që t’i përfshijë të gjithë. Ali Pashë Tepelena, Zenel Gjoleka, Bilbilenjtë, Ismail Qemali, Selam Musai, Memo Meto dhe heronjtë e dëshmorët e tjerë të LNÇL, janë vetëm disa prej tyre. Në kulturë ligjvënësit e Kuvendeve të Labërisë nga Gjonkuta deri te Ismet Elezi, (Hanko Halla), Neço Muka, Petro Marko e deri te krijuesit e studiuesit e sotëm. Çdo pëllëmbë e Labërisë ka historinë e saj të lavdishme. Por Kurveleshi me 15 fshatrat që e përbëjnë është zemra e saj, krahina e kësaj krahine, si e quani ju, për peshën që ka mbajtur dhe rolin që ka luajtur në shekuj si qendër e revoltës dhe kështjellë e pamposhtur në të gjitha periudhat e historisë.

- Një pjesë e mirë e lebërve tashmë janë në emigracion. Komenti juaj për këtë plagë të shoqërisë shqiptare dhe sa jeni të lidhur me krijuesit emigrantë?

- Puna ime promovuese me librin ka bërë që të jem shpesh me emigrantët në të gjitha shtetet ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Të detyruar të jetojnë larg vendit të tyre, shpesh të ndarë nga familjet, jeta e tyre është një kalvar i dhimbshëm, e mbushur me mund e dhimbje, me mall e shpresë se një ditë do të kthehen në vendin e tyre. Nuk janë pak, por gati një milion labë punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Mundi dhe djersa në vendin e tyre do të ishte një pasuri për veten e tyre, krahinën dhe gjithë Shqipërinë. 

- Kriza ekonomike botërore a ndihet aktualisht dhe te libri?

- Sa herë ndodhin kriza dhe paqëndrueshmëri politike në vend të parët që goditen janë libri dhe kultura. Këto dy muajt e fundit është evidentuar një rënie e ndjeshme e shitjes së librit. Njerëzit, të trembur edhe nga zhurma e madhe që po bëhet për krizën botërore, preferojnë të kursejnë sa më shumë nga të ardhurat e tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është shënuar një rënie 35 – 40 % të qarkullimit të librit.

- Flitet se “Toena” po përgatit një Enciklopedi për figurat e shquara të kësaj krahine. A është e vërtetë dhe mbi çfarë kriteresh bazohet kjo enciklopedi?

- Është e vërtetë, madje libri është dorëzuar për shtyp. Bëhet fjalë për një botim enciklopedik të parë të plotë për një krahinë. Libri do të ketë mbi 400 faqe, ka rreth 2200 zëra dhe përveç tre autorëve Prof. Nasip Meçe, Xhemil Çeli dhe unë kanë dhënë ndihmesën e tyre në grumbullimin e materialit rreth 30 vetë, të angazhuar në kuadrin e grupeve të fshatrave të Kurveleshit. Vetëm figura të shquara kurveleshase në këtë enciklopedi përfshihen mbi 1100 vetë, që nga lashtësia e deri më sot. Punë më serioze nuk është bërë ndonjëherë, duke pasur parasysh edhe rigorozitetin e kritereve që autorët kanë vënë që në fillim dhe janë bërë publike disa herë nëpërmjet shtypit, por janë të pasqyruara edhe në parathënien e këtij libri. Mendoj se çdo kurveleshas duhet ta ketë në shtëpinë e tij këtë libër, pasi kjo është historia e vërtetë e krahinës sonë të dashur. Autorët synojnë që ky libër t’i hapë rrugën botimeve të ngjashme të krahinave të tjera të Labërisë (si Lumi i Vlorës, Bregu etj.) në mënyrë që së shpejti të kemi mundësi të hartojmë një enciklopedi të plotë të Trevës së Labërisë.

- Ju jeni lab, por në radhë të parë jeni shqiptar. Sot diskutohet gjerësisht për çështjen çame. Afërsisht një shekull harresë. Labëria gjithmonë ka qenë përkrah çamëve në gjithë luftërat dhe vuajtjet. Cili është mendimi juaj për çështjen çame?

- Për çështjen çame ka një sensibilizim në rritje në vitet e fundit. Dhe kjo në asnjë rast prej politikës apo administratës shtetërore, por si rrjedhojë e vetë çamëve që kërkojnë të drejtat e tyre. Unë mendoj se është në të drejtën e tyre të kërkojnë pronat e tyre aty ku i kanë, në mënyrë paqësore, si po bëjnë deri tani, por edhe në rrugë juridike, duke iu drejtuar organizmave ndërkombëtare që trajtojnë çështje të tilla. Për të gjitha vendet e Komunitetit Evropian, ku bën pjesë edhe Greqia, prona është në themel të formimit të shoqërisë dhe shtetit dhe mbrojtja është gjëja më e shenjtë. Duke i parë si të tilla pronat e çamëve në Greqi unë kam besim se kjo çështje do të zgjidhet dhe se nuk do të ketë qetësi e mirëkuptim midis dy kombeve tona nëse kjo çështje nuk zgjidhet sa më parë dhe më drejtësi. Ripërsëris se zgjidhja e çështjes çame nuk duhet të jetë një çështje e politikës, si po veprohet deri më sot, por një çështje e drejtësisë.

- Dhe së fundi. 19 vjet tranzicion i tejzgjatur. Çfarë i ka munguar politikës shqiptare në këto dy dekada për të qenë më e qetë, më e bashkuar, më e butë, për të vënë interesat kombëtare mbi ato personale (pasi duhet thënë e vërteta si është, ndërkombëtarët kanë gjetur belanë me ne, me agresivitetin e politikës shqiptare ku gëlojnë 56 parti me 3 milionë njerëz!!!)?

- Në fakt i kanë munguar shume gjëra: përvoja, vizioni, përkushtimi, kultura e komunikimit, transparenca. Por mbi të gjitha këndvështrimi, duke e parë angazhimin në politikë vetëm për interesa personale, duke e parë politikën vetëm si mjet fitimi, një lloj biznesi, madje si biznesin më të lakmuar e më fitimprurës në një vend të pasur, por me njerëz të varfër si Shqipëria.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora