E diele, 28.04.2024, 11:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Shkrimtari Kostaq Duka dhe dashuria për vendlindjen

E shtune, 16.05.2009, 01:22 PM


Letërsia në Diasporë

Shkrimtari Kostaq Duka dhe dashuria për vendlindjen

Nga Alfred Papuçiu 

Një ditë prej ditësh, miku im në Florida, shkrimtari dhe poeti Thani Naqo, më foli për Kostaq Dukën. Ai së fundi më dërgoi një libër të tij me poezi , me titull „Trëndafili që çelte në Janar“ (Toena). Nuk e di por u entuziazmova me poezitë e tij të bukura dhe të arrira, sidomos edhe për dashurinë që shpreh në to për Atdheun dhe vendlindjen., si dhe për jetën në emigracion. Kam folur disa herë me të në telefon dhe jemi bërë si miq të vjetër. Ai ka lindur në qytetin e Korçës  në vitin 1952. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar për filozofi, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Poezitë e para i botoi në shtypin e kohës që në moshen 16-të vjeçare. Në vitin 1976 botoi librin e pare me poezi me titull ‘Thjeshtësi” dhe  në vitin  1998 botoi librin e dytë “Flas me barin” i cili merr shkas nga jeta e emigrantëve në Greqi. Përveç poezisë ka shkruar disa drama të cilat janë vënë në skenë nga trupa profesioniste e teatrit “A.Z.Cajupi”, Studioja për Aktorë dhe grupe të tjera teatrore të qytetit të Korçës.

Ishin vitet '60 -‘70 kur në Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ne Korçë, Pallati i Kulturës, me drejtor Petraq Zoton zjente nga veprimtaritë e shumta letrare dhe gjëja më e bukur ishte se ky pallat aktivizonte shumë letrarët e rinj të qytetit dhe fshatit. Aty ishte dhe një 'djalkë' që qëndronte pothuaj gjithmonë me një djalë tjetër më të gjatë se vetja e me flokë kaçurrela. Ata dy djem  ishin Kostaq Duka e Vangjush Saro. Në atë kohë Kostaqi  ishte një djalë i ri e i imët,  binte shumë në sy për harenë dhe gëzimin që mbarte. Kostaqi binte shumë në sy edhe për një gjë tjetër, për nga mënyra e kujdesëshme e krehjes dhe ndarjes së flokëve të tij të zinj e me pak honde. Vijza e drejtë në anën e majtë të flokëve të tij, ishte përherë e pastër dhe tmerrësisht e drejtë! Kostaqi nuk pati lejuar kurrë që t’i ngatërrohej qoftë dhe një fije floku midis ndarjes së flokëve pasi çdo fije floku qe "urdhëruar" të qëndronte e krehur lart ose poshtë, në vendin e saj! Mënyra e tij e të qeshurit, rregulli i mënyrës së veshjes, krehjes dhe pastërtisë së tij tregonin se qe një djalë i edukuar, nga një familje e mirë qytetare.
Qysh atëhere kanë kaluar shumë vite. Kostaqi banon me gruan dhe djalin e tyre që prej 9 vjetesh në Cikago. Atje nuk ka rreshtur së shkruari  poezi dhe të tjera shkrime. Eshtë themeluesi i revistës « Koha e re,  ku ka përfshirë shumë poetë emigrantë dhe jo emigrantë nga tërë bota shqiptare. Shoku i tij i vjetër,  shkrimtari Vangjush Ziko, shumicën e kohës ka qënë në Kanada pranë fëmijëve dhe me të shkëmben rregullisht telefonata dhe emaile. Përveç disa botimeve me poezi, ai ka sjellë për të gjithë ne përkthime me shumë vlerë nga gjuha ruse, nga Esenini, Pushkini dhe  së fundi dhe nje antologji voluminoze me poezi të zgjedhura. Po kështu ka mbajtur kontakte të gjalla me Skëëder Rusin qe padyshim është një nga lirikët më të mirë të brezit tonë, me Thani Naqon që banon në Largo të Floridës e që nuk shterr  së shkruari. Gjithashtu ai ka qënë redaktor pëë librin « Qyteza dhe njerëzit e saj », botuar nën kujdesin e shoqatës Qytezare Përparimi të Cikagos. Kohët e fundit po jep një ndihmesë edhe për botimin e revistës "Rreth nesh" , botim i realizuar nga Aleanca Shqiptare-Amerikane e Cikagos.
Kostaqi nuk harron edhe ato takime të ngrohta për Korçën, poezinë e artin tek klubi i Petrika Konomit, ku një grup intelektualësh e artistësh rrihnin mendime si ta nxirrnin Korçën nga plogështia. Nga ato diskutime mori udhë një veprimtari aq e bukur që organizohet çdo vit në Korçë "Netet e poezise korçare", për të cilën ka qënë e  dukëshme puna me pasion e poetit Skender Rusi dhe regjisorit Dhimiter Orgocka. Ai e vlerëson të dobishëm angazhimin së toku me poeten Kozeta Zylo dhe me Agim Bacellin, për botimin e përmbledhjes poetike "Zemra prindërore", me poezi kushtuar prindërve, ku morën pjesë 50 autore. I biri, si i jati vazhdon të shkruajë. Ai kur studionte për gazetari botoi disa poezi në revistat e Kolegjit, të cilat u mirëpritën. “Por pasioni shprehet në këmbëngulje e punë të përditëshme”, shprehet ai . “Arti të do zemër e shpirt. Ai ka tani interesa të tjera për jetën. Si shumë e shumë te rinj biznesi është magnet më i madh. Nuk e di më vonë. Sidoqoftë është rruga e tij dhe unë e vlerësoj dhe e dua së tepërmi ».

Kur e pyet për jetën private, ai përgjigjet: „E zakonshme si e shumë emigrantëve të tjerë. Punojmë shumë por edhe përpiqemi të takohemi me njeri tjetrin, të « mbushim » atë boshllëk që krijohet vetvetiu larg mjedisit, fqinjësi, shoqëri e miqësi e afërt që në Shqipëri është me « bollëk ». Veç interneti na bën që edhe me miqtë e vjetër në Shqipëri e kudo në botë, të mbetemi fqinjë, me përjashtim që s’kemi ku e pimë një kafe a një birrë Korçe“.
 Kostaqi nuk është më ai 'djalkë' merakli pas 'leshkave', pasi shumë prej tyre i kanë ikur 'pa leje' për të mos ju kthyer më. Për të mësuar më shumë për krijimtarinë e Kostaq Dukës të sotem  le t'ja lemë fjalën vetë atij, me këto dy skica letrare, dërguar enkas për gazetën « AMC PRESS »..
 
Thërrime jete mbetur në xhepat e kujtesës.
 
.....Një banane.

Kostaq Duka
 
Kisha vetëm pak muaj që kisha mbritur këtu në rrethinat e Cikagos.Ende i paambjentuar mirë, pa makinë, mbasditeve e kisha bërë të zakonshme shëtitjen në anë të një parku, ku për habinë time vareshin degët e manave të kuqe. Kokrat e tyre janë më të vogla se të manave të Drenovës e Boboshticës së Korçës, nga të cilat nxirret ajo raki e famëshme , e blertë dhe e sertë. Edhe trungjet e pemëve nuk e kanë atë pamjen e frikëshme, me trajta te përçudnuara të manave të vjetra të Drenovës. Janë me trajta të rregullta, te qeta si të pemëve të zakonëshme dekorative nëpër parqe.
 
Për kënaqësinë që më jepnin këto shëtitje nën degët e manave e ftova dhe një mikun tim biznesmen nga Shqipëria, që porsa kishte ardhur,  të dilnim andej një mbasdite. Edhe ai u habit kur i tregova manat. Mori një kokër dhe e provoi. « Qënkan njëlloj të shijshme », tha . « Po a i mbledhin për raki? «

Qesha, veç në u kujtoftë ndonjë shqiptar. I shpjegova se askush s’prek gjethet e jo me kokrat. Drurët dekorativë janë po, aq të vlefshëm sa monumentet....
 
Kur në anën tjetër, shohim një burrë të moshuar në drejtim të kundët të lëvizjes sonë. Shikonte  nëpër pemë, mbushte dorën me mana dhe i rrufiste në gojë. Ç’të ishte. Me siguri thashë me vete ndonjë shqiptar....Dhe vërtet, kur po afrohej miku im i thirri me emër e me shaka shtoi : « Mos të duket vetja se je ne Drenovë? « Tjetri sikur u zu ngushtë. « Po më ndiqnit? Ç’të bëj, s’rrihet në shtëpi, dal nganjëherë këtej,  çoku lag gojën me këto manat ».

Miku im që e njihte nga afër, donte ta ngacmonte nga pak. « Do më thuash të drejtën: Çfarë të mirë shikon ti në Amerikë? »

 Tjetri  s’e priste këtë pyetje dhe u mblodh si një nxënës që s’di të hapë librat. Por pastaj gati me gjithë mushkëritë, me zë të plotë u përgjigj: « Çfarë të mire? Po ja, hamë më mirë ».

Miku im s'u përmbajt. Shpërtheu një të qeshur që shkundi tërë trupin e tij të shëndoshë. « Pse për një të ngrënë,kapërceve tërë atë oqean ti ?! » - tha. Kësaj here tjetri u nxi sikur të kishte thënë budallallëkun më të madh të botës, pa nga unë si për të kërkuar mbështetje....Por miku im i hodhi duart supeve e ndroi temë, duke kujtuar Korçën...

Ata flisnin dhe unë vetëtimthi e çova mendjen tek dy, tre  vite perpara, tek pazari i zhurmshëm,  ekzotik i Korçës. Gati çdo ditë më shumë për "argëtim", kalim kohe se sa blerje,  shkonim me gruan tek pazari, ku tezgaxhinjtë luajnë tërë gjallëri, të shkathët e plot lëvizje artin e shitjes me pakicë. Pasi kishim bërë një shikim në të tëra qoshet, në  të dalë u ndalëm tek tezga e bananeve. Tezgazhiu me të na parë e ngriti zërin: « Banane të shijshme, me peshë dhe copë! «

Pyetëm për çmimin. Për xhepin tonë ishte i kripur. Ikim i thashë gruas. Ajo nguroi: “po të paktën të marrim vetëm një banane për djalin”. Tezgaxhiu e dëgjoi dhe nderi drejt nesh një banane, me një shikim ku lexohej mendimi"Po këta edhe s’kanë lekë dhe u afrohen bananeve...." E morëm një banane që në trastë ngjante si të ishte nje peshk i vogël....”Ej! me tha miku ,ku e ke mendjen? “Çfarë t’i thosha? Te bananja, tek manat e Drenoves, qe vleresohen "pasuri" e patundeshme e jo drurë dekorativë, tek pazari ku perditë peshohet në kandar vlera e mbiekzistencës së jetës së zakonshme të përditëshme?!....

Trembësi i ariut
  (skicë)

Ishte i ashtuquajturi viti i stazhit, pas përfundimit të studimeve të rregullta universitare. Unë ëndrramadhi, që edhe pse për filozofi,  më shumë rrija me studentët e  gazetarisë, letërsisë dhe artit dramatik, pas zhgënjimit të parë për mos emërim në televizion, ku thuhej se më kishin shkuar dokumentat. U shokova kur në një dhomë të ngushtë, diku në zyrat e arsimit, përgjegjësi i kuadrit mes një gumbulli të ngjeshur më njoftoi emërimin: mësues historie dhe gjeografie në shkollën tetëvjeçare të Velçanit të Gorës. Ato kohe Gorën, Oparin e zona të tjera të thella malore i kisha dëgjuar vetëm për emër. Ç'të thosha? Ishim të rinj dhe e panjohura na tërhiqte. Ja kështu  një herë në javë , me disa mësues të tjerë me banim në Korçë,  u hipnim prapa makinave që shkonin për t’u ngarkuar me dru,  thellë në Bofje të Gores. Ndalonim në Lozhan dhe pastaj fillonim të përpjetën në nje shteg të ngushtë mes lajthive. Atë udhetim, s'e fsheh e kujtoj me nostalgji, kur këtu në Cikago nuk shikoj një kodër e jo më një mal....
              Më caktuan mësues kujdestar në një klasë të gjashtë. Nxënësit veç Velçanit vinin edhe nga Selca dhe Mesmali i larget. Që nga sheshi i shkollës shikonim tufëzën laramane të fëmijve të zbriste   mes deborës,  nga një lartësi që humbiste tej. E mes këtyre fëmijëve të vegjël të binte në sy një djalë, që të habiste për përmasat e trupit:shpatulla të gjëra, trupngjeshur e muskuloz, me dy sy të mëdhenj që i rrotullonte sa andej, këtej, me këpuce të mëdha e pantallona të lidhura për fundi me spango, që të mos fusnin dëborë, me një xhaketë të vjetër por të trashë që i rrinte e ngushte e për të mos futur erë e kapte në dy anët me tela. Ishte i qeshur dhe i zhurmshëm, por edhe ngacmues, si ndaj djemve edhe vajzave. Me të parët e ndizte sherrin në çast dhe s’pertonte të vinte në përdorim grushtet. U përpoqa ta mbaja pranë. E caktova përgjegjës per rregullin e disiplinën. Por e teproi, në zbatim të " detyrës" u shndërrua në diktator. Rrahu disa. E hoqa nga kjo detyrë dhe m’u merzit...E keqja më e madhe ishte se edhe librat rrallë i hapte. Sidoqoftë në përgjithësi nuk mungonte. Por  aty nga mbarimi i vitit shkollor vura re se çdo mëngjes ndihej jo më i gjallë, por tejet i lodhur, me sy të skuqur dhe krejt i papërqëndruar. S’dija si ta shpjegoja. Dhe po bëhesha gati të dialogoja me të...Kur gjatë shpjegimit vura re se koka e tij e madhe me flokë të dendur, kafe e të  shpupurisura, u var mbi bangë.Ne çast ra në gjumë me nje gërhitje që shkaktoi të qeshura tek nxënësit. U bëra shënjë të heshtnin. Dhe ata heshtën. Ai s’u përmend . Si është puna me Pertefin, thashë. Të gjithë e dinin që kisha dobësi për të, ndaj u shprehën me kujdes. Mësues, Pertefi tërë natën tremb ariun në arën e tij me misër, prandaj e zuri gjumi.Çfarë? Mbeta i pataksur. Që në Gore kishte arinj e ujq, kjo s’vihej në dyshim, por që të ishin kaq sheshit kjo më habiti. Po thanë ata, duke u çuditur me pataksjen time, sikur kishin folur per Alaskën. Ariu e  ka bërë udhë një e dy e në arën e Pertefit. Babai e urdhëroi pas kësaj atë të vejë çdo natë në arë e të përplasë  kapakë tenxheresh të mëdha që të trembë ariun. Dhe ariu trembet?-thashë. Po....largohet ngadalë nga ara e tij. Pertefi u zgjua kur ra zilja. Historine e trembjes së ariut s’ja përmenda atij që vetë ishte një arush i vogël. 
Vitin tjetër unë u largova nga Velçani e fillova punë si gazetar. Trembja e ariut nga një fëmijë trembëdhjetë vjeçar me kapakë tenxheresh, i vetëm, natën, në një arë me misër ka mbetur si një  thërrime jete në xhepat e kujtesës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora