E shtune, 27.04.2024, 03:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Dritero Agolli: Koha e poetëve po vjen nën dajakun e politikës

E shtune, 16.05.2009, 11:25 AM


Agolli - Spahiu
Dritëro Agolli shkruan ekskluzivisht për “Telegraf”

Nga Dritero Agolli

Koha e poetëve po vjen nën dajakun e politikës, Me helikopter drejt spitalit të Xhevahir Spahiut, Ja çfarë shkrova kur policët rrahën barbarisht Xhevahir Spahiun

Xhevahir Spahiu është një poet i rëndësishëm në poezinë shqiptare të kohëve moderne. Krijimtaria poetike e tij përshkohet nga ide përparimtare të përcjella nga një formë bashkëkohore me mjete të pasura artistike që janë vetëm të tijat dhe jo të huazuara prej ndonjë tjetri. Materia e tij poetike nuk i ngjan pëlhurave dhe stofrave të prodhuara nga fabrikat e kohës dhe të qepura sipas modës. Me këtë dua të them se Xhevahir Spahiu ka kartën e identitetit të tij poetik. Për atë arti modernist i stisur është si një supë lakre e zierë dy herë. Uni dhe nervi i tij poetik kanë një zemërim të shkallëzuar gati të përhershëm por herë-herë shfaqet edhe ndonjë kokrrizë buzëqeshje e kursyer, si e një rebeli të këndshëm. Mbi të gjitha poezia e tij vlon nga një dinamikë kontradiktash në unitet, nga një lëvizje sendesh dhe fenomenesh në përplasje me njëra-tjetrën. Po jap dy shembuj nga poezitë e tij:
 
"…U kam borxh të gjallëve,
U kam borxh të vdekurve,
Gurin e varrit e shes
Të laj borxhet.
 Dhe vë pikën këtu.
 Tani mund të flisni
Për borxhet që më keni ju".
 
 Këto vargje me ndjenjën e pakënaqësisë e mbyllin vjershën e sipërpërmendur. Në vargjet mbyllës të poezisë tjetër, "Muret", kemi një lojë sarkastike kontrastesh:
 
"…A thua me mure në një ditë kemi lindur?
Ngrihen për t’u shembur,
Shemben për t’u ngritur".
Poezia e Xhevahir Spahiut për nivelin e saj ideor dhe artistik ka vlera të larta dhe të qëndrueshme përballë erërave të furishme të kohës, prandaj edhe gëzon simpatinë e shumë lexuesve. Këtë e tregoi edhe shqetësimi i gjithë shoqërisë për sëmundjen e tij. Jo vetëm shkrimtarët, artistët dhe miqtë e të afërmit, po edhe qytetarët që nuk e kanë njohur nga pranë, i urojnë Xhevos shërim të shpejtë e të plotë.
 
Dritëroi-Xhevahiri
 
Biseda e fundit në telefon, kur Xhevahir Spahiu ndodhej në spital
Agolli: Si je o Xhevo?
 Xhevahiri buzëqesh me zë
 Agolli: Jam Dritëroi, mos u mërzit Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpiesh poezinë në një shkallë më të lartë, do të bësh një poezi të çuditshme.
 Xhevua hesht dhe buzëqesh lehtazi
 Agolli: Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. M’u duk se e humba poezinë por m’u hap një vidhë në tru, vidha e të shkruajturit aforizma, d.m.th, fjalë të urta.
Xhevua qesh e thotë: Ashtu…
Agolli: Nuk dua të shqetësoj. Së shpejti do të vij të vizitoj me helikopter se këmbët mezi më punojnë.
 
 Poezi pas rrahjes barbare

Poezia e mëposhtme është shkruar nga Dritëro Agolli atë ditë kur poetin Xhevahir Spahiu e kanë rrahur barbarisht përfaqësuesit e SHIK-ut. Ja çfarë shkroi atë ditë Agolli:

Poeti i fyer
 (Xhevahir Spahiut)

 
Poeti natën kohën shtynte
Dhe sillte vargje nëpër mend,
Kulloste hëna dhe përtypte
Mes yjesh fijet me argjend.
 
Poetit, tretur nëpër erë,
I dukej qielli si livadh,
I dukej hëna si mushqerë,
Që pinte ujë e hante bar
 
 Ai përhumbej mes lirikash
Prej botës larg si çdo poet,
Kur i treguan katër shikas
Realitetin krejt konkret.
 
Me kafshëri nën mur e çuan
Dhe katër kafshët kthetrat qitën,
Nga qielli hënën e rrëzuan,
me copëra hëne e goditën…
 
Në çast në shpirt iu fik feneri,
Që joshte mall e ndizte hov,
Dhe ra poeti rob i nderit,
Siç thoshte bardi Lermontov.
 
Poeti i fyer vari kokën
Kur hëna shfryu si dinamit,
Nga larg dëgjoi në mjegull Lorkën
Limon të zverdhur dhe mehit:
 
"Ky fis i shikasve një natë
U derdh mbi mua si mbi ty,
Në gjak u mbyta në Grenadë,
Grenadën më se shoh me sy.
 
Ah, krejt pas shikas bota s’mbetet,
E ndrydhte botën me pahir
Dhe rrahën bardët dhe poetët,
Vëlla i dashur, Xhevahir!"….
12 mars 1997



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora