E shtune, 27.04.2024, 07:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Ahmet Selmani

E shtune, 16.05.2009, 11:47 AM


Ahmet Selmani
Ahmet Selmani
Ahmet Selmani ka lindur më 7 mars 1965 në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta për letërsi - në Universitetin e Prishtinës, ku i ndoqi edhe studimet postdiplomike.
Me krijimtari letrare nisi të merret që nga bankat shkollore, së pari duke botuar në revistat për fëmijë “Fatosi” dhe “Gëzimi”, e pastaj edhe në gazetën “Flaka” e në revistën “Jehona”. Më vonë punimet e tij nga fusha e letërsisë, kritikës letrare, si dhe studimit të letërsisë janë botuar në shumë revista dhe gazeta që dalin në mbarë hapësirën shqiptare dhe në mërgatë.
Një kohë të gjatë ka punuar si gazetar i kulturës në të përditshmen “Flaka”, pastaj redaktor i kulturës, redaktor i botimeve, komentator dhe, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i saj.

Deri tani ka botuar këta libra:

“Poezia dhe individualiteti” (studim letrar - 1996,
“Tregu i djallëzisë” (tregime - 1998)
“Bashkëbiseduesit e mi” (intervista me shkrimtarë – 2000
 “Diskurs kritik” (studime, ese, artikuj - 2004)
“Mur i gjallë” (poezi - 2005), “Abeja e akullt” (poezi - 2009)

Përveç krijimtarisë letrare, merret edhe me përkthime. Deri tani ka botuar: Drago Shtambuk: “Gishti i perëndisë” (Nga kroatishtja në shqip); Drazhen Katunariq: “Kthimi i barbarogjenive” (Nga kroatishtja në shqip); Rifat Kukaj: “Dreri me një bri” (Nga shqipja në maqedonisht); Sali Bashota: “Nëse bëhem engjëll” (Nga shqipja në maqedonisht); “Si të komunikoni me mediat” (Doracak për gazetarë) (Nga maqedonishtja në shqip) etj.
Është pjesëmarrës i shumë simpoziumeve, konferencave, debateve shkencore, si dhe i takimeve e i festivaleve brenda dhe jashtë vendit.
Po ashtu është edhe fitues i disa çmimeve letrare nëpër revista e gazeta, për poezi, prozë, kritikë dhe ese, si dhe fitues i çmimit për poezi më të mirë në Mitingun Poetik të Gjakovës (2006).


KRYEMËSIMI
(ose ninulla e jetës)

Ah
historia, historia
(phu ai horr që e shkroi!)
ç’është kjo përrallë kaq e pacipë
ti biri im, qëndro sa më larg saj
nuk të vë dot në gjumë
se pastaj gdhihesh
mbrapsht

bares ta gjej
historinë, historinë
(që s’u shkrua kurrë!)
është përrallë e padëgjuar
ti biri im, qëndro sa më afër saj
ta bësh gjumin e qetë
që të marrësh
mbroth

DUKE MËSUAR VETEN
(ose zgjimi i hershëm)

Kujdes,
i them vetes,
pse t’ia mësysh kot
rrugës bredh gjithkush
para se të hedhësh hapin
mblidhe mendjen njëherë
paçka se bëre gjëra të mira
s’e di që i ziu s’ka tjetër punë
të qëllon atëherë kur s’e pret
eh sa keq mund të plandosesh
ta pësosh si Shtjefën Gjeçovi
pse të biesh në kurth kaq i ri
tani ka rëndësi të jetosh
jo të vdesësh qençe
ato që s’i bëre sot
mund t’i bësh nesër
mos i beso frikës
por ec me kujdes
mësohu të jetosh
gjithnjë syçelë
të ligun lëre
le të plasë
në pusi

STINË E HUAJ
(ose gjumi i jetëvdekjes)

Pse më thua të jetoj
kjo nuk është stina ime
a nuk sheh sa i huaj dukem
jam i vockël edhe para mizës
unë kam lindur për tjetër stinë
ndaj do bie në kllapi si arusha
ta shtyj kohën i gjallëvdekur
gjersa të vijë ora ime fatlume
atëherë të zgjohem ngadalë
e t’ia nis të jetoj
ballëlart

ENGJËJT E ZI
(ose ora e vrasjes)

M’u tha goja
duke pështyrë mbi engjëjt e zi
do t’i ndjek si djall me një këmbë
do t’i vras me helmin e dhembjes sime
sa më ka marrë malli të bëhem vrasës
e di që pastaj do tregojnë me gisht
o sa gjë e bukur kur do thonë:
ja, sa krenar po bredh
vrasësi i engjëjve të zi

FLUTURA NË GJOKS
(ose thikat e engjëjve)

Engjëjt
më gjuajnë me thika
mbi gjoksin me plagë
ndalet një flutur e bardhë
ik i them gjithë psherëtimë
pse t’i hash ti thikat e mia
ata janë bërë të marrë
i ka zënë gjaku i zi
s’pyesin kush je
as ç’kërkon
ku shkon
ke
apo s’ke
faj

jo
s’largohem
më thotë flutura
s’ndiej për engjëj të tillë
as për thikat e tyre të helmta
kam ardhur pas luleve të njoma
sa bukur të kanë mbirë në gjoks
dua t’i lag buzët e mia të thata
e t’ua thith pjalmin e ëmbël
aherë nëpër trupin tënd
do çelin aq më shumë
do dukesh më i madh
engjëjt do thyhen keqas
të gjithë do pëlcasin
pranë thikave
të tyre

ORA E SHPËTIMIT
(ose ëndërr ikanaku)

Nuk dua
të lodrojnë mbi mua
gjakun të ma thëthijnë
trupin të ma shkrumbojnë
do t’u shkas nga duart e zeza
e t’i flak si qenie të ngordhura
dhe ashtu të rravgoj pa bëzajtur
të degdisem larg syve të botës
kurrsesi nuk dua të dukem
si krijesë e mjerë
veten nuk
e shes

do iki
nga sykëqinjtë
e të vithisem në hon
të thërrmohem si dhé i thatë
mandej le të çirren sa të duan
punë e madhe se do më ndjekin pas
madje as dy gurë të mos i lënë tokthi
le t’i pyesin edhe engjëjt edhe djajtë
unë njëmend do iki nga kjo ligësi
s’dua ta shoh kopenë e babëzitur
ehehehehehehehehehehehej
tani erdhi ora e shpëtimit
vdekja është më e bukur
se jeta

DËSHPËRIM I ZOTIT
(ose këngë pendimi)

Njeriu
ah njeriu
seç iu vërsul edhe zotit
ia rrëmbeu parajsën dhe ferrin
në emër të tij vepron lirshëm
s’e gjen asnjë
e keqe

njeriu
ah njeriu
flet i përçartur
të gjithë i bën të dridhen
paçka nëse ndokush e mallkon
ai di të ndëshkojë
dhe të shpërblejë

njeriu
ah njeriu
rend turravrap në jetë
me ferrin e parajsën në duar
fuqiepërmi ka rënë në hall
dergjet si skllav në qiell
ndaj pyet i dëshpëruar:
ç’mu desh që bëra
këtë pjellë
të mbrapshtë

NEVERIA E SKLLAVIT
(ose thirrja e fundit)

Ditët
po m’i ha nata
i vjell mbi mue
e unë ende kujtoj
se po m’lag shiu
heu ku je vdekje
që m’paske
harrue

CONTRA
(ose hija e vdekjes)

Më kot
i flakni ato koka
një nga një i mbledh
i ringjall si Shën Donati
që sërish t’ju dalin përpara
pastaj asnjëherë të mos i rrëzoni
se hijet e tyre ju ndjekin si shpatë
e s’ju lënë të qetë as në ëndrra
ju tmerrojnë edhe në kthina
kokat më përkasin mua
juve ju mbetet turpi

PAKËSIMI I SHQIPONJAVE
(ose kënga e zhbërjes)

Ky dhé
gjaknxehtë
derën e mba të hapur
të pret me bukë kripë e zemër
po shqiponjat prapë e hanë njëra-tjetrën
pa fije turpi bëhen mish e gjak nga zilia
tryezën e përmbysin para syve të zotit
s’ka kush ua prish lojën hijerëndë
të mbyt vaji tek i numëron të gjorat
sa të duash mund të llahtarisesh
ato gjithnjë po pakësohen
po pakësohen
pakësohen
…!?

ABEJA E AKULLT
(ose zgjimi i Faik Konicës)

1.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
ju kërkova dy metra vend
edhe harxhet ua lashë të gjitha
pse më mbyllët në vetmi të ftohtë
jam duke plasur nga ngushtësia
sa keq po tkurrem e kërcëlloj
ç’është ky mot kaq i egër
mos vallë atdheu
qenka bërë
akullnik

2.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
nuk më habit ky ndëshkim
më habit ferri që e shoh
e kam ditur të zjarrtë
po ky qenka i akullt
seç vuaj një dënim
të mbrapshtë
për punë
të mbarë


3.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
sa e sa herë ju kam thënë
njeriu godet më keq se djalli
pse nuk më besuat asnjëherë
se jemi armiq për njëri-tjetrin
tani qani si murgj të mërzitur
kush na ka faj që s’afrohemi
ndodhemi në stinë të ligë
duart na ngrijnë
nga fërtyma

4.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
kam frikë do plasni nga mërzia
fundja besoni që ashtu qenka shkruar
mos u lemerisni nga kjo gjuhë e shprishur
ndryshe s’bëzaj në mbretërinë e vdekjes
më mirë do ishte të mos isha fare
se ua plasa shpirtin
edhe juve

5.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
kaq shumë jam mërzitur
më thoni sa mote i bëra këtu
apo ndoshta s’ka fund kjo hata
pse nuk bëni asgjë prej gjëje
ju ka dënuar perëndia
apo s’ju lënë njerëzit

6.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
si s’më sollët asnjë lajm
sa shumë u bë që s’jemi parë
s’besoj që s’ju ka marrë malli
mua më treti gjer në palcë
po si ta shuaj të shkretin
jam bërë vetëm borimë
zjarrit ia kam harruar
hijen

7.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
seç më griu kjo thëllimë
trupin ma bëri trohallë
kur të takohemi një ditë
a thua do më njihni
apo do dukem
tmerr i gjallë

8.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
mos më lini të ngrirë
më hidhni pakëz prush
të tretem mu para syve tuaj
se mund të humbas pa gjurmë
të mos pëshpëritet më asnjë fjalë
të mos mbetet asnjë copë ashti
pastaj si do t’u thoni breznive
se patët një mik

9.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
po shkrihem pak nga pak
fund e krye kulloj si gur i lëvarur
ju përulem që më nxorët nga ferri
e më shpëtuat në fund të stinës
po pse s’më kthyet në atdhe
nuk gjetët një copëz vend
apo kaq i tepërt
paskam qenë

10.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
vallë pse s’ju shoh askund
jeni tretur nga faqja e dheut
dikur qemë shumë të afërt
po tani si ka mundësi
të jemi kaq të largët
edhe sa kohë
do të jemi
të huaj

11.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
ç’kërkoni në botën e Hadit
edhe aty jeni pranë njëri-tjetrit
veç prapë na tretë dheu i huaj
pse na ndjek ky mallkim i zi
ne nuk e deshëm atdheun
apo ai s’na honeps
fare

12.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
ju neveriti bota e andejme
ndaj morët udhën e këndejme
atje nuk gjetët një shtrojerë
dhe klithët me psherëtimë
më mirë në duart e zotit
se në duart e atdheut

13.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
mos e hani veten kotas
me gjithë marrëzitë e mëdha
bëmë edhe shumë gjëra të mira
po atdheu nuk na mori në gji
nëse vërtet nuk iu deshëm
do ta zërë buka
që ia dhamë

14.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
sërish po flas me pikëllimin
atdheu edhe kur na e kthen shpinën
s’kemi të drejtë ta mallkojmë
besoj që me zemër na do
paçka se me gojë
s’na flet

15.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
nga anadeti fryn ojniku
më duket se na thërret një zë
paska ardhur dërgata e engjëjve
do nisem krejt i shkërmoqur
dy metra vend do m’i japë
të prehem i qetë
e shpirtin ta lë
të fluturojë

16.
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
shihni si po më hapen dyert
a thua në ç’kohë kemi shkelur
atdheut i flas me gjuhën tonë
ai mezi ma kthen një fjalë
unë shkrehem nga gëzimi
ai ka turp të afrohet
sa i huaj që i dukem
o zot o zot o zot
edhe sa do pres
ta puth në ballë
….?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora