E shtune, 27.04.2024, 11:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Gazmend Krasniqi: “Asgjëtë e vogla të Zotit” (Intervistë)

E shtune, 16.05.2009, 02:27 PM


Gazmend Krasniqi
Gazmend Krasniqi
Intervista
Gazmend Krasniqi
Romani i fundit, i sapodalë në qarkullim “Asgjëtë e vogla të Zotit”
Botues: OMSCA-1

Si u shkrua ky libër?

Jo vetëm Asgjëtë e vogla të Zotit, por të gjithë romanet e mi janë ngritur mbi një imazh. Respektivisht, Një njeri që i bie në dorë arkërkuesi (Eldorado), Një njeri që thyen tabunë i pari (Apokalipsi i Analtës), Një çift në Bar (Bar Parajsa) – i paraprijnë imazhit: Një poet përballë qytetit të vet. Edhe ky imazh, si të tjerët para tij, nuk ka një datë të saktë: për shumë vite ka hyrë e ka dalë lirisht nga kujtesa ime. Energjia dhe forca e tij kanë qenë vetëvepruese, pasi herë-herë doja ta largoja, që të mos vinte kur donte ai, sepse më pengonte për punë të tjera, herë-herë doja ta merrja në konsideratë dhe ta analizoja. Me kohë, shihja se njeriu i imazhit filloi të merrte trajtë dhe të individualizohej: nuk pranonte të rrinte dokudo, por vetëm përballë një qyteti dhe një kohe që i njihja. Ky qytet qe Shkodra, ndërsa koha qe ajo që e quajmë demokratike. Njeriu pa fytyrë qe gjithnjë e më i aftë që ta pushtonte përfytyrimin tim, derisa filloi të bëhej e qartë se duhej të bëja diçka për të, duhej të bëja të dallueshëm shqetësimin dhe preokupimin e tij njerëzor.

Si mund të lexohet ky libër?

Libri mund të ketë disa nivele leximesh. Një lexim, besoj unë, është thyerja e mitit të poetit të socrealizmit. “Poezia - këto fjalë mbajnë firmën e Ismail Kadaresë dhe i përkasin një interviste të dhënë kohët e fundit në një organ letrar parisien - në të kundërt me atë që thonë shkrimtarët e ish-bllokut të Lindjes, që e prezantojnë si avangardë të letërsisë, ishte turpi i letërsisë. Pjesa më e turpshme, më deklarativja, më entuziastja, më socialistja, më komunistja, më idiotja. Të gjitha vendet komuniste mundohen të mbrojnë poezinë, të tërheqin antologji poemash nga qindra-mijëra ekzemplarë dhe... por nuk dua të flas, kjo ma pështiros të gjithën. Në fakt, mendoj se poezia është më fajtorja mes zhanreve letrare në bllokun e vjetër komunist. Ishte më agresivja, më pozitivja për sistemin.” Fjalët e mësipërme na kujtojnë se realizmit socialist shqiptar i detyrohemi me një duzinë poetësh të tillë, që publikohen vazhdimisht në antologji 500-600 faqesh, apo libra të  veçantë, shpesh me një ngulmim të çuditshëm për ta nxjerrë atë si “periudha e artë” e letërsisë shqipe. Padyshim, studiuesit dhe vlerësuesit e këtij prodhimi letrar janë vetë pjesë e tij, çka, fatkeqësisht, tregon se edhe për disa vite letërsia shqipe do të jetë pre e kësaj gjendjeje kaotike me autorë pa vepra.

Cila është mënyra e realizimit?

Me anë të parodisë. Në krahasim me lëndën e planit të dytë (e cila është në kujtesën dhe edukimin e lexuesit), lënda e planit të parë (histori apokrife) mëton të ngrihet si një seriozitet i ri, si një autenticitet i ri, të cilët zëvendësojnë seriozitetin dhe autenticitetin e prerë mimetik (imitues).
Teorikisht, nga historia dimë se, si formë letrare, parodia merr pjesë në zhvillimin dinamik të letërsisë kur një traditë prek fundin e vet, kur kësaj tradite i shterojnë formulat dhe skemat shterpë. Sintezat e fituara shfaqen për të përtërirë forma të reja, sepse, ndryshe nga satira, e cila është thellësisht sociale në qëllimësinë e saj, parodia është pastërtisht formale: që në origjinën e tij, akti parodik është shmangia nga një normë letrare, duke e mbajtur përbrenda, në plan të dytë, këtë normë. Në këtë mënyrë u bë modeli i romanit që njohim sot e kësaj dite një libër si Don Kishoti i Servantesit, i cili, pasi e theksonte vetë autori, ngrihej mbi sfidën ndaj romaneve të atëhershme kalorësiake.
Kjo metodë, apo formë e mishërimit të tekstit - shkrimi që sjell, në mënyrë të pandërgjegjshme apo jo, tekste apo burime tekstesh të tjera në tekstin e planit të parë - e quajtur sot intertekstualitet, jep dorë për pranëvëniet, ndërfutjet dhe mbivendosjet, të cilat janë thelbësore në shkrimin e këtij libri.

Duket menjëherë se romani karakterizohet nga një formë e re, e veçantë dhe e pazakontë në letrat tona. Nuk kishit frikë se po rrezikonit me këtë mënyrë?

Kjo çështja e formës së shprehjes, nga romani në roman, është preokupimi im i vazhdueshëm. Unë mendoj se vetëm gjetja e duhur e formës së shprehjes e bën jetëgjatë një vepër arti. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë që thashë më sipër, e tregova me druajtje dorëshkrimin te botuesi im, OMSCA-1, zoti Luan Pengili. Ai mendonte ndryshe. Dhe kishte pasur të drejtë: të gjithë ata që e kanë lexuar librin, shprehen se “e kanë lexuar me një frymë”.    

Poeti që rri përballë qytetit të vet është bashkëpatrioti juaj, Frederik Rreshpja, apo jo?

Po. Frederiku, si figura kryesore, më ka dhënë dorë shumë për të shkruar këtë libër. Gjithçka sillet rreth tij, edhe atëherë kur iket larg në kohë apo gjeografi. Shkurt: ky është libri i tij.

Cili është Frederik Rreshpja real dhe Frederik Rreshpja figurë artistike për romanin tuaj?

Është pothuajse i njëjti. I ndajnë vetëm dy-tre ndryshime të vogla. Kam ndjerë nevojën t’ia ndryshoj emrin dhe ndonjë gjë tjetër, jo shumë të rëndësishme.

Çfarë ju impresiononte më tepër nga Frederik Rreshpja njeri?

Aftësia për të ngritur një botë në një mjedis ku, në shikim të parë, mbizotëronte hiçi.

Në roman ju përmendni edhe disa figura të tjera të tjera historike, nga Shkodra dhe jo vetëm nga ajo.

Nuk janë të paktë. Ata mbetet të zbulohen gjatë leximit. Nuk i kam kërkuar larg: kanë hyrë në këtë histori në mënyrën më të vetvetishme. Edhe Kadareja, që përmenda më sipër. Libri, besoj, është një homazh për ta.

Çfarë jeni duke lexuar?

Kam lexuar dhe rilexuar disa novela, tregime e intervista, të nobelistit të fundit, Le Clezio. Më pëlqen shumë. Kam qenë i interesuar të di edhe se çka bërë Gynter Grasi pas kryeveprës së tij të hershme “Daullja e llamarintë”. Po libri i “jastëkut” është tragjedia “Edipi mbret” e Sofokliut. Më duhet të di edhe çdo gjë që lidhet me këtë pjesë, sepse prej kohësh po punoj me një pjesë dramaturgjike, ku Edipi i njohur është personazh i dorës së dytë, ndërsa një Edip shqiptar është personazh kryesor. Pjesa ime ngrihet mbi një rrëfenjë popullore mbi “Edipin shqiptar” dhe mbi vetë Edipin e njohur botërisht. Loja postmoderne mbi këto tekste kërkon të nxjerrë diçka tjetër, tashmë origjinale. Vazhdimisht më impresionon thellë leximi i kësaj kryevepre të lashtësisë.

Kohët e fundit jeni vlerësuar me çmim të dytë në konkursin mbarëkombëtar të dramës shqipe në Prishtinë.

Jam vlerësuar me çmim në tre konkurset mbarëkombëtare të dramës shqipe, zhvilluar në Tiranë (2003 dhe 2007) dhe në Prishtinë (2009).

Çfarë mund të na thoni për poezinë?

Vitin e kaluar jam përfshirë në antologjinë “Poetët bashkëkohorë evropianë”, botuar në SHBA, e cila përfshin poetët evropianë që kanë botuar pas viti 1968 e këtej. Një pjesëmarrje tjetër antologjike është në PIP Anthology. Ky projekt, ku listohen poetët më përfaqësues të botës në 100 vitet e fundit, është krijuar nga poeti dhe botuesi i njohur amerikan Douglas Messerli.  

Me çfarë merreni tashti?

Bëj diçka. Koha do ta tregojë.

Bisedoi: Admirina Peçi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora