E diele, 28.04.2024, 01:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: ''Bretkosa'' në stomak

E diele, 17.05.2009, 01:41 PM


Ejup CERAJA

"BRETKOSA" NË STOMAK

(Skicë për tregim)

Gjyshe Lulebora është lindur këtu e 92-vjet më parë. Përkundër përjetimeve të shumta gjatë atyre  viteve të jetës së saj, si dy Luftërat Botërore dhe edhe këtë të fundit, ajo duket mjaft e freskët dhe vitale. Është një enciklopedi e gjallë për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur që nga mosha shtatë vjeçare e këndej. Çdo gjë e mban në mend në detaje dhe është në gjendje të përgjigjej flakë për flakë. Shumë gjëra që i ka mbuluar pluhuri i harresës, ajo i mban në mend fare mirë. Andaj përpos të afërmve, farefisit e rrethit - mbamendjen e saj e shfrytëzojnë herë pas here edhe gazetarë, poetë e shkrimtarë. Rrëfimet gjyshe Lulebora i jep të drejtpërdrejta pa ndonjë veshje artistike, po ashtu si kanë ndodhur. E kuptohet se bukurinë e rrëfimeve artistike në reportazhet, tregimet a pjesët e ndonjë romani ua jepnin gazetarët dhe shkrimtarët, të cilët e intervistojnë gjyshe Luleborën.

Pas kaq shumë vitesh të jetesës së saj gjyshe Luleborën e cimben herë pas here stomaku në fund. Asaj iu ka bërë mendja tapë se nga shumësia e viteve të jetuara iu ka lajmëruar diçka e gjallë në fund të stomakut, për të cilën ka formuar bindje se ai send i gjallë është një "bretkosë" e vogël a e madhe s'ka edhe aq rëndësi për të. Po për këtë askujt nuk ia thotë asnjë fjalë. E mban të ndrydhur thellë qenies së vet, si diçka që i takon vetëm asaj ta dijë e askujt tjetër. Madje as nipërve e stërnipërve, që e donë aq shumë dhe që i donë edhe ajo pa masë,  këtë fshehtësi nuk donë t'ua thotë as tërthorazi. Një ditë, si pa të keq, i tha stërnipit të saj - Flamurit, të cilin e donë më tepër se të tjerët dhe të cilit i beson më shumë:

- Sot të më qosh te doktor Sokol Gurabardhi se kam një bisedë me te.

- Menjëherë, gjyshe - i tha Flamuri, duke shtuar: - Mos je gjë paqejf, gjyshe?…

- Jo, jo të pastë gjyshja, - i tha ajo, duke shtuar: - Ja që mu ka bërë merak të shkoj të ai e të bisedoj me te për diçka të rëndësishme që më takon vetëm mua.

- Bëhu gati gjyshe sa ta ndezi e ta nxjerrë veturën nga garazhi.

- E gatshme jam, po ti mos u ngut, të pastë gjyshja, se s'e kemi gjë për ngutë.

Mjekun Sokol Gurabardhin e gjetën në ordinancën e tij, që sapo e kishte kryer kontrollimin e pacientëve.

Gjyshe Lulebora e hapi derën e ordinancës së mjekut me një shqetësim të shtuar. Sapo e pa Sokol Gurabardhi gjyshe Luleborën u ngrit në këmbë, duke i thënë:

- Hajde gjyshe!... Po ç'e mirë të nxori këndej pari?…

Ajo sa e hapi gojën të flasë, e pa me bisht të syrit stërnipin që hyri pas saj dhe heshti. Nuk deshi në prani të stërnipit të tregonte shkakun pse kishte ardhur. Dhe pas pak i tha stërnipit:

- Flamur, bir, më le vetëm të bisedoj me doktorin e ti më prit në korridor, të pastë gjyshja.

- Si të thuash e të duash ti, gjyshe!… - i tha Flamuri, duke dalë.

Gjyshe Lulebora u kollit rëndë-rëndë përpara se ta fillonte bisedën me doktor Sokol Gurabardhin. Ra në hall për fillimin e bisedës. Për herë të parë i erdhi në mendje: "Ndoshta u nguta pa nevojë edhe aq të madhe?…" Pasi u ri kollit edhe njëherë, si me ndrojtje i tha doktor Sokolit:

- Sokol, bir, ty të kam si stërnipin tim, andaj do ta them shlirshëm për atë që më mundon qe sa e sa kohë…

- Vetëm fol sa më shlirshëm, gjyshe. Unë do të të dëgjoj me vëmendje.

- Ka qe shumë kohë, bir, që diçka, një send i gjallë, më lëvritë nëpër bark, sidomos në pjesën e poshtme. Këtë përpos Zotit, meje dhe teje nuk ia kam thënë njeriu të gjallë. Dhe kjo që do të bisedojmë të mbetet përgjithmonë në mes nesh. Mu ka mbush mendja se në bark mu ka nxënë një zhabë (a bretkosë) si po i thoni ju tash. Derisa gjyshe Lulebora po ia rrëfente hallin Sokol Gurabardhi u tretë në mendime: "Si ta gjej mënyrën që gjyshe Luleborës t'ia hiqi "bretkosën" nga mendja, se në stomak nuk ka asgjë. Ato që asaj i dukën se po i lëvizin nëpër stomak nuk janë asgjë tjetër përpos tkurrje e zorrëve nga mosha që e mban mbi supe?…" Dhe fët se ç'i erdhi në mendje një ide, që ishte i bindur se do të jepte suksesin e dëshiruar.

- Ti gjyshe do të qëndrosh në spital për pesë a gjashtë ditë. Unë që sot do t'i porositi kokrrat nga Amerika që janë për këto sëmundje. Dhe besoj se për tri a katër ditë ato do të vijnë e pastaj çdo gjë do të jetë në rregull. Pajtohesh ti me këtë? - e pyeti Sokol Gurabardhi, duke e shikuar në sy.

- Ani si të thuash ti, bir, ashtu le të bahet. Thellë në shpirt e ndjeu një kënaqësi, duke thënë më vete: "Për mua do të vinë kokrra nga Amerika!"

- Po gjyshe Luleborë për këtë për çfarë po shtrihesh në spital përpos teje, meje dhe  Zotit nuk duhet ta dijë askush. Pajtohesh?...

- Si nuk pajtohem, bir!...

- Mjek Sokoli doli dhe e thirri stërnipin e gjyshe Luleborës, Flamurin, i cili ishte larguar gati në fund të korridorit. Sapo ai hyri brenda në prani të gjyshe Luleborës i tha:

- Gjyshe Lulebora do të shtrihet për pesë a gjashtë ditë e shumta një javë në spital se kemi t'ia bëjmë ca analiza.

- Si të thoni ju dhe si të dëshiron gjyshe Lulebora. - i tha Flamuri i ngrysur në fytyrë.

 

                                       *          *          *

Mbas pesë ditësh Sokoli i tha gjyshe Luleborës se kishin mbërri kokrrat nga  Amerika e largët dhe se nesër mbrëma duhesh ta pish një kokërr. Gjyshe Lulebora u gëzua pa masë. "Sa shpejt paskan mbërri!…" - u çudit ajo më vete.

Mjek Sokol Gurabardhi e porositi infermier Blerimin që të shkojë deri në gjol diku afër e ta zërë një bretkosë, jo edhe aq të madhe, po mundësisht të gjelbër e ta sjellë në një epruvetë. Atë detyrë infermier Blerimi, që ishte shembull për të mirë në tërë repartin, e mori me seriozitetin më të madh, pa ia thënë askujt asnjë fjalë për këtë.

Të nesërmen mbrëma gjyshe Luleborës mjek Sokoli ia dha një kokërr qetësuese që do ta vente tërë natën në një gjumë të thellë. Sonte, u tha ai infermiereve, për gjyshe Luleborën do të kujdesem vetë, pasi jam kujdestar. Nuk keni nevojë të shkoni e ta shqetësoni fare. Çdo gjë që do të ketë nevojë për te, do ta kryej vetë. Të nesërmen kur u zgjua në mëngjes dukej më e pushuar se kishte bërë një gjumë të thellë natën.

- Ja, më në fund, gjyshe edhe bretkosa u detyrua të dalë jashtë dhe ja ku e ke. Gjyshe Lulebora e pa bretkosën dhe u çudit.

- Si po e ndien vetën tash, gjyshe?… - e pyeti mjek Sokoli.

- Fort mirë. Po më duket vetja sikur kur isha e re. Ti, biri im, paç uratën e Perëndisë, që më shpëtove nga kjo keqbërëse!…

- S'paska qenë e madhe!… Kisha pas dëshirë ta marrë më vete. - tha ajo.

- Jo gjyshe Luleborë. - i tha mjek Sokoli. Këtë përpos Zotit, teje dhe meje nuk duhet ta dijë njeri i gjallë. A s'jemi marrë vesh që në fillim.

- Më falë. - i tha gjyshja, kam harruar.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora