E shtune, 27.04.2024, 02:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Cipi: Sedra e Bukur që vret

E diele, 17.05.2009, 10:59 AM


Nga Luan Cipi

Për kujtimet s’paska shembje,
Paska lot e paska dhembje.
Ali Asllani

SEDRA E BUKUR QË VRET
(Rekuiem për Nuro Bodon)

Në jetë kam njohur dhe jam përplasur me gjithfarë tipash e karakteresh. Ndërmjet tyre ka pasur shumë njerëz të liq, dashakeq, të poshtër në gjenezë. Po, këta, veç sa më dalin para syve, si në ekran e nuk qëndrojnë. Ekrani bëhet si me “miza”, sikur nuk ka antenë. Fytyra që dyzohen e lëkunden. Po, jo. Larg nga kujtimet për këto shëmtira. Ikni, largohuni, satanenjë, pjellë e keqe kafshërore. Shkoni te shokët tuaj të shumtë...Unë pëlqej të tjerë...Vlerësoj lart, me shumë kënaqësi veprat, qëndrimet dhe vetitë e mira të njerëzve me të cilët kam punuar, kam njohur në udhët e jetës, sidomos ata të brigjeve të dy deteve: Adriatikut dhe Jonit. Për ata ëndërroj.
Oh, Nuro Bodua!? Ku je, o meteor? O yll i këputur, që shkëlqeve vetëm një çast, sa vezullove atë natë aq të errët?
Unë isha njohur që në fëmijëri me vëllezërit e Nuros: Ganiun dhe Skënderin. Më pas dhe me vëllain e vogël, Isufin dhe me motrat e tyre të mira. Qysh nga babë Diku, babai i tyre me origjinë nga Dukati i Vlorës, prindërit tanë dhe familjet tona kishin  miqësi të kahershme.
Në vitin l965 Nuro Sadik Bodon e gjeta brigadier në grupin e remontit mekanik të Fabrikës së Çimentos në Vlorë. Kishte mbaruar shkollën e mesme teknike në Tiranë. I ri, i shëndetshëm, i bukur, i mençur, i shkathët si ai; optimist e me prirje politeknike. Shumë shpejt, Nurua, e njohu mirë çdo bulon të fabrikës plakë dhe skish problem, sado të vështirë, që mos të  zgjidhte, brenda një kohe rekord dhe me minimumin e shpenzimeve.
Duke qenë se edhe unë isha kureshtar për problemet teknike, punën prodhuese si nëpunës, që ishte një detyrë njëmujore e përvitshme, gjithnjë e bëja në brigadën e tij. U miqësuam fort, në thellim të miqësisë familjare tradicionale dhe nuk ndaheshim as mbas ditëve, duke u aktivizuar në veprimtaritë sportive. Ai ishte një qendërmbrojtës pakalueshëm i ekipit të futbollit të Fabrikës së Çimentos, që disa herë ishte shpallur kampion lokal; notonte shumë shpejt dhe bukur dhe ishte drejtues kryesor në garat e kanotazhit, që organizonim me lança druri në bregdetin e Vlorës. Shkonim edhe në plazh si dhe në birraritë, barlulishtet e pistat e vallëzimit të lokaleve të shumtë të qytetit.
Ai, u bë në familjen time, aso kohe, pjesëtar aktiv dhe, më kujtohet si tani kur, në një rast, në oborrin e shtëpisë time në lagjen Muradie në Vlorë, bëmë ca përshtatje. Na u desh të lëviznim me leva hekuri të gjata një masë guri disa tonelatash, një pilë të madhe të gurtë vere, që, ndofta prej shekujsh, ishte në atë vend. Nurua mendoi se ajo, pa u dëmtuar, si antikitet, mund të përdorej edhe si një bazament i paluajtshëm për këmbët e një shkalle betoni, në ndërtim. Nurua, gjithashtu, propozoi që, në një copë letër me bojë kine të shkruanim identitetin tonë dhe pastaj atë e futëm në një shishe qelqi të taposur mirë, me qëllim që, siç tha Nurua, arkeologët e ardhshëm pas qindra vjetësh, ta zbulojnë nën gurë dorëshkrimin dhe ne të ngelemi të pavdekshëm e të dëgjuar për brezat e ardhshëm. Ashtu u bë.
Nuro Bodo ishte në lule të rinisë. Ai ishte i mbushur me ëndrra dhe dëshira jetësore, me vullnet e dashuri për të renë e të bukurën. Ishte koha kur adhuronte Bulen, një gjimnaziste të re dhe të bukur nga lagja Muradie, me të cilën dhe kishte bërë pikëpjekje disa herë fshehurazi. Me të adhuruarën kishte qenë, ndonjëherë, në mbrëmjet e vallëzimit në shkollë dhe në kodrat për rreth. Mua më hapej dhe më thoshte, plot besim e shpresë, se me punën dhe përpjekjet e tij, do të ndërtonin një të ardhme të shkëlqyer, që ajo të jetonte si princeshë. Nga babë Diku kish dëgjuar për pronat që dispononin, si pasuri të tyre, në të shkuarën, në Karaburun të Vlorës dhe ëndërronte, që në të ardhmen, atje, do Zoti, të ngrinte një vilë madhështore. Krahasuar me klimën dhe bukurinë e rrallë të kësaj zone, ç’kishin më shumë princat anglezë?
Nuro Bodo, i lindur dhe i rritur në një familje të kamur, që veç të tjerash kishin pasuri të tyre dhe përdornin automjete, favorizuar dhe nga ushtrimi i këtij profesioni nga vëllai më i madh, Skënderi, që ishte një profesionist me emër, si dhe nga fakti që vetë Nurua kishte mbaruar shkollën teknike dhe punonte si brigadier mekanik, e kish hobi automobilizmin dhe automjetet. Nuk kish tip automjeti, që hynte në hapësirën e Fabrikës së Çimentos dhe të Eternitit pa u gujduar nga Nurua. E hapte automjetin me çelës dhe e ndizte vetë, qoftë dhe pa lejen e drejtuesit të tij. Dhe askujt nuk i ngelej hatëri, jo vetëm se nuk shfaqte asnjë rrezik dëmtimi, por nga që Nurua zbulonte mangësitë e mundshme të mjetit, përcaktonte dhe ndërhynte për eliminimin e defekteve, si një mjeshtër i vërtetë.
Mbi të gjitha, Nuro Bodua, dallohej për një karakter të fortë dhe edukatë moralo qytetare të shëndoshë. Kjo cilësi e tij, mund të thuash se, kalonte në ekstreme të pa krahasuar me njeri tjetër. Ishte kjo dhe arsyeja kryesore e fundit të tij tragjik e të mundimshëm. Aksidentalisht, kur ishte në një terren tepër malor, në Llogora, i mori flakë motoçikleta, që drejtonte dhe pas kësaj  edhe teshat që kish veshur. Aty, buzë rrugës takoi të ishte një grup vajzash e grash kooperativiste duke punuar, që vrapuan për ta shpëtuar. Ai, sedërli, tej mase, nuk i dëgjoi britmat dhe porositë e tyre për t’i zhveshur pantallonat e marra flakë, por largohet, ndofta, ta bënte këtë veprim sa më larg tyre. Kjo i krijoi djegie e plagë vdekjeprurëse. Kështu qe shkruar, siç thonë pleqtë, fundi i jetës së këtij njeriu të mrekullishëm. Po ja që dhe sedra e bukur vret e djeg.
Ishte aq i mirë sa që duket se Perëndia e desh ta kish pranë vetes sa më shpejt dhe t’i linte familjes, shoqërisë dhe mua, personalisht, një zbrazëti, që nuk po mbushet kurrë.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora