E merkure, 30.04.2025, 03:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Isuf B. Bajrami

E hene, 18.05.2009, 07:12 PM


Isuf B. Bajrami u lind më 08.06.1963 në fshatin Velekincë,  komuna e Gjilanit. Shkollën fillore tri vite i kreu në vendlindje dhe në gjilan, të mesmen në Gjilan,kurse studimet  në Universitetin e Prishtinës.Në Qendrën Rajonale për Studime Politike dhe Diplomatike pranë  Akademisë Diplomatike të Shqipërisë, më 2006 e mbaroi dhe e mbrojti temën “Epiri dhe përkatësia etnike e epirotëve”.

Pos prozës dhe poezisë, të cilin e do shumë dhe e kurorëzon me suksese, një përkushtim  jashtëzakonisht të madh ndaj atdheut  dhe ndaj vlerave materiale dhe shpirtërore të tij, e ka  kultivuar me aktivitetin e tijë në Lëvizjen Kombëtare ,Frontin e Rrezistencës dhe  Njisitet Guerile  të UÇK-së, Ministrinë e Rendit,TMK.

 Veprat letrare:

1.”Fushë e Timërive”- Poezi,1995

2.”Eklipsi” – Poezi,1997

3.”Një ditë më shumë në jetë,një ditë më afër vdekjes” – Prozë.1997

Prej librit të parë “Fushë e Trimërive”,deri në librin e dytë “Eklipsi”,autori ka shënuar mbresat e veta,në kohën e kryer të kaluar,që lypset të rizgjidhet Sot!

Mirëpo,rëndon dilema – kujtë t’i flitet?!

Sot,njerëzit, i aplaudojnë eklipsit – figurë qendrore në këtë përmbledhje.Për më tepër,ai që nuk i aplaudon,bie në sy dhe anatemohet.

Është kjo,edhe një ikje e re mitike,në Ditë të Sotme!Por,Zot ruana,kaloftë edhe kjo kohë,siç kaluan gjithë të tjerat.

Eklipsi,moto dhe figurë qendrore e kësaj përmbledhjeje na flet për njeriun,Prometeun e sotëm dhe për dilemat e pasprovuara,kurrë më parë.Se fundja,koha tjetër do të vijë dhe do të flasë vetë,sërish – siç ka folur herë pas here.Me këtë rast,sakrificat individuale e kolektive të grupeve kanë ndritur kohëpaskohe në Natën e Popujve në robëri.Po,pasi,megjithatë – miliarda yje në qiell rrinë të ftohtë e s’luajnë vendit,e një Yll-Diell i vetëm,biri i Zotit,natën e bënë ditë,biri i Zotit ardhtë edhe ndër ne.Me të do të vijë paqja,koha e re dhe Njeriu i Ri.

E ardhmja është – burim i forcës krijuese. Kjo është porosia gjenerale e autorit.

Me veprat e deritashme, Isuf B.Bajrami, ka krijuar një individualitet në krijimtari me stilin e tij origjinal që e përdor. Është përfshirë në “Leksikonin  e shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2004''  të Hasan Hasanit, si dhe në panoramën e krijuesve letrarë të Kosovës Juglindore “Psherëtimë për tokën” të Hysen Këqikut. Isuf B.Bajrami jeton dhe vepron në Gjilan.

FUSHË E TRIMËRIVE

Këtu është fronti i luftës
Kosova gjëmon nga plumbat
Ushtarët e rinj ku janë
A s’e ndiejnë, veten, burra.

Në vijën e zjarrit si në llogore
Një nga një, t’rreshtohemi
Kosovën ta bëjmë lule
Se kështu e donë trolli.

Në ballë vija e luftës
Në ballë shqetësimi i të gjithëve
Kurë dhe një plumb nuk bie
Brenda vetullave të tyre.

Ushton dhe gjëmon sot trolli
N’mes t’dallgëve të breshërive
Si një djep i madh - më duket
Fushë e Trimërive.

SHOKËT E MI

Për dëshmorët, nis e shkruaj
Me mallë të largët, me mallë të ri
Si dy pëllumba me krahë të shkruar
Ulen mbi vargje shokët e mi.

Dhe vargjet keq më ngatërrohen
E humb mes tyre s’di se si
Po ja, nisen luftërat
Në udhë të gjata përsëri.

Për vëllezërit dëshmorë,nis e shkruaj
Me mallë të largët, me mallë të ri
Disa yje ndizen nëpër vargje
Ca të tjerë lindin përsëri.

Dhe shoh vogëlushët dritëndezur
Me fytyrë të buzëqeshur
Ushtarë të Kosovës janë
Kësaj nate, them me veten.

USHTARIT

Të bëhesh dhe
kur je mish.

Të bëhesh gur
kur je kockë.

Të bëhesh bar dhe gjethe
kur je lis.

Të bëhesh lule
kur je frymë e ngrohtë.

Të bëhesh, zemër toke
kur s’je tokë!

KOHËN SI TA MASIM

Dikush tha:
jeta s’matet
me sekonda
me minuta
me orë.

Jeta matet;
me vite
me shekuj
me jetë.

Po ne,
ushtarët e kësaj toke
që jetën ta kemi jetë,
së pari me sekonda
me minuta
me jetë e masim,
për ndryshe, kurrë s’do të jetojmë.

NË GJOKSIN E USHTARIT

Vera e thatë s’e gërryen nga djersët
Dimri i ashpër s’e mposhtë me ngricat
Vjeshta s’ia rëndon pallton nga shiu
Pranvera nuk ia zbehë ngjyrat.

Në gjoksin e ushtarit thyhen të gjitha
Stinët ngrohin dhe ftohin njëlloj
Se zemra e ushtarit,një me të Atdheut
Bëhet: kur bie në pozicion.

PUTHMANI BALLIN

Puthmani ballin,
të ngrohtë e kam, si vet koha.

Shikomëni sytë,
të mprehtë i kam, si tyta e pushkës.

Prekmani zemrën.
të prushtë e kam, si zjarri i kësaj toke.

Dhe balli dhe sytë dhe zemra
për ty –Liri!

KUR NGRITET FLAMURI

Gjaku ngritët lart
Para nesh të rënët,
Retë bëhen shkëmb
Trëndafilat këngë.

Fusha bëhet mal
Mali nuk lëviz
Trupat tanë - shtizë!

Lulet bëhen pemë
Balta bëhet gur,
Kështjellë bëhet guri
Kur ngritët - Flamuri!

“FUSHË E TRIMËRIVE”,
 (POEZI) GJILAN, 1995


E K L I P S I

Natë e rrëzuar
në gropën e fshehur
të ditës tinëzare

Krahas meje ti ishe
nuk e besova

Preka fytyrën time
me gishtat e tu të butë
që të mos klithja

Vetëm humbjes tënde
nuk mund t’i bindesha

Si mund të më ikje
si mund të ikja

Të shtrëngova në gjoks
sytë t’i kërkova me buzë
më gënjente zemra
më mashtronte prekja
si zërat e rrugës në veshë

U mpakëm ta dy
si dy liliputë
përpara viganit

Një shkrepëse e ndeza
e iu luta diellit
që kish mbyllur syrin
kandra e hënës i kish hyrë
nën qerpikët e artë
kur po jepte meshën
para luzmës së besimtarëve
në këtë gjysmë të tokës
im Atë.

ASGJË S'NDODHI

Qielli ra dhe toka u qa
balli plasi dhe shpirti u prishë
syri i shtrembër u bë,për hata
ligësia pllakosi-dyfish.

Një lubi,një habi,për çudi
frymë s’merr por lëvizë gjithandej
vrapon një kalorës-yyhahaaa...ha,,,
e kali djersë lëshon e përmjerrë.

Këtu-s’ka kalorës, as trima
rrokopujë dhe lëmsh gjen kudo
miu rendë dyshemesë plot vrima
dhe lypësja një dyshek e do.

Qielli ra dhe toka u qa
balli plasi dhe shpirti u prish
asgjë s’ndodhi-në jetë gjithçka
dielli tokës i sillet sërish.

HONI PA DYERË

Sikur të mos kisha sy
për të mos parë
honin ku po rrokullisem.

Sikur të mos kisha veshë
për të mos dëgjuar
t’pallmën si lopëve të kuqe.

Sikur të mos kisha hundë
për të mos nuhatur
erën e kalbur të zarzavateve të vetëqeverisjes.

Sikur të mos kisha gjuhë
për të mos lëpirë
buzët e mia të rreshkura.

Sikur të mos kisha fantazi
për të mos e menduar vdekjen
do të isha më i lirë
se guri i palëvizshëm
se uji pllaquritës
se zjarri lebetitës
se ajri i helmuar
në këtë tokë të robëruar.

KOHË FËLLIQËSIRASH

Trokita në dyer që kurrë s’mu hapën
dhe fola me veshë shurdhër.

Bisedova me mendje shterur
me sy të verbër ma dëftuan rrugën.

Veshja ime është tela me gjemba
më sfiliti trup e shpirtë.

Jetoj në një kohë të mbarsur me fëlliqësira
pasardhësit prej saj do të kenë turp.

KATËR VETË

Ligësi,poshtërsi,djallëzi
qoshe boshe dhe një tavolinë
katër vetë,të shkretë,pa jetë
gjer në agim,llomotisin e pinë.

Rrëfejnë,gënjejnë,pëlqejnë
shije,hije,të mjera,pa vlerë
dhe trokasin, kërcasin,bërtasin
dhëmbëjashtë,si kafshë,si derra.

Katër vetë,të shkretë,pa jetë
marrin zjarr,për çudi,në alkool
dhe trokasin,kërcasin,bërtasin
gjer në agim,llomotisin e pinë.

TË NA TAKOJ

Po të kesh fjalë për të ma thënë
ma thuaj

Po të duash të më prekësh
prekmë

Po të duash të më puthësh
puthmë

Po të bëhem për të helmuar
na helmo,të dyve me një gotë verë

Të na takojë puthja me vdekjen
e ta tmerrojmë buzë më buzë
të ngrirë.

ANARKI

I pa njohur që kalon pranë meje
je mik
a je armik
s’e di.

E pa njohur që kalon pran meje
je ajër
a je hije
s’e di.

N’mes të turmës
ende si i verbër
e i kërkoj
sytë e mi.

NE ISHIM JU ISHIT

Ne ishim gjahu
ju,ndjekësit tanë
sherifët!

Jetuam
si në filmat kauboj.

Ata që s’e provuan
Teksasin e dëbimit
lidheshin me kalin e arresteve
-Trojë!!!

Ne ishim
ju ishit!...

-David e
Goliat
të kapërthyer tmerrësisht
në finalen e papërfunduar
në arenën e bujshme të historisë.

PLAGËT E MIA

-O Ju,më të ligjtë,në emër të “ligjit”
ma morët rininë time

Me dorën e ashpër
mi mbyllët buzët e fjalëve

Nga dëshira më ndatë
si ndahet një lis prej rrufeje

Por gjaku i plagëve të mi
m’u shndërrua në këngë.

MBROJTËSI IM

Ka kohë që s’kam frikë
shkeli mbi uniforma
si mbi një pllangë ngjyre të shkrimit
të derdhur nga një dorë fëmije

Por,mes lëngut të errësirës
më rrethojnë ca statuja si të mb’shtjelluna n’çefin
dhe ma bëjnë gjyqin e tmerrshëm
për gojëmbylljen time të hershme.

Homeri pa sy heziton
me mëninë e verbër më vështron
e një fjalë dot se them

kërkoj mes krahëve të këputur të Safos
kur do të vijë-ta prek në ije
ta zbus vështrimin e saj gjarpërues

Njeriu i gjallë-mbrojtësi im
vetëm ai mund të më falë
pasi të ma ç’veshin mishin nga eshtrat.

SKLLAVI

Trup fatkeq
shpirt i rënë në gjunjë
me flamujt e zërit në gjysmështizë
me çelësin e kalasë së pikëllimit ndër duar
më i bukur se tërë perënditë.

-O,’’njerëz’’!...
Ç’deshët të provonit akoma
në trupin e copëtuar me dhjetëra herë?!!!

KUR FLAS

Kur flas për vajzat
fjalët i bëj këngë.

Kur flas për dashuri
fjalët i bëj puthje.

Kur flas për miqësi
fjalët i bëj besnikëri.

Kur flas për luftën
fjalët i bëj për Liri.

Kur flas për atdheun
fjalët i bëj mburojë.

Kur flas për gratë
trëndafilat i mbaj në buzë.

Kur flas për fëmijët
nga buzët më rrjedhin poezitë.

“E K L I P S I” (POEZI) GJILAN, 1997.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx