E shtune, 27.04.2024, 07:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadrush Radogoshi: Poetizimi i lotit për dashurinë dhe lirinë

E enjte, 28.05.2009, 06:27 PM


 

Kumtesë e lexuar në promovimin e librit “Elegji për lotin” të autorit Ilir Hajdari

POETIZIMI  I  LOTIT  PËR  DASHURINË  DHE  LIRINË

Duke qenë individuale është po aq universale dhe ky universalitet është dëshmia më e sigurt se ngrehina e parë poetike e Ilir Hajdarit do të jetë e qëndrueshme, prandaj do të vendosë raporte të komunikimit intensiv me lexuesit, duke bartur tek ata ndjesi e mesazhe të përhershme njerëzore, të cilat u takojnë sferave të së bukurës dhe të fisnikërisë.

Shkruan Mr. Kadrush Radogoshi

(Mënyra e qasjes)

Veprës poetike ,,Elegji për lotin” të autorit Ilir Hajdari nuk do t’i qasem nga pozicioni i mbështetjes vetëm në psikologjinë e autorit, e cila deshëm s’deshëm na shpie te jeta reale e tij. Kësaj vepre nuk do t’i qasem as nga pozicioni prej të cilit vepra poetike është tekst i veçantë, është një organizëm i pavarur dhe tërësisht autonom.

            Qasja ime kësaj vepre poetike, paraqet në përpjeke të natyrshme për t’i bashkuar këto dy qasje, që nënkupton ndihmën e ndërsjellë të njëra tjetrës dhe ikje përfundimtare nga situatat anekdotike e të parrugëdalje.

            ,,Me të vërtetë, teksti nuk duhet të jetë shkas as për bisturinë anatomike, as për biografinë periferike (...). Teksti është gjallesë që flet. (...) është organizëm i cili ka shpirt”, thotë, ndër të tjera, në esenë ,,Poezia e poetika” Zhan-Anri Bornek, për të vazhduar më tutje me pyetjet e tij: ,,Në çka atëherë do të mbështetemi  për ta komentuar, interpretuar dhe për ta përkthyer pa kundërthënie atë të folur të saj? Me çfarë drite rrezaton ai shpirt? Çfarë veçorish ka? Çfarë vlere ka? A është e përhershme apo kalimtare?”

(Interpretimi i titullit)    

Interpretimi im për librin poetik ,,Elegji për lotin” fillon që nga titulli, i cili e përmbush plotësisht kriterin e të qenit sintezë jo vetëm e përmbajtjes së librit, po edhe sugjerues i aktit të krijimit. Ky titull është ndërtuar nga një togfjalësh i përbërë nga emri ,,Elegji”, që sugjeron zhanrin poetik dhe nga emri ,,lotin” i paraprirë nga parafjala ,,për” karakteristike për rasën kallëzore. Pjesa e dytë e togfjalëshit sugjeron gjendjen shpirtërore të subjektit lirik, e cila për pasojë ka lotin. Në fillim duket se ky titull bart në vetvete një frymë tautologjike, por mendja e prirur për nuancat vëren se loti në kontekstin e dhënë është antropomorfizuar si derivat e largët i një metonimie.

(Perlat poetike në pozicione epigrafike)

Poetët italianë, vargjet e zgjedhura të të cilëve janë vënë në fillim 5 cikleve të këtij libri, janë individualitete të fuqishme të poezisë italiane e pse jo edhe të asaj botërore, në mesin e të cilëve janë edhe disa novelistë. Vargjet, perla poetike, që të mahnisin me monumentaritetin e shprehjes dhe domethënies, sikur ia sugjerojnë lexuesit modelin e synuar poetik të këtij poeti të ri, por padyshim të talentuar. Ato nuk janë vënë si një dekor i thjeshtë sepse kanë një funksion të veçantë semantik: Ato paralajmërojnë lexuesin me tematikën, me idetë, me mesazhet e poezive të atij cikli.

            Autori Ilir Hajdari ua ka dhënë fjalën nga dy poetëve italianë në fillim të çdo cikli të cilët janë: Ugo Foskolo, Gabriele D’Anuncio, Xhoze Karduçi, Xhovani Paskoli, Vitorio Alfieri, Xhakomo Leopardi, Euxhenio Montale, Umberto Saba, Salvadore Kuazimodo. Që këta poetë të flasin bukur shqip, Ilirin e ka ndihmuar Sinan Vaka, i cili ka hartuar dhe përkthyer një antologji të poezisë italiane duke bërë një punë të vlerëshme në afrimin e vlerave poetike italiane lexuesit shqiptarë.

(Eliptizmi dhe rebelimi ndaj inercisë të pararendësve)

Cikli i parë ,,Dhembje në fjalë” ka tetë poezi në të cilat tematizohet akti i krijimit poetik në rrethana robërie. Ngrehina poetike në këtë cikël ka dy shtylla mbi të cilat mbështetet: e para është e natyrës së shprehjes poetike, parimit të eliptizmit të saj, të njohur që në antikë; e dyta kundërshtimi i robërisë dhe kërkimi i lirisë si vlerë universale e jetës njerëzore. Të dy këto shtylla nuk mund të trajtohen të ndara nga njëra tjetra, ato i marrin e i japin njëra tjetrës.

            Poezia e parë e këtij libri ,,Dorëshkrimet fjalëpaka” paraqet kredon poetike të këtij poeti të ndërtuar mbi dy shtyllat e lartpërmendura:

“Në errësirë
Një vepër
Mbushur me fjalë
Për lirinë e grisur”

Në strofën e tretë poeti drejtpërdrejtë e aktualizon çështjen e ekonomizimit të fjalëve:

“Shtypshkronja
Pret dorëshkrimet
Fjalëpaka.”

Ky përfundim s’ka se si të mos na e kujtojë një mendim të poetit amerikan Edgar Alan Po të shprehur në esenë e tij të njohur ,,Filozofia e kompozicionit”: ,,Çështja e parë që më ka dalë përpara ishte gjatësia e vjershës. Nëse një vepër letrare është shumë e gjatë për t’u lexuar me një frymë, jemi të detyruar të tërhiqemi nga përshtypja jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila arrihet nga kohezioni i shfaqjes, ngase nëse duhet të lexohet në dy intervale kohore, ndërhyjnë punët e përditshmërisë dhe me këtë vetvetiu tërësia thyhet”.

            Strofa e katërt e poezisë ,,Dorëshkrimet fjalëpaka” e ndërtuar nga katër vargje pothuajse njëfjalëshe (Në udhëkryq / Unë, / Dorëshkrimet / Dhe pritja...) është dëshmi domethënëse për shkallën e dendësimit të shprehjes së reduktuar në aspektin e sasisë leksikore. Ky reduktim në aspektin sasior të fjalëve, nuk nënkupton edhe reduktim në aspektin semantik, në aspektin e domethënieve.

            Nëse eliptizmi funksional e domethënës është mësimi i parë, që ky poet ka mësuar nga tradita më e mirë poetike kombëtare e botërore, ngritja krye ndaj gjendjes ekzistuese në jetë e art, rebelimi ndaj poetëve të inercionit të trashëguar nga paraardhësit është mësimi i dytë. Duke lexuar poezitë e këtij libri nuk më hiqet nga mendja mendimi i mëtutjeshëm i Edgar Alan Posë: ,,E bukura është e vetmja kategori e vlerëshme për vjershën. (...) Duke e konsideruar të Bukurën si lëminë time, çështja tjetër që më ka dalë përpara ka qenë shprehja me të cilën ajo më së miri realizohej, përvoja e tërësishme tregon se shprehja e dhembje, pikëllim është më e përshtatshmja. Bukuria e cilësdo formë, në shkallën më të lartë të zhvillimit të saj, pashmangshmërisht e nxit shpirtin e ndieshëm për lot.

            Duke metaforizuar pritjen proverbiale shqiptare, qoftë individuale apo kolektive, poeti pohon jo pa revoltë e zhgënjim se asaj ,,i janë lodhur gjunjët”.

(Poetizimi i dhembjes së moçme e të re)

,,Në ditët që lodh drita / shikoj unë vetëm ëndrrën / të zbres me miqtë e ikur / s’e kam varrosur zemrën” janë katër vargjet e Xhoze Karduçit të vëna në pozicionin e epigrafit në fillim të ciklit të dytë të titulluar ,,Dhembje e moçme”, të cilat i sugjerojnë lexuesit se në poezitë e këtij cikli poetizohet dhembja e moçme dhe e re, drama e moçme dhe e re e atdheut dhe njerëzve të tij e në këtë kontekst edhe e familjarëve të subjektit lirik: babai të cilin gjyshi e kishte lënë në barkun e nënës e që vdes në ,,t(m)err”, xhaxhai i vrarë në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944), të cilit nuk i dihet as varri, shoku Ilir Hoxha i bërë atdhe sepse ka dhënë jetën në altarin e lirisë, nëna e ngritur në arketip, që e jep dhe e mbron jetën, dëshmori në varr, prej nga del monologu i tij për flijimin në emër të lirisë. E tërë drama shqiptare në pranverën e vitit 1999 në Kosovë është poetizuar jo përmes rrëfimit në veten e tretë, po përmes dialogimit të subjektit lirik. Ky dialogim rrëfehet pasi të jetë përthyer në brendinë e shpirtit të tij. Në këtë kontekst, mjafton t’i vëmë në spikamë qoftë edhe vetëm titujt e poezive të këtij cikli: ,,Simfoni e pambaruar”, ,,Atdhe, tradhtia ime e parë”, ,,Qafë e Prushit”, ,,Kronikë lufte”, ,,Kur robëria po ecte”, ,,Ma jep (zërin)”, ,,Dhembje e moçme”, ,,Vdekje e ikur”, ,,Babait”, ,,Në t(m)err”, ,,Jeto nënë”, ,,Me dorën tënde”, ,,Lirinë kam”, ,,U bëre atdhe”, ,,Shikimi i fundit”, ,,Ditari i një dite (e martë, 2 prill 1999)”, ,,Në varrin tim”.

(Ëndrra e keqe në pasqyrat kristalore)

,,Ëndërr e keqe” e poetit Ilir Hajdari fillimisht shihet në pasqyrën poetike të Vitorio Alfierit ,,Sublimja pasqyrë e së vërtetës së madhe / rrëfemë në trup dhe në shpirt kush jam” pastaj në pasqyrën poetike të Xhakomo Leopardit ,,Ndjeja përjetësinë dhe kohët që vraponin / të sotmen që gjallonte dhe ankthet shijoja”. Kjo ëndërr e keqe e shikuar në pasqyra të një qartësie kristalore, s’ka se si të mos shndërrohet në zhgjëndërr apo në një realitet të trishtë, të cilin qe i detyruar ta përjetojë subjekti lirik dhe bashkatdhetarët e tij. Në poezinë e parë të këtij cikli të titulluar ,,Botë e fëlliqur” poeti me një saktësi të lakmueshme ironizon ,,Kohën e ndyrë” dhe ,,Botën e fëlliqur”. Ironizimi i bërë në strofën e parë dhe të dytë, në strofën e tretë arrin në akuzë. Jeta në robërinë më të trishtshme, që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore drama individuale e kolektive e kaluar nëpër filtrin shpirtëror, materializohet poetikisht me një ligjërim të reduktuar në aspektin leksikor, por shumë domethënës në atë mesazhor. Kam bindjen se kjo poezi herë herë më shumë mund të përjetohet se sa të interpretohet.

(Tematizimi i rrugës së kthimit)

Cikli i katërt është titulluar me togfjalëshin rruga e kthimit dhe së bashku me vargjet epigrafike të Xhoze Karduçit e Euxhenio Montales sugjeron hapësirën konkrete të atdheut të veshur me rrobat e bukuroshes liri, drejt të cilit është ndërtuar rruga e kthimit. Semantika e këtij togfjalëshi ka shumë shtresa, të cilat fillojnë nga shtresa e kuptimsisë konkrete, reale, lëndore e gjer në atë simboliko-emocionale dhe konceptuale.

            Tematizimi i rrugës së kthimit nga kampet e refugjatëve (viktima të spastrimit etnik) në atdhe rrugës së kthimit nga robëria në liri nuk bëhet përmes retorikës triumfaliste të zhveshur nga rrobat e figurshmërisë, po përmes thyrjes së çdo gjëje të realitetit objektiv dhe ndërtimi me pjesët e tij të një realiteti të dytë tërësisht subjektiv.

            Liria në poezinë me të njëjtin emërtim, e cila i prin ciklit, është antropomorfizuar nga ky poet, ashtu siç kanë bërë edhe shumë poetë para tij...

,,Eja më përqafo
Të jetoj me ty
E dashur liri!”

Kjo liri është paralajmëruar nga një ,,ag i vonuar” dhe ka kaluar nëpër ,,Horizontet e bardha” në të cilat është ndërtuar ,,godina e Reçakut” në themelet e së cilës është vendosur edhe ,,këmba e këpucës / Numër 28...”. Një liri e tillë është në të njëjtën kohë edhe ndërtesë e gëzimit të madh, po edhe e dhembjes, pikëllimit dhe krenarisë për ata që u flijuan në altarin e saj. Përmasat e saj shihen nga cilado pikë e atdheut të poetizuar, që nga Ulqini e gjer në Pogradecin ku ,,Lasgushi / kishte ndezur / Qirinjtë e Naimit / Në dollinë / për skajet e atdheut”. Ky cikël mbyllet me poezinë ,,A të kujtohet profesor”, e cila sikur qorton atë pjesë të inteligjencies shqiptare, që nuk qe në gjendje ta thyente inercionin e një versioni të subjektivizuar dhe të pahetueshëm të robërisë në çastet, kur para shqiptarëve të Kosovës grykat e topave të të gjithë kalibrave këndonin këngën mortore para ekzistencës shqiptare, e cila përsëriste gjithashtu me zë dilemën hamletiane ,,Të rrosh apo të mos rrosh”.

(Gjeografia e ndjesive të thella)

Në ciklin e fundit ,,Elegji për lotin” autori për busollë merr perlat poetike të Umberto Sabës dhe Salvadore Kuazimodos për të na orientuar nëpër gjeografinë e ndjesive të thella të subjektit lirik. Titullin, ky cikël, e ka marrë nga poezia e parë e tij me të njëjtin titull. Duke e konsideruar këtë titull si sintagmën më domethënëse në tërë librin e ka vënë edhe në pozicionin e titullit të librit, siç theksuam në fillim.

            Poezia ,,Elegji për lotin” padyshim është ndër poezitë më të realizuara artistikisht në këtë vepër. Në këtë poezi, si në një pjesë të konsiderueshme të poezive të librit, ka arritur një nivel të lakmueshëm të abstraksionit poetik... ,,Lotët t’i mora / Nga sytë e detit / Të ngrirë / E i putha”.

            Edhe poezia e dytë e këtij cikli ,,Buzëqeshje e lirë” me të gjitha aspektet dhe elementet e ndërtimit të ngrehinës poetike mund të konsiderohet vazhdim i poezisë paraprake. Edhe në këtë poezi leksema e lotit është shtylla kryesore mbi të cilën ndërtohet poezia. Loti, ky lajmëtar i dhembjes dhe pikëllimit, sipas subjektit lirik, duhet të pushkatohet sepse e pengon buzëqeshjen, që duhet të bëhet në liri.

            Dashuria, kjo ndjenjë fisnike, që qëndron në themelet e ekzistencës njerëzore dhe vë në lëvizje idealet, synimet e njeriut edhe në situatat më të rënda në të cilat mund të gjendet jeta e tij, është poetizuar në këtë cikël. Duke qenë individuale është po aq universale dhe ky universalitet është dëshmia më e sigurt se ngrehina e parë poetike e Ilir Hajdarit do të jetë e qëndrueshme, prandaj do të vendosë raporte të komunikimit intensiv me lexuesit, duke bartur tek ata ndjesi e mesazhe të përhershme njerëzore, të cilat u takojnë sferave të së bukurës dhe të fisnikërisë. 



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora