Speciale
Vitore Stefa Leka: Në dallgët e jetës (IV)
E shtune, 04.04.2009, 04:08 PM
Në dallgët e jetës
Vitore Stefa Leka
/Kujtime/
Nga Vitore Stefa Leka
“ Të ikim! Të ikim!...”
Vajta me vrap të hap portën, kur një shok i djalit tjetër, shok i Iskut u shfaq para meje:
- Mama e Iskut! Me kamionet që erdhën tani, ishte dhe Isku!
Ashtu si isha e veshur, si për shtëpi, në këmbë shapkat, renda me vrap te rajoni i policisë. Para portës ishte një grumbull i madh njerëzish. Pjesa e rrugicës së lulishtes së kësaj ndërtese ishte mbushur me djem të qethur, të përgjakur, që mbanin frymën nga dera. Mezi çava grumbullin dhe iu afrova derës. Po kerkoja me sy tim bir, kur përpara më kaloi një burrë nja dyzet vjeç pa këpucë, me këmishë të grisur dhe me gjyslykë të thyera në dorë. Të sharat e njerëzve ishin nga më të ndryshmet, po të
bërtiturat e tij i kam në vesh edhe tani.
-Këtë s'ua u fal kurrë !-thshte ai.-Unë jam prej Erseke, kufirin dy hapa e kam dhe s’më ka shkuar mendja të ik ndonjëherë. Jam me kabinë në plazh dhe shkova të marrë ilaçet në Tiranë për time shoqe, se këtu s’kishte, kur më mbërthyen dhe s'pritën të spjegohesha, po fut e bjer! Më thyen dhe gjyzylykët dhe mezi shohë rrugën tani. Do ik, or, do ik! Më bëtë ju që të ik dhe mos ju pafsha bojën! Kriminelat e qenit! Na mbaheni dhe teserën e partisë! Ju kam menderosur mu në të!
Dhe e hodhi në mes të turmës. Nuk ia vuri veshin njeri, se aty të gjithë flisnin dhe shanin.
Te dera ishte vetëm roja, që bënte sikur s’dëgjonte. Në mes atyre, që po
dilnin nga dera e brendshme e policisë, pashë dhe tim bir!
O, Zot i madh, çfarë skene më kanë parë sytë! Po e mbanin dy policë, por ai kur dha ballë aty te shkallët, i hoqi duart e tyre me forcë dhe qëndroi një çast në këmbë duke bërë nja dy lëvizje me trup. E kishin qethur. Njëri sy ishte i enjtur dhe i mbyllur! Nga koka i rridhte akoma një curril gjaku edhe në buzë kishte një të carë. Bluza e "jashtme", e verdhë,kujtim i vëllait të madh para se të ikte, ishte gjithë gjak! M’u duk i gjithi i transformuar dhe i enjtur. Më erdhi të ulurija me të madhe dhe mora vrapin te ai…Zëri i tij, si i dalë nga fundi dheut më frenoi dhe nuk e di ku e gjeta atë forcë, që iu përgjegja thënies së tij:
-E do fillosh të qash tani? T’iu bësh qefin këtyre plehrave?
-Jo mor bir, pse të qaj? Tani po të shikoj më burrë se kurrë! Kurrë s’të kam parë kaq të bukur!
Vuri dorën mbi supin im dhe duke ecur çalë çalë, parakaluam përpara policëve, që ishin aty brenda lulishtes, deri te dera jashtë. Aty në mes të turmës nuk e mbajtën më këmbët dhe u rrëzua, po e rrëmbyen shokët në krahë dhe e sollën në shtëpi, ku ra në një gjendje kllapie.
Për mjek as që bëhej fjalë. O kishin urdhër për “këta”, që sillnin të qethur, që mos ti kuronin, o kishin frikë. As sot s’e di si është e vërteta! Mjeku, që kisha fqinjë s'ishte në Durrës, kështu që fillova t’i pastroj plagët dhe t’i ve kompresa me ujë të ftohtë nëpër ato vendet e enjtura. Nuk ia harroj kurrë një infermiereje, Arjanës. E kishte shtëpinë nga rruga, që të çonte në Currilat. Ajo vinte fshehurazi natën, para se të ikte në shtëpi dhe i mjekonte tim biri plagët. Krahët i kishte të fryra dhe kurizin e kishte vija vija nga shkopat e gomës. Më trembte më shumë gjendja psikologjike e tij. Rrinte i heshtur dhe nuk thoshte asnjë fjalë. Në darkë vonë më erdhi në shtëpi komisari me të motrën, që rrinte qiraxhije te unë. Ai më tha:
-Me të njomin digjet dhe i thati. Kur e kam parë djalin atje, kam bërë dhe fjalë me ta, se e kishin izoluar, po dhe ky kokë derr! Fliste dhe shante shumë. Iu thashë, që s’është nga ata, se e njoh mir. Ai është sportist dhe kanë qenë në Tiranë familisht, se kanë një djalë të semurë. I kam përcjellë vetë kur ikën me tren. Po të donte ikte me vahkt…Më treguan, që ishte zënë me sambistët, te piteria te rruga e Elbasanit.
-Po s'bëhet njeriu kështu,- iu thashë unë nëpër dhëmbë,- Çfarë halli kam dhe këtë kisha mangut!
Një urrejtje e brendëshme m’i kish tharë dhe lotët. Pas tri ditësh, më thotë një shitëse e buke e lagjes, se një mjek i dëgjuar i qytetit kishte ikur me" DRAGET" për Itali dhe kish kërkuar azil politik!
-Ç’është ky drageti, moj Bukri ?-e pyeta
-Qyqa mi gruje! S’dike gjo fare ti? S’ke faj, se të kan myt hallet! O vapor i madh me disa kate, qi bon rrugën Italie dhe Shqipnie. E kan vu tashi. Gjithë jan tu bo pashaportat, Shifi ke dega sa njerëz janë!
-Unë s’di ku jam vet mi Bukri, aq halle kam- i thashë dhe ika…
Diçka po më zjente nga brenda, nga ato që degjova dhe truri filloi të punojë.
Ato ditë më kish ardhur dhe Madi, që i rrinte te koka sa njërit dhe tjetrit vëlla, se dhe ky i vogli kur pa të vëllane ashtu, filloi mos ngrihej më nga krevati. Im shoq ishte bërë gjysëm njeriu dhe e kish gjetur ngushëllimin me pune dhe pije…Më vinte shumë keq për të, po dhe më ndizej një inat i brendshëm, që ia shkarkoja gjithmonë, kur e shikoja që s’më ndihmonte. Në çfarë do më ndihmonte i shkreti dhe qysh?! Punonte nga mëngjesi në darkë në linjën e plazhit si shofer autobusi dhe shpesh më thoshte:
”Zoti më shpëtoftë nga ndonjë aksident, se nuk e kam mendjen fare aty!...”
Vetë s'isha mirë fare! M’u errëen sytë një herë aty te rradha e qumshtit dhe ia vura fajin pagjumësisë ose mbajtjes së rradhëes, po kur m’u përsërit, bëra një vizitë tek mjeku dhe dola me tension të lartë, sidomos ai më i ulti, kishte shkuar 11! Tjetër problem! Dhe ky duhej tani!
Që atë natë fola me komshijen duke i thënë, nëse ishte e mundur të fliste me të vëllanë të më ndihmonte për atë pashaportën, për të çuar çunin ta vizitoja jashtë shtetit. Si asaj, si dhe të vëllait nuk ia harroj kurrë!
Ajo e thirri aty të vëllain duke i thënë, që të më ndihmonte pa tjetër. Në shtëpi i mblodha dhe iu thashë: “Dëgjo Isku! Dëgjoni të gjithë! O ikim brenda muajit nga ky vend, o do vdesim të gjithë!”
Madi i kish rregulluar pasaportat për në Turqi te një xhaxha i saj dhe po priste vizën. Ato ditë po i kalonte me ne. Ishte bërë vrer e shkreta dhe s’dinte çfarë t’iu bënte të vëllezërve dhe mua. Shpesh e gjeja duke qarë fshehurazi dhe duke sharë nëpër dhëmbë.
Komisari më kërkoi letërnjoftimin tim dhe më pyeti në kam njerëz në Itali.
“Po!- i thashë- kam një teze, që është e gatshme të më presë, po unë mendoj të ikim të gjithë. Ajo është shumë plakë dhe makinën për të bredhur nëpër spitale djalin, duhet ta ngasë im shoq, si shofer që është. Po djalin në krah kush do ta mbajë? Prandaj më duhet dhe Isku. I fola dhe shumë gjëra të tjera, që më polli truri nga e keqja, me të cialt ia mbusha mendjen.
Në fakt, me tezen, rrallë kishte korespondencëe vitet e fundit vetëm mamaja. As bëhej fjalë që të më priste, se në ato dy tri letra, ajo ankohej pse e kishin braktisur me vite? Pyeste dhe për tim atë, po kujt ia mbante t’i thoshte realitetin, kur dihej që letrat censuroheshin?
Iskut, letërnjoftimin ja kishin marrë kur e kishin kapur, por edhe për këtë më ndihmoi komisari. Të nesërmen më kërkoi dhe letërnjoftimin e tim shoqi si dhe nga pesë qind lekë të vjetra ( për pasaportat )dhe më tha. se pas dy ditëve të paraqitesha atje ku thërrisnin emrat.
Fati sikur ishte kthyer nga unë! Akoma nuk e besoja !
Për të marrë pasaportat vajti komshia, aq tmerr e kisha atë degën e brendshme! Sikur të ishin gjithë komunistët si komshia ime, Shqipëria do ishte pak më ndryshe. Shpirt njeriu ishte dhe kush e ka njohur në fabrikën e plastikës, besoj të njëjtin mendim ka.