E marte, 03.12.2024, 01:52 AM (GMT)

Speciale

Vitore Stefa Leka: Në dallgët e jetës (III)

E marte, 31.03.2009, 05:47 PM


Vitore Stefa Leka - Qytetare Nderi e Beratit
Vitore Stefa Leka - Qytetare Nderi e Beratit
Në dallgët e jetës
/Kujtime/

Nga Vitore Stefa Leka

Bijtë “e ikur” të nënave

Kur arritëm në Durrës me trenin e fundit, gjendja vazhdonte njësoj. Policë nga të gjitha anët! Veç komisarin nuk e pashë ! Duket me ndihmoi Zoti që s'ishte aty, për ato që ndodhën në ditet që erdhën më pas. Shtëpia me dukej sterrë . Nuk mbylla sy gjithë natën duke ju lutur Zotit të ndihmonte Iskun. Nga ato, që pashë në Tiranë kisha një parandjenjë të keqe, e cila po me grryente nga brenda, ndoshta ma kishin shkaktuar dhe fjalët e komisarit, që s'm’u hoqën nga mendja për atë "kasapanën", që tha. Gjithë ajo ditë edhe pse rrija me vesh të ngrehur e zemër të ngrirë s’pati ndonjë të re, veç lajmeve të zakonshme. Te policia (qe ishte dhe kjo po në atë pellg, ku jetoja unë) ishin mbledhur shumë njerëz, që prisnin të vinin "të qethurit " nga Tirana. Dy makina nga larg i kontrollova dhe unë, nga që kisha hallin e Iskut dhe nga kjo peshë sikur u lehtësova, se mendova qe po ta kishin kapur do ishte kthyer tani. Në shtëpi më priste një lajm tjetër. Kunati i komisarit, qiraxhiu im, ishte dhe ky “i pakënaqur”, se e dëgjoja që zihej me të shoqen, e cila ishte sekretare partie e një reparti në fabrikën e plastikës dhe ziheshin për arsye të banesës. Ishin mbaruar tre pallate, ku ky punonte pas punës dhe akoma s’i kishin dhënë një hyrje. Ai pakënaqësitë i shprehte me zë të lartë. (Kur erdha në Itali, mora vesh, ai kishin hyrë me forcë në një nga këto pallate.)
Ky, pra, Brahimi, komshiu im, më tha sa hyra:
- Sonte na kanë lajmëruar të rrimë në porto, se do nisen ata të ambasadave! Kanë ardhur vaporet t’i marrin. Kanë ardhur shumë përforcime, po na kanë grumbulluar dhe ne si vullnetarë.
-Kam hallet e mia, o Brahim dhe as më duhet se ç’bëhet përreth dhe në ka ikur im bir i madhi, siç thonë, s’dua të di më për të!-i thashë
Flisja dhe ndjeja rrahjet e zemrës, që sa s'po me dilte nga kraharrori. Kujt t’i besoje në atë kohë? Edhe pse çdo gjë kish plasur sheshit, unë isha aq e kujdesshme, se më kujtoheshin thëniet e nënës sime: " Bisha është më e rrezikshme kur është e plagosur!” Këtë po e shihja aty dy qind metra larg shtëpisë, para derës së policisë, se si i kishin katandisur ata bij nënash…
Kur Brahimi më tha:
- Opo ishallah ikin pa iu hyrë ferra në këmbë, se s’u besohet më këtyre dhe ti, leri këto me mua, se s'jam nga ata unë! A ke ndonjë porosi po e pashë?
-Jo të keqen as kam, as dua të më biesh lajm dhe po e pe- ia ktheva unë.
Më vonë një nga këshilli lajmëroi që pas orës 21 mos dilte asnjë nga shtëpia.
Dreq, o pune dhe kjo duhej! Atë natë Durrësi kishte ngrirë i tëri! Në atë qetësi të pazakontë, që e kish mbuluar, kushedi sa zemra nënash qanin apo luteshin pas dritareve…Asnje s' bëri gjumë. Asnjë!
U gdhiva dhe une aty prapa dritares dhe çdo zhurmë e vogël nate më hidhte përpjetë, se më dukej si krismë pushke...
Atë mëngjes korriku, s’di si t’jau përshkruaj!...
Dita dukej e qetë në pamje, po nëpër rrugë kishte njerëz më shumë, se kurrrë!
Dola nga “Vollga” me gjithë tim bir të voglin dhe shikoja detin. Asnjë vapor për be! Sikur i kishte përpirë pafundësia!
Ku je, o shpirt i nënës, ku?! Po ai tjetri arriti dot të hyjë, mbase jeni bashkë? Si do na vejë filli, bir! Ku do mar vesh, se jeni mirë, apo ku jeni? Kur do shihemi ndonjëherë. Kur?
-Mami pse qan?- më përmendi zëri i Lukes, se kështu e përkëdhelnim të voglin. -Të gjithë po qajnë këtu ç'keni ju? vazhdonte djali.
Shikova për rreth. Vërtet, gra dhe vajza si dhe njerëz të moshave të ndryshme me sytë nga horizonti flisnin me vehte. Dikush fshinte lotët. Eh!...
U ktheva në shtëpi, pasi isha shfryrë mirë e mirë aty në bregdet duke i thënë të voglit, se si lali i madh, si dhe Isku ikën, që të të bijen ty gjëra të bukura dhe të na marrin shumë shpejt me vete.
Te muzeumi më ndalon një shoku i Artanit.
- Mama e Tanit! Merre këtë letrën dhe këto.
“KËTO” ishin treqind lekë të vjetra, mbështjellë brenda letrës Aty lexova: “Kush ta gjejë këtë letër, i lutem ta çojë si porosine si dhe letrën në shtëpine time.” Aty ishte adresa jonë, emri dhe mbiemri i tim biri, si dhe dy fjalë " Mendoj une për Luken! Pas pak shkojmë drejt Francës! Mami më fal!"
Kjo ishte letra fjalë për fjalë, të regjistruara në kujtesën time sa dhe sot, që po i kujtoj ndjej atë dridhje dhe emocion, që më krijuan atëhere dhe sytë më lotojnë...
“Faleminderit!”, i thashë letërprurëesit, i cili rrinte si i habitur nga dridhjet apo frika ime duke par përreth, kur ai më tha:
-Kam punu me Tanin në kantjer’ e njof mirë dhe unë do ikja, po kam plakën vetëm dhe të sëmurë! Sa letra e pare jan’ gjet sot, që kanë hudh ata!...
U ndava nga ai djal i mirë dhe më erdhi keq, që nuk i mësova emrin dhe u nisa për në shtëpi, se s'po më mbanin më këmbët…
Hapa televizorin, ( i vetmi, që kishtë mbetur pa shitur ). Po fliste Xhelil Gjoni në lidhje me “aktin e turpshëm të gangsterëve, tradhëtarëve dhe uliganëve, qe sapo ishin nisur…” E mbylla menjëherë dhe s’e dëgjova gjer në fund. Djalin e kish këputur gjumi në divan, ashtu, me bukën me sheqer ( hedhur ujë në vend vajit) të pambaruar, kur bije dera me forcë…



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora