Speciale
Daniel Gàzulli: Gjuha shqipe, e mira, e mjera
E shtune, 04.04.2009, 02:37 PM
Gjuha shqipe, e mira, e mjera
Nga Daniel Gàzulli
HYMJE E TRISHTË
- Para TV
Jam para një stacioni televiziv të Tiranës. Ndjek fundin e lajmeve e mandej një pjesë të koncertit në vijim të tyne. Ndjehem i lodhun e i trishtuem.
Folësi i lajmeve shprehet si të ishte një i huaj që me mundim ka arrijtë me e kapë disi shqipen, por gjithësesi asht ende i pasigurtë. Fjalitë janë gjithë “qoshe”, me një renditje të gjymtyrëve pa kurrëfarë logjike, thekset çvendosen sa andej këndej pa kriter, mbrapashtesat janë krejt të pavend, fjalët e hueja, që nuk rrinë kurrkund në kontesktin e lajmit, vërshojnë e përbaltin shqipen mjerane të djaloshit të “pispillosun”, një “inglishmeni” tipik, që, prej se nuk di shqipen, e përbaltë me barbarizma, si i gjithë lloji i tij hibrid.
Mandej i vjen rradha koncertit. E drejton një vajzë, që, po të mos fliste, do ta kishte anda me e kundrue. Po nis e flet e atëherë të mbërthen prap ai trishtimi i parë. Në “shqipen” e saj ka vetëm ndonjë nyje, ndonjë mbrapashtesë ….. turke e … një mjerim të pafund gjuhësor. Vërshojnë “prestigjoz” e “famoz”, “shyqyr” e “grazie”, përemna të pakufishëm në vend të vetorëve, fjali mungesore që u mungon edhe kumti ma i thjeshtë, nëndialektalizma të nxjerra nga syndyqet e gjyshes dhe O. K..
Nuk ka vend me thanë “Fale, Zot, se nuk di çka ban”.
Marr pultin e kaloj tek një stacion kosovar. Të duket sikur gazetarja e ka harrue serbishten e po përkthen me vështirësi, aq shqipe të përçudnueme flet. Sa për omonimet e toponimet nuk merr as mundimin me i përkthye pse i shqipton serbisht. E me iu përshtatë “standardit”, flet një labçe të rreshkun si të Malo Smokthinës.
Shuej televizorin e rri e mendoj. Po s’ke pse mendohesh gjatë. Kjo vorfni gjuhësore, pa dyshim, ka dy shkaqe:
- Vorfnimi që i bani shqipes famëkeqi Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972, që i preu arterie e vena, i këputi mish e i shpuploi koca, e degdisi në një fosile të ngurrtësueme që s’asht as tosknisht, jo ma shqip;
- Një lloj i ri “inglishmenësh” të Tiranës e të Prishtinës, “zengjinë të ri”, që kanë gazeta e televizione, kanë vajza të bukura, që i veshin (o ma mirë - i xhveshin) “allafranga” e u venë një mikrofon në dorë edhe pse veçsa “nuk i le hunda me hangër bar”, si thonte im atë, ndjesë pastë, aq berr janë.
Dhe e keqja as fillon e as mbaron këtu. E keqja filloi atë ditë që erdhën në pushtet « sejmenët » e shkjaut, komunistët. E keqja vijon me po ata ndër institucione, gazeta, televizione, që “sakën” se tunden prej “istikameve bolshevike” të 1972 e nuk pranojnë të ndryshojnë një presje, sikur vendimet e marra nën vështtrimet e rrepta e trysninë ma të egër të pushtetit të kuq të ishin libri i shejtë i shqipes.
E vorfnimi i shipes vijon pa mëshirë.
1. Po përse u dhunue shqipja?
“Edhe ta kishim në dorë s’jemi nga ata që kllasim gjindarmërinë në fushë të mendjes”
Faik Konica
Përgjigja asht e thjeshtë: Në vazhdën e tragjikes “luftë e klasava”, zbatue skajshëm si askund tjetër në Shqipni, sa çoi në tjetërsimin e njeriut, nuk duhej lanë gja pa provue: aty edhe gjymtimin e gjuhës shqipe, largimin e saj prej rrajëve pellazgo-iliro-shqipe, vofnimin e saj aq sa të mos të mund të lexoheshin e të kuptoheshin ata që na lanë trashigiminë ma të shtrejtë gjuhësore e kulturore, prej Buzukut te Fishta, shkëputjen prej kulturës europiane pjesë e së ciles jemi që në ag të historisë njerëzore, përçamjen në mes krahinave e besimeve, të gjitha këto veç me muejtë me mbajtë ma lehtë sundimin gjakatar.
Si çdo komb, si çdo popull, edhe na kemi vlerat e të metat tona. Por nëse kemi tri dukuni për të cilat vërtetë mund të krenohemi, ato janë:
- Jemi populli i vetëm në Europën Jugore e ma gjanë që trashëgojmë një gjuhë që i ka rrajët qysh para se të shfaqeshin në histori Roma, Athina e vetë Troja;
- Jemi ndër popujt e paktë që nuk patëm kurrë përplasje e urrejtje në mes krahinash;
- Jemi ndër të paktët popuj, aty edhe popuj të quejtun “djepi i qytetnimit”, ku nuk ka pasë kurrë as ma të voglin konflikt ndërfetar.
Po kishte ardhë “kolera e kuqe” e rrajët duheshin pre, duheshin tha, përçamja duhej të kishte të gjitha ngjyrat, aty edhe ato mes toskësh e gegësh, në mes të krishtenëve “reaksionarë” (prandaj edhe duheheshin pre rrajët me ta) e pjesës tjetër të popullit, duhesh shkatrrue gjithçka ishte ma e shëndetshme që të sundohej ma lehtë. Asnjë arësye tjetër “shkencore” nuk mund të kishte në këtë gjymtim, pse të bahej fjalë për “njësim të shqipes” ishte antikombëtare, pse shqipja e njësueme ka qenë që në krye të kohës. Tash po, mbas shëmtimit të 1972, ajo nuk asht ma e njësishme, por vetëm një pjesë e trungut që mezi ushqehet në rrajët së shumti të preme e shtërzon e lodhun.
E kjo u arrijtë tue “kallë gjindarmerinë”, i miri Konica, në fushë të mendjes, me fjalë të tjera, me dhunë të pushtetit komunist.
2. Si u dhunue shqipja?
E para, tue shpla trutë e njerëzve nga kujtesa historike, sikur para kolerës së kuqe nuk kishte gjallue asgja në Shqipni e lum na që na erdhi kjo farë e mbrapsht.
Së dyti, shtrimi i çashtjës së gjuhës si dukuni e luftës së klasava e tue e shtri këte luftë tashma edhe në plan territorial.
Së treti, tue qitë në harresë, ku me të ndaluem me ligj, ku me zhdukje të veprave e deri të vorreve të Atdhetarëve të akullt, atyne që na kishin lanë porosi dashuninë për Shqipni, pse Atdhetaria u quejt nacionalizem e si rrjedhojë antagoniste me ideologjinë komuniste.
Pikërisht për këto arsye u harruen përpjekjet sa të fisme aq edhe shkencore të Komisisë Latrare të Shkodres 1916/17, u lanë në harresë përpjekejt që banë atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, aty edhe në kohë te fashizmit, për një shqipe “të përbashkme”. “U vendue - thuhet në njoftimet e punimeve të Komisisë - me themelue nji orthografi sa ma tepër të përbashkme për të dy dialektet”.
E u shkue deri atje sa shkodranishtja u “çpall” “gjuhë e klerit reaksionar”. Ajo, si gegnishtja mbarë, u shpall gjuhë “e deklasuar”. (Se si mund të quhet një gjuhë që flitet prej ma se katërmijë vitesh “e klerit reaksionar”, apo “e deklasuar”, veç mendjet e çorodituna mund ta rrokin).
Shkruen M. Elezi: “Politika gjuhësore dhe gjithë politika ndaj Veriut synonte shfaktorizimin e Shkodrës e të krejt Veriut si qendër e mbështetje e palëkundëshme në përpjekjet e gjithë shqiptarëve me e kthye Shqipninë kah vlerat kombtare, kah Perëndimi, kah vetvetja”.
U shpërfillen edhe mendimet e gjuhëtarëve të medhej si Majer e Jokli, pse ata, gjuhëtarë borgjezë, nuk kishin pasë fatin të njihnin veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë!
Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse, si asnjë simotër e saj, ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës së kuqe, u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë.
E u mohuen shkollat. Na del se e para shkollë na paskish qenë themelue aty kah fundi i shekullit XIX në Korçë, kur të dhana të drejtpërdrejta e sidomos të tërthorta na mësojnë se shkollat në këto anë duhet të kenë mbi dymijë vite. “Na shkronjat i morem prej Ilirëve”, thotë Plini. Janë të dokumentueme shkolla të mesme të paktën në shekullin XVII në mbarë Veripërendimin. Në Obot kishte shtypshkronjë qysh më 1493. Çka kishte me iu dashtë shtypshkronja një populli që nuk di me shkrue e me lexue? Por jo, zotnijë, jo, na nuk duhej të kishim rrajë, a t’i kishim ato sa ma të pakta, sa ma të cekta, që të shpallnim ardhjen e Zeusit të Kuq si shpëtim e përparim për këtë Vend.
3. Çfarë humbi shqipja?
Puna për shkatrrimin e shqipës filloi me ballafaqimin rrënues në mes dy “kryedialekteve”, në vend që të flitej e të punohej për një gjithëpërfshimja, për mospërjashtime, për trajta që të ruenin mbarëshqipen e të banin lehtësisht të kuptueshëm si Naimin ashtu edhe Fishtën. Filloi, pra, me asgjasimin e ma shumë se gjysës së trungut deri në rrajë – me shpalljen jashtë ligji të gegnishtes. Jo se tosknishtja asht pa vlera, Zot na ruej, asht shqipja ime, por, si e kanë thanë të tjerë para meje, një dialekt asht gjithmonë ma pak e ma i vorfen sa mbarë gjuha.
Në kohën kur flitej për marrjen si “pajtor” të të folmes së Elbasanit, maraku i Fishtës, Mjedës etj., ishte mos me humbë asnjë formë të randësishme të tosknishtes.
Mustafa Merlika, një prej të mohuemëve të mëdhej, dje e sot, thotë se do të marrim dialektin e Elbasanit si pajtor, por tue përfshi mbarë shqipën.
E shembuj se si atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, jo Manol Konomë mjeranë e lloji i tij që e shitën shpirtin shtatë herë, kambëngulnin për një normë gjuhësore gjithëpërfshimëse, mund të sillen pa numur, prej 1916 (Komisia Latrare e Shkodres) deri te Fashizmi i zi (por do të vinte “Fashizmi i kuq” që do të shembte me themel gegnishten “reaksionare” – Zot na ruej mendt e kresë, deri ku mundet me arrijtë urrejta e verbueme!).
Pra, qysh në krye duhet thanë se me famkeqin Kongres të Drejtshkrimit 1972 shqipja humbi njëherëemirë gegnishten, pasuninë e saj kulturore (prej Ciklit të Kreshnikëve te Migjeni, prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit te Fishta, prej të amblit Mjeda te rrëfimet e Anton Harapit), humbi një pasuni të pallogaritëshme leksikore e frazologjike, humbi një formë të menduemi e të shprehuni, humbi shpirtin e pjesës ma të madhe të popullit të vet. Se kur humbë gjuhën, humbë shpirtin.
Merrni Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe e do të prekni me dorë aty flijimin i një pasunie të pallogaritëshme të gegnishtes, nësa u hapeshin dyert në katër kanata fjalëve me prejardhje greke apo sllave (nuk po flas për turqizmat “kamturqisht” edhe në trajtesat e “shokëve gjuhëtarë”) .
Nësa në të dy fjalorët, atë të quejtun të Drejtshkrimit, ashtu edhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ndesh fjalë të hueja, ma krejtësisht të hueja, që s’kanë si hyjnë kurrsesi në fjalor të shqipes, si: banjë maria, delikt, alivanosem, e sa të tjera;
apo fjalë të shtresimeve të ndryshme kohore, sidomos prej turqishtes e greqishtes, por edhe prej frëngjishtes, italishtes e gjuhëve sllave, kur egzistojnë përkatëset shqipe, madje nuk u shënojnë as prejardhjen e me cilësue se egziston kjo përkatëse shqip, si: açik, adet, alamet, e ba me shkue deri te “zh”-ja do të duheshin katërdhjetë faqe;
fjalët e mirëfillta shqipe, ma krejtësisht shqip e me prejardhje shpesh prej ilirishtes e ma heret, ose nuk përfshihen asfare në fjalor, ose cilësohen “e vjetër”, “krahinore”, sa mos me thanë “gegnisht”, pra, simbas kësaj logjike të mbrapshtë, jo shqipe. Nuk m’u desht as një orë punë me gjetë (pra mos me gjetë) se në FGJSH mungojnë fjalë të përdorimit të përditshem në Sapë (Zadrimë) si: akulltar/-e, anx:ë/-a, azull/-i, ballot:ë/-a, bam/-i, -e, bërgajn:ë/-a, birth-i (pse kemi turqishten çiban), brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë, deh!, me u dejë, ding, me u djergë, kërcalë, me llokë, mangën/-a, miellc:ë/-a, me miklue (përkëdhelë), me përdahë, pllojcë, porrc/-i (apendisit/i), shij:ë/a, e deri tek neologjizma aq e bukur që ndeshim te proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Këtu ka njëgjasend: ose fjalët gege që nuk janë në tosknisht nuk merren si shqipe, ose të quhet Fjalori i ! Tosknishtes. Si mund të përjashtohet nga gjuha amtare me kaq papërgjegjësi thesari i saj ma i vlefshëm!? Me ç’të drejtë shkencore e morale bahet tosknizimi i fjalëve gege (kur nuk e ka tosknishtja e detyrimisht janë përfshi në FGJSH)?! Po e përsëris, me ç’të drejtë morale, që rri mbi të gjitha të drejtat, “u shkim një ortak bore prej shpatit të malit” e bajnë “u shqim …? Që kur “q-ja” na qenkish ma e fisme se “k-ja”?
Tash këtu nuk asht e vështirë me kuptue se në punë si kjo të çon vetëm një urrejtje ideologike e mjerane për Veriun, edhe pse ata që u mblodhën në Tiranë më 2002 e thanë se nuk ka vend me ndreqë asgja prej Kongresit famkeq te 1972, Haxhiqamilët e gjuhësisë, na u ngryskan në fytyrë tanë marak me disa që dashkan me na prishë “sërishmi” shqipen, dmth, shqipja paskish qenë e prishun, erdhen qehajajët e Sulltanit të Kuq e na e rregulluen, prandaj “sakën” se e prekni. E për “trima mbas vete” kanë do politikanë të majtë që s’dinë as emnin e gjyshit të vet. Qé tash para pak muejsh, prillin e shkuem, na u mblodhen në Prishtinë po ata Haxhiqamilë e lloji i tyne i atrofizuem në mendje e në shpirt e përsëriten me të madhe se ishin gati me nxjerrë shpatat në mbrojtje të vendimeve të 1972. Pse francezët e gjermanët që i ndreqin e i përsosin papre gjuhët e tyne nuk kanë pasë fatin të udhëhiqeshin nga marksizmi e të ! vendosnin rregulla njëherëemirë.
Gjedhet e hueja si mbaresa –os (ajros për ajroj, armatos për armatoj, baltos për baltoj, palos në vend të paloj, vendos për vendoj), -ur, veçan në pjesore (ajrosur për ajrosë o ajrue, palosur për palosë, pasur për pasë, goditur për goditë, keqpërdorur për keqpërdorë, e kështu pa fund e pa logjikë shkencore), pse na i munguekan, kudi unë, Malëshovës së Përmetit, e atëherë le t’i falemi greqishtes që na i huajti e na bani njerëz.
Nëse te gegët ndeshet ma shpesh a-ja hundore që tek toskët ma së shumti del në ë (“nja” e Bardhit në “një” toskënisht, kurse në gegënishte “nji”), raporti tek “Rregullat” asht krejtëisht i zhdrejtë: ë-ja i “përmbytë” krejt “Rregullat” tue sjellë një errësim e shqiptim jo të lirshëm (kakofoni). Tue pa dukuninë në plan hitorik, del se ë-ja asht shpesh ma me vend e ma në natyrë të shqipes se a-ja (kryesisht hundore) e gegnishtes, por pëdorimi i saj i skajshëm, sidomos te fjalë që detyrimisht në përdorime të tjera dalin me “a” nuk ka as vend e as logjikë shkencore. Nuk kuptoj përse, bie fjala, sakohë që themi “ranishtë”, duhet të themi “rërë”, në vend të “ranë”? Shembujt do të ishun të shumta, si e kanë trajtue edhe të tjerë, si bie fjala Avdyl Sula, prandaj edhe nuk po zgjatem.
Rotacizmi. Së pari duhet thanë se dallimi në mes dy “kryedialekteve”, si do të thonte i miri Profesor Selman Riza, nuk ka ardhë në mënyrë të natyrëshme, si evoluim i gjuhës në mënyrë diverguese vetiu, por në radhë të parë si ndikim i gjuhëve të hueja dukshem ma shumë në tosknisht në shumë trajta, qofshin ato fonetike apo morfologjike, aty edhe në leksik. Aq i fortë asht ky ndikim në disa pjesë të Jugut (nuk asht vendi këtu me trajtue si e përse – jo që unë nuk do të isha as në gjendje me e ba), sa në Përmet gjyshes i thonë “nona”, pjepnit “pepone”, sa me u çuditë për një ndikim kaq të skajshëm.
Kështu, përdorimi i “r”-së në vend të “n”-së në fjalë si “syri”, por “synoj”; “druri”, por “drunorët”, (e ndërkohë edhe “lëndë drusore, jashtë çdo rregulli fonetik), “çoban”, “çobanëri” në vend të “çobanì-a”, “grurë” e “grunoret”, “rërë” po “ranishtë” e me qinda raste si këto s’ka vend e as kuptim. Zanorja “ë” (shih, “zanorja”, e jo “zërorja”) kontraston keq me bashtinglloren “r”, prandaj logjika fonetike do ta donte që të ruhej “n”-ja e … shqipes (pse nuk ka kuptim me thanë “n”-ja e gegnishtes).
Diftogjet ua, ye etj janë ruajtë historikisht ma mirë në Jug e shpesh janë bjerrë në Veri. Tue mos përjashtue format ma “të përbashkme” si thonte Xhuvani, natyrshëm të ruhen ato edhe në gjuhën standard.
Grupet mb, nd, ng gjithashtu janë ruejtë ma mirë në Jug. Edhe te proverbat e Bardhit i ndeshim dendun, e jo si shqiptohen sot në shumicën e Veriut. Atëherë, natyrshëm, të ruhen ato edhe në rregulla. Por, tue shkelë vetë ato rregulla e parime edhe historike, kur e do Pasha, themi „i brendëshëm“, e jo si do të duhej - „i mbrendëshëm“
Asgjasimi i paskajores, kësaj trajte themel të foljes, ka qenë pa ma të voglin dyshim krimi ma i randë i atyne vendimeve. Asht rast që s’ka nevojë për vërtetim, ashtu si nuk vërtetohet një apostolatë, se këtu, në punë të Kongresit të 1972, „kallen gjindarmerinë“, si thonte i madhi Konica, dhe e gjymtuen shqipen me një pamëshirësi prej barbarësh. Paskajorja qendron në themel të konceptimit e të të shprehunit të veprimit (të vetë kumtit) në gjuhën shqipe. Nuk e ka greqishtja? Nuk e paska as çinimançini? Në djall të gjithë! Puna e tyne! Po shqipe pa paskajore nuk ka. Asht një prej atyne rasteve që unë i quej se “nuk ka vend për delikatesë në diskutim”. Këtu dhunimi asht “me gjindarmëri”, prandaj edhe nuk po zgjatem. Veçse nuk mund të la pa kujtue se përligjja e mungesës së paskajores (që nuk na prishkëka shumë punë) pse natyrshëm zëvendësohet me lidhoren apo një paskajore të stisun të formës “për t?! ? thënë”, “për të marrur”, asht një mediokritet “shkencor”, pse paskajorja e mirëfilltë (e përdorun edhe prej toskësh ku e do puna) sjell një kumt ma përgjithësues, (me i thanë vetes shqiptar – kush?: unë, ti, ai-ajo, na, ju, ata ), kundrejt lidhores përcaktuese-cilësuese (t’i thuash vetes shqiptar – ti); joqë gjuhëtarët kanë për detyrë me hulumtue zhvillimet gjuhësore e me sendërtue kodifikimet simbas gjedheve të gjuhës së popullit, jo me “krasitë” gjuhën simbas tekave të tyne: në rrajë.
Zëvendësimi i gjedheve shqipe me ato me mbrapashtesa të ndikueme kryesisht prej greqishtes, ose krejt jashtë natyrës të të shprehunit popullor shqip, si: (i, e) shkurtër për (i, e) shkurtë, ajkëton për ajkon, amvisërì për amvisje, anëshmëri për anësi, bagëti – bajgë për bagël, bardhësirë për bardhësì, barkazi për barkas; e të llojeve nga ma të ndryshmet me skajime të panatyrëshme si barrësirë, bastard (për bastardh), besërisht (!?), bokëri (bokërrimë), botëror (botënor), burrëri – burrëreshë (burrni, burrneshë), çiltazi (çiltas - çiltë), e sa e sa ndajfolje me –zi/, zi e ma zi.
Gjedhet e hueja fonetike: fjalët me theks fundor në shqip janë krejt të rralla edhe pse nuk përjashtohen. Por, pse duhet të themi në të pashqueme “babà” simbas gjedhës së huej, e jo “babë” – apo pse kështu thuhet në Gegni, e ma mirë të marrim gjedhen e huej se prej “Veriut reaksionar”; “parà” jo që “pare”, “kafè” në vend të “kafe”, “budallà” jo që “budallë”, “bilé” në vednd të “bìle” (edhe ma mirë – “madje”), etj? E flasim mandej për „njësim konvergues“!
4. Përse mbrohet krimi?
„Gjuha asht faktori ma i parë i njinisë kombëtare”
Gjergj Fishta
Na u mblodhen akdemikët në Tiranë me 11-12 nandor 2002 e kujtuen me nostalgji Kongresin e Part …, deshta me thanë të Drejtshkrimit, që na hodhi bazat e shqipes. Që turpi i mbuloftë, se bazat e shqipes i paten hedhë pellazgët e lashtë kushedi sa mijë vite ma parë.
Këta dështakë, këta mjeranë të ideoligjizuem, atrofizue në mendje e në shpirt, as duen t’ia dinë për shqipen, po për karriket ku kanë ngjeshë bythët ba kallo. M’anë tjetër, ata tashma haptë del se janë krejt të helmuem me urrejtje për Veriun. Deklarimet e tyne të fryeme e bajate për shqetësimin nga mendimet ndrysh “të donkishotëve të viteve nëntëdhjetë” s’janë tjetër veçse ai helm që shpërndau pa kursim Partia (ajo me “P” të madhe, kur Atdhe shkruhej me “a” të vogël - atdhe), që çoi në një parçamje që Shqipnia nuk e kishte njohë në të paktën katërmijë vite histori. E si e thashë, fjalë për fjalë përsëritën “vendosmërinë për të mos u tundur nga istikamet e kuqe” edhe do “harushanë” në Prishtinë prillin e shkuem. Ata nuk lanë rast pa shfrytëzue edhe nandorin e shkuem gjatë festimeve të 100-vjetorit të Alfabetit, tue na tundë gishtin fort e tue kërcënue se përpjekjet për një ris! hikim të normave të ’72 na qenkëshin antikombtare (?!!) e se mohimi i trashigimisë shpirtnore (që asht gjuha shqipe) e kulturore (që asht prap gjuha shqipe) e 4000 vite histori të 3/4 të Shqipnisë, ndrysh Gegnisë, nuk na qenkan antikombtare, përkundrazi, një veper e madhe e … Haxhiqamilëve të enverizmit.
Asnjë motiv tjetër me përligjje shkencore nuk mund të ketë në teorinë e “pamundësisë së shartimit në mes dy dialekteve”. Pse një shartim të tillë nuk e ka kërkue kurrkush. Pse një shartim i tillë nuk mund të bahet. Pse vetë konceptimi i shartimit tosknisht – gegnisht asht një ide barbare: gjuha standarde mbështetet tek format e përbashkëta, takuese, gjithëpërfshimëse, mospërjashtuese, pra në mbarë shqipen, jo në shartimin në mes dialekteve. Pse, siç e thamë ma parë, do të merren ato trajta që i ka tosknishtja me mbështetje ma historike e ato që i ka gegnishtja me mbështetje ma historike, sidomos ndeshjet në mes tyne.
Po sjell një shembull të thjeshtë: e pakryemja e foljes do të merret me bazë tosknishten: pra 1) shkoja, këndoja, e jo 2) shkojsha, punojsha, pse formën e parë a) e gjejmë edhe tek autorët e vjetër gegë; b) ndeshet edhe në pjesë të Veriut, c) nuk e tjetërson as formën veriore.
Paskajoren e ndeshim edhe në folklor të Jugut, edhe në autorë të Jugut (të ri e të vjetër), edhe në të folmen e përditëshme të disa zonave të Jugut, jo aq dendun, por kur e do puna. Atëherë paskajoren do ta ruejmë, si themel i foljes. Si e tek ta rrahin gjuhëtarët.
Ja pra që nuk ka nevojë për shartim, por për një përzgjedhje pa „gjindarmëri”.
Ata që Elezi i ka cilësue “mister njet”, një gja asht e sigurtë: nuk ia duen të mirën as shqipes e as Shqipnisë, po “namit” të tyne “akademik”.
5. Cilat do të ishin rrugëdaljet prej ankthit?
Së pari, njerëz ma të dijshëm se unë, por me vullnet të mirë e që duen shqipen e Shqipninë, të ulen e të analizojnë ma thellë çfarë vërtetë e vlefshme po birret përfundimisht e doemos duhet shpëtue. Cilat janë ato trajta të përbashkta që u flakën tej si të ishin të serbit a të çinimaçinit. Pse me gjetë çka asht ose ka qenë historikisht e përbashkët asht krejt e thjeshtë, mjaft të shqyrtohen shkrimet e vjetra, bie fjala, proverbat e Frang Bardhit, që janë të gojës së popullit e një dëshmi e shkëlqyeshme se trajtat e përbashkëta kanë qenë në krye të kohës shumë ma të shumta se ato të fillimit të shekullit XX e atëherë, pa ngurrue, me u hapë udhë atyne trajtave të shqipes me rrajë thellë në histori. E proverbat e Bardhit, po të duem ma ba atë ballafaqimin mjeran tosknisht – gegnisht, shfaqen në trajta ma së shpeshti në të mirë të tosknisht për shumëçka. E ani mirë, asht shqipja jonë, prej Çamrije ar! dhët ajo a prej Rugove.
Së dyti, rregullat të jenë doemos “të gjithëpërbashkta”, a në daçin “gjithpërfshirëse”, “mospërjashtuese”, të rrokin mbarë shqipen, sa të jetë e mundun, tue ruejtë “njininë” që na porosit Fishta. Të bajsh të kundërten, asht një atentat jo vetëm gjuhësor, por kundër kombit vetë.
Po marr një shembull të thjeshtë: Ta kisha pasë unë për detyrë me hartue Fjalorin e Shqipes, kurrë nuk kisha me lanë jashtë fjalët toske që nuk i ka gegnishtja, pse ashtu do të vorfnohej shqipja. Bie fjala, në gegnisht nuk janë falët “beronjë”, (i,e) pështirë, dot, fare etj. Si do të mund të më kishte shkue mendja me i lanë ato jashtë fjalorit ose me u shënue përbri “e vjetër”, “krahinore”, pse kurrënjë gegë nuk i përdor?!
Së treti, në themel të punës të kihet parimi i pasunimit të gjuhës në të gjithë format a trajtat e saj, zhvillimi i saj i papremë, përthithja e formave dhe e fjalëve nga te dy dialektet e nga të folme ma të ngushta, e jo degdisja në një gjuhë “të katundit” të shokut Kostallari.
Së katërti, në fjalorë do të shënohen edhe fjalët e hueja që kanë qenë dikur të përdorimit të gjanë, ose që fatkeqësisht përdoren edhe sot në të folmen e përditëshme, por pa dhanë asnjë shpjegim tjetër a përdorim, përveçse prejardhjen dhe përkatësen shqipe. B. fj. “Eksperiencë”, it. – përvojë. Kaq, asgja ma shumë, që me i lanë me kuptue përdoruesit të fjalorit se ajo fjalë nuk duhet përdorë ma pse kemi përkatësen shqip.
Së pesti, por jo ma pak e randësishme, në kuvend të thirren si ata që u ka mbyllë Zoti sytë e nuk duen me pa – ndrysh si mund të mbrojnë pa i vra ndërgjegja krimin – ashtu edhe ata që kanë mendime kruekëput të kundërta me ta. Pse egziston rreziku që, tue qenë nëpër institucione e me “grada” pikërisht ata që gatuan ose mbrojnë krimin e 1972, të thërrasin thjeshtë vetveten, ose e shumta do lakej gati me i këndue “hosana” kohës së lavdishme” të kolerës së kuqe.
Së fundi, qysh në fillim të përjashtohen dy propozime të hedhuna fatkeqësisht edhe prej personaliteteve që e kanë denoncue atë Kongres si Aref Mati e Bahri Beci: a) të mësohet edhe gegnishtja në shkolla; apo do ekstremistë të tjerë b) të hidhet poshtë gjithçka e të merret për bazë gegnishtja si e folme e shumicës së shqiptarëve e gjuhë e traditës kulturore.
(Ndoshta nuk ia vlen me u ndalë tek alarmi i Anastas Dode, se lejimi rishtas “i konkurrimit në mes dy dialekteve do të ishte rrënues”. O Zot, po kush i ka thanë këtij dështaku se dashkemi me përballë gegnishte e tosknishte?! Kush i ka thanë se dashkemi me nxjerrë “në mejdan” gjysën e shpirtit tonë me gjysën tjetër po të shpirtit tonë?!).
Pra, si po thoja, të dy janë mendime të gabueme e të damshme (Pse me Doden nuk ia vlen me u marrë).
Me u mësue gegnishtja në shkollë, dmth mos me ndryshue asgja e shqipja me mbetë e gjymtueme ashtu siç asht.
Me u hedhë poshtë gjithçka (e ashtuquejtuna: Teoria e përmbysjes ) e me u marrë për bazë gegnishtja asht ana tjetër e medaljes, pra, tue përjashtue tosknishten, ashtu siç u ba ma gegnishten, dmth me u dhunue sërishmi shqipja, me e gjymtue përsëri ate tue i mohue gjysën tjetër të saj. Unë gega due që të them, e të thonë fëmijët e mi, e të thonë edhe nipat e stërnipat e mi “dot”, “i pështirë”, pse edhe pa ta shqipja ime do të ishte ma e vorfën, ashtu siç asht vorfnue liksht prej mbi 7.000 (shtatëmijë) fjalë gege që i mungojnë Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe.
Pra gjithçka të shtrohet vetëm mbi një bazë: kritere të shëndosha shkencore e kombtare, rigorozisht shkencore, të pandikuem nga ideologjitë, nostalgjitë e gjithë marritë tjera (sidomos nga ajo sëmundje që e kanë në gjak shqiptarët e që M. Elezi e quen me fjalën e bukur shqipe “mujshim”), që të mund të çojnë në një zhvillim të ri e ma të përsosun të shqipes tue ndreqë çka u ba jo mirë më 1972, ashtu sikundër kanë ndjekë rrugën e tyne të zhvillimit të papremë mbarë gjuhët e popujve të qytetnuem, e na kemi çka mësojmë prej tyne edhe në këte lamë, pse si thotë Naimi i Madh, “Dielli lind andej nga përendon”.
6. Përgjegjësia e institucioneve dhe pëgjegjësia morale intelektuale.
Kam një dyshim: A ka institucione gjuhësore në Shqipni? A ka intelektualë në Shqipni, apo janë tjetërsue?
Tash formalisht institucionet janë, Akademia, Instituti Albanologjik (së fundi), Universitete pa numur (si bunkerët), ka, më duket, edhe qeveri, ka … Apo nuk ka? Si jo ? A nuk po na ban ajo me “KARTE IDENTITETI” (europiane, sic) në vend të “LETER NJOFTIMIT”?
Desht Zoti e tash doli edhe Kosova “Zojë më vete”, po mbasi u çliruen prej shkjaut, çka po bajnë kosovarët me u çlirue prej vetit? A prap do të rrinë “suz” para “enukëve të Tiranës”? Çka po bajnë ata me u çlirue njëherëemirë prej gjedheve sllave pa u ripushtue prej “interpretacionesh” perëndimore krejt mish i huej në trup të shqipes?
Ka, pa pikë dyshimi, edhe intelektualë, por ata i kanë t’huej, i kanë tulatë, u kanë mpi çdo dëshirë me marrë përsipër përgjegjësi të dorës së parë me randësi kombtare. Pse, po nuk i moren përsipër intelektualët këto përgjegjësi jetike, kush do t’i marrë, deputetët që, si thotë një barseletë shkodrane, kanë krye kah dy e tre fakultete, por e kanë peng që nuk kanë krye edhe shkollën e mesme? Pse kaq të lehta ishin ato fakultetet – merre me mend sa shkolla të mesme mund të kishin krye, ndonjeni edhe tetëvjeçaren. Po nuk asht kurrë vonë, të dashtun deputet, hyjani, hyjani edhe shkollës së mesme.
Unë nuk e kuptoj frikën e sotme me thanë çka mendon. Po edhe në paçi ende frikë, për hir të Zotit, kijeni edhe pak guxim. Ky vend ka nevojë edhe për intelektualë të mirfilltë, jo vetëm për “inglishmenë” hibridë e bastardha me qylaf në mendje e Benz nën bythë që kanë pushtue Tiranë e Prishtinë.
Pse tek institucionet, qofsha i gabuenm, po unë nuk kam kam pikë besimi.
7. Mbi detyrimin e shtetit me ligjërue sanksione.
Ashtu si në mbarë botën e përparueme, do të kemi këto dukuni edhe në të ardhmen:
a – Një letërsi e thurun tue u bazue në standardin gjuhësor kombtar;
b – Një letërsi dialektore, që sjell larmi e pasuni të veçanta, tue pasë edhe kjo vend në shkollë e në studime;
c – Gazeta, revista e sidomos stacione radiotelevizive të detyrueme me u ndejë normave standarde kombtare e sidomos të detyrueme me sanksione të rrepta me folë shqip.
Letërsia artistike do të jetë e lirë me përdorë edhe të folme krejt të ngushta. Asht punë e secilit si e ndjen e si e shpreh krijimin e vet. Kjo veçse e pasunon shqipen, që edhe në të ardhmen do të ketë nevojë me u ushqye prej të folmeve edhe ma të skajshme.
Due të ndalem tek pika e fundit, tek detyrimi me folë shqip.
Nuk po flas për përvojën franceze apo të ndonjë shteti tjetër. Po flas tue u nisë nga gjendja e randë, tejet kërcënuese për të ardhmen, e një shqipeje bastardhe që përdorin sot veçan stacionet radiotelivizive, e jo vetëm ata. Pse, do profesora “famozë” të mjeksisë arrijnë deri atje sa të botojnë librin “Sëmundjet Interne”. Këta duhen ndëshkue në mënyrë shembullore. Mund të jenë edhe profesora (superprodhimi ma i frikshëm sot në Shqipni), po nuk janë qytetarë të dejë të këtij vendi, sakohë që sëmundjeve të mbrendëshme u thonë “Interne”. Shej ma të haptë paditunije s’kanë nevojë me dhanë “profesorat famozë”. Por ndërkohë ndëshkimin shembullor e meritojnë, jo tue i fishkullue me kamxhik, si do të banin dikund tjetër, por të paktën me nga një gjobë të majme po, e libri të hiqet menjëherë prej qarkullimit.
Më kujtohet se si një herë, aty kah mesi i viteve ’60, një zadrimor i squet, tue ndigjue një agronom që përdorte lumë fjalësh të hueja, thotë me ironi : « Bah, sa i dijtun asht ! Një fjalë nuk i merret vesht ! »
E ja ku gjendemi edhe ma keq se me atë agronomin naiv. Tash akademikë e shkrimtarë, analistë e gazetarë, ministra e komunarë, të gjithë u janë lëshue fjalëve të hueja, pse shqipja nuk po mbushë.
Ka ardhë puna me thanë : Zot, na ruej prej të dijtunve ! Na ruej, o Zot, prej atyne që thonë a shkruejnë (marrë prej gazetave e programeve televizive të së djelës datë 07/12/2008):
aplauduen për duertrokitën,
implementim për përmbushje,
interpretacion për shtjellim (ose të paktën : interpretim),
agravohet për randohet
percepsion për përceptim,
lokacion për vend, zonë, lokalitet,
glorioz për i lavdishëm,
premio për çmim,
enorm për tej i madh, shumë i madh,
resurset humane për burimet njerëzore,
minoritet për pakicë,
gardiani për roja,
infantil për fëminor,
gravidancë për shtatzani,
E ma tej:
Shumë gazeta shqiptare i gjen në internet vetëm në anglisht. Si kam thanë edhe ma nalt, na kanë mbi do „inglishmenë“ në Tiranë, do tipa të zgërlaqun që përdridhen si gra të përdala, do veshpalamë që u gëzohen kollareve si fëmijtë tollumbacave, që tashma mjaft t’i venë fjalës në fund një „.com“ e u duket vetja Ajnshtajna.
Aq pezmatohem kur ndigjoj ata që i kanë ba televizionet si shtëpinë e tyne, sa të vjelltit më çohet e zorrët më perzihen. Një përçudnim që ban me t’u çue thik qimet e trupit.
Atëherë asht detyrë e shtetit me ligjërue sanksione, me krijue struktura përkatëse qe të kontrollojnë zbatimin e ligjit, me ushtrue kontroll të rreptë e me dhanë dënimet ma të pamëshirshme për atentatorët e shqipes. Këtu nuk mund të ketë shtrim problemi me delikatesë. As jam për një “puritanizem” të skajshëm. Po jo ama sa me të ardhë të vjelltë kur ndigjon “inglishmenët” e Tiranës e të Prishtinës kah “kullojnë” kulturë tue e folë shqipen në shtatë gjuhë.
(Për fat të keq e njejta dukuni po shfaqet edhe në fusha të tjera. Shih muzikën ku kanë vërshue do “modele të reja popullore”, do gjedhe “ala magjypçe” e “ala jemençe”. Respektin ma të madh për magjypët e jemenët, po Shqipnia ka muziken e saj të pashoqe: polifoninë e magjishme labe e violinën e Zadrimës si instrument treshekullor popullor, si askund tjetër, të paktën në Ballkan).
Po humbëm gjuhën, thotë Fishta, humbëm kombsinë. Po pikërisht këte ndoshta kërkojnë me ba “inglishmenët” e Tiranës e të Prishtinës, ata që e flasin shqipen në shtatë gjuhë – që një ditë të mos ketë ma as shqip e atëherë as shqiptarë, por thjeshtë do bastardha që do t’i falen djallit e të birit, serbit e çinimaçinit, e vorret e martirëve do t’i lërojnë me mbjellë kikirik !
. Këto bastardha, që u lodron barku prej hallvet, flasin kështu përçudshëm edhe pse janë të padijtun, mirëpo, tue qenë shumica të pasun a të lidhun me botën e politikës e me pushtetin e pushtave, po bahen një model rrënues veçan për brezin e ri. Këta nuk marrin vesh ndrysh veçse me kamxhik – sanksione ligjore të rrepta.
Ju jeni të qetë? Ju mendoni se shqipja po lulëzon? Se shqetësimet e mia janë të pavend? Se unë po e tepruekam me frikën e bjerrjes së shqipes?
Lum ju e mjerë shqipja!