E shtune, 24.01.2026, 08:03 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin dhe studiuesin Avzi Mustafa (I)

E shtune, 24.01.2026, 04:00 PM


INTERVISTË ME PROFESORIN DHE STUDIUESIN AVZI MUSTAFA (I)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Prof. Dr. Avzi Mustafa u lind më 15 qershor 1949 në fshatin Greshnicë të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Zajaz, ndërsa shkollimin e mesëm e përfundoi në Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, më 1968.

Studimet universitare në pedagogji i përfundoi në Universitetin e Shkupit në vitin 1975, ndërsa magjistroi në degën e pedagogjisë në Universitetin e Zagrebit. Në vitin 1982, diplomoi në Universitetin e Shkupit në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Pas diplomimit, filloi punë në Fakultetin Filologjik në Shkup, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Nga viti 1975 deri në 1981 punoi si bibliotekar në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Në vitin 1983 u zgjodh ligjërues i lëndës “Metodika e gjuhës dhe e letërsisë shqipe” dhe Kursit Special. Doktoroi në Universitetin e Shkupit më 1992, duke marrë titullin shkencor Doktor i Shkencave Filologjike në fushën e linguadidaktikës. Po atë vit, mori titullin Docent për lëndët Metodika e mësimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe Kursi Special.

Më 26 nëntor 1997, Avzi Mustafa u zgjodh Profesor i Inordinar për të njëjtat lëndë, ndërsa në vitin 2003 u bë Profesor ordinar në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup.

Nga viti 1975 deri në 2001, ishte i angazhuar në ligjërimin e lëndëve “Didaktika” dhe “Historia e ideve pedagogjike” pranë Fakultetit Pedagogjik “Shën Kliment Ohridski” në Shkup, ndërsa që nga viti akademik 1999/2000 ligjëroi edhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup. Gjithashtu, ligjëron për studentët pasuniversitarë pranë Katedrës për Gjuhët e Huaja si dhe në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në lëndët Gjuha, Letërsia dhe Metodologjia e studimeve shkencore.

Me themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, është angazhuar që nga fillimi, ligjëron Metodikën e gjuhës amtare dhe Metodologjinë. Për studimet master, ka ligjëruar lëndët “Teknikat e hulumtimit” dhe kursin “Shkolla efektive dhe Përmirësimi dhe Trajnimi i Arsimtarëve”.

Ka mbajtur poste të rëndësishme administrative, duke përfshirë shef të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë, kryetar për dhënien e licencave për drejtorë shkollash, anëtar i komisioneve për plan-programet e gjuhës shqipe pranë BZHA, dhe anëtar i Këshillit Pedagogjik. Është themelues, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i revistës së parë shkencore “Shqyrtime Albanologjike” në Maqedoni, si dhe themelues i Universitetit të Tetovës dhe i Akademisë Shqiptare në Maqedoni. Aktualisht, është anëtar i jashtëm i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Shkup.

Ka qenë kryetar i Shoqatës së Gjuhës dhe të Letrës Shqipe, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Maqedoni, kryetar i Unionit të Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni dhe anëtar i shumë komisioneve profesionale dhe për ndarjen e çmimeve shtetërore.

Shpërblime dhe Mirënjohje

Prof. Dr. Avzi Mustafa është vlerësuar për pjesëmarrjen aktive me punime, projekte dhe kontribute shkencore, duke marrë çertifikata dhe mirënjohje nga institucione të ndryshme, përfshirë USAID, Lidhjen e Vllehëve, ambasadorin e SHBA-ve dhe Word Learning, si dhe nga fakulteti dhe shkollat e bashkësive lokale. Për kontributin e tij në arsimin dhe edukimin në vend, Prof. Dr. Avzi Mustafa ka fituar çmime dhe plakete të shumta, si çmimi republikan “Kliment Ohridski” në vitin 2003, çmimi për veprimtari jetësore “11 Tetori” në 2006, çmimi republikan “23 Tetori”, plaketa e artë me portretin e Bllazhe Koneskit, plaketa “Shën Qirili dhe Metodi” në 2007, çmimi kombëtar “Ali Vishko” në 2015, çmimi “22 Nëntori” në 2024 dhe plaketa nderi e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në 2025. Ai ka marrë gjithashtu shumë mirënjohje të tjera, përfshirë ato nga studentët shqiptarë të Universitetit “Shën Ciril dhe Metodij” në Shkup dhe nga Shoqata e Vllehëve, si dhe nga organizata të ndryshme kulturore dhe shkencore.

Monografi

1. Figura mësuesish shqiptar I, BKSH, Tetovë, 1995

2. Maqedonishtja në shkollat fillore shqipe, Logos-A, Shkup, 1996

3. Edukimi dhe arsimimi nëpër shekuj, “Shkupi”, Shkup, 1997

4. Zhvillimi i shkollimit fillor në gjuhën shqipe në Maqedoni nga viti 1945 deri më 1975, Logos-A, Shkup, 1998

5. Didaktika e gjuhës shqipe dhe leximit letrar, Logos-A, Shkup, 2002

6. Rekomandime për përpunimin e diplomave dhe punimeve seminarike, Menora, Shkup, 2006

7. Didaktika e gjuhës dhe e leximit letrar (ribotim), Logos-A, Shkup, 2006

8. Metodologjia e kërkimeve shkencore në fushën e filologjisë, Menora, Shkup, 2007 (ribotim 2011)

9. Variacionet gjuhësore (në dy gjuhë: shqip dhe maqedisht), Menora, Shkup, 2008

10. Studime dhe artikuj, nga vitet në shekuj, Shkup, 2013

11. Gjurmë ndër vite, UISHM, Shkup, 2014

12. Shënime arsimore fetare shqiptare, Print Fokus, Shkup, 2017

13. Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1981, Shkup, 2024

14. Leksikoni i pishtarëve të arsimit shqip (ribotim me plotësim), Shkup, 2026

Tekste shkollore

1. Libër leximi për klasën III të shkollave tetëvjeçare, Prosvetno Delo, Shkup, 1993

2. Abetare për shkollat fillore në R. Maqedoni, Logos-A, Shkup, 2002 (ribotim 2004)

3. Fletore pune nga letërsia për klasën V, Logos-A, Shkup, 2002

4. Fletore pune nga letërsia për klasën VI, Logos-A, Shkup, 2003

5. Fletore pune për gjuhë dhe letërsi për klasën V, Logos-A, Shkup, 2003

6. Fletore pune për gjuhë dhe letërsi për klasën VI, Logos-A, Shkup, 2003

7. Gjuha shqipe për vitin përgatitor në foshnjoret dhe shkollat fillore, Prosvetno Delo, Shkup, 2005

8. Gjuha shqipe për klasën e parë të shkollave nëntëvjeçare, Prosvetno Delo, Shkup, 2007

9. Gjuha shqipe për klasën II të shkollave nëntëvjeçare, Prosvetno Delo, Shkup, 2008

10. Libër leximi për klasën IV të shkollave nëntëvjeçare, MASH, Shkup, 2009

11. Ushtrimore për klasën e parë të shkollave nëntëvjeçare, Ars Lamina, Shkup, 2023

Libra për përdorim intern

3. Zhvillimi i të folurit te fëmijët prej 0 deri 5 vjet, UNICEF (përdorim intern), 2002

4. Abetare funksionale, UNICEF, 2002

Në pjesën e parë të kësaj interviste ekskluzive për Zemra Shqiptare, Prof. Dr. Avzi Mustafa ndan kujtime nga fëmijëria në Greshnicë dhe Zajaz, rrugëtimin e tij në arsimin shqiptar dhe përvojat e hershme në Normalen “Zef Lush Marku” në Shkup. Ai tregon për zgjedhjen e pedagogjisë, studimet pasuniversitare në Zagreb, doktoratën në linguadidaktikë dhe avancimin deri në titullin Profesor Ordinar, duke reflektuar mbi ndryshimet në mësimdhënie dhe rolit e tij në Fakultetin Filologjik, Fakultetin Pedagogjik “Shën Kliment Ohridski” dhe Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

''Greshnica me flamurin kombëtar ma të lartë në botë''

GM: Si do ta përshkruanit vendlindjen tuaj, Greshnicën dhe çfarë mund të na thoni për qytetin dhe rajonin e Kërçovës?

AM: Për vendlindjen nuk di a është shprehur dikush më bukur se shkrimtari i madh, Ismail Kadare, i cili në lidhje me raportin me vendlindjen ka shkruar: "Njeriu, sa është i ri vret mendjen me të gjitha mënyrat se si t'i mërgohet vendlindjes dhe kur vjen mosha e maturisë, vret mendjen me të gjitha mënyrat si t'i rikthehet asaj."

Fshati im i lindjes, Greshnica, është vendi më piktoresk në zonën Zajazit të Kërçovës. Fshati ndahet shkabë nga lumi që rrjedh nga mali i Drenovës. Fshati im ka edhe një histori të veçantë, sepse në hyrje të fshatit, në kilometrin e dytë të magjistrales Shkup-Kërçovë, ende ekziston ura romake dhe këtu takohen dy lumenjtë, ai fshatit tim ashtu edhe lumi i Zajazit, ku sipas udhëtimit të Mbretit Persej, thuhet "se aty ku takon dy lumenjtë, aty është Uskana e vjetër, Kërçova e sotme". Ky fshat e ka prejardhjen nga fshati Zajaz. Aty ruhen edhe sot e kësaj dite legjendat mbi vajtimin me gra Zajazi, të cilat mbajtën e zisë për vdekjen e Skënderbeut dhe kjo dëshmohet edhe përmes veshjes, qoftë të grave, por edhe edhe të burrave.

Në këtë fshat u rrita dhe aty i bëra katër vjet shkollën fillore. Fëmijërinë time e kalova me vëllezër e motra, me kushërinjtë e bashkëfshatarë të të njëjtit fis. Këtu i kam mësuar të gjitha lojërat që luheshin në fshatin tim. Këtu thitha ajrin e pastër dhe u freskova me lumin e kulluar, ku i kalonim ditët e vapës, dhe këtu i dëgjova këngët polifonike të burrave që i ka vetëm zona e Zajazit. Po këtu dëgjova dhe mësova edhe për vuajtjet e shumta të bashkëfshatareve, për mbrojtën e vatrës stërgjyshorë, për heroizmin e tyre.

Fshati im është jo shumë i madh me gjeografi, por mjaft i madh me histori. Në këtë fshat valon flamuri kuq e zi më i gjati në botë. Ky fshat ka nxjerrë njerëz nga ata që kanë guxuar dhe vazhdojnë të guxojnë, si Sali Ramadani, që shpalosi flamurin shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë. Ky fshat e ka pasur rilindësin dhe patriotin e shquar, vëllain e gjyshit tim, Rexhep Faskun Greshnica, guximtarin e madh që berberit turk deshi t'ia shkruajë në ballë germat shqipe. Ai ka qenë edhe sekretar i Shoqatës e Shqiptare të Kërçovës, ku ka pasur shumë kontakte me patriotët shqiptarë të kohës, që vepronin në Bukuresht dhe në Sofje e gjetiu, si Ibrahim Temo, Dervish Hima, Josif Bageri, Asdreni, Ismail Qemali, Petro Janura etj. Ky fshat krenohet edhe me sportistin e përmasave evropianë Besart Ibrahimi. Aty është edhe Shoqëria Kulturore Artistike "Xixa".

Greshnica është fshat me shumë intelektualë, si profesorë, doktorë, inxhinierë, juristë, ekonomistë etj, Me një fjalë., është vendi im, ku njeriu mëson ta dëgjojë heshtjen, ta respektojë punën dhe ta çmojë fjalën e dhënë.

Prandaj vendlindja për mua nuk është vetëm vendi ku kam lindur e i kam bërë hapat e parë duke e thënë fjalën e parë të gjuhës më të bukur në botë, por është ajo copë e territorit ku qëndron streha e krenarisë së ezmeres sime.

Greshnica, Zajazi e Kërçova, me njerëzit e gjeneratave të ndryshme, e bëjnë këtë rajon të veçantë, si një vatër që e ruan identitetin kombëtar dhe nxjerrë figura të shquara prej luftëtari e deri në udhëheqës luftash si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen, andaj unë krenohem që edhe unë pjesë e këtij fshati dhe i këtij rajoni.

''Një freski nga lumi i fshatit tim''

GM: Cilat janë kujtimet tuaja më të hershme nga fëmijëria dhe si do t'i përshkruanit vitet e shkollimit fillor në vendlindje, midis Greshnicës dhe Zajazit?

AM: Familja ime ishte e madhe me vëllezër, motra e kushërinj. Aty nuk kishte nevojë për të ndjekur ndonjë kopsht fëmijësh, sepse socializmin e bënim në familje e në mëhallë. Unë kam shumë kujtime, por do t'i kujtoj vetëm disa që janë vulosur thellë në memorien time.

Duke qenë një fshat me kodra, livadhe, çuka e lëndina, ai më jepte mundësinë për të luajtur lojëra të ndryshme. Si çdo fëmijë, edhe mua më sfidonte kureshtja që të jem pjesë e lojërave popullore. Kur nuk më futnin në lojërat popullore, ku kishte edhe agresivitet, nga mospranimi në lojë qaja.

Edhe kur fëmijët e fshatit vidhnin ndonjë kokërr molle ose ndonjë bostan diku dhe mua më caktonin të rri jashtë kopshteve si vëzhgues për të paralajmëruar që të iknin, shpesh pronarët e kopshteve me përzinin me vëllain tim, që ishte shumë i lëvizshëm e i parehatshëm. Andaj më qortonin mua pa e ditur se kush është, por kishin bindjen se ishte "i biri i Faikut (baba im)" dhe kështu shpesh unë e haja qortimin në shtëpi.

Pasi i kreva katër klasat e para të shkollës fillore në shkollën e fshatit, klasat e larta i vazhdova në shkollën qendrore të fshatit Zajaz, që në fillim ishte diku 10 kilometra, ndërsa më vonë ndërtuan një shkollë të re më afër fshatit tonë.

Më kujtohet edhe një gjë. Vëllai im, që ishte më i madh se unë, nuk e kishte shumë qejf shkollën, andaj shpeshherë më detyronet që unë të lexoj e ai të dëgjonte, edhe pse në të vërtetë ai bënte gjumë. Ai do ia merrte shpesh babait biçikletën dhe pastaj fajin ma hidhte mua, gjoja se unë nuk mund të ecja deri në shkollë.

Ajo që e mbaj mend nga fëmijëria ime është që unë kurrë nuk kam munguar në mësime, pa marrë parasysh se çfarë moti ishte, kurse vëllai im dhe shokët e tij shpesh mungonin, andaj mësuesit i qortonin edhe bile i ndëshkonin. Ajo që nuk mund ta harroj është një ditë dimri kur “të mëdhenjtë” kishin vendosur që unë të mos shkoj në shkollë. Por, unë ngula këmbë dhe u nisa. Megjithatë, sapo u nisa, ata m’u turrën dhe me gjithë librat më hodhën në lum. U bëra qull dhe më kapi i ftohti. Me vrap u ktheva në shtëpi. Edhe sot e kujtoj atë ditë. As nuk guxova të tregoj, sepse më porositen që mos të tregoj se përndryshe një javë rresht do ta përsëritnin atë dhunë ndaj meje.

Për shkak se lageshim nga bora, mësuesit në Zajaz më linin të ulem afër koftorit. Dëshira ime ishte që të marr pjesë në grupin e dramës, ku edhe kam luajtur në disa shfaqje dramatike, që organizoheshin gjatë patronatit të shkollës. E mbaj mend se dikush nga prindërit që kishin ardhur ta shohin shfaqjen më kishte fotografuar, më përgëzoi dhe më fali një set të lapsave, madje edhe foton dikur më vonë ma dha. Po ashtu më kujtohet një mësues që kishte mbaruar shkollën e bujqësisë, por që në mungesë të kuadrit, e kishin pranuar për të dhënë lëndën e gjuhës frënge. Mësuesi i parë që më kishte dhënë mësim më parë, e njihte shumë mirë gjuhën frënge dhe na kishte mësuar si duhet, por kur erdh ky mësuesi i ri, ai lexonte sikur të lexonte në gjuhën shqipe: “Les ecoles caramades”. Unë spontanisht reagova, duke shpjeguar se mësuesi Qazim Rushaj (tash jeton në Amerikë – e përshëndes pa masë) na ka mësuar se si shqiptohen diftongjet ai-e, ou-u etj., cilat fonema theksohen e cilat nuk theksohen në fund rreshtit, ashtu si e kërkonte drejtshqiptimi në gjuhën frënge. E vërejta shumë shpejt inatin ndaj meje, por falë Zotit atë e transferuan në një shkollë tjetër në klasët e ulëta.

Asnjëherë nuk mund ta harroj edhe më të rriturit na detyronin të bëjmë gara mundjeje ose pehlivani. Mu vunë mua, duke më thënë se mund ta fitoj njërin, që ishte dy vite më i madh se unë, se unë jam më i fort se ai etj. Unë pranova, por kur ai më kapi, ma zuri frymën dhe, madje, nuk e kuptonte se unë ia pranova humbjen. Ai nuk më lëshoi derisa erdhi dikush dhe u bërtiti.

Meqë shkollën e ciklit të lartë e kishim larg, shpeshherë e shkurtonim rrugën dhe kalonim nëpër livadhet. Por, pronarët nuk na lejonin shpesh nuk na lejonin të kalojmë dhe kjo na detyronte të bënim rrugë edhe më të gjatë. Por, ishte një bashkëmoshatar i yni i cili të gjithë pronarët e livadheve i thirrte “daje”. Kjo fjalë disi i ngrohte dhe ata na lejonin të kalojmë përmes livadheve, por jo në grup; duhej të ecnim në rresht një nga një.

GM: Cili ishte roli i familjes dhe i komunitetit lokal në orientimin tuaj drejt arsimit, në një periudhë kur sfidat ishin të shumta?

AM: Familja ime ishte e pashkolluar, nëna ime ishte analfabete, por fort e zgjuar, kurse babai kishte mësuar shkollë serbe me pauza. Ai dinte shkrim e lexim, por më bënte përshtypje pse ai kur shkruante përdorte shkronja cirilike me fjalë shqip. “Unë nuk i di gërmat shqip”, më shpjegonte ai.

Fshati im kishte vetëm një shkollë deri në klasën e katërt. Meqë fshati nuk kishte në atë kohë mësues të vendit, te ne vinin mësues nga vendet e tjera. Unë pata fatin që në klasë të parë ta kem mësuesin më të mirë, mësuesin Halit Jashari, që jo vetëm ishte mësues e edukator, por ishte edhe një prind i vërtetë. Por, pushteti shumë herët e kishte vënë në sy. Më vonë e kuptova se pse mësuesin tim e kishin maltretuar edhe pse ai ishte ndër të parët mësues që kishte diplomuar. Atij kurrë nuk i kishin dhënë vendim pune, por e dërgonin fshat në fshat, bile edhe në zonat më të thella të malësisë. Më vonë ai u detyrua të migrojë bashkë me familje në Turqi. I kam shumë borxh, sepse ai ishte mësuesi më i përkushtuar që jo vetëm na mësoi, por edhe na edukoi me vlerat morale, humane dhe qytetare. Ai na mësoi si ta duam njeriun, librin dhe gjuhën shqipe. Shpesh kur fliste për rëndësinë e arsimit, e përdorte para prindërve thënien “Shit kalin mëso djalin”.

Por, kjo zgjati vetëm një vit. Një ditë vere ai kishte ardhur në fshat që të përshëndet me fshatarët, të cilër ishin mbledhur në një numër shumë të madh. Kur ngrihet për t’u larguar, ai kishte thënë: “Ma sillni nxënësin tim Avziun; vetëm ta shoh”. Unë shkova me vrap. Ai më përqafoi dhe filloi të qaj. Unë nuk e kuptoja se për çka bëhet fjalë. Më fillimin e vitit shkollor, ai nuk erdhi më. E pyeta babain se pse nuk vjen mësuesi im. Ai mu përgjigj shkurt se ka shkuar në Turqi. Atëherë fillova të qaj, ashtu siç e ka përshkruar profesori i letërsisë shqiptare, poeti Agim Vinca:

“Pat ikur mësuesi im në Turqi,

unë abetaren e laga me lot.

Në zemër më hyri fytyrë e tij

dhe s’më hiqet atë ditë e sot”

Pasi mbarova klasën e tetë, problemi ishte se çka do të vazhdoj dhe ku? S’kishte njeri të na orientojë. Dëshira ime në fillim ishte që të behëm orëtar apo rrobaqepës, por për familjen dhe për komunitetin tim në atë kohë arsimi shihej si rruga më e sigurt për emancipim dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

''Unë si maturant''

GM: Si e kujtoni shkollimin në Normale ‘Zef Lush Marku’ në Shkup dhe si ndikoi kjo periudhë në formimin tuaj të hershëm?

AM: Shkolla Normale, për shqiptarët, jo vetëm të Maqedonisë, por edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Kosovës bile, edhe të Malit të Zi, ishte vetmja shkollë për përgatitjen e kuadrit mësimor dhe me të vërtetë ajo mund të quhej universitet shqiptar. Aty punonin profesorët më të mirë të asaj kohe. Unë u jam pafundësisht mirënjohës profesorëve të Normales së Shkupit, të cilët me plotkuptimin e fjalës ishin profesionistë, edukatorë e misionarë të përkushtuar ndaj mësimit dhe nxënësve.

Shkolla Normale për mua mbetet një shkollë që përgatiste kuadër me sedër, me kulturë, plot dinjitet dhe jepte vlera që i duheshin shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Kjo shkollë mbetet vendi ku unë u formësova si mësues, si njeri dhe si intelektual. Aty mësova disiplinën profesionale, përgjegjësinë shoqërore dhe rëndësinë e përkushtimit në mësimdhënie, që më shërbeu më vonë në gjithë karrierën time.

''Me kolegët e mi gjatë studimeve''

GM: Pse zgjodhët pedagogjinë si fushë studimi në universitet dhe cilat janë disa nga kujtimet tuaja nga koha e studimeve?

AM: Si çdo maturant, në fillim mendoja për më shumë opsione, por përseri unë u përcaktova për Fakultetin e Filozofisë, degën e Pedagogjisë, sepse aty isha më afër. Edhe pse në fillim kisha vështirësi, sepse këto studime zhivilloheshin në gjuhën maqedonase, ndërsa unë e njihja këtë gjuhë më shumë në nivelin komunikativ sesa në nivelin libror, por edhe kjo u tejkalua.

Zgjedhja e studimeve në degën e Pedagogjisë ishte zgjedhja ime e natyrshme, sepse dëshiroja të kontribuoja në formimin e brezave të rinj me arsim dhe edukatë. I kujtoj orët e shumta praktike dhe diskutimet me profesorët, që më ndihmuan ta kuptoja rëndësinë e metodikës dhe zhvillimit të një stili personal dhe takti pedagogjik. Më ka ndihmuar fakti se asnjëherë nuk kisha frikë nga gabimet, që janë pjesë natyrale e mësimit. Shpesh njerëzit shmangin të flasin një gjuhë tjetër për shkak të frikës nga gabimet, por unë ashtu siç e dija, pa asnjë kompleks, debatoja ose pyesja për gjithçka më interesonte. Në kohën kur unë studioja, provimet ishin edhe me shkrim dhe me gojë, ashtu që së pari i nënshtroheshim një provimi nga literatura që e kishte përcaktuar çdo profesor i lëndës përkatëse. Kur duhej t’i nënshtrohem provimit nga lënda e Historisë së arsimit kombëtar, aty nuk gjeta asnjë studim ose trajtesë nga ndonjë studiues shqiptar, edhe pse pedagogu i madh shqiptar Jashar Rexhepagiq e kishte botuar një studim mbi arsimin kombëtar në trojet e Jugosllavisë edhe në gjuhën shqipe edhe në serbisht. Gjatë provimit unë i bera pyetje asistentit se pse në këto studime nuk kemi ndonjë studim nga historia e arsimit shqip. Pyetja ime ishte se pse nuk mësojmë edhe për zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar. Ai ma preu shkurt se :ajo pjesë u takon shqiptarëve të Shqipërisë; historia e arsimit shqip në Maqedoni është është historia e arsimit maqedonas”. Kjo më detyroi t’ia përmend disa gjëra që i kisha mësuar në lëndën letërsisë, përpjekjet e rilindësve, punën e tyre për Abetaren, hapjen e shkollave klandestinë dhe hapjen e Shkollës së Parë në Korçë. Pasi i dëgjoi këto copëza refimesh, më kërkoi ta shkruaj një punim mbi zhvillimin e arsimit shqip deri në vitin 1912. “Pas këtij viti – tha – të gjithë kemi qenë të okupuar nga serbet, bullgarët.”

Fillova të kërkoj material dhe bëra një puninim të shkurtër të zhvillimit të arsimit shqip. Ia dorëzova dhe e hoqa obligimin, por tek unë filloi kureshtja që të interesohem për historinë arsimit shqip. Çdo punim ose trajtesë nga historia e arsimit shqip për mua u bë një kënaqësi e madhe.

GM: Studimet pasuniversitare në Zagreb shënojnë një etapë të rëndësishme në karrierën tuaj. Si do ta vlerësonit ndikimin e asaj periudhe në pjekurinë tuaj shkencore?

AM: Përcaktimi im dhe i disa kolegëve të tjerë ishte që studimet parauniversitare t’i vazhdoj në Zagreb. Vazhdimi i studimeve për mua nuk ishte vetëm një vazhdim studimesh, por një periudhë ku i plotësova njohuritë që më mungonin, por edhe ku u formësova si studiues dhe si njeri. Për herë të parë u përballa me një mjedis akademik kërkues, me standarde të larta dhe me një kulturë të hapur debati. Kjo më ndihmoi të fitoj pjekuri shkencore, disiplinë në punë dhe besim në idetë e mia. Kjo përvojë më mësoi të mendoj më thellë, të jem më kritik dhe më i përgjegjshëm ndaj dijes që e prodhoj dhe transmetoj edhe sot. Universiteti i Zagrebit, një ndër universitetet më të vjetra, që daton nga viti 1669 dhe i posedonte të gjitha kushtet si me kuadër ashtu edhe me literaturë, më hapi horizontet e studimeve bashkëkohore pedagogjike dhe linguadidaktike. Aty mësova metodologji kërkimore të avancuar, si mund në futem në fshehtësitë shkencore, gjë që më ndihmoi t’i ndërtoj themelet e një karriere të konsoliduar shkencore. Aty vendosa kontakte me shkollat e ndryshme pedagogjike dhe didaktike dhe aty mësoav t’i strukturoj mendimet dhe qasjen kritike ndaj mësimdhënies dhe trajtesave shkencore.

GM: Çfarë ju shtyu drejt vendimit për t’u diplomuar edhe në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe në ç’mënyrë kjo diplomë e dytë e pasuroi dhe e përmbushi profilin tuaj pedagogjik?

AM: Kur unë studioja në Fakultetin Filozofik, në këtë fakultet bënte pjesë edhe fakulteti i shkencave filologjike. Kur u diplomova, atëherë u nda dhe u formua Fakultetit Filologjik. Me rekomandimin e një profesoreshe, që sot e llogaris si nënë shpirtërore, që në vitin e dytë të studimeve u punësova. Profesoresha e dashur, Olivera Jashar Nasteva, bisedoi me profesor Petro Janurën në prag të hapjes së Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Puna ime ishte që ta rregullojë bibliotekën dhe disa punë administrative që i kërkonte dekanati i fakultetit. Meqë nuk kishte kuadër tjetër, unë i kryeja edhe punët e asistentit. Pasi u diplomova, unë kërkova që të largohem dhe të punoj si pedagog shkolle diku në vendlindje, por profesor Janura më tha se “që të punosh në Katedër, duhet ta kryesh edhe degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare; një kohë, deri sa t’i kryesh këto studime, do të punosh si bibliotekar-sekretar”. Andaj iu përvesha punës dhe e kreva edhe degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Diplomimi në këtë fakultet ishte mundësia më e madhe që pedagogjinë ta materializoj për ta plotësuar profilin tim pedagogjik dhe për të pasur një bazë të fortë gjuhësore e letrare. Njohja e thellë e pedagogjisë dhe e gjuhës dhe letërsisë shqipe më lejoi të krijoj dhe të përdor metoda aktive në mësimdhënie të integruar dhe të kontribuoj në literaturën shkollore dhe akademike.

GM: Cilat sfida dhe çfarë motivimesh ju shoqëruan gjatë përgatitjes së doktoratës në linguadidaktikë?

AM: Sfida ishin shumë të mëdha dhe të ndryshme. Së pari dhe më e madhe ishte mungesa e literaturës së specializuar për punimin që duhej ta kryej, si dhe kushtet e kufizuara. Ishte fundi i Jugosllavisë, gjë që ma kufizoi hapësirën kërkimore në republikat tjera. Megjithatë, dëshira ime ishte për të kontribuar në zhvillimin e metodikës së mësimdhënies së gjuhëve, por edhe të gjuhëve të mjedisit shoqëror. Kërkesat e mia të parashtruara në tezën e doktoranturës u shtrinë jo vetëm në Maqedoni, po kudo ku mësohen gjuhët e mjedisit. Në Maqedoni jetojnë shqiptarë, turq, vllahë, romë, boshnjakë etj. që e përvetësojnë lëndën e gjuhëve të mjedisit shoqëror nga komunitetet. Tezat e mia të disertacionit sot gjejnë zbatim në këtë mjedis dhe për këtë jam shumë krenar.

''Një ditë pune në kabinetin tim pa kompjuter''

GM: Si do t’i përshkruanit hapat tuaj të parë dhe rrugëtimin shumëvjeçar në Fakultetin Filologjik të Shkupit?

AM: Rrugëtimi filloi me përkushtim si ligjërues i ri menjëherë pasi magjistrova, pas zgjedhjes si ligjërues e më pas si ligjërues i lartë. Ndërkohë edhe doktorova dhe u zgjodha në titullin docent. Si ligjërues dhe si docent, për mua ishte primare mësimdhënia, edhe pse nuk i lija anash as simpoziumet e konferencat shkencore. Por, nuk isha rëhat dhe nuk doja që si profesor i një lënde karrierën ta mbaroj pa shkruar tekste për atë lëndë. Prandaj për secilën lëndë që kam ligjëruar i kam edhe tekstet e mia, që janë tekste universitare që përdoren edhe sot për ligjërata dhe studime të ndryshme.

Gjëtë punës sime shumëvjeçare zhvillova një rrjet bashkëpunimesh, me shumë punime shkencore dhe profesionale, që më krijuan një bazë solide për avancimin profesional dhe shkencor. Me punë të vazhdueshme, arrita t’i fitoj të gjitha gradat arsimore në universitet.

GM: Përvoja juaj si bibliotekar në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe duhet të ketë qenë e veçantë. Çfarë mund të ndani me ne nga ajo periudhë?

AM: Biblioteka për mua ishte një universitet i dytë. Ajo më ndihmoi të kem qasje kërkimore dhe të krijoj kulturë leximi. Biblioteka përfaqëson një qendër të dijes dhe informacionit, që ruan dhe ofron qasje në libra, revista, dokumente, materiale dhe burime të tjera të njohurive. Aty u ndesha drejtpërsëdrejti me enciklopedi, leksikone, fjalorë, bibliografi, udhëzues, romane etj.

Biblioteka ishte vendi ku u njoha me literaturën klasike dhe bashkëkohore, ku pashë se përveç botës sime, ka edhe shumë edhe botë të tjera. Aty u mbusha me informacione, u njoha me shumë shkrimtar, aty e krijova dashurinë për librin, mësova se si kërkohet literatura në biblioteka të ndryshme etj.

Biblioteka për mua është vendi ku lindin dhe krijohen dëshirat. Ndërkaq, kush ka shumë dëshira, mbetet gjithnjë i qytetëruar dhe çdoherë mbetet i ri.

GM: Cilat kanë qenë përvojat dhe sfidat tuaja si ligjërues i Metodikës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe i Kursit Special?

AM: Kur e mora lëndën e Metodikës së Gjuhës dhe të Letërsisë, u përballa së pari me statusin e kësaj lënde në procesin mësimor, sepse kjo lëndë një kohë e kishte statusin e një lënde ndihmëse, atë e ligjëronin profesorë vetëm me përvojë dhe çdo gjë shihej vetëm nga aspekti praktik. Ata që e mbanin këtë lëndë në tërë fakultetin filologjik nuk ishin të specializuar, por ishin profesorë të gjuhës ose të letërsisë. Pasi e kisha kryer edhe pedagogjinë dhe studimet e gjuhës, unë isha më i kompletuari dhe më adekuati për lëndët metodike.

Në fillim edhe nuk kuptoheshim, por më vonë, kur shumica e të diplomuarve filluan punësohen në arsim, madje një pjesë e vogël t’i vazhdonin studimet pasdiplomike, gjithnnjë e më shumë erdhi në pah rëndësia e kësaj lënde. Për ata që punonin në shkolla njohuritë metodike ishin imediate dhe interesi po shtohej vit pas viti, sepse si mësimdhënia, ashtu edhe mësimnxënia kërkonin njohje të thellë sistematike të kësaj lënde.

Së pari ia ndërrova emrin lëndës nga Metodika në Didaktikë të mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqipe, që është një fushë studimi që fokusohet në mënyrat, metodat dhe strategjitë më të mira për ta mësuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në mënyrë efektive. Por, jo vetëm kaq. Sepse mësimdhënia dhe mësimnxënia e arrijnë suksesin vetëm atëherë kur, krahas njohurive, dihet edhe se si të menaxhohet klasa. Koha në të cilin jetojmë me shpejtësi të madhe hyn në një etapë të re zhvillimi, që synonte ngritjen e cilësisë në procesin mësimor.

E sa i përket lëndës Kursi special, që hyri në plan-programet mësimore për herë të parë si një praktikum për studentët, ajo lëndë shihej si një kurs i përmbledhjes ose sistem termash që përfaqësonin një sistem të tërë konceptesh të një fushe specifike, si publikimi dhe promovimi i tyre në rrjetin e gjerë të përdoruesve të saj etj.

GM: Cila është për ju rëndësia e lëndës Metodika e Mësimit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe cili është roli i Kursit Special në përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm?

AM: Qëllimi kryesor i lëndës Metodika e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe është që të ndihmojë në formimin profesional te studentëve, të cilët përgatiten për mësimdhënie dhe mësimnxënie në lëndën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

Aty trajohen te temat të cilat duhet t’i njoftojnë studentët jo vetëm me metodat dhe format kryesore të punës dhe organizimit mësimor, por edhe me mënyrat dhe teknikat e arritjes së një komunikimi të ngritur profesional në raportet mësimdhënës-nxënës, si dhe me informacione dhe dije të cilat do i bëjnë ata të aftë të gjykojnë e debatojnë në lidhje me mësimin e gjuhës dhe të letërsisë

Detyra e një studenti, përmes kësaj lënde, është të pajiset me mjeshtërinë metodike, si dhe me interpretimin shkencor nga lëmi i gjuhës dhe letërsisë, të zotërojë konceptet kryesore didaktike lidhur me organizimin e mësimit, duke përfituar nga njohuritë bashkëkohore në fushën e mësimdhënies, të aftësohet për të debatuar e diskutuar dhe për të fituar dije të caktuara mbi fenomenin e artit letrar në aspektin historik, teorik dhe metodologjik, gjithnjë duke kërkuar frymën e zhvillimit të mendimit logjik dhe kritik, veçanërisht mbi problemet e strategjisë dhe të metodave të mësimdhënies ndërvepruese, por duke e kuptuar funksionimin, natyrën dhe karakterin e letërsisë në tërësi, në harmoni me kërkesat e metodologjisë moderne të mësimdhënies ndërvepruese.

Temat që përfshihen në këtë kurs janë: përkufizimi i metodave të ndryshme në zhvillimin e të folurit, të shkruarit, të parashtrimit të pyetjeve etj. Studentët duhet të orientohen e të bëhen hulumtues të veçorive psikologjike, didaktike dhe akademike në të shprehurit, të shkruarit dhe të lexuarit në fushë të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Kështu do të arrijnë t’i përmirësojnë praktikat e mësimdhënies dhe të nxënit për një mësimin bashkëkohor.

GM: Si do ta përshkruanit rritjen tuaj profesionale nga hapat e parë si ligjërues e deri te marrja e titullit 'Profesor Ordinar'? Cilat stacione të këtij rrugëtimi i konsideroni si arritjet tuaja më kuptimplota?

AM: Ngritja profesionale ka qenë një proces i gjatë dhe i ndërtuar me punë, kërkim shkencor dhe angazhim pedagogjik. Përveç botimit të teksteve shkencore universitare, si edhe botimit të trajtesave shkencore në vend dhe jashtë, me rëndësi ka qenë edhe përgatitja seminareve dhe trajnimeve të mësuesve, publikimi i teksteve shkollore, prej Abetares e deri te fletoret e punës, por edhe përgatitja e programeve akademike, që kështu të kontribuoja në zhvillimin e mendimit pedagogjik në Maqedoni, e veçmas në arsimin shqip. Kështu unë arrita shkallën më të lartë të titullit akademik “profesor rregullt” dhe, pastaj, një mandat të shërbej edhe si kryetar i komisionit çështje arsimore në Universitin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup.

GM: Gjatë dekadave tuaja në arsim, cilat kanë qenë ndryshimet më domethënëse që keni vërejtur në procesin e mësimdhënies? Si ka evoluar raporti mes mësuesit, nxënësit dhe tekstit shkollor?

AM: Nxënësit nuk trajtohen më vetëm si objekt, por edhe si subjekte në procesin mësimor. Tash nxënësi në procesin mësimor ka marrë një rol më aktiv, kurse mësuesi është vetëm udhëheqës e organizator i procesit mësimor. Kur teknologjia e ka transformuar mënyrën e të mësuarit, mendoj se libri më nuk është burim kryesor dhe i vetëm, andaj edhe raporti mes mësuesit, nxënësit dhe tekstit ka evoluar drejt bashkëpunimit dhe dialogut. Mësimi bazohet mbi teorinë konstruktivistike dhe lidhet me jetën. Nxënësi nxitet që t'i zbulojë parimet, bazat dhe kuptimin e nocioneve dhe të fitojë njohuri. Tani klasa ka kaluar në mjedis stimulues, i cili mund t’u përgjigjet sfidave dhe nevojave të shekullit 21.

Mësimi bashkëkohor ka për qëllim zgjidhjen e shumë problemeve nga hamendjet ekzistuese. Tani mësimi është i orientuar drejt kërkimit të strategjive të ndryshme, ashtu që vazhdimisht kërkon lloje të ndryshme të mësimit. Me zhvillimin e hovshëm dhe të shpejtë tekniko-teknologjike dhe zhvillimin shkencor të shoqërisë, gjithnjë më intensivisht gjurmohen strategjitë, modelet dhe format e reja etj., të cilat do t’u kundërvihen modelit arsimor tradicional dhe do të kontribuojnë për mësimin bashkëkohor.

GM: Si e vlerësoni angazhimin tuaj në Fakultetin Pedagogjik “Shën Kliment Ohridski” dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup?

AM: Angazhimi im në Fakultetin Pedagogjik në Shkup ishte i domosdoshëm, sepse kishte mungesë kuadrit. Në këtë fakultet e kam ligjëruar Didaktikën e Gjuhës Shqipe për ciklin e ulët mësimor. Po ashtu e kam mbajtur edhe lëndën Historia e arsimit shqip si lëndë zgjedhore. Në kohën kur ligjëroja në këtë fakultet, aty ishte një numër i madh i të diplomuarish që kërkonin t’i vazhdojnë studimet për ta marrë diplomën e fakultetit, sepse edhe ligji i obligonte. Nuk kam pasur orë ku nuk vinin mësues e mësuese për të dëgjuar ligjërata ose për t’u konsultuar. Ata dëshironin qe sa më shumë të njoftohen me arritjet në sferën e mësimnxënies dhe mësimdhënies. Meqenëse mësuesit dhe mësueset ishin me mosha ndryshme, ligjëratat e mia ishin të orientuara nga mësimi bashkëkohor, i cili në kohën e sotme nuk toleron shabllone, por kërkon që mësimi të jetë i hapur ndaj risive, ndaj metodave të reja, formave dhe mjeteve që e orientojnë nxënësin nxënësit kah zhvillimi i shkathtësive krijuese dhe kah roli më kreativ në komunikim me nxënësin.

Ndërsa në Fakultetin e Shkencave islame isha i angazhuar për dhënien e lëndës së filozofisë europiane prej antikës e deri te Kanti. Kjo lëndë ngjalli interes të madh te studentët, me të cilët shpeshherë debatonim për shumë çështje filozofike që i përballonim edhe me filozofinë e religjionit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin e mirënjohur Salim Arifi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, piktorin dhe publicistin Fritz Radovani Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe ish-të përndjekurin politik Eduard M. Dilo Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin Kristaq Turtulli – Ambasador i Kombit Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me piktorin e mirënjohur Gazmend Freitag Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI)

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx