E hene, 01.12.2025, 10:14 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Albanian BookFest - një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë

E hene, 01.12.2025, 07:00 PM


ALBANIAN BOOKFEST -- Një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar në Shtetet e Bashkuara –Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 2025

Nga Frank Shkreli

Zonja dhe Zotërinj, autorë e lexues të librit shqip, miqë, kolegë e kolege të nderuara:

Ja ku jemi mbledhur këtu sot në një organizim për herë të parë në Shtetet e Bashkuara për një Festival të Librit Shqiptar – Albanian BookFest, “një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar”, në këtë vend shtet-planet – në Amerikën e madhe.

Është nder dhe privilegj të jem në këtë takim që Gazeta Dielli e ka cilësuar si “një ngjarje historike dhe madhështore kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan”, organizuar nga Federata Panshqiptare Vatra, në bashkpunim me disa shoqata të tjera patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Shpresohet që ky Festival i Librit Shqip i këtij lloji, të shënojë edhe fillimin e një tradite dhe trashëgimie kulturoro-letrare për brezat e ardhëshëm të komunitettit shqiptaro-amerikan dhe më gjërë. Një urë midis brezash, si të thuash!

Por edhe një traditë që do të mbart shpirtin, kujtesën dhe të ruaj identitetin e popullit shqiptar përgjatë shekujve, të atij populli të “gjakut të shprishur”, i shpërndar nëpër kontinente, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si i tillë, uroj që ky festival të zhvillohet, e të rritet, vit pas viti, në diçka më shumë se thjesht një ekspozitë librash. Ndonëse, me të drejtë, kjo nismë nga udhëheqsit e Vatrës dashamirës të librit, në bashkpunim me organizata të tjera shqiptaro-amerikane, po cilësohet si “historike” dhe “madhështore”. Por mund të thuhet lirshëm se kjo nismë, në forma të tjera, i ka rrënjët në historinë e hershme të fillim shekullit të kaluar të emigrimit të shqiptarëve në këto brigje të Atlantikut.

Jam i sigurt se në arkivat e Vatrës dhe të gazetës Dielli duhet të ketë mjaft prova e dokumentacion që tregojnë se mundësitë financiare të shqiptarëve të parë ishin të vogla por dëshirat e tyre për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe historisë ishin shumë të mëdha.

Prandaj, sot, nën rrethana shumë më të volitshme dhe me mundësi për një pjesëmarrje pothuaj mbarë kombëtare, është nder dhe privilegj i veçant që mblidhemi këtu sot për të festuar librat, autorët dhe udhëtimin e gjatë të letrave shqipe -- dhe zvillimit të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Është pra, një rrugëtim që mund të ketë filluar më shumë se një shekull më parë, kur emigrantët e parë shqiptarë mbërritën në këto brigje. Ishte një kohë kur ata erdhën në këtë vend të madh -- përveç shpresave për një jetë më të mirë për veten e familjet e tyre – edhe me dëshirën e madhe për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën shqipe, nën rrethana më të pëtshtatshme -- nga vendlindja -- që ofronte liria dhe demokracia amerikane, në krahasim me vendlindjen.

Kryesisht në Boston dhe Nju Jork, filluan të botoheshin broshurat e para shqipe, tekste fetare e të tjera. Botime shumë modeste - disa jo më të mëdha se një fletore xhepi - u bënë librat e parë shqip të shtypur ndonjëherë në tokën amerikane, por jo vetëm.

Shumë shpejt, Bostoni u rrit si qëndër e botimeve shqiptaro-amerikane. Atje, individë si Sotir Peci shtypën abetaret e hershme, duke ndihmuar një brez emigrantësh të mësonin dhe të ruanin gjuhën shqipe. Dhe në vitin historik 1909, u themelua Gazeta historike Dielli - një pishtar i vetëdijes kombëtare dhe gazeta më e vjetër shqip (në botë) që është ende në qarkullim, sot.

Por ishte ardhja e Fan Nolit në Amerikë, momenti që vërtetë i dha hov zhvillimit të botimeve me rëndësi historike dhe liturgjike e të tjera, në gjuhën shqipe.

Nuk dua të futem në histori, por të gjithë jemi në dijeni se nga shtypshkronja e tij e vogël në Boston, Noli i Vatrës botoi disa nga librat më të hershëm, të rëndësishëm shqip, në Shtetet e Bashkuara. Ai përktheu dhe botoi tekste liturgjike për Kishën Ortodokse Shqiptare, ndërkohë që u prezantoi lexuesve shqiptarë letërsinë botërore dhe - më e rëndësishmja – i dha Kombit një nga veprat e para të mëdha historike, të botuara në Amerikë: Historia e Skënderbeut, e shtypur në vitin 1921.

Po i përmend këto, qëllimisht, jo vetëm për të pasqyruar këto përpjekjet të hershme të emigrantëve të parë shqiptarë në këtë vend, por edhe për të pohuar diçka më të fuqishme – një porosi domethënse prej tyre!

Se as atëherë, as sot në Amerikë, gjuha dhe kultura nuk mbahen në valixhe – por ato ruhen dhe u kalohen brezave nepërmjet librave. Një ide dhe nismë që i jep këtij organizimi sot një domethënie dhe rëndësi historike, jo vetëm në mbrojtje, por edhe në zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Le të jetë ky festival, fillimi i një trashëgimie jo vetëm për çdo autor, përkthyes, ose lexues të ri që hap një libër shqip ose anglisht, por për këdo, që organizime si ky në të ardhmen, bëjnë të mundur zbulimin e trashëgimisë së vet kombëtare në vazhdimësi dhe përforcon identitetin gjuhësor e kulturor të komunitetit shqiptaro-amerikan, megjithse ndoshta të lindur e rritur në Amerikë.

Urimi im, me këtë rast, është që ky festival, jo vetëtm, të frymëzojë brezat e rinjë shqiptaro-amerikanësh që me krenari, me përkushtim e dashuri – me botimet e tyre – të vazhdojnë të kultivojnë gjuhën dhe kulturën shqipe në të ardhmen, këtu në Shtetet e Bashkuara. Por uroj gjithashtu që festivale të tilla, në të ardhmen, qoftë këtu në Amerikë, qoftë në trojet shqiptare – të jenë më shumë se një ekspozitë librash: uroj që festivale të librit, të shërbejnë, njëkohsisht, edhe si një urë midis brezash: Si një dëshmi e fuqisë së fjalës së shkruar që mbetet si dokument i identitetit dhe bashkimit të një populli, pavarësisht se ku jeton: në Tiranë, Prishtinë, Shkodër, Korcë a Gjirokastër, Shkup, Çamëri, Ulqin, Preshevë, apo këtu në peizazhin e gjerë dhe të larmishëm të Amerikës.

Për dekada të tëra, shkrimtarët shqiptarë - si në atdhe ashtu edhe në diasporë - kanë punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm – por nën rrethana shumë më të vështira sidomos financiare, për të ruajtur gjuhën shqipe, për të ngritur kulturën dhe për të treguar historitë që përcaktojnë se kush janë shqiptarët, si popull e si Komb, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare të Ballkanit Perëndimor, por edhe këtu në Amerikë.

Falënderim dhe mirënjohje për ju organizatorë të këtij festivali të librit: Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe Gazetës Dielli me kryeredaktorin e saj Sokol Paja, por edhe organizatave të tjera pjesëmarrse të komunitetit të gjërë shqiptaro-amerikan. Ju priftë për së mbari në këtë rrugëtim të shenjtë e historik. Urimet e mia më të përzemërta në punimet e këtij tubimi sot dhe gjithmonë!

Fotot nga Gazeta Dielli, organi i Federatës Pan-Shqiptare Vatra

Tre vëllimet e autorit, “Demokracia nuk pret”, botuar nga Gazeta Telegraf e Trianës, 2018



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Gëzuar 28 Nëntori 2025 - Dita e Pavarësisë së Shqiptarëve! Frank Shkreli: Në nderim të Dom Pjetër Popajt — katër dekada në shërbim të Zotit dhe Kombit Frank Shkreli: Shtëpia e Bardhë ka shpallur “Javën e Antikomunizmit” Frank Shkreli: Po legalizohet kisha ilegale ortodokse serbe në majë të Malit të Rumisë Frank Shkreli: Kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në Krujë Frank Shkreli: Fjala përshëndetëse në përvjetorin e degës së “Vatrës” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, New York Frank Shkreli: At Gjergj Fishta - Apostulli i madh i vëllazërimit kombëtar Frank Shkreli: Asnjë provë bashkëpunimi në dosjen e Martin Camajt Frank Shkreli: Shkrimi i parë që nisi karrierën time modeste gazetareske Frank Shkreli: Nënë Tereza ''Bijë e Amerikës'' Frank Shkreli: Malësori fisnik, prijësi legjendar kombëtar Dedë Gjo Luli Frank Shkreli: Po mbyllet revista 'Kuq e Zi' Frank Shkreli: Kongresi Amerikan me rezolutë: Socializmi, një ideologji e dështuar! Frank Shkreli: Në Ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore Frank Shkreli: 115-vjetori i ditëlindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i bekimit të gurthemelit të katedrales së saj në Prishtinë Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx