E premte, 28.11.2025, 10:42 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Gëzuar 28 Nëntori 2025 - Dita e Pavarësisë së Shqiptarëve!

E premte, 28.11.2025, 07:00 PM


GËZUAR 28 NËNTORI, 2025 - DITA E PAVARËSISË SË SHQIPTARËVE!

“Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë”  Naim Frashëri

Nga Frank Shkreli

GËZUAR 28 Nëntorin 2025, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit të Kombit dhe të Heroit Kombëtar Gjergj-Katriotitit -Skenderbe!

“Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë”, ka thënë Naim Frashëri, dhe gjithnjë gjallë do të jetë! 113 vjet Shqipëri! Më në fund në liri! Shpallja e Pavarësisë është festa më e madhe e çdo kombi, e sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse ajo erdhi e vonuar, pas disa shekujsh nën Perandorinë e egër osmane, pushtimesh të huaja dhe vuajtjesh të brendshme. Megjithkëtë, gjatë gjithë historisë, Kombi shqiptar i qëndroi besnik identitetit dhe trashëgimisë së vet kombëtare, duke kundërshtuar dhe duke luftuar armiqtë dhe pushtuesit që donin t’ a zhduknin nga faqja e dheut. Ëndrra shekullore për liri që digjte në zemrat e shqiptarëve, më në fund u realizua më 28 Nëntor, 1912, kur kombit shqiptar, ngritja e Flamurit kuq e zi të Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Vlorë, i gëzoi sytë dhe zemrën shqiptarëve kudo. Si e tillë, Festa kombëtare e 28 Nëntorit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe burim fuqie, megjithëse njerëzit mund të ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer sidomos nga çerek shekulli i kaluar, 55-vjet pas shembjes së komunizmit. Por, me gjithë këtë nuk duhet harruar se Kombi shqiptar mbijetoi regjimin më të egër komunist në Europë dhe se gjatë gjithë historisë është përballur me probleme të llojllojshme dhe tragjedi të vështira, e që më në fund, shqiptarët ia kanë arrijtur qëllimit. Ndoshta për herë të parë në histori, fati i shqiptarëve sot, është dorë të tyre! I takon këtij brezi të shqiptarëve, të kësaj klase aktuale politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet autoktone shqiptare në Ballkan, që më në fund, të lënë mënjanë, të heqin dorë, njëherë e mirë, nga dallimet, grindjet politike, korrupsioni dhe inatet, nga interesat antikombëtare vetjake dhe partiake, ndoshta edhe të huaja,  dhe të shikojnë drejtë interesave të përbashkëta kombëtare, me qëllim që, më në fund të ndërtohet një bashkësi vëllazërimi dhe ideali kombëtar, në interesin e vërtetë të gjithë shqitarëve, pa dallim, ashtu siç e donin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Buletini e tjerë, në vitin 1912 --113-vjet më parë.

Është përgjegjsi morale e këtij brezi që të bëjë ç’ mos që të fillojë përpjekjet për të krijuar bazën e një bashkëjetese, bazuar në besë e bashkim me njëri tjetrin, për një komb të përbashkët, ashtu siç e këndonin Naim Frashëri, At Gjergj Fishta dhe të tjerë. Kurrë më parë në historinë e tij, Kombi shqiptar nuk ka qenë në gjendje më të mirë dhe më të përshtatshme se ç’ është sot, që përfundimisht, të harmonizojë dhe të bashkërendojë mundësitë, interesat dhe aftësitë e veta për krijimin e një shteti modern, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në përputhje me interesat kombëtare, duke iu përshtatur vlerave perëndimore dhe në bashkëpunim me organizmat euro-atlantike, pjesë e të cilave ka qenë gjithëherë Kombi shqiptar.

Në këtë mënyrë dhe në këtë ditë të lavdishme të historisë së Kombit shqiptar, ju që sot kini privilegjin dhe nderin të keni në duart tuaja frenat e fatit dhe të ardhmen e shqiptarëve, me një bashkëpunim më të ngusht politik dhe atdhetar -- mbi interesat personale e partiake -- do të nderonit Atdheun dhe të kujtonit lavdinë e atyre patriotëve që shpallën Pavarësinë e Kombit shqiptar më 28 Nëntor 1912. Me një bashkpunim të tillë politik, njëkohësisht, do të ringjallnit ndjesitë dhe shpresa të reja për një rilindje të vërtetë për mbarë Kombin shqiptar, si pjesë e asaj familjeje të madhe trako-ilire, që sipas At Gjergj Fishtës, ishte “në nam e në zë në historinë e fiseve dhe të kombeve”.

Ka ardhur koha që kombi shqiptar, me nder e krenari, përsëri, të zërë vendin që meriton dhe që i takon në radhët e fiseve dhe të kombeve të lira dhe të përparuara, para se të zhytet edhe në një errësirrë tjetër të historisë ssë tij. Ky brez i kësaj klase politike që sot është në krye të kombit shqiptar, duhet të jetë i vetëdijshëm se këtë borxh ia kanë atij brezi patriotësh të zgjedhur të Kombit, të cilët nën rrethana shumë më të vështira se sot, gjetën mënyra bashkëpunimi me njëri tjetrin për t’i hapur Kombit shqiptar rrugën e lirisë si dhe ditë fatlume të pavarësisë, që kujton dhe gëzon sot Kombi shqiptar në dy shtete –Shqipëri e Kosovë.

Njëkohësisht, klasa politike aktuale shqiptare i ka borxh brezave të ardhshëm që, me papërgjësitë e tyre politike dhe keq-qevrisjes, të mos shkelen dhe mos të nëpërkëmbet mundi, djersa, sakrificat dhe parimet e Rilindësve që i dhuruan Kombit pavarësinë!

Prandaj, sot le të kujtojmë ata burra të Kombit, në këtë ditë, për sakrificat e tyre, krenarinë kombëtare dhe dashurinë e tyre, të pa kushte, për Atdheun dhe ndaj njëri tjetrit.  Uroj që Flamuri Kombëtar i Gjergj Kastriotit- të valojë sot dhe gjithmonë me krenari, në trojet e lashta historike, iliro-arbërore dhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë.

Të pakën kjo është dëshira ime e sinqertë nga Amerika e largët dhe besoj e shumicës së shqiptarëve kudo në botë.  Për shumë vite gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të mbarë Kombit.

Të gjithë shqiptarëve kudo që janë: Gëzuar këtë Ditë të Shënjtë të Kombit



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Në nderim të Dom Pjetër Popajt — katër dekada në shërbim të Zotit dhe Kombit Frank Shkreli: Shtëpia e Bardhë ka shpallur “Javën e Antikomunizmit” Frank Shkreli: Po legalizohet kisha ilegale ortodokse serbe në majë të Malit të Rumisë Frank Shkreli: Kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në Krujë Frank Shkreli: Fjala përshëndetëse në përvjetorin e degës së “Vatrës” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, New York Frank Shkreli: At Gjergj Fishta - Apostulli i madh i vëllazërimit kombëtar Frank Shkreli: Asnjë provë bashkëpunimi në dosjen e Martin Camajt Frank Shkreli: Shkrimi i parë që nisi karrierën time modeste gazetareske Frank Shkreli: Nënë Tereza ''Bijë e Amerikës'' Frank Shkreli: Malësori fisnik, prijësi legjendar kombëtar Dedë Gjo Luli Frank Shkreli: Po mbyllet revista 'Kuq e Zi' Frank Shkreli: Kongresi Amerikan me rezolutë: Socializmi, një ideologji e dështuar! Frank Shkreli: Në Ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore Frank Shkreli: 115-vjetori i ditëlindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i bekimit të gurthemelit të katedrales së saj në Prishtinë Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx