Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Zëra lirie si dëshmi e një diktature që egërsohej
E merkure, 12.11.2025, 06:56 PM

Zëra lirie si dëshmi e një diktature që egërsohej…
Nga
Visar Zhiti
Kur
shpresat ishin më të mëdha, ndodhi dhe e keqja më e madhe…
Këtë
na tregoi dokumentari për Bjellorusinë, që pamë në Universitetin e Chicago-s.
Autori,
profesori dhe dramaturgu Andrei Kureichik, emigrant politik, e kishte kthyer
kameran e tij tronditëse në vitin 2020, kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale
nê Bjellorusi dhe Lukashenko vetëshpalli fitoren.
Shumica
e qytetarëve dhe e vëzhguesve ndërkombëtarë i panë zgjedhjet si të manipuluara,
aspak të lira dhe shpërthyen protesta masive në të gjithë vendin, më të mëdhatë
në historinë e Bjellorusisë.
Kandidatja
e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, u detyrua të largohej në Lituani.
Regjimi
reagoi me dhunë ekstreme: mijëra arrestime, tortura, mbyllje interneti dhe
ndjekje penale ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.
Dhe
shihnim trishtueshëm në ekranin e madh në krye të auditorit: pranga, polici të
egërsuar, zvarritje të gjallësh a të vdekurish, shpërthime gjaku, popull pa
fund…
Ndërkohë
Rusia e mbështeti Lukashenkon. Opozita tani o është në burg, o në mërgim.
Viti
2020 ishte koha më kritike e shpresës për ndryshim në Bjellorusi, por që
shenjoi rikthimin brutal të diktaturës dhe shtypjen e hapur të çdo forme
kundërshtimi.
Lukashenko,
i cili është në pushtet që nga viti 1994, që pas shpërbërjes së Bashkimit
Sivjetik, shihet si “diktatori i fundit i Evropës”… Pedagogia e katedrës së
Bjellorusisë seç tha dhe heshti.
Me
çêshtje të tilla e vazhduam bisedën dhe në darkë me ata të panelit dhe autorin
në mes. Dokumentari nuk do të shfaqej në publik, për të ruajtur personazhet e
tij nga përndjekjet e policisë së fshehtë edhe në diasporë dhe autori do ta
çonte në gjykatat ndërkombëtare si dëshmi kundër diktaturës.
Dhe
do të flisnim patjetër për shkrimtarët në diktaturë, për ata që i shërbyen dhe
për ata që u burgosën prej saj. Patën një buzëqeshje gjithë pezm, kur u tregova
për Jevtushenkon se sa u gëzua, kur i thashë që kur më dënuan, kisha në
akt-akuzë dhe poezi të tij, që pse i kisha lexuar fshehurazi dhe ai u ndie
madhërisht i rrezikshëm etj, etj. Ndërsa sot ka një revansh gjithë cmirë nga
shkrimtarë të Realizmit Socialist ndaj atyre që u burgosën edhe me ndihmën e
atyre…
Ne
studiojmë dhe poezitë e bëra me mend qelive, - po më thoshte Williami, Profesor
i katedrës së sllavistikës, - si të Mandelshtamit, po edhe ti… - Ku e dinte?
Nina më pa me dhembshuri. Buzêqeshi.
Dhe
po kundroja nga dritarja: njërën nga ngrehinat klasike të kampusit universitar
e kishin mbuluar bimët kacavjerëse me gjethnajën e tyre si afshi i një
përqafimi të ngrohtë njerëzor me vezullime yllësish.










