Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Donja Maria e poetit kuban Nicolás Guillén dhe Shqipëria në anën tjetër
E shtune, 16.08.2025, 06:53 PM
DONJA MARIA
E
POETIT KUBAN NICOLÁS GUILLEN
DHE
SHQIPËRIA NË ANËN TJETËR
Nga
Visar Zhiti
NDODH QË DHE POEZIA NDRYSHON:
Shohim
nëpër anketa dhe intervista të bëhet dhe pyetja për librat që të kanë ndryshuar
jetën dhe përgjigje nga më të ndryshmet, të bukura dhe me të papritura, por unë
them se ka dhe poezi me ndikim të fuqishëm, që sjellin ndryshime jo vetëm
brenda teje, por edhe jashtë, mund të ndryshojnë dhe ngjarje dhe rrjedhën e
tyre…
Dhe ajo poezi mund të
jetë nga andej ku s’pritet, e thjeshtë, madje mund të jetë dhe përkthim.
Kam një të tillë, që më
ka ndihmuar. Dhe unë kam poetë të mi, që më kanë bërë të ndjej shumë, më duket
se dhe më kanë formuar së brendshmi me poezinë e tyre të madhe.
Dua
të kujtoj njërën, disi e veçantë, që më duket se më ndihmoi shmangien e një
kërcënimi, që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve. Më ndodhi kur më kishin arrestuar
dikur. E kam treguar dhe në burgologjinë time “Rrugët e Ferrit”:
NË QELI:
…Dhe
ti kërkon libra në qeli, tallej njeriu tjetër i qelisë. S’lejohen. Po sikur të
na pushkatojnë? - thoshte.
Pse,
ç’ke bërë ti?
Doja
të arratisesha në Kosovë… Por më kapën, m’u hodh qeni i kufirit, më nguli
dhëmbët.
Të
ka lënë shenja? - u dëshpërova unë. - Do ndonjë copë këmishë ta lidhësh?
Jo,
jo, u zverdh ai. Copë e kam, ma shqeu qeni. S’ka shaka me këta! Prano edhe ti
që doje të arratiseshe.
Por
unë s’kam dashur.
Kurrë?
- pyeste ai. E pamundur, përgjigjej vetë. - Po ç’ke bërë? Këta s’të kapin kot.
Do
të sqarohet, - thosha unë dhe s’duroja pa sharë: Bastardët. Dhe, kur më erdhën
sërish ushqime nga shtëpia, copat e byrekut, që isha i sigurt se qenë lagur dhe
me lotët e nënës sime, i ndava me të. Edhe ai i ndau të vetat me mua, vetëm
herën e parë. Ushqimet e tij ishin si të blera, kuleç nga ata pesëlekëshit.
Edhe dysheku i tij dukej si i reparteve ushtarake. Herë pas here kishte qejf të
vishte pardesynë time dhe të shëtiste me të nëpër birucë. Si në qytet, thoshte.
Dhe
s’ma linte fshesën në mëngjes, jo ti, jo, se je intelektual. Unë gjeja rast dhe
përsëritja poezitë e mia, me frikën se mos nxirrja zë, kur lëvizja buzët. Po
flas me vete, e ç’të keqe ka? Bibliotekën e padukshme e kisha lënë atje...
Tjetri e kishte mbaruar
xhiron e tij. Ia shihja hijen në mur, me veshët e mëdhenj. Mi i stërmadh, shumë
minj bashkë. Por... Shumria, i thosha, fshati nga je ti, ka kuptimin Shën Meri.
Bukur, ë?
Ti
në burg s’do të rrish me mua, por me të tjerë, - brengosej ai, - me
intelektualë. Njeh ndonjërin?
Jo.
Pastaj, se ç’më shkrepi, i recitova një poezi, për një nënë, Donja Maria, ë,
ngjan me Shumria, e gjora s’dinte gjë për djalin spiun, “që ia paguante
policia”...
Jotja
është? - U tmerrova. - Jo, jo, e një poeti kuban.
Kurban?
Ku e ke parë?
Asgjëkundi.
E ka përkthyer Petro Marko, e ke dëgjuar? Ka luftuar në Spanjë... E ç’të
vazhdoja? Quhet Nikolas Gilen, - thashë.
Kush?
Ai
poeti. Ia thashë, që ta dinte që s’ishte poezi imja.
Po
ti shkruan? - më pyeti befas.
Kam
shkruar.
Këtu?
Ndala.
Mos kisha folur natën? Kur unë bëja gjumë të çartur, ai flinte i qetë. Po aq i
qetë vinte nga hetuesitë, ndonjëherë edhe i ngrënë, sepse binte erë hudhër e
sallam, kurse unë kthehesha i rraskapitur, i verdhë, si pa gjak, më thoshte ai,
si i porsanëpërmendur nga një të fikët i rëndë.
?H. H. ishte provokatori
që më kishin futur në qeli dhe unë i flisja për poezinë. Vetëmbrojtje? Por dhe
sulm. Unë për poezitë isha arrestuar. Mos po e rëndoja veten? Dhe për çudi, i
recitova poezinë “Donja Maria”:
E gjora Donja Maria,
E mjera që s’di gjë,
Djali i saj – gjarpër pa
zë,
Paguhet nga policia.
Dje si dhelpra me hile
Vinte rrotull shtëpisë
time.
Më hodhi ca shikime,
Ish
veshur me rrova civile.
E
mjera Donja Maria,
Një
zonjë tepër e nderuar,
Për
djalin s’e ka kuptuar,
Që
e paguan policia.
E di ende përmendësh, e
shkruajta tani pa e patur librin ndër duar, shumë gjëra më kanë humbur nga
kontrollet dhe konfiskimet, është poezi e poetit kuban Nicolas Guillen, marrë
nga libri i tij “Kitarra kubane”, përkthyer në shqip nga poeti dhe shkrimtari
ynë Petro Marko.
E
kisha gjetur atë libër kur isha gjimnazist në Lushnjën e vogël, ndërkohë ishte
ndaluar, sepse miqësia politike e Shqipërisë së Enver Hoxhës me Kubën e Fidel
Kastros nuk zgjati shumë, qe ftohur fare, se ata, kubanët, ishin me Bashkimin
Sovjetik, ai dhe i mbështeste dhe ndihmonte revolucionin e tyre,
marksizëm-leninizmin, kurse Shqipëria ishte fare e vogël, mjerisht e varfër dhe
qe ndarë nga kampi socialist, duke shkuar më keq, qe lidhur me Kinën e Mao Ce
Dunit e të revolucionit kulturor, ndryshe diktatori Hoxha s’rrinte dot në
pushtet.
Ndoshta atë periudhë të
paktë miqësie shfrytëzoi Petro Marko dhe përktheu nga spanjishtja një poet
kuban, ia kërkuan sigurisht, por bëri poetin guximtar, gjeti poezi të
shkëputura nga vargonjtë e Realizmit Socialist, të çlirëta, gjithë kumbime të
artit të Amerikës Latine.
Ndodhte që biblioteka në
provincë e harronte listën e librave të ndaluar a bënte sikur me të njohurit e
vet, ndërkaq libra të tillë çoheshin në fabrikën e letrës për t’u ricikluar në
letër.
Mbaj
mend dhe 4-5 kubanë, që kishin ardhur për specializim në bujqësi, kështu
thuhej, mësonin të prashisnin dhe pasdite rrinin te një lulishte e vogël para
hotelit të vetëm që kishte qyteti, “Myzeqeja”, mblidheshin kalamajtë përreth
tyre dhe thoshin me zë të lartë: Kuba si, janki no!
Ata
qeshnin, njëri guxoi e bërtiti si me të tallur: Kuba no, janki si!
S’e
di a e denoncuan?...
Mes
tyre ishte dhe një zezak i gjatë e i hollë, ia kërkova adresën dhe unë, e mbaj
mend, quhej Nadividat, shkruaji që tani, po të duash, një letër motrës time
Dalia në Havana, tha, se përgjigjet, etj, etj.
Bëri bujë në Lushnjë që
Sekretari i Parë i Partisë, shoku Q. M. u caktua në një delegacion qeveritar që
të shkonte në Kubë. Nuk e di pse u gëzuam dhe ne, kalamajtë e lagjes. Kur u
kthye, bëri një takim me intelektualët e Lushnjës, ku ishte dhe im atë me të
gjithë estradën ku ai punonte. Sekretari i Parë u foli për mrekullinë kubane
nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, ku krahas kasolleve, kishte vetura dhe
grataçiele dhe tregoi për betejën në Plazhin Zhiron (Playa El Girón) në Gjirin
e Derrave (Bahia de Cochinos), ku zbarkuan emigrantë kubanë të mbështetur nga
CIA për të përmbysur regjimin e Fidel Kastros. Përpjekja dështoi. Revolucioni
kuban kishte fituar kundër imperializmit amerikan. Plazhistët, ashtu siç ishin
me rroba banjoje, ishin hedhur në sulm, e kishin goditur armikun me çadrat e
plazhit, me këpucë kokës dhe në muze dokumentohet kjo luftë me fotografi e armë
e avionin e rrëzuar, etj.
Asosacion idesh. Një
avion tjetër amerikan është në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, që forcat tona
ajrore syshqiponja e rrethuan në qiellin tonë dhe e detyruan të ulet, të zenë
rob. Ka dhe një poemë për këtë akt heroik…
Mbas
rënies së komunizmit dolën të dhënat se ai avion i vogël kishte ngatërruar
aeroport nga shkaku i mjegullës, po fluturonte për në Napoli dhe u ul ulur vetë
në Rinas, kur aeroporti kishte nisur të ndërtohej nga të burgosurit politikë. U
botuan dhe ç’kishte thënë piloti amerikan në Ministrinë e Punëve të Brendshme,
që e kishin trajtuar mirë duke i dhënë leje të ikte, por pa aeroplanin.
E kam shkruar këtë
histori dhe në burgologjinë time “Rrugët e ferrit”. Ndërsa në Vlorë është një
copëz plazhi që u quajt “Zhiron” dhe ndoshta të rinjtë s’e dinë përse. Ndonjë
dhe e shpjegon me fjalën e zakonshme shqipe “xhiro”, që do të thotë “vjen
rrotull”, kur dhe xhiro është huazuar dhe vjen nga italishtja.
Atëgere
si gjimnazist ia kisha shtuar bibliotekës time edhe një libër tjetër të
ndaluar, “Kitarra kubane” dhe ia dhashë dhe shokut tim, Sherif Bali, ishte nja
dy klasë më lart se unë në gjimnaz, shkruante lirika të mrekullueshme
eseniniane, ishte ndër ata të paktët që i besonte vëllai im më i madh,
Ilirjani, prej tij dhe unë. Na pëlqeu aq shumë poeti kuban, mësuam poezi të tij
përmendësh, ia thoshim njëri-tjetrit…
Kërkoj sot të di më
shumë për atë poet…
POETI I KITARËS KUBANE
Nicolás
Cristóbal Guillén Batista, lindi më 10 korrik 1902 në Camagüey, Kubë dhe vdiq
më 16 korrik 1989 në Havanë, atë vit kur do të shëbej Muri i Berlinit dhe do të
binte komunizmi në Europën Lindore.
Rridhte
nga një familje me prejardhje afrikano-evropiane, babai i tij ishte një gazetar
liberal, u vra nga forcat qeveritare në 1917.
Nicolás
Guillen boton “Sóngoro Cosongo” (1931), “West Indies Ltd” (1934)… Në vitet ’30
(shekulli i kaluar) u arrestua si kundërshtar i regjimit të Gerardo Machado. U
përjashtua gjatë regjimit të Batista-s në vitet ’50 dhe qëndroi në ekzil për
disa vite në Amerikën Latine dhe Europë.
U
kthye pas revolucionit të 1959, u bë anëtar i Partisë Komuniste të Kubës dhe u
rreshtua plotësisht përkrah Fidel Kastros.
U
emërua Poet Kombëtar i Kubës në 1961 dhe u bë president i Unionit Kombëtar të
Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kubës (UNEAC) .
Botoi
më vonë “El gran zoo” (1967) .
Nicolas
Guillen do të bëhej figura kryesore e poezisë afro-kubaneze (poesía negra),
duke kombinuar ritme muzikore nga “son” me onomatopoetikat dhe dialogun
popullor për të përshkruar mënyrën e jetës së komunitetit…
Mori
mbështetje të madhe shtetërore, përfshirë botime, çmime dhe përfaqësime ndërkombëtare
si poet dhe “zë i popullit revolucionar”.
Është
fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Botev” (1976), Çmimit për Paqe Lenin/Stalin
(1954), - mjerë paqja si Donja Maria e poezisë
tij me këto emra çmimesh kështu, - them unë. Mori dhe Çmimin Kombëtar
për Letërsinë e Kubës (1983), etj.
Guillén
simbolizon përzierjen kulturore kubaneze dhe luftën kundër racizmit dhe
pabarazisë. Ai solli në letërsi klithmën, ritmet dhe narrativat e diasporës
afrikane në Kubë. Veprat e tij vazhdojnë të studiohën dhe të përkthehen në më
shumë se 20 gjuhë, etj, etj.
* * *
Kur
isha student në Shkodër, një herë me Profesorin tim, të urtin Vehbi Bala, ra
fjala për Nicolas Guillen dhe ai më tregoi se kishte qenë bashkë me të në
Rumani, në një festival poezie në Bukuresht. I kishin venë bashkë në një veturë
dhe ai, Guillen-i, kishte nxjerrë makinën e shkrimit nga çanta, të vogël, dhe
po i rrihte tastat shpejt e shpejt me gishtrinj, po shkruante direkt dhe
bisedonte, një artikull për Vehbi Balën, që u botua në Kubën e tij, po më tregonte
Profesori, një faqe gazete dhe titulli i shkrimit, mbaj mend që kishte dhe
fjalën zemër.
Si
i kishin shkrimtarët makinat e shkrimit në Kubë, me autorizim si ata pak
shkrimtarë që i kishin me leje në Shqipëri? Të regjistruara në Degën e Punëve
të Brendshme se mos shtypnin gjëra të ndaluara, - larg qoftë, trakte e
shpërndaheshin fshehurazi… se dhe kishte ndodhur…
A
kishte dalë libri i tij shqip atëhere? A i tha Profesori Vehbi Bala poetit
Kuban Nicolas Guillen që e kishte përkthyer Petro Marko, një revolucionar, që
kishte marrë pjesë dhe në Luftën Civile të Spanjës, që në çdo vend që kishte
shkuar e çdo regjim e fuste në burg? Që herë pas here i ndaloheshin veprat në
atdhe nga regjimi, më keq se në Kubë? E Guillen a i tha se ishin të zhgënjyer
nga komunizmi apo kjo u ndodhte vetëm atyre që përndiqeshin prej tij? Jo, jo…
Çfarë,
duhej pritur radha?
E KUBA?
Është ishulli më i madh
në Karaibe, 110.860 km katrorë, - sa 4 herë Shqipëria jonë, - afër brigjeve të
Floridës, mes Gjirit të Meksikës, që ka sugjerime të quhet Gjiri i Amerikës si
një reagim kundër Meksikës për çështje të emigracionit gjatë Presidencës Trump.
Si një hardhucë të
blertë, - e quan ishullin e Kubës poeti Guillen.
Ka
11.2 milionë banorë, - kaq a më shumë është diaspora shqiptare nëpër botë, -
kryeqyteti është Havana. Rimon dhe me Tirana. Kuba ka ende regjim socialist një
partiak me Partinë Komuniste në pushtet dhe kryetari i partisë është dhe
presidenti i vedit. Zgjedhjet janë të kontrolluara dhe nuk lejohet parti tjetër
si në Shqipërinë diktatoriale.
Marrëdhëniet e Kubës me
SHBA mbetetn të tensionuara që nga revolucioni i 1959 me ligjin e embargos në
fuqi, të përkeqësuara sërish me administratën Trump.
Mbaj mend që në librin
“Kitarra Kubana” nuk flitet mirë për SHBA e jankit.
Dhe
në Kubë në vitet ’60 dhe ’70 u vendos një kontroll i rreptë mbi letërsinë dhe
artet. “Brenda revolucionit - gjithçka; jashtë revolucionit - asgjë”, - tha
Fidel Kastro gjatë atij fjalimit të famshëm “Palabras a los intelectuales”
(“Fjala për intelektualët”) në 1961 përpara një grupi shkrimtarësh, artistësh
në Bibliotekën Kombëtare.
Si Fjala e Enver Hoxhës
në Pleniumin IV të PPSH për letërsinë dhe artin në Shqipëri (1973). ??
Edhe
në Kubë kushdo që shkruan, pikturon, kompozon duke menduar ndryshe nga ç’do
partia, rrezikon të shpallet armik i popullit ose kontrarevolucionar.
Deviatorët akuzohen si në Shqipëri për “dekadencë borgjeze” ose “influenca
perëndimore” dhe merren masa kësisoj: ???
-
Izolim shoqëror, përndjekje mediatike, ndalime udhëtimi. (Edhe Shqipëria i
kishte…)
-
Ndalim botimi, internim ose burg. (Si te ne…)
-
Punë të detyruar në kampet e famshme UMAP: Unidades Militares de Ayuda a la
Producción. (Në Shqipëri ishin shumë më të rënda burgu i Burrelit, Këneta e
Maliqit, Tepelena, Grabiani, Spaçi, Qafë-Bari, etj.)
Poeti
Kombëtar, Nicolás Guillén, nuk ka pasur probleme me regjimin komunist kuban,
përkundrazi, ai u la të bëhej një figurinë qendrore e kulturës zyrtare
revolucionare. Kështu dhe në Shqipëri, se diktaturat ngjajnë, letërsitë e tyre
jo dhe aq…
Ndërkaq
kolegë të Nicolas Guillen si:
1.
Poeti dhe eseist Heberto Padilla u arrestua në vitin 1971, pasi botoi librin
Fuera del juego (“Jashtë lojës”) që kritikon sistemin. Shkaktoi një tronditje
të madhe në botën letrare dhe u njoh ndërkomtarisht si rast. ?Shumë intelektualë të njohur botërorë, Jean-Paul Sartre,
Mario Vargas Llosa, Susan Sontag, Octavio Paz, etj, protestuan kundër regjimit
kuban.
2.
Reinaldo Arenas (1943–1990), shkrimtar homoseksual, opozitar i regjimit, u
persekutua për vite të tëra. U arrestua dhe u dënua me burg. Ai u arratis nga
Kuba më 1980 gjatë eksodit të Marielit dhe botoi kujtimet e tij tronditëse
Antes que anochezca (“Para se të bjerë nata”), dëshmi të censurës, represionit
dhe homofobisë në Kubë.
3.
Guillermo Cabrera Infante, një nga shkrimtarët më të njohur kubanë në mërgim.
Fillimisht mbështeti revolucionin, por më pas u kthye kundër regjimit dhe jetoi
në Londër për dekada, ku botoi vepra si “Tres Tristes Tigres”. Ishte i ndaluar
në Kubë.
Me
burgosje shkrimtarësh e pushkatime poetësh Shqipëria ia kalon jo vetëm Kubës,
por…
Sociologë
e politologë ndajnë mendimin që në Shqipëri censura ishte më e rreptë dhe më
sistematike nën Enver Hoxhën, ku edhe shkrimi i një poezie: “e dyshimtë”, mund
të çonte menjëherë në 10 vite burg, etj, etj.
Po
le të kthehemi te ajo poezia e Nicolas Guillen, që çuditërisht u botua dhe në
Shqipëri:
PËR NËNËN E BASHKËPUNËTORIT…
Dhe
gjeta origjinalin
“Doña
María”:
¡Ay,
pobre doña María,
ella
que no sabe nada!
Su
hijo, el de la piel manchada,
a
sueldo en la policía.
Ayer,
taimado y sutil,
rondando
anduvo mi casa.
¡Pasa!
- pensé al verle - ¡Pasa!*
(Iba
de traje civil.)
Señora
tan respetada,
la
pobre doña María,
con
un hijo policía,
y
ella que no sabe nada.
Vazhdon
të më pëlqejë përkthimi i Petro Markos, ka muzikalitet, dëshpërim, imazh,
pafajësi dhe keqardhje për nënën e atij që është bashkëpunëtor i policisë
sekrete, spiunit dhe ka shtuar fjalët ‘gjarpër’ e ‘dhelpër’ për të, sigurisht
është mllefi i tij për ata që e ndiqnin gjatë diktaturës, një denoncim artistik
i atëhershëm, aq mundej dhe besoj dhe autori e ka tejkaluar atë poezi në vendin
e tij si të ishte për kohën para revolucionit, gjatë regjimeve antipopullore.
Ta
ketë patur me spiunët e Realizmit Socialist? Do t’më pëlqente, prandaj…. Po
edhe atë do ta kenë denoncuar kolegë, ndonjë nga shokët do t’i ketë çuar letër
dhe Fidel Kastros… Do t’i kenë urryer dhe poezinë, tirazhin e librave…
Por
më intereson tani dhimbja për nënën e spiunin, Marien e gjorë që nuk di gjë, e
ndjej dhe unë, një mëshirë e tillë ishte e ndaluar, natyrisht në kah të kundërt
atëhere, se mund të mësonim kështu zbutjen e luftës së klasave, kur ajo
ashpërsohej gjithnjë e më shumë, e kisha ndjerë fort mbi kurrizin tim…
Dhe
u arrit kulmi dramatik, unë arrestohem për poezitë e mia, kur isha mësues në
një fshat të Kukësit dhe në qeli më futën një provokator, të cilit i flisja për
poezinë.
Hetuesi
më lemeristë netëve, më pyeste për shokë të mi poetë… kujtoja nënat e tyre…
dhimbja dhe vuajtja po më shembnin… hetuesi ngulmonte mizorisht, ndër të tjera
donte bashkëpunimin tim, se do të kisha lehtësira, do të dënohesha më pak… Dhe
Hyji i poezisë sikur më tha që t’ia recitoja në qeli provokatorit tim H. H.
“Donja Maria”-n e Nikola Gilenit, neverinë dhe urrejtjen time për spiunët…
Besoj
poezia bëri kthesën. Se provokatori i raportoi hetuesit dhe ai do më thoshte
pas ca ditësh: Ne kishim menduar një gjë të mirë për ty, por ti s’e meriton…
dhe u la kjo çështje, të paktën për gjatë kohës së hetuesisë.
E
kam shkruar se siç thoshin ata që partizanët ia merrnin armët armikut dhe me to
e luftonin atë, ne shpesh kemi qendruar dhe jemi përpjekur t’u përgjigjemi duke
përdorur dhe armët e tyre”, poezitë që ata botonin, ata libra që më pas edhe i
ndalonin apo i grinin duke i bërë letër të bardhë sërish si harresa.
Burgu
do të kishte halle edhe më të mëdha e tmerre të tjera, po edhe pasburgu ende në
diktaturë, përndjekjet, braktisjet, asnjë e drejtë, dhuna prapë, kërkesa për
bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, se tani, sipas tyre, do të isha dobësuar më
shumë, do të doja një punë që ta përballoja, jo gjithmonë punëtor krahu dhe do
të ëndërroja të botoja poezi, por pa lejen e tyre s’bëhej dhe unë vazhdoja dhe
refuzoja, jo, le të bëhej ç’të bëhej, qoftë dhe në burg prapë le të më çonin…
dhe ajo “Donja Maria” – e gjora poezi… - më nxirte para fytyrën e nënës, e të
gjitha nënave…
Nëna
është poezia që e ndryshon jetën!
* * *
Tani
dhe Nicolas Guillen dhe Petro Marko janë në jetën tjetër. Ndoshta ndodh të
takohen në kopshtet qiellore, shumë miq e shokë mund të jenë në Purgator e një
pjesë në Ferr. Takohen si të mundin, flasin për poezinë, por dhe për komunizmin
mbase, që ka rënë e s’ka rënë. Si është Kuba, është zbutur? Shkëlqen ende ylli
Guillen? Shqipëria ka ndryshuar shumë së jashtmi, ata që bënë diktaturën, janë
shndërruar në demokratë, po ndërtojmë kapitalizmin duke shëmbur të vjetrën, si
ngrehina, po edhe të renë, po i doli para… Gjithsesi Petro Markon po e çmojmë
më shumë.
Fëmijët
shqiptarë të “Donja Marieve” shqiptare? Janë më mirë seç ishin, janë pasuruar,
merren me biznes, kanë shkuar jashtë shtetit, Romë, Paris, Londër, Vjenë, New
York… bëjnë pushime buzë oqeanit në plazh dhe shohin me nostalgji nga ishulli
që s’duket, Kuba, në fakt në ishullin politik që kanë brenda vetes së tyre.
Dhe
ndjeva dëshirën ta përkthej dhe unë tani poezinë e Guillen-it, “Donja Maria”,
m’u gjend, më ndihmoi, të vazhdojmë bisedën:
ZONJA MARIA
(përkthim imi)
Ah,
e urta zonja Marie,
s’di
gjë ajo, e vrerosur,
I
biri - lëkurë njollosur,
u bë spiun policie.
Dje
erdhi në shtëpinë time,
Pa
librat, ç’kisha shkruar.
Shkofsh
ku ke për të shkuar!
(Ish
veshur me rroba civile)
Grua shumë e respektuar,
Por
gjë s’di Zonja Marie,
Të
birin, agjent policie,
Fshehtas
e kanë dekoruar.
Nuk
e pata dot mllefin brilant të Petro Markos, as kafshët që s’i ka origjinali i
poezisë dhe shtova librat dhe një dekoratë. Përkthimi sipas kohës…