Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Vera e së dielës...
E enjte, 21.08.2025, 06:50 PM
VERA E SË DIELËS,
CILËN SHISHE TË MARR,
“I BURGOSURI” APO “I ÇPRANGOSUR”…
Nga Visar Zhiti
- Të dyja? -
Buzëqesha prapë kur
po endeshim në shitoren e verërave, ku vemi zakonisht dhe, mes llojeve të shumta
sirtarëve, gjeta sërish shishet me etiketat “The prisoner” dhe pak tej ato me
“Unshackled”, - i burgosuri dhe çprangimi - ia përktheva vetes në gjuhën amë…
…dy emërtime verërash
që të ngjajnë më shumë me tituj shkrimesh: “I burgosuri” dhe “I çprangosuri”. I
lirë?
S’besoj se janë ironi
buzëqeshëse. Vërtet që vera të bën rob dhe po ajo të çliron?
Shishja e parë mos
mban shijen e mbylljes, prangat, ato të brendshmet sigurisht, ngujimin në
kujtime e dhimbje? Ngujimet mes muresh,telash me gjëmba, në paragjykime, ide të
rreme, etj, etj. Unë e kam provuar të jem i burgosur realisht, por në burg nuk
lejohej vera.
Dhe çmimi i “Të
burgosurit” qenka 44.99 $, s’është dhe aq pak.
Të shkojmë te të
tjerat, te “Çprangosjet”, shishet e tyre duhet të kenë më shumë dehje, shijen
shpëtuese, mbase dhe tê lirisë, megjithëse çprangosja nuk është gjithmonë liri,
por thjesht heqja e hekurave, mbetja me shenjat e tyre. Dhe paska ulje çmimi,
çudi, kushtuaka më pak se gjysma e shishes së “Të burgosurit”. Unë do kisha
menduar ndryshe, të kundërtën. Por ka më kosto i burgosur, duhen ngritur
burgjet, duhen paguar policët, spiunët dhe kazanët e supës, etj, etj. Po që të
burgosurit punojnë si skllevër apo vetëm në Shqipëri ndodhte? Në të gjithë
perandorinë komuniste, besoj, etj, etj.
E ç’është më e
shtrenjtë, pra, burgu apo liria? Se mos është vera?
Vera, si jeta, e ka
këtë dyzim: ajo që të lidh dhe ajo që të zgjidh, ajo që të fundos dhe ajo që të
shpëton, ngazëllimin gjithsesi.
Ndoshta liria nuk
është në shishen e verës, por në gotën që ngremë bashkë, duke ditur të
bashkëjetosh me dhimbjet dhe humbjet, te gjesh gëzim dhe në to dhe çprangosjen
ta kthesh në përshpirtje. Të dish të jesh i lirë së brendshmi.
Por ka diçka që
tejkalon burgimin dhe çprangosjen dhe lirinë: dashuria. Vetëm ajo e kthen
burgun në zgjedhje të vështirë dhe çprangosjen në jetë dhe…dhe… Edhe vera, kur
pihet me dashuri, është bekim, një gotë e ngritur lart për Ty, ka brenda lirinë
e burgut dhe burgun e lirisë… dashuri!