E diele, 19.10.2025, 01:27 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Kaq shumë përqafime...

E shtune, 18.10.2025, 07:04 PM


KAQ SHUMË PËRQAFIME,

SA ASNJËHERË MË PARË,

(QË RRËZOJNË MASKA…)

Nga Visar Zhiti

Ata të përqafonin shpesh dhe befas, të tundnin aq fort dhe dukej sikur rrëzonin maska nga fytyra, sado që të ishin…

- Doni të takojmë grupin e atyre me aftësi ndryshe? - na tha Motër Elena dhe priu e para për andej.

Kishin ardhur që të gjithë, i mblidhte nj? furgon përreth nëpër zonë çdo ditë dhe në Qendrën “Nënë Tereza”.

ata merreshin me veprimtari, luanin, mësonin, mësonin të flisnin, të bënin diçka, të vizatonin dhe aty zbulonin se kishte njerëz që u dhimbeshin, që i donin dhe ashtu pranonin veten.

Vajza dhe djem, s’u kuptohej dhe aq mosha, me një lloj habie fëminore të përjetëshme, por edhe trëmbje, dhe hare që ngjante si jo e këtushme…

Kur ne u shfaqëm te dera, më akulloi një si  heshtje, që nuk ishte boshësi, por një lloj zhurme e ngrirë, e padukshme, tronditëse, po sa shumë njerëzore. Sy që nuk dinin të gënjenin, duar që lëviznin në ajër, ashtu donin vetë, për të shprehur atë që fjala s’e arrin dot… një grup tjetër më i vërtetë, më i zhveshur, më i drejtpërdrejtë se çdo përvojë tjetër imja.

Dhe nisën përqafimet. Na përqafonin dhe nuk na ndaheshin.

Ata nuk dinë të fshihen pas mirësjelljes, nuk mbajnë maska, nuk ruajnë etikë të fjalët. Madje disa nuk flisnin dot fare, e pse, për çfarë duhet? E disa tremben kollaj, të largohen me mërmërima sa ty të vjen turp, ç’panë tek ty, ç’mendim yti vibroi tek ata, punë biorrymash, etj, etj. E megjithatë na përqafuan prapë me një pasion që të thyen nga brenda. U kujtova që nuk pati “mirë se erdhët” të rregullta, as buzëqeshje të detyruara, por një si përprekje për një vështrim që t’i pranosh dhe më pas qeshje me zë e hovje, vrapime aty…

Njëri po hidhej përpjetë, një tjetër më kapi syzet, duke u gëzuar që i kishim të ngjashme. Një tjetër rrekej dhe kishte zor, dukej sikur donte të thoshte se më kishte parë në televizior, - kështu më shpjegoi Motër Elena, dhe në bebëzat e tij pashë një shkëndijë që nuk e kisha parë kurrë në sytë e një të rrituri që I themi “normal”.

Ishte dritë e pastër gjithkund që s’njeh strategji, s’njeh interes. Lindëte nga brenda si instinkt i shpirtit për t’u lidhur me të tjerë, për t’u ndjerë pjesë e botës.

Mësuesja e tyre, një grua e re dhe e bukur, me dy diploma, në psikologji dhe në letërsi, dinjitoze dhe e përzemërt, na tha:

- Janë të sinqertë deri në mrekulli, por ndonjëherë bëhen dhe dinakë, paksa agresivë…

- Si ne, - i thashë.

Dhe ndërmenda diçka më të thellë: agresiviteti s’është i tyre, por pasojë e përplasjes me botën tonë, pra as yni, buzëqesha. A lindim të dhunshëm? Na bëjnë të tillë, kur s’na kuptojmë, p.sh, ritmin e shpirtit.

Psikologjikisht, kjo përvojë është një pasqyrë e dhimbshme, besohet. Ne, që na quajnë “të shëndetshëm”, jemi shpesh më të sëmurë se ata. Jetojmë me frikën e moskuptimit, p.sh, të dështimit, të refuzimit. Krijojmë role, improvizojmë ndjenja, ndërtojmë maska që na mbrojnë nga të tjerët, nga shteti, nga boshësia, nga vetja…Ata, ndryshe nga ne, e jetojnë emocionin lakuriq, qajnë kur duan, qeshin kur gëzohen, përqafojnë pa pyetur kush je. Dhe kjo është një formë e lartë e ndershmërisë psikike.

Kështu po mendoja.

Vijnë në shkollë si shpirtëra që duan të mësojnë rregullat e një bote që s’i pranon plotësisht.

- Nuk rri dot pa këta, - na tha mësuesja, - kam punuar në shkolla të tjera, por jam kthyer te k?ta, është një botë që më thërret dhe më magjeps.

Njëri nga ata na ndërpret për t’i bërë një kompliment Edës time. Çfarë, çfarë tha, nuk e kuptuam si një zë që rrokullisej si gurët…

“Je si llokum me arra” - kishte thënë, na tha Motër Elena dhe qeshëm të gjithë.

Një tjetër aty fejohej çdo mëngjes, na treguan, ia merrte unazën njërës, binte në gjunjë dhe ia vinte sërish pa e gabuar gishtin dhe i fuste krahun. Kur ndokush i tregonte se ajo kishte burrë, turfullonte me duar e këmbë e derdhte fjalë si tasin e supës: e ça pastaj, s’prish punë fare kjo?!…

Kaluam në një sallon tjetër, ku ishte  ekspozita e pikturave të tyre. Po e shikonim me interes, ngjyra që shpërthenin në çdo fletë në mure, pa kufij, pa kompozicione shkollareske. Piktura që s’duan të jenë vetëm të bukura, por dhe të vërteta…

Na dhuruan nja dy sikur donin të na thoshin: “Merreni në duar dhe mos na gjykoni.”

Motër Elena më së fundmi vendosi dhe u tha atyre se unë isha shkrimtar, shkruaja libra. Ata ngrinë. Kur pashë nja dy në sy, qeshën me të madhe. Ai me syze më pa me keqardhje sikur të isha i sëmurë, madje m’u duk se mërmëriti: Të shkuara!

Një tjëtër i përzuri të gjithë te një derë tjetër, ua mbylli dhe më tërhoqi pa e kuptuar se ç’donte.

- Ka një fjalë vetëm për ty, - më tha Motër Elena, - se edhe mua po më thotë me duar: ik!

Bëmë mënjanë, më afroi gojën te veshi dhe… po prisja.

- Nuk di të flasë, - më tha Motër Elena, por ai në veshin tim e la një kumt.

Mbase e gjithë jeta s’është gjë tjetër, veçse zbulimi i tij.

Kur dolëm prej andej, ndjeva tronditje ndryshe, jo keqardhje. Të shohësh  njerëzimin në formën e tij më të zhveshur. E kuptova se nuk janë ata që kanë nevojë për ndihmë, por jemi ne. Sepse kemi harruar, p.sh, të përqafojmë ashtu, kemi harruar të ndjejmë pa frikë. Ata janë pasqyra jonë e zhveshur, që na thotë se njeriu bëhet vërtet i gjallë vetëm kur pushon së mbajturi maskën e vet.

Ata më përsollën një të vërtetë të ashpër, por të domosdoshme:

Nuk ka paaftësi më të madhe se paaftësia për të dashur.

Kaq shumë përqafime morëm e morëm, sa asnjëherë më parë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx