Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Zëra lirie si dëshmi e një diktature që egërsohej

| E merkure, 12.11.2025, 06:56 PM |


Zëra lirie si dëshmi e një diktature që egërsohej…

Nga Visar Zhiti

Kur shpresat ishin më të mëdha, ndodhi dhe e keqja më e madhe…

Këtë na tregoi dokumentari për Bjellorusinë, që pamë në Universitetin e Chicago-s.

Autori, profesori dhe dramaturgu Andrei Kureichik, emigrant politik, e kishte kthyer kameran e tij tronditëse në vitin 2020, kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale nê Bjellorusi dhe Lukashenko vetëshpalli fitoren.

Shumica e qytetarëve dhe e vëzhguesve ndërkombëtarë i panë zgjedhjet si të manipuluara, aspak të lira dhe shpërthyen protesta masive në të gjithë vendin, më të mëdhatë në historinë e Bjellorusisë.

Kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, u detyrua të largohej në Lituani.

Regjimi reagoi me dhunë ekstreme: mijëra arrestime, tortura, mbyllje interneti dhe ndjekje penale ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.

Dhe shihnim trishtueshëm në ekranin e madh në krye të auditorit: pranga, polici të egërsuar, zvarritje të gjallësh a të vdekurish, shpërthime gjaku, popull pa fund…

Ndërkohë Rusia e mbështeti Lukashenkon. Opozita tani o është në burg, o në mërgim.

Viti 2020 ishte koha më kritike e shpresës për ndryshim në Bjellorusi, por që shenjoi rikthimin brutal të diktaturës dhe shtypjen e hapur të çdo forme kundërshtimi.

Lukashenko, i cili është në pushtet që nga viti 1994, që pas shpërbërjes së Bashkimit Sivjetik, shihet si “diktatori i fundit i Evropës”… Pedagogia e katedrës së Bjellorusisë seç tha dhe heshti.

Me çêshtje të tilla e vazhduam bisedën dhe në darkë me ata të panelit dhe autorin në mes. Dokumentari nuk do të shfaqej në publik, për të ruajtur personazhet e tij nga përndjekjet e policisë së fshehtë edhe në diasporë dhe autori do ta çonte në gjykatat ndërkombëtare si dëshmi kundër diktaturës.

Dhe do të flisnim patjetër për shkrimtarët në diktaturë, për ata që i shërbyen dhe për ata që u burgosën prej saj. Patën një buzëqeshje gjithë pezm, kur u tregova për Jevtushenkon se sa u gëzua, kur i thashë që kur më dënuan, kisha në akt-akuzë dhe poezi të tij, që pse i kisha lexuar fshehurazi dhe ai u ndie madhërisht i rrezikshëm etj, etj. Ndërsa sot ka një revansh gjithë cmirë nga shkrimtarë të Realizmit Socialist ndaj atyre që u burgosën edhe me ndihmën e atyre…

Ne studiojmë dhe poezitë e bëra me mend qelive, - po më thoshte Williami, Profesor i katedrës së sllavistikës, - si të Mandelshtamit, po edhe ti… - Ku e dinte? Nina më pa me dhembshuri. Buzêqeshi.

Dhe po kundroja nga dritarja: njërën nga ngrehinat klasike të kampusit universitar e kishin mbuluar bimët kacavjerëse me gjethnajën e tyre si afshi i një përqafimi të ngrohtë njerëzor me vezullime yllësish.