E marte, 11.11.2025, 10:55 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Razma pëshpërit heshtje dhe flakëron ngjyra

E marte, 11.11.2025, 07:05 PM


RAZMA PËSHPËRIT HESHTJE DHE FLAKËRON NGJYRA

NGA PËLLUMB GORICA

Udhëtimet në trojet e largëta, në të gjitha stinët dhe nën të gjitha qiejt: në të ftohtin që të vret, me përqafimin e zjarrtë të diellit, nën shiun që lag gurin, mbështjellë me mjegullën misterioze, që turbullon horizontin, në fishkëllimën e erës, i përkëdhelur nga ngjyrat pastel të vjeshtës, në dëborën që vesh gjithçka me batanije të bardhë, në pastërtinë e një bluje ose nën një mantel të myrrëtuara resh, zbulohen nga ata që kanë sy për ta parë dhe shpirt për ta ndjerë.

Moti qe i mugët, kur u nisëm. Tirana ende flinte nën një mantel dritash nate që reflektoheshin në ndërtesat, duke krijuar një kontrast magjik. Në qiellin gri, vërtiteshin shtëllunga të mëdha resh, që kishin marrë forma të ndryshme si qënie prehistorike.

Dritat e makinës përhapen në errësirën e natës, duke ecur në rrugët që do të na çojë larg në Veri, që gjithmonë ka tërhequr turizmin si fije drite që lidhnin qytetet, fshatrat, vendet dhe peizazhet.

Asgjë nuk vjen pa ngadalësi: duhet të ecësh për një kohë të gjatë. Shikimi dhe mendimi arrin përtej, për të zbuluar ndjesitë e reja.

Në Shkodër qielli ishte myrrëtuar nga retë, një shtroje e padepërtueshme e kryeneçe, sikur jetoje një skenë filmash horror. Murosen sytë mbi kështjellën e Rozafës me atë lloj magjepsje si ajo e legjendës, kur u ngujua nëna më e re me fëmijë të sapolindur. Nga bedenat e kështjellës peizazhi është vërtet magjik. Vështron lart malin e Taraboshit dhe tutje sa të ha syri kreshtat e Alpeve shqiptare që gërvishin qiellin. Vështron liqenin e Shkodrës poshtë këmbëve të saj lumin Drin, që gjarpëron i rrëmbyer, por gjithmonë ka bukuri kur bashkohet me Bunën që dukej si bukuroshja e fjetur.

Rrugët e Shkodrës mezi frymëmerrnin, në dy anët nga vitrinat e dyqaneve me lloj- lloj sendesh, paqësisht pranë njëri-tjetrit, me kakofoninë e reklamave.

Shkodra është edhe më shumë se kaq. Ka energji të thjeshtë dhe të bazuar dhe mund të ndjesh thellë trashëgiminë e tyre. Të kumbon në vesh, e folura plot purizëm dhe me theks të lehtë e gegënishtes sa e bukur, aq edhe e lashtë. Ajo gegnishte që i jep fjalëve të tyre një nuancë sikur këndon, teksa flasin konçizë dhe “të shkoqur” në ligjërimin e tyre, kanë kuptim me ton të zërit. Vetëm ajo mund të shpikte një gjuhë të tillë poetike, emocionale. Jo dialekt, por muzikë për veshët.

Vetëm në Shkodër mund të të ngjajë që të hysh në një kafene, në rrugë, apo një dyqan, e të dalësh i pasuruar me fjalë nga vargu i Eposit shqiptar:

“Ne s'jem kanë e Zoti - Vetë na ka dhanë” Vazhdojmë t’i kemi, prej Zoti, shëmbëllimesh sot prej moti...

Ndërsa largohemi nga Shkodra dhe zhytemi në horizontet e mëtejshme, humbasim sytë në dimensionin marramendëse të maleve, si kështjella fantazme, herë të mbuluar me pyje, herë të zhveshura.

Rruga na çon larg, drejt Razmës në Malësinë e Madhe. Kemi dëgjuar kaq shumë për këtë vend dhe kemi dashur ta shohim prej kohësh, kështu që emocioni i diçkaje të re na pret.

Koha dhe kilometrat duket sikur fluturojnë, midis një bisede dhe tjetrës për pasionet në jetë, marrëdhëniet e miqësisë, fytyrat, të kaluarën, faktet lokale dhe historitë e tyre, aqsa e tejkalojmë njëri-tjetrin, me informacione rreth karakterit malor që ka formësuar fenomene gjeologjike mbresëlënëse dhe peizazhe të larmishme me një emërues të përbashkët, bukurinë e tyre.

Fillimisht ecëm fushes së Shtoit, qetë. Asgjë spektakolare në atë kohë, por thjesht ajo që ju duhet për t'u qetësuar mendërisht.

Nuk eksploruam histori të kohërave të kaluara, por ecëm, në një udhëtim që të mbush sytë me peizazhet urbane, të qetësisë, në heshtje. Dhe pastaj, si shpesh, një peizazh i shtruar aty pa bërë zë shumë shpejt e gjen veten në një peizazh të egër, pa shumë njerëz, në fshatrat që thërrasin për një vëmendje në shtëpitë me një larushi vendosjesh në lartësi dhe dekoracione mes kopshteve të rrethuara me mure guri te thatë; me arka kurioze shpirtrash, kisha dhe simbole fetare të kryqta që dëshmojnë besimin e tyre katolik. Imazhet e braktisjes krijojnë një ndjesi melankolie dhe ndonjëherë drithëruese, që është intensive edhe përmes fotove. Dyert gjysmë të hapura të shtëpive duken sikur njerëzit dolën me nxitim dhe lanë gjithçka pas.

Me ngjitjet, panoramat u bënë më të gjera pas një shtrirjeje fillestare të lehtë, duke marrë morfologjinë e rrugës që thekson formën dredha-dredha të saj, e ngushtë, e pjerrët, që rrotullohet si shirit drite, duke ofruar pamje të pafundme rreth çdo kthese.

Dhe pastaj, dalëngadalë, me kënaqësia e ecjes, bisedës, qeshjes dhe shijimit të peizazheve të thjeshta por simpatike, u shfaqën shtëpitë e para të Vrithit, të ngurta, tipike.

Rreze të turpshme të diellit kalonin nëpër re si një magji e lashtë, ndërsa luginat ishin mbështjellë me një mantel të lehtë mjegulle që shtonte mister dhe një qetësi surreale. Ecëm me shpresën se qielli do të hapet, të shijojmë pamjet që humbasin në një gri anonime.

Natyra ka skalitur një cep të vogël mrekullie

Razma e zhytur, si brenda një pikture, me ngjyrat e gjalla të vjeshtës, e kornizuar nga freskia, paqja dhe gjelbërimi i harlisur, falë ndërgjegjësimit ekologjik, zbulon veten nën rrobat e saj më të bukura, për të befasuar. E ndërtuar në një lartësi prej 900 metrash, ndihet paqësore dhe pak surreale, por ajo që ia shtojnë bukurinë, janë malet madhështore që e rrethojnë.

Razma shtrihet në këmbët e malit të Veleçikut, i ngjashëm si një piramidë guri.

Është një mal i ashpër, i zhveshur, shkëmbor si një gjigant i fjetur, kreshtat e të cilit tërheqin një profil me bukuri të rrallë kundrejt një qielli dramatik, i mbështjellë me një mantel mjegulle të lehtë.

Në majën e gjigantit Veleçik qëndron një kuriozitet i mahnitshëm gjeologjik: një krater vullkanik, dikur i aktivizuar. Në fakt, kurioziteti për të zbuluar se si do të jetë maja e tij e lëkund dëshirën, për zbulim që është e fortë.

Shkëmbinjtë gëlqeror, që datojnë miliona vjet më parë nga veprimi i ujit kanë formuar thyerje tektonike, që të magjepsin, aq shumë saqë pothuajse ke emocione të veçanta kur shkel shenjtërinë e tyre, dhe gjëja e parë që mendon është të hysh për ti eksploruar. Aty fshihet një botë tjetër, që nis e shpërfaq gjithë magjinë e saj, perla e xhevahire që të lënë pa mend për larminë, shkëlqimin dhe veçantinë e tyre.

Duke kaluar afër Veleçikut i zhytur në atmosferën paqësore shohim se natyra ka mbajtur disa sekrete vetëm për ata që gjejnë kohën për t'i kërkuar ato, shpella që fshehin sekretet e një bote që nuk ekziston më, dhe gjeja e parë që mendon është jeta e banorëve që i përdorën. Vendasit të flasin për shpellën e Erës, me guva të vogla, e cila ka marrë emrin ngaqë dëgjon fërshëllimin e erës në zgavrat e saj; Shpella e Ujit, që është shumë e frikshme për të zbritur në gjashtë shkallë të drujnta. Shpella e Lugjeve, e gjatë dhe vende- vende e ngushtë, aqsa mezi kalojnë dy vetë ngjitur, ajo ka zbritje të vështirë si dhe rjedhje uji.

Në kohën kur stinët thurnin ritmin e jetës dhe heshtja e maleve ruante sekretet e njerëzve, Razma filloi të popullohej në shekullin e 19-të, pasi u zbulua (dhe u vlerësua për botën bimore të saj) nga disa natyralistë dhe ekologjistë europianë. Ishte që herët, për të pasurit dhe sot për të gjithë, një vend me vlera kuruese Malore. Azmatikët këtu nuk kanë nevojë për pompë, të rrethuar nga bimë medicinale dhe oksigjeni i pasur.

Aty, nën pishat që krehin retë, ndërtesa me arkitekturë, herë të thjeshtë e herë me rregullime të personalizuara, përzihen në mënyrë harmonike me peizazhin, të përshtatshme për turizmin malor.

Ecim, bisedojmë, qeshim, dhe shohim për të admiruar atë që natyra ka më të thjeshtë dhe më të bukur. Dhe pastaj sigurisht kishte ndalesa për foto. Por jo vetëm dy-tre shkrepje për të thënë "Unë isha aty": jo, secili kishte syrin e vet, kornizën e vet. Natyrisht fotografojmë shtëpitë si strehë për pushime të qeta, të rrethuara nga heshtja e drurëve dhe ngjyrave të vjeshtës.

Razma është një dekorim kartoline, me rrugët e rregulluara, nga kënde dhe hapsira të pabesueshme, duken sikur kanë dalë nga një përrallë, nga bujtinat, nga kafenetë, nga restorantet me shije minievropiane, që duken të bëra prej guri me ngjyrë xhenxhefili, të ofronin një panoramë që të lë pa frymë, të integruara në mënyrë të përsosur me bukuritë natyrore përreth. Të jep atë ndjenjën e qetësisë, lirisë apo atë çastin e vogël të paqes që të gjithë e kërkojmëmegjithëse e mbushur me turistë, pak kaotike ndonjëherë.

Oaz i natyrës së ruajtur me fanatizëm

Përmes pyllit, një qiell që dukej po aq i lodhur përshëndeti skajet e Razmës, pishat e drejta, me trungje si shtylla dhe gjethet që kërcejnë në dritë.

Razma është një parajsë që të fton të ndalesh, mes hijes dhe dritës, me atë ndjenjën e rrallë të të qenit pikërisht në vend, të dëgjosh tingujt e natyrës dhe të ecësh me hapa që duken pa mundim.

E gjejmë veten të rrethuar nga ngjyra mahnitëse, gjysmë të zbehura, që përhapin shkëlqimin e tyre.

Pylli pak nga pak, si një mik i vjetër të merr për dore në hapësirat e pakufishme që dridhen nga intensiteti i drurëve. Ecja përgjatë tij është emocionuese, zbulon peizazhe të pasura.

Nga ato ku nuk do shumë të flasësh, thjesht shiko, merr frymë dhe lëre veten të të bartë bukuria e vendit. Ndjeheshim si një pjesë e asaj fryme të ngadaltë, të thellë që vetëm vjeshta mund ta ofroj, thith ajrin e pastër balsamik, sodit pyllin dhe dëgjo heshtjen.

Flladi është i lehtë dhe i këndshëm, ashtu si një goditje e lehtë që të përkëdhel fytyrën, i bën gjethet të lëviznin, pothuajse sikur një zanë po nder fustanin e saj më të mirë, me ngjyra të ngrohta: të verdha të aheve, të panjave aq intensive me ngjyrën e kuqe sa duken si flakë, në jeshilen e smeraldtë të pishave.

Shiu në fillim thjesht dukej e bezdisshme, pastaj, hap pas hapi, u bë pjesë e rrugëtimit tonë. Zhurma e ujit, aroma e tokës së lagësht, gjethet e fundit që bien vizatuan një tapet të kuq nën këmbët tona. Pastaj shiu pushoi duke i lënë vend mjegullës së hollë si qumështi i derdhur me një dritë përrallore, e cila e bën peizazhin edhe më të heshtur dhe më të thellë. Ka nga ata që emocionohen, ata që buzëqeshin, ata që bisedojnë të përzemërta, e pastaj ndonjëherë heshtja, sikur të gjithë gjenin paqen, në një labirint pemësh.

Ecim si fëmijë me ritëm të ngadaltë dhe shikim kureshtar, në poezinë e pyllit që ruan një atmosferë mistike, pothuajse të mbinatyrshme. Humbasim veten në gjithçka, nga detajet e vogla tek entitetet e mëdha. Pak mjegull mes trungjeve, një dritë e butë që kalonte nëpër degë. Pylli dukej sikur pëshpëriste thashetheme me një murmërimë aq të hollë, të tregoj misteret. Shijon çaste dionisiane kënaqësie të pastër të përziera me soditje të vendit, të kalojmë butësisht nga bota empirike në atë ëndërrimtare. Sikur takojmë mbretin ilir Gent me fisin e tij të endur në pyllin e dendur, të rreshtuar me pemë të shenjta.

Nuk mund ta fsheh që çdo dy hapa ndalesh për të bërë foto, dhe do të doje të bëje më shumë, për të pikturuar këtë peizazh madhështor me bojëra uji.

Në çdo cep ka diçka për të parë, për t'u admiruar, për t'u gëzuar, për t'u habitur, të ofron një mijë fytyra, si të ishin modele për tu shfaqur, në një shpërthim ngjyrash të thella, në gjethet që rrotullohen në ajër me një stuhi gjethesh, siç rrotullohet një nuse gjatë kërcimit të valles së dasmës. Ndërsa syri humbet në këtë magjepsje, shpirti pëshpërit një melodi, ndërsa shkojmë drejt: para një tapeti gjethesh, me aromë të lagësht, ku kërpudhat si lule, bëhen çadra të kuqe, topa të vegjël të bardhë. Këpucët fundosen hap pas hapi nëpër gjeometritë e gjetheve shumëngjyrëshe të vjeshtës, ndërsa koka duhet të anohet lart për të parë i magjepsur nga kompleksiteti dhe format e degëve të pemëve. I fotografoj kërpudhat e brishta, gjethet e vjeshtës që bien si plagë të vogla shumëngjyrëshe, të fshehura në myshk si vepra arti natyrore; një merimangë, mbi trungun e një ahu...

Pas mjegullës dhe reve, dielli i ndrojtur që përpiqet të shpërthejë, duke dhënë përshtypjen e siluetave të caktuara të fshehura në pyll.

Shpejt mrekullohesh me bukuritë e tjera të Nënës Natyrë, pa mjegull, ne ishim në gjendje të shijonim plotësisht, të marrim frymë pak më thellë, në gjelbërimin e pishave që shkëlqejnë, në ajrin që vinte erë rrëshirë dhe lagështi, në dritën nëpër gjethe si një bekim.

Mali Veleçik gjallërohet, falë diellit. Shumë blu në të majtë, gri në të djathtë, e rrok dielli në majë. Ndërsa sytë pushojnë mbi këto pamje, ndjen një valë qetësie.

Më tej, ajo që nuk ishte befasi, një tufë miqsh që nuk njiheshin domosdoshmërisht në mëngjes, mes të qeshurave, shakave dhe lodhjes së butë të ditës, shijojmë çaste të thjeshta që i bashkojnë aq shumë: në lojëra me top, në livadhin e gjerë si një tapet, të kthyer në fushë futbolli.

Zhytur në këtë kaleidoskop emocionesh ndalemi te Razëm Natyral Resort, që na mirëpret bukur. Gatimi është tradicional, por me një prekje moderne. Duket që kanë përvojë në administrimin e grupeve turistike.

Orët ikin pa nxitim. Razma nuk të lë të largohesh, veçse kur ndien që ke për t'u kthyer përsëri në këtë copëz Parajse. Zbresim gjarpërisht rrugën, në ajrin e pastër që thithet aty. Qielli na shoqëroi, i qetë, sikur donte të na dhuronte një kthim perfekt.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx