E shtune, 08.11.2025, 03:46 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Tri ngjarje që do të mbesin në memorien e zgjedhjeve lokale të këtij viti

E premte, 07.11.2025, 06:56 PM


Prof. Blerim Latifi:

Tri ngjarje që do të mbesin në memorien e zgjedhjeve lokale të këtij viti

Janë tri ngjarje që do të shënojnë memorien politike të zgjedhjeve lokale të këtij viti: debatet televizive të kandidatëve për kryetar të Prishtinës, fitorja e Ramiz Lladrovcit në Drenas dhe gara për kryetar të Mitrovicës.

E para: debatet televizive të kandidatëve për Prishtinën kanë shpërfaqur një kulturë të lartë të ballafaqimit demokratik, diçka që në mënyrë kronike i mungon debatit politik në Kosovë. Avancimi i demokracisë sonë do të varet shumë nga aftësia për ta shtrirë këtë standard edhe në rrafshin e politikës nacionale.

E dyta: fitorja pa balotazh e Ramiz Lladrovcit në Drenas e ka thyer besimin pothuajse mitik të PDK-së se në Drenicë fitoret e saj janë të garantuara nga vetë logoja e partisë dhe nga dashuria e pakushtëzuar e drenicasve për të. Drenica vazhdon të jetë mbështetëse e fuqishme e PDK-së, por kohët e mbështetjes blanko duket se kanë kaluar.

E treta: gara për Mitrovicën është formalisht lokale, por në frymë thellësisht nacionale, sepse në të përplasen dy tregime: miti i Kurtit si “heroi i epope-së së veriut” dhe kritika e këtij miti nga opozitarët e tij. Nëse VV e humb këtë garë, kjo do të jetë një plagë e madhe politike për Kurtin, sepse Mitrovica nuk është vetëm një komunë, por një simbol i legjitimitetit të tij politik dhe i mitologjisë që e ka ndërtuar rreth figurës së vet si udhëheqës që “e çliroi veriun”. Një humbje aty do të përbënte jo vetëm rënie elektorale, por edhe një goditje simbolike ndaj vetë bazës mitike të pushtetit të tij.

________________

Mbi atë kodër dikur qëndronte një kështjellë e moçme. Arkeologët thonë: qysh nga koha e hershme e Bizantit. Nga ajo pikë vrojtimi shihet gjithë fusha e Kosovës dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja pse u ngrit aty kështjella. Deri në shekullin e 19 muret e saj do të mbijetonin. Pastaj, kur filloi ndërtimi i hekurudhës Mitrovicë–Shkup, gurët e saj u morën për ta shtruar trasenë e saj. Gurët e mbetur u morën nga disa familje muhaxhirësh për të ndërtuar shtëpitë e tyre, pas dëbimit nga Sanxhaku i Nishit. Sot poshtë kodrës qëndron ky monument, që përkujton aktin heroik të një burri të moshuar, i cili më 5 mars të vitit 1998 bëri 12 kilometra rrugë për t’i shkuar në ndihmë Adem Jasharit në Prekaz. “Kam një besë në vend me çue”, u tha njerëzve të tij para se të nisej. Ra duke hyrë mes për mes njësive policore që po e mbanin në rrethim të hekurt lagjen Jashari. Quhej Isak Halili. Ishte 64 vjeçar.

________________

Mëngjes. Të Qafa, në Prishtinë. Një grua e moshuar po kalonte rrugën. Mori në thua dhe u përplas në tokë. Gjerat që kishte në qese iu shpërndanë. Dy adoleshentë fare pranë saj filluan të zg?rdhihen, dhe njëri prej tyre bëri gati telefonin për ta fotografuar. Një burrë, rreth të dyzetave, i shau dhe vrapoi drejt plakës që po përpiqej të ngrihej. Ia dha krahun dhe e largoi nga rruga. U kthye, ia mblodhi gjërat në qese dhe, pasi plaka u mbush me frymë ulur në disa shkallë afër, e mori për krahu për ta shoqëruar deri te hyrja e banesës së saj.

Një skenë që përmbledh fytyrat e kësaj shoqërie, indiferencën tallëse dhe humanizmin e thjeshtë ; kontrastin midis të shëmtuarës dhe së bukurës njerëzore. Adoleshentët përfaqësojnë degradimin etik të shkaktuar nga kultura e TikTokut. Në kët' kulturë reagimi i parë ndaj fatkeqësisë nuk është ndihma, por ngarendja për ta kthyer ngjarjen në objekt argëtimi dhe storie virale në rrjetet sociale. Ndërsa burri që ndërhyn, pa menduar, përfaqëson instinktin e moçëm social: nderimin për tjetrin, kujdesin për të dobëtin. Përfaqëson atë mbetje të humanizmit të dikurshëm që ende e mban botën n? kambë.

________________

Humbja e Kërçovës është paralajmërim i hershëm për atë që do t’u ndodhë shqiptarëve në Maqedoni në vitet që vijnë: do të përfundojnë duke u qeverisur nga sllavo-maqedonasit edhe në ato zona ku janë shumicë. Ky është çmimi që duhet paguar për heqjen dorë nga identiteti kombëtar në favor të identitetit religjioz. Sepse një gjë është krejt e qartë, sot dhe përgjithmonë: të drejtat kombëtare nuk mund të ruhen pa një vetëdije të fortë kombëtare.

________________

Top Channel: Presidenti sirian do të vizitojë Uashingtonin në nëntor, ku pritet t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it.

A këtu budalltë ja nisën me mendu se njohja nga Siria na erdhi si një lloj mirënjohjeje për pjesëmarrjen e xhihadistëve nga Kosova në luftën e Sirisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx