E merkure, 29.10.2025, 11:26 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Një dokument me vlera të mëdha historike dhe aktuale

E merkure, 29.10.2025, 06:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Ky është një dokument me vlera të mëdha historike dhe jo vetëm. Si çdo dokument historik, edhe ky është produkt i një konteksti dhe situate të caktuar. Ka qenë qershori i vitit 1998. UÇK-ja ishte bërë forcë ushtarake, e cila tanimë nuk mund të injorohej as në rrafshin luftarak e as në atë diplomatik. Në këtë situatë Serbia kishte ndezur të gjithë motorët e propagandës për ta diskredituar atë në rrafshin ndërkombëtar, duke e paraqitur si organizatë me bazë ideologjike fundamentalizmin islamik. Kjo deklaratë e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, është kundërvënie ndaj kësaj propagande. Vlera e saj nuk është më vetëm historike. Është edhe aktuale, sepse propaganda e Serbisë vazhdon me të njëjtat metoda, tash kundër kujtesës së UÇK-së. Me një dallim: derisa dje këtë propagandë e bënin kryesisht mediat dhe mekanizmat diplomatikë të Serbisë, sot këtë punë po e kryejnë veglat vahabiste të Serbisë në Kosovë.

______________

E kanë bllokuar shtetin prej muajsh, sepse në nivelin qendror s’janë në gjendje të bëjnë marrëveshje. Dhe për të justifikuar pozicionet e veta, mullinjtë e tyre propagandistikë bluajnë pa pushim, 24 orë në ditë, për të demonizuar rivalët. Ndërkaq, poshtë, nëpër komuna, kanë filluar përqafimet e koalicioneve për balotazhin e 9 nëntorit.

Çfarë gërdie politike!

Këta ta gërdisin shtetin, atdheun, emrin e tij dhe ëndrrat për të.

______________

Fedri, fabulisti i famshëm i Romës së lashtë, ndër shumë fabulat e tij ka edhe atë mbi dy barrët e Jupiterit, zotit suprem të panteonit romak.

Kur Jupiteri krijoi njerëzit, u vendosi atyre mbi supe dy barrë: në barrën e varur pas shpine i futi të gjitha veset dhe të metat e tyre, ndërsa në atë të vendosur përpara kraharorit, veset dhe të metat e të tjerëve. Që prej asaj kohe, njeriu u mësua të mos i shohë gabimet e veta, por t’i ketë përherë parasysh ato të të tjerëve.

Kështu, Fedri, përmes një fabule të thjeshtë, na shpalos një të vërtetë të përjetshme mbi natyrën njerëzore: njeriu është i verbër ndaj vetvetes dhe shumë vigjilent ndaj tjetrit. Ai e mban moralin si pasqyrë të drejtuar ndaj tjetrit, e ndaj vetes.

Prandaj shoqnia njerëzore mbetet një teatër gjykimesh reciproke, ku secili sheh dhe gjykon vetëm vesin ose gabimin e tjetrit dhe këtë e beson si provë të mençurisë së vet.

Këtë e dëshmon sot politika në Kosovë, ku çdo palë mban barrën e vet pas shpine, por e tund para të tjerëve barrën e kundërshtarit. Askush nuk sheh veset e veta, sepse ato janë pas shpinës, në terrin e vetëjustifikimit. Kështu, moraliteti politik shndërrohet në një pasqyrë të shtrembër, ku secili sheh vetëm fajin e tjetrit dhe beson se e drejta është në anën e tij. Kjo e pamundëson të vetmin mekanizëm që e mbron një shoqni pluraliste nga vetêshkatërrimi: marrëveshjen.

______________

"Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë.

Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të.

Frymëzona me ndjenjë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu.

Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit.

Ashtu qoftë.”

Njëqind vjet pas kësaj lutje të Faik Konicës, shqiptarët vazhdojnë të dërdëllisin edhe kur s’kanë gjë për të thënë;

të shkruajnë pa ndalur mbi gjëra për të cilat se kanë as haberin më të vogël;

të flasin ditë e natë për drejtësi, por të mos sillen siç e kërkon ajo;

dhe të kalojnë jetën nën hijen e dokrrave që lindin nga grackat e gramatikës, shtrembërimet e gjuhës dhe lajthitjet e shtypit. Sidomos të atyre të politikës.

______________

Top Channel: "Një person i cilësuar i rrezikshëm për sigurinë e vendit, për vepra të terrorizmit,.është ndaluar këtë pasdite në Rinas që të hyjë në republikën e Shqipërisë.

Top Channel mëson se bëhet fjalë për predikuesin fetar Imran Hosein. Ai ishte nisur nga Amerika e Jugut , Triniadad, drejt Shqipërisë për një agjendë fetare, por autoritetet e sigurisë kanë pasur ndaj tij informacione që lidhen me akte terrorizmi dhe për këtë arsye policia kufitare nuk ka lejuar që ai të hyjë në Shqipëri.

Aktualisht po mbahet në Rinas derisa të finalizohet rikthimi i tij nga vendi ku u nis".

Koment: Po te ateronte në Prishtinë jo që nuk do ta ndalnin kët' pleh, por me shumë mundësi ai do realizonte takime edhe me zyrtarë të lartë, e mbase edhe me krerët e shtetit. Sepse në kët' vend, prej kohësh, shpërlamja e trurit ka marrë përmasa gjithëkombëtare.

______________

Pjetër Bogdani e Shtjefën Gjeçovi pranë njëri-tjetrit. I pari, doktor në teologji dhe filozofi në Padova [Itali], para 350 vitesh. I dyti, doktor honoris causa në Universitetin e Lajpcigut në Gjermani. Shqiptari i parë me këtë titull nga një akademi e huaj dhe prestigjioze. Të dy, martirë të një misioni që ende s’ka përfunduar: rikthimin e shqiptarëve në vendin që u takon, në qytetërimin europian. Të dy bij të Kosovës. Dhe të Shqypnisë, po ashtu.

______________

Në fushën e gjanë të Kosovës, një arë me misër rri e heshtur nën diellin e zbehtë, të fshehur pas reve të vjeshtës. Gjethet janë tha dhe tramakët e pjekur janë përkulur. Era i tund ngadalë, sikur të donte t’i pyeste pse ende qëndrojnë aty. Ai që e ka mbjellë, ndoshta një bujk i thjeshtë, nuk është kthyer më. Si duket është bërë pishman. Ose e ka harruar. Kush mund ta dijë?

Por në këtë pamje të heshtur ka më shumë se kaq. Kjo arë është metafora e braktisjes. Metafora e një përpjekje njerëzore që është lënë përgjysmë. Dhe kjo ndodh shpesh në Kosovë, në këtë tokë që ka parë aq shumë mbjellje e më pas rrënime, aq shumë ngritje shprese e më pas zhgënjime e braktisje.

______________

Kina ndalon influencerët pa shkollë, gjoba nëse flasin për tema që s’i kanë studiuar!

Më në fund një lajm i mirë nga Kina. Urojmë që edhe kombet e tjera të veprojnë njësoj. Boll janë argëtu budalltë, duke abuzu me lirinë e shprehjes. Fjalës publike duhet t’i rikthehet përgjegjësia intelektuale.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx