E premte, 17.10.2025, 05:17 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Moral selektiv!

E enjte, 16.10.2025, 06:56 PM


Prof. Blerim Latifi:

Me t’u tërhequr IDF-i në vijën e paraparë nga marrëveshja e paqes, Hamasi ka filluar të vrasë në masë palestinezë që i kualifikon si grupe dhe klane rivale. Ekzekutimet publike në sheshet e Gazës janë duke bërë xhiron e botës. Në anën tjetër, Pakistani ka bombarduar Kabulin dhe Kandaharin në Afganistan. Qindra të vrarë janë numëruar brenda pak orësh.

Dhe megjithatë, nga ata që gjithmonë e kanë ngritur zërin në emër të “drejtësisë”, nuk po dëgjohet askush. Dhe dihet pse: nuk mund të fajësojnë Izraelin për këto masakra. Për ta, viktimat kanë rëndësi vetëm kur mund të përdoren si instrument ideologjik kundër Perëndimit.

Kjo është fytyra e vërtetë e të ashtuquajturës "e majta anti-imperialiste", e cila duket se e njeh dhimbjen vetëm kur ajo mund të përdoret për të ushqyer urrejtjen e saj ndaj qytetërimit perëndimor. Për ta, jeta njerëzore nuk ka më peshë morale në vetvete, por vetëm vlerë ideologjike: nëse viktima nuk lidhet disi me Izraelin apo Amerikën, ajo thjesht kthehet në statistikë që harrohet brenda një dite.

Ky moral selektiv, i ngritur mbi urrejtjen e verbër ideologjike, është një nga shenjat më të qarta t? fundosjes historike të së majtes. Ai nuk buron nga dhembshuria universale, por nga urrejtja grupore. Nuk synon drejtësinë, por mbajtjen gjallë të një narrative ideologjike ku Perëndimi duhet të jetë gjithmonë fajtor për gjithçka.

Kështu kishte vepruar ky pleh ideologjik edhe në rastin tonë: e mbronin agresionin e Milosheviqit kundër Kosovës vetëm pse kundër tij ishte Perëndimi liberal, në krye me SHBA. Të njëjtët që flasin për “të shtypurit”, për “viktimat e kolonializmit”, mbyllnin sytë para gjenocidit që po kryhej mbi ne, vetëm që të ruanin pastërtinë e urrejtjes së tyre ndaj Amerikës.

_________

200 vjet më parë, kur Amerika ishte një komb i ri dhe krejtësisht i papërfillshëm në gjeopolitikën botërore, një profesor filozofie në Berlin do të bënte një profeci për këtë komb të ri, profeci e cila në atë kohë do të shkaktonte vetëm të qeshura tek ata që do e lexonin apo dëgjonin: "Amerika… është vendi i të ardhmes. Në kohën që po vjen, qendra e rëndësisë historike do të shfaqet atje…". Në terma filozofikë: Amerika do të bëhet vendi ku Mendja Botërore do të gjejë një terren të ri për të zhvilluar vetëdijen universale mbi lirinë.

Ky profesor filozofie ishte Georg Wilhelm Friedrich Hegel.

_________

Nga gjashtë fituesit e Çmimit Nobel për Fizikë dhe Mjekësi në vitin 2025, tre janë amerikanë, një britanik, një francez dhe një japonez. Edhe pse përbëjnë një përzierje kombesh, baza institucionale e kërkimeve të tyre shkencore është pothuajse tërësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky fakt është një tregues i qartë se Perëndimi, dhe veçanërisht SHBA-ja, vazhdon të ruajë epërsinë në asetet më të rëndësishme të civilizimit bashkëkohor: dijen shkencore, inovacionin teknologjik dhe institucionet kërkimore që e ushqejnë atë.

Në epokën tonë ku pushteti ekonomik e ushtarak po shpërndahet edhe tek fuqitë joperëndimore, superioriteti në dituritë shkencore mbetet thelbi i dominimit perëndimor.

Nobelistët e vitit 2025 dëshmojnë se, pavarësisht origjinës kombëtare, ekosistemi kërkimor amerikan dhe perëndimor mbetet qendra magnetike që tërheq, mundëson dhe shpërblen përparimin shkencor. Të tjerë, ndërkaq, vazhdojnë të rrejnë veten me përralla kozmike dhe kur punët u shkojnë keq, të bëjnë të vetmen gjë që dinë të bëjnë: të urrejnë Perëndimin.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx