E premte, 19.09.2025, 10:41 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Origjina e slloganit më të famshëm të kohëve moderne dhe rasti i Kosovës

E premte, 19.09.2025, 06:58 PM


ORIGJINA E SLLOGANIT MË TË FAMSHËM TË KOHËVE MODERNE DHE RASTI I KOSOVËS

Nga Prof. Blerim Latifi

Liria nuk ka qenë gjithmonë shqetësim i shumicës së njerëzimit. Siç shkruan Hegeli në "Filozofinë e historisë", në botën e lashtë aziatike liria ishte privilegj i sundimtarit absolut; në botën greko-romake, ajo ishte privilegj i pakicave sunduese, ndërsa shumicat duhej të pajtoheshin me skllavërinë ose me format e tjera të varësisë. Vetëm me ardhjen e modernitetit ndodhi diçka që epokat e tjera të historisë as që e mendonin dot: universalizimi i vetëdijes për lirinë.

Kjo nënkuptonte se me modernitetin liria u shpall si e drejtë natyrore e çdo njeriu. Iluminizmi ishte aty për ta shpallur lirinë si thelb të natyrës njerëzore dhe si idealin më të lartë të një shoqërie të civilizuar. Duke marrë këto tipare, liria u kthye në standardin e vlerësimit të çdo gjëje, përfshirë edhe vetë kuptimin e jetës. Jeta pa liri u konsiderua jetë e pavlerë. Më mirë të vdisje sesa të jetoje pa liri. Pikërisht ky është konteksti kulturor në të cilin u shfaq sllogani “Liri a vdekje”.

Historianët e ideve na tregojnë se kjo thirrje u dëgjua për herë të parë më 1775, në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara, gjatë fjalimit të Patrick Henry-t, një prej figurave kryesore të luftës për pavarësi amerikane. Me thirrjen e tij legjendare “Give me liberty, or give me death!”, Henry ndezi imagjinatën politike të kohês dhe formuloi një sllogan që shpejt u bë pjesë e të gjitha flamujve çlirimtarë.

Pak vite më vonë, ky sllogan do të dëgjohej në rrugët e Parisit nga revolucionarët francezë, të cilët thërrisnin: “Liri, Barazi, Vëllazëri ose Vdekje.” Vite më vonë poeti gjerman Friedrich Schiller e vendosi atë në gojën e luftëtarëve zviceranë të Wilhelm Tell-it, në dramën e tij të famshme me këtë emër

Në vitin 1821, kur shpërtheu kryengritja greko-arvanitase kundër Perandorisë Osmane, romantikët europianë, të magjepsur nga kujtimi i heronjve të Greqisë antike, vrapuan në Peloponez dhe ua mësuan këtë sllogan kaçakëve grekë, të cilët nuk kishin dëgjuar kurrë për Akilin, Leonidën apo Perikliun. Suksesi i luftës greke për pavarësi, i siguruar nga ndërhyrja politike dhe ushtarake e fuqive të mëdha europiane, që shkatërroi flotën e Ibrahim Pashës, bëri që sllogani “Liri a vdekje” të përhapej në të gjitha lëvizjet kombëtare për pavarësi në Europë, përfshirë edhe në Ballkan.

Nga këtu ai hyri edhe në nacionalizmin shqiptar dhe më pas në lëvizjen kombëtare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Si themelues i kësaj lëvizjeje, Adem Demaçi kaloi dekada në burgjet jugosllave duke besuar fort në idealin iluminist të këtij sllogani. Kur në Rambuje, përmes telefonit, u përball me sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright dhe ndihmësin e saj James Rubin, të cilët i kërkonin kompromis diplomatik, atij i doli nga shpirti sllogani i moçëm që kishte ndezur Europën për dy shekuj: “Veç pavarësi, ose do të vdesim të gjithë!”

Nacionalizmi romantik e kishte bërë të mundur rezistencën antijugosllave dhe përfundimisht edhe kryengritjen e UÇK-së  kundër regjimit serb, por realiteti i luftës në terren, raporti i forcave aty dhe diplomacia e ndërlikuar e Konferencës së Rambujesë kërkonin mençuri pragmatike në rend të parë. Këtë mençuri e shprehu më së miri këshilla e James Rubin për Hashim Thaçin: “Shpëtoje njëherë popullin tënd, pastaj pavarësinë.”

Falë kësaj këshille ndodhi mrekullia dhe evitimi i katastrofës, e cila, siç na mëson historia me shembujt e saj, rezulton gjithmonë nga idealizmi i pakompromis, që nuk do t'ia dijë për realitetin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx