Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Një heshtje që flet për ikjen...
E diele, 19.10.2025, 06:55 PM
Prof. Blerim Latifi:
Kjo
është një fushë sporti në fshatin Polac të Skenderajt. Është ndërtuar para disa
vitesh, me qëllim që fëmijët dhe të rinjtë e katundit të luanin aty. Por sa
herë që më bie rasti të kaloj andej, nuk shoh kurrë askënd duke luajtur.
Arsyeja dihet: katundet po përjetojnë zbrazjen demografike. Edhe ata pak fëmijë
që ende jetojnë në to, tani argëtohen në fushat e lojërave digjitale. Argëtimet
e kohërave të shkuara nuk u bëjnë më asnjë përshtypje. Ata janë Gjenerata Z,
ndërsa kjo fushë i përket kulturës së një gjenerate tashmë në prag të
pleqërisë, Gjeneratës X.
Deri
pas luftës, kjo fushë ishte një gropë e mbushur me ujë, i cili as gjatë verës
nuk shterronte, ndërsa dimrit uji dilte nga brigjet dhe e përmbyste rrugën e
katundit, duke e kthyer në baltë të pakalueshme. Në dimrin e vitit 1945, aty
ishte zhvilluar një nga betejat më epike gjatë kryengritjes së Shaban
Polluzhës. Njësiti i Aziz Zhilivodës, bashkë me atë të Isuf Gilanit, i kishin
zënë pritë një batalioni partizan. Pothuajse i gjithë batalioni ishte vrarë. Të
nesërmen, një brigadë partizane kishte arritur aty dhe, në shenjë hakmarrjeje,
kishte filluar masakrën mbi civilët e gjetur në katund. Mbi pesëdhjetë burra
ishin vrarë dhe hedhur në Lkenin [Liqenin] e Polacit, ndërsa katundit i ishte
vënë flaka.
Sot,
kjo kujtesë po humbet në heshtje. Askush nuk e përmend më betejën, as emrat e
atyre që u masakruan pas saj. Fusha, që dikur ishte gropë uji dhe më pas vend
gjaku, e mandej ngrohja globale e thau përfundimisht, për t'ia lënë vendin
fushës sportive, tani qëndron e qetë, me barin që rritet mbi kujtimet e
harruara. Heshtja e saj është e thellë. Një heshtje që flet për ikjen e
ngadalshme të njerëzve, të kujtimeve, dhe të vetë kuptimit të vendit.
______________
Para
Gjergjit. Me flamurin e tij. Qysh u ka hije shqiptarëve.