Kulturë » Zhiti
Eda Agaj Zhiti: Në librarinë 'Onufri'
E diele, 26.10.2025, 05:55 PM

NË LIBRARINË “ONUFRI”
Nga
Eda Agaj Zhiti
…ishte
mbushur plot, po rrinin dhe në këmbë. Na kishte mbledhur poezia. Bukuria e saj
dhe forca sfidojnë përditshmëritë, vështirësitë dhe të rëndomtën, - u tha në
takim.
Shkrimtari
Andreas Dushi, që drejtonte veprimtarinë, edhe në emër të Shtëpisë Botuese
“Onufri”, vlerësoi librin e ri të Visar Zhitit, atë udhëtim sa i jashtëm nëpër
botë, po aq dhe i brendshëm, - shpirtëror, - tha, - që na shplasoset aq
poetikisht. Pra, sonte jemi mbledhur, - shtoi, - të lajmërojmë daljen e një
libri të ri…
Studiuesi
i njohur dhe poeti, Profesor Agim Vinca nga Prishtina, bëri një paralele të
jetës me poezinë si bashkëudhëtare të Visarit.
Edhe
historiani e shkrimtari Uran Butka solli kujtime me Visarin dhe shkrimet e tij
për të.
Pati
pyetje dhe dëshmi nga salla si ato të kushërinjve Kokalari, ndërkaq u lexuan
dhe poezi, ndërsa profesoreshë Albana Ndoja Deda me fjalën e saj bëri një
sintezë profesionale të disa aspekteve të poezisë së Zhitit për të cilat u
diskutua aty.
Visari
çmoi shumë praninë e të gjithëve, falenderoi organizatorët dhe botuesin,
themeluesin e “Onufrit”, z. Bujar Hudhri, drejtoreshën dhe përgatitesen e
librit, znj. Enxhi Hudhri, redaktorët, Dr. Luan Topçiu dhe Andreas Dushi,
falenderoi vetë mbrëmjen…
Në
fund si zakonisht seanca e autografeve. Autori u rrethua nga gazetarë, poetë të
rinj, shkrimtarë, pedagogë, shokë të burgut, diplomatë, botues, përkthyes,
lexues. Ajo sallë e vogël sa zemra, - po thoshim, - mblodhi miq e shokë e
dashamirës, jo vetëm nga Tirana e Durrësi, por dhe më larg, nga Lushnja e
Librazhdi, etj, por dhe nga Italia, Anglia e SHBA, - nga Washingtoni e New
Yorku e Chicago, etj, që teksa ndodheshin në atdhe, pse jo të mos merrnin pjesë
në një bisedë për poezinë në gjuhën amë?
Visari thotë: sa më shumë jetë në poezi, aq më shumë poezi në jetë!











