Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eda Agaj Zhiti: Në librarinë 'Onufri'

| E diele, 26.10.2025, 06:55 PM |


NË LIBRARINË “ONUFRI”

Nga Eda Agaj Zhiti

…ishte mbushur plot, po rrinin dhe në këmbë. Na kishte mbledhur poezia. Bukuria e saj dhe forca sfidojnë përditshmëritë, vështirësitë dhe të rëndomtën, - u tha në takim.

Shkrimtari Andreas Dushi, që drejtonte veprimtarinë, edhe në emër të Shtëpisë Botuese “Onufri”, vlerësoi librin e ri të Visar Zhitit, atë udhëtim sa i jashtëm nëpër botë, po aq dhe i brendshëm, - shpirtëror, - tha, - që na shplasoset aq poetikisht. Pra, sonte jemi mbledhur, - shtoi, - të lajmërojmë daljen e një libri të ri…

Studiuesi i njohur dhe poeti, Profesor Agim Vinca nga Prishtina, bëri një paralele të jetës me poezinë si bashkëudhëtare të Visarit.

Edhe historiani e shkrimtari Uran Butka solli kujtime me Visarin dhe shkrimet e tij për të.

Pati pyetje dhe dëshmi nga salla si ato të kushërinjve Kokalari, ndërkaq u lexuan dhe poezi, ndërsa profesoreshë Albana Ndoja Deda me fjalën e saj bëri një sintezë profesionale të disa aspekteve të poezisë së Zhitit për të cilat u diskutua aty.

Visari çmoi shumë praninë e të gjithëve, falenderoi organizatorët dhe botuesin, themeluesin e “Onufrit”, z. Bujar Hudhri, drejtoreshën dhe përgatitesen e librit, znj. Enxhi Hudhri, redaktorët, Dr. Luan Topçiu dhe Andreas Dushi, falenderoi vetë mbrëmjen…

Në fund si zakonisht seanca e autografeve. Autori u rrethua nga gazetarë, poetë të rinj, shkrimtarë, pedagogë, shokë të burgut, diplomatë, botues, përkthyes, lexues. Ajo sallë e vogël sa zemra, - po thoshim, - mblodhi miq e shokë e dashamirës, jo vetëm nga Tirana e Durrësi, por dhe më larg, nga Lushnja e Librazhdi, etj, por dhe nga Italia, Anglia e SHBA, - nga Washingtoni e New Yorku e Chicago, etj, që teksa ndodheshin në atdhe, pse jo të mos merrnin pjesë në një bisedë për poezinë në gjuhën amë?

Visari thotë: sa më shumë jetë në poezi, aq më shumë poezi në jetë!