E premte, 05.09.2025, 06:19 AM (GMT+1)

Faleminderit

Dorian Koçi: Gjeologu shkencëtar polak Stanislaw Zuber dhe kujtesa jonë kolektive

E merkure, 03.09.2025, 06:58 PM


Gjeologu shkencëtar polak Stanislaw Zuber dhe kujtesa jonë kolektive

Nga Dorian Koçi

Në procesin e rindërtimit të kujtesës historike dhe kulturore të Shqipërisë pas periudhës së totalitarizmit, një nga sfidat më të mëdha është rivendosja e figurave të fshira ose të harruara nga historia zyrtare. Kjo sfidë nuk është vetëm një akt drejtësie historike, por edhe një domosdoshmëri për të ndërtuar një kujtesë kolektive gjithëpërfshirëse, që respekton kontributin e individëve dhe komuniteteve përtej kufijve ideologjikë apo kombëtarë. Në këtë kuadër, figura e Stanislaw Zuber (1893–1947), gjeologut të shquar polak që vdiq i torturuar në Shqipëri, përfaqëson një pikë të rëndësishme të ndërthurjes midis shkencës, sakrificës dhe dhunës shtetërore.

Zuber nuk ishte thjesht një specialist i huaj i angazhuar në një vend tjetër. Ai ishte një kontribuues themelor në ndërtimin e dijes gjeologjike të Shqipërisë, duke punuar për më shumë se dy dekada në kërkimin e burimeve natyrore, hartimin e hartës së parë gjeologjike të vendit dhe zhvillimin e sektorit të naftës. Ai e shihte punën e tij në Shqipëri si një mision për modernitetin dhe zhvillimin.

Por historia jonë kolektive është e shënuar nga paradokse të rënda: njerëzit që i shërbyen vendit me përkushtim shpesh përfunduan viktima të një sistemi që ushqehej me dyshimin dhe frikën. Në tetor të vitit 1947, Zuber u arrestua, u burgos dhe u torturua në godinën e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, aty ku sot qëndron memoriali në nder të tij. Ai vdiq në qelitë e atij institucioni, pa një proces gjyqësor, pa një aktakuzë të qartë, pa një zë që ta mbronte. E vetmja dëshmi për mënyrën sesi u torturua dhe vdiq në qeli u botua në vitin 1991, në Gazetën Republika, nga shkrimtari dhe gazetari i njohur Petro Marko, që ishte bashkëvuajtës i tij.

Rastet si ai i gjeologut Stanislaw Zuber nuk janë vetëm tragjedi personale – ato janë pjesë përbërëse e kujtesës kolektive të dhunës shtetërore dhe një paralajmërim që duhet ruajtur për të mos u përsëritur. Kujtesa kolektive, siç na mëson teoricieni Maurice Halbwachs, nuk është thjesht një grumbull faktesh, por një proces i përzgjedhur dhe i ndërtuar në komunitet. Duke e përfshirë Zuber në këtë kujtesë – jo si "të huaj", por si pjesë të historisë sonë – ne pranojmë kompleksitetin e trashëgimisë sonë kulturore dhe shkencore.

Rivendosja e figurave si Stanislaw Zuber në narrativën e historisë së shkencës shqiptare, por edhe në atë të represionit të diktaturës, është një akt i vonuar, por i domosdoshëm. Ai përfaqëson një kujtesë mbikombëtare, ku solidariteti dhe dhimbja kapërcejnë kufijtë kombëtarë. Basorelievi i vendosur në nder të tij nuk është thjesht një pllakë përkujtimore, por një simbol që na fton të rimendojmë raportin tonë me të kaluarën, me të huajin, me dijen dhe me drejtësinë.

Disa vite më parë, pas botimit të monografisë Nga Adriatik në Balltik: Udhëkryqe shqiptaro-polake (2020), ku trajtohej edhe figura e Zuber-it, si dhe falë interesimit të institucioneve muzeale polake, nisa një përpjekje për të ndërtuar një muze gjeologjik në Shqipëri, me një pavijon të veçantë dedikuar Zuber-it në Kuçovë, ku ai jetoi dhe dha kontribut intelektual e profesional. Kjo përpjekje ende nuk është realizuar për mungesë fondesh, por besoj se në vitet në vijim do të marrë pjesën kryesore të energjive të mia, në mënyrë që Zuber të ketë, përveç bustit, edhe muzeun e tij përkujtimor në Kuçovë.

Në epokën e sotme, kur rikthimi i historisë si mjet për të ndërtuar të ardhmen është më i rëndësishëm se kurrë, kujtesa e Stanislaw Zuber-it na kujton se nuk ka zhvillim të vërtetë pa respekt për dinjitetin njerëzor dhe kontributin shkencor. Historia e tij është pjesë e historisë sonë – një histori që nuk duhet më të heshtet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjon Keka: Rrënjët e Skënderbeut nuk mund t'ia shkul asnjë fanatizëm i verbër fetar Hysen Ibrahimi: Dhjetë vjet pa akademik Mark Krasniqin Don Fran Sopi: Shën Nënë Tereza, drita që lindi 115 vite më parë Sadbere Emshiu: Nue Oroshi – Enciklopedia e gjallë e kujtesës Shqiptare Avzi Mustafa: Jetoi me muzikë dhe iku si një këngë e lehtë Rejhane Rexhepi: Lamtumirë Imran Murati – një jetë e lidhur me idealin e lirisë Nue Oroshi: Kujtesë për atdhetarët e mirëfilltë të Shqipërisë Etnike Dorian Koçi: Musine Kokalari dhe lufta për liri intelektuale në Shqipërinë e pasluftës Gjon Keka: Motra Smila Micakaj - Nënë Tereza e dytë e Kosovës Sadbere Emshiu: Dy udhë të një ideali - Gonxhe Bojaxhiu dhe Ibrahim Rugova Bedri Tahiri: Xhevahir Cirongu – Krijues gjithëkombëtar Mikel Prennushi: Pal Engjëlli, humanist i shquar dhe bashkëpunëtor i afërt i Skënderbeut Gjekë Gjonaj: Anton Vulaj, menaxher i vitit në Mal të Zi Tomë Jakaj: Kujtimi i pavdekshëm në 129 vjetorin e lindjes së babait tim, Martirit të Lirisë – Nue Jakaj Lekë Mrijaj: Një rrëfim kronologjik nëpër udhët e meshtarisë së meshtarit, don Anton Kçira Albert Habazaj: Sulejman Kapo Abazaj – Atdhetari që s’mund të harrohet Nue Oroshi: Zef Kolë Ndoka luftoi për 13 vite kundër pushtuesve turq dhe serbë Ndue Dedaj: Ndue Cara, doktori i pashembullt i pukjanëve Vladimir Shyti: Sekreti i aktorit madhështor, Kadri Roshit Sylejman Salihu: Nënë Zahideja

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx